Tatimet, doganat dhe sigurimet kanë arkëtuar në buxhet 248 miliardë lekë në 7 muajt e parë të vitit, me një rritje prej 15.1 miliardë lekë, ose 6.5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave. Edhe në raport me planin, janë arkëtuar 7.8 miliardë lekë plus, ose 3.2% më shumë.
Efektin kryesor në rritjen e të ardhurave e ka shënuar zëri i të ardhurave tatimore e doganore, me rreth 10.8 miliardë lekë më shumë.
Të ardhurat nga TVSH arritën në 78.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6% me bazë vjetore dhe duke tejkaluar lehtë planin dhe duke shënuar rritjen m ëtë lartë në vlerë absolute nga të gjithë zërat e tjerë në buxhet (+4.2 miliardë lekë). Ky zë ka shënuar një përmirësim muajt e fundit, duke sinjalizuar për një gjallërim të konsumit.
Të ardhurat nga tatim fitimi u rritën me 6.5% për të arritur në 19.3 miliardë lekë. Ky është zëri që ka shënuar ecurinë më të mirë në raport me planin, me +4.1 miliardë lekë.
Akciza u zgjerua me 8.2%, ndërsa të ardhurat personale vijojnë të jenë i vetmi zë me trend negativ, në raport me 7 mujorin e një viti më parë (-2.4%).
Kjo është kompensuar nga përmirësimi i të ardhurave nga taksa nacionale dhe të tjera, që u rritën me 20%, apo 3.8 miliardë lekë më shumë. Financat kanë deklaruar me herët se këtu ka ndikuar rivlerësimi i pasurisë, i cili ka sjellë 3.2 miliardë lekë për 6 mujorin.
Të ardhurat nga pushteti vendor u rritën me 32%, në 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e performancës së mirë të taksave vendore, teksa taksa e pasurisë vijon të jetë e nënmbledhur.
Arkëtimet nga sigurimet shoqërore e shëndetësore u rritën përkatësisht me 9.3% dhe 6.5%.
Në rënie janë të ardhurat jo tatimore, me -7.3%, si rrjedhojë e rënies së transferimit të tatim fitimit nga Banka e Shqipërisë dhe uljes së arkëtimeve nga dividendi i kompanive shtetërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.