Qeveria shqiptare po planifikon të rrisë tatimin mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera (përfshirë dhe ato mbi interesat e fituara nga depozitat) në 15%, nga 10% që është ky nivel aktualisht. Lajmi bëhet i ditur për Monitor.al nga burime pranë shoqatave në biznesit, që janë pranë këtyre negociatave, ndërkohë që nuk ka ende një konfirmim zyrtar. Burimet nga shoqatat e biznesit pohojnë se vendimi është marrë tashmë dhe pritet që të përfshihet në paketën e re fiskale, që po diskutohet tashmë me bizneset.
Një vit më parë, qeveria vendosi rritjen e tatim fitimit për korporatat e mëdha nga 10% në 15%, ndërsa përshkallëzoi tatimin mbi pagat (nga 0 deri në 23%), duke hequr dorë në këtë mënyrë nga taksa e sheshtë prej 10%, që ishte vendosur nga qeveria demokrate në vitin 2008.
U lanë të pandryshuara tatimi mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera (interesat e depozitave, të ardhura nga qiraja etj), për të cilat u tha se do të rishikoheshin më vonë. Tashmë, ky tatim po barazohet me tatim fitimin për bizneset, me synim minimizimin e shmangieve, që mund të lindnin nga tatimet e diferencuara, duke shkuar drejt një takse të sheshtë prej 15% për të gjitha llojet e të ardhurave, me përjashtim të pagës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.