Kompania e nxjerrjes së naftës, Albpetrol dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë kanë derdhur vlerat më të larta nga dividendi në buxhetin e shtetit për 9 mujorin. Fitimi i Albpetrol shënoi 7 milionë dollarë në fund të periudhës nëntëmujore . Një vit më parë ky tatim ka munguar në buxhet për shkak se, kompania rezultoi me humbje. Rreth 600 milionë lekë janë derdhur nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës. Me fitim këtë vit dolën edhe Portet e Durrësit dhe të Sarandës. Një vit më parë pjesa më e madhe e dividendit në buxhet i dedikohej drejtorisë Rajonale të Shfrytëzimit dhe Kontrollit të Mjeteve të Transportit Rrugor Tiranë, me 900 milionë lekë. Vitin që shkoi tatimpaguesit e mëdhenj të tatimit mbi dividendin ishin Posta Shqiptare sh.a me 17 milionë lekë dhe aparati i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë me 5 milionë lekë. Më parë tatimpaguesit më të mëdhenj të dividendit ishin kompanitë e energjisë KESH dhe OSSHEE, por për shkak të problematikës së borxheve, në të cilat ndodhen kompanitë nuk kanë shënuar norma fitimi edhe këtë vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.