Çdo herë që vizitoni një vend të ri është e nevojshme t’i mbani mirë sytë hapur – mrekullia mund të fshihet kudo.
Dhe nuk po flasim vetëm për peizazhe. Edhe arkitektura mund të fshehë surpriza të jashtëzakonshme. Mbi të gjitha, arkitektura fetare.
Nëpër botë gjenden mijëra kisha, xhami dhe sinagoga me një bukuri të rrallë. Pa përmendur këtu kështjellat.
Matador Network ka bërë një renditje të tavaneve të këtyre objekteve më të bukura në botë
Xhamia Shah
Ndërtimi i Xhamisë Shah, në qytetin iranian Esfahan, nisi në vitin 1611. Sot cilësohet një ndër xhamitë më të bukura në botë, aq sa shfaqet edhe në kartëmonedhat iraniane. Ajo është zbukuruar me shkrime nga Kurani dhe me një mozaik me shtatë ngjyra.
Tempulli i Qiellit
Tempulli i Qiellit në Pekin është një kompleks ndërtesash fetare të cilin perandorët e vizitonin çdo vit për të pasur të korra të begata. Sot, ky vend fetar ruan ende bukurinë që të lë pa mend dhe është shndërruar në një destinacion turistik, për shkak të dekorimeve të pasura me simbole kineze dhe për karakterin figurativ – shtyllat që përfaqësojnë katër stinët, struktura katrore që simbolizon tokën dhe tavani blu i errët simbolizon qiellin.
Kisha e Shpëtimtarit mbi Gjakun e Derdhur
E restauruar dhe e pikturuar edhe në fasadën e saj, Kisha e Shpëtimtarit mbi Gjakun e Derdhur në Shën Petërburg është një ndër kishat më të bukura në të gjithë Rusinë dhe një nga ndërtesat me arkitekturën më spektakolare në botë. Nga dyshemeja në tavan, gjithçka këtu është një mozaik i jashtëzakonshëm ngjyrash, me kupola të veshura në ar.
Kështjella e Sammezzano
Kështjella e Sammezzano në Firence është një nga ndërtesat më të bukura në botë, me ylberin e ngjyrave, dekorimet e mrekullueshme dhe 365 dhomat e saj (një për çdo ditë të vitit), një spektakël i vërtetë në technicolor. E ndërtuar në vitin 1600, si pallat rezidencial, për një kohë të gjatë ka qenë një hotel luksoz pas Luftës së Dytë Botërore. Kohët e fundit i është shitur një kompanie në Dubai për 18 milionë dollarë.
Sultan Ahmet Camii
Sultan Ahmet Camii në Stamboll, e njohur në botë si Xhamia Blu, e ka marrë emrin prej vizatimeve brenda saj të gjithë në ngjyrë blu e bojëqielli. Ajo daton në vitin 1600, ndodhet pranë Katedrales së Shën Sofisë dhe karakterizohet nga më shumë se 20 mijë pllaka të pikturuara të gjitha me dorë, dritaret e mëdha dhe kupolat e saj të mrekullueshme.
Kapela Sikstine
Ndër më të famshmet në qytetin e Vatikanit, Kapela Sikstine (Cappella Sistina) ka ndër tavanet më të bukur në botë. I pikturuar nga Mikelanxhelo në fillim të shekullit XVI, vizitohet çdo vit nga miliona turistë. Cfarë përfaqëson? Nëntë skena nga Libri i Zanafillës, duke përfshirë edhe “Krijimin e Adamit”, me atë gisht të Zotit, që gati-gati takohet më atë të njeriut, duke i dhënë jetën. Është një nga imazhet e shumta, ndoshta më i jashtëzakonshmi, që përpiqet të pasqyrojë çastin e krijimit, përshkruar në Librin e Zanafillës. Këtu është rreptësisht e ndaluar të bëni fotografi.
Xhamia e Nasir ol Molk
Në këtë klasifikim të veçantë, triumfuese është Xhamia e Nasir ol Molk në Shiraz (Iran). E dekoruar me motive të gjalla, me shumë ngjyra dhe me muqarnas të ndërlikuar, xhamia ofron brenda një spektakël drite kaleidoskopike falë paneleve prej qelqi me ngjyrë. Tavani, tipik i arkitekturës islame, mbërthen sytë e të gjithë atyre që kanë fatin ta admirojnë.