Prirja për të nxitur shërbimet turistike me anë të përjashtimit të tyre nga TVSHja do të duhej të përfshihej në Paketën Fiskale të vitit 2006.Veprimtaria ekonomike e çdo personi (fizik ose juridik), vendas ose i huaj, nuk është gjë tjetër veçse një marrëdhënie e ndryshimit (ose këmbimit) të pronës (ose të së drejtës mbi të) ndërmjet dy a më shumë palëve. Pikërisht për këtë qëllim do të ishte me vlerë që të citohej pika 2 e nenit 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku gjejmë: “Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.” Njohja dhe zbatimi i Kodit Civil në kuptim të zbatimit të legjislacionit tatimor merr një rëndësi të veçantë kur shqyrtohen veprimtari të ndërmjetme që kanë lidhje me marrëdhëniet e ndryshimit (ose këmbimit) të pronës (ose të së drejtës mbi të), të cilat po i konkretizojmë më poshtë: Praktika e veprimtarisë ekonomike, njeh si të tillë edhe shërbimin e komisionit (ose ndërmjetësimit) në zbatim të neneve 935, 936 dhe 943, të ligjit nr.7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, ku gjejmë: “Kontrata e komisionit është një porosi që ka për objekt blerjen dhe shitjen e sendeve për llogari të porositësit dhe në emër të komisionerit.” “Porositësi është i detyruar ti paguajë komisionerit të gjitha shpenzimet që ka bërë për kryerjen e porosisë dhe shpërblimin që parashikohej në kontratën e komisionit, si dhe ta shkarkojë nga çdo detyrim që komisioneri ka marrë ndaj të tjerëve për kryerjen e komisionit.” “Në komisionin për shitjen dhe blerjen e mallrave, titujve, valutave dhe vlerave të tjera që kanë një çmim liste ose çmim të caktuar nga organet shtetërore, po qe se porositësi nuk ka vendosur ndryshe, komisioneri mund të përfshijë në të njëjtin çmim, të fiksuar në momentin e ekzekutimit të porosisë, sendet që duhet të blejë, ose të blejë për vete sendet që duhet të shesë, duke ruajtur të drejtën për shpërblimin për ndërmjetësim.”SHEMBULL HIPOTETIKTatimpaguesi X operon në Itali si komisioner i tatimpaguesit Y për shitjen e paketës turistike tek turistët e mundshëm italianë që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri, në fshatin turistik të tatimpaguesit X dhe për këtë qëllim përfiton një përqindje për shërbimin që i kryen tatimpaguesit X. Pjesa që mbetet si diferencë ndërmjet çmimit të paketës turistike dhe përqindjes së komisionit që merr tatimpaguesi Y, përfaqëson çmimin e shitjes së paketës që i mbetet tatimpaguesit X në Shqipëri, e cila në bazë të pikës 3 të nenit 28 Detyrimet mbi furnizimet, të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për Vlerën e Shtuar” “3. Në rast se furnizimi i tatueshëm kryhet pa një shumë të ndarë e të identifikuar si një pagesë e TVSHsë, vlera e tatueshme e tij është shuma që së bashku me TVSH-në e pagueshme mbi këtë shumë në bazë të këtij ligji, është e barabartë me pagesën që i bëhet furnizuesit.” Konkretisht TVSH e pagueshme, në rastin e shumës që tatimpaguesi Y ia kthen tatimpaguesit X si pjesë të pagesës së bërë nga turisti italian për blerjen e paketës turistike, pasi ka mbajtur përqindjen e vet për shërbimin që i ka kryer, do të jetë 1/6 e kësaj shume. Duke iu referuar pikës 5 të nenit 15 – Vendi i furnizimit të shërbimeve të ligjit për TVSH-në: “5. Kur furnizimi i tatueshëm i shërbimeve që kryhen në Shqipëri furnizohet nga një person që nuk ka vend të veprimtarisë ekonomike Shqipërinë, ose në rastin e individit, vendi i zakonshëm i rezidencës së të cilit është jashtë Shqipërisë, personi, të cilit i janë furnizuar shërbimet, konsiderohet sikur ta ketë bërë furnizimin në Shqipëri si pjesë të veprimtarisë së tij ekonomike”, TVSH ja e llogaritur mbi shumën e komisionit regjistrohet edhe në Librin e Shitjes edhe në Librin e Blerjes duke sjellë si rezultat një TVSH me efekt zero, gjë që shpjegon se TVSH-ja për shërbimin e komisionit për tatimpaguesin Y është zero, duke mos ndikuar mbi çmimin e shitjes së paketës turistike.Si duhet kuptuar marRëdhëniA?Por si duhet kuptuar marrëdhënia ndërmjet tatimpaguesit X, person i tatueshëm për TVSH-në në territorin e Republikës së Shqipërisë me klientin e tij italian në Itali? Për këtë do të ishte e domosdoshme të shihej Neni 11 – Furnizimi nëpërmjet agjentit, i ligjit për TVSH-në ku gjejmë: “1. Furnizimi i mallrave a shërbimeve, i kryer nëpërmjet një agjenti, i cili vepron në cilësinë e agjentit për një person tjetër, është një furnizim prej kryesorit. 2. Paragrafi 1 nuk zbatohet për furnizimin e shërbimeve të agjentit që vepron si një agjent i kryesorit të tij.”Në fakt, shpesh, ndodh që shitja e shërbimeve jashtë territorit trajtohet si eksport i shërbimeve, që në të njëjtën mënyrë, në zbatim të pikës b) të nenit 31 – Eksporti dhe shërbimet ndërkombëtare, të ligjit për TVSH-në, “TVSH zbatohet në masën zero për qind në lidhje me: … b) furnizimet e shërbimeve të bëra jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga një person i tatueshëm, vendi i veprimtarisë ekonomike të të cilit, ose në rastin e një individi, vendi i zakonshëm i rezidencës së të cilit është në Shqipëri”. Në konceptin e pastër të TVSH së, si në rastin e furnizimit të mallrave ose të shërbimeve, si në rastin e importeve dhe në atë të eksporteve, përqindja zero nuk ka kuptimin e një furnizimi të tatueshëm të përjashtuar nga TVSH ja. Furnizimet e tatueshme të përjashtuara përshkruhen në nenet 20, 21, 22, 23, 24, 24/1, 25, 25/2, 25/3, 25/5, 25/6 dhe 26/1 të ligjit për TVSH-në. Çdo interpretim në lidhje me furnizimet e tatueshme të përjashtuara për TVSH-në, jashtë neneve të lartpërmendura do të kërkonte amendamentin e caktuar të ligjit për TVSH-në. Prirja për të stimuluar shërbimet turistike me anë të përjashtimit të tyre nga TVSHja do të duhej të përfshihej në Paketën Fiskale të vitit 2006.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.