Ministria e Financave ka publikuar buxhetin e plotë faktik për 2009. Shtimi i të ardhurave nga tatimet e doganat me ritme më të ulëta se rritja e PBB-së
kanë sjellë një rënie reale të të ardhurave nga të gjitha zërat kryesorë të taksave. Ndërsa shpenzimet kapitale rezultojnë më të ulëta se vitin e mëparshëm.
Deficiti buxhetor dhe borxhi publik arrijnë në nivele rekord
Të ardhurat tatimore shënuan një rritje minimale vjetore gjatë vitit të kaluar, me vetëm 2.4%, bëhet e ditur në buxhetin e plotë faktik të vitit 2009, të publikuar së fundmi nga Ministria e Financave.
Kjo rritje minimale erdhi në një kohë që Ministria e Financave parashikon një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 3% gjatë 2009-s.
Duke pasur parasysh dhe nivelin e inflacionit, rezulton që rritja reale e të ardhurave ka qenë negative. Në raport me PBB-në, të ardhurat tatimore kanë zbritur në 23.7% të PBB-së, nga 24.5% në vitin 2008.
Në fakt, ecuria e të ardhurave tatimore e doganore është dëshmitari më i mirë i prekjes së bizneseve nga kriza gjatë vitit të kaluar. Të ardhurat nga TVSH, një tregues i qarkullimit të aktivitetit ekonomik në vend u rritën me 2.8%,
duke qenë rreth 10 miliardë lekë më të ulëta se buxheti i rishikuar.
Të ardhurat nga tatimfitimi madje shënuan ulje me 5.3%, duke treguar për vështirësitë që po hasin bizneset me fitimin.
Bankat, që kanë qenë një kontribuues i rëndësishëm i të hyrave në buxhet, kanë përgjysmuar fitimet dhe si rrjedhojë kanë paguar 431 milionë lekë më pak tatimfitimi në 2009-n, në krahasim me vitin 2008,
sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Edhe bizneset e tjera e kanë ndier presionin e rritjes së kostove (të ndikuar dhe nga shtrenjtimi i lekut)
apo rënies së fuqisë blerësve (siç dëshmojnë dhe indekset e besimit të biznesit e konsumatorëve, të publikuara nga Banka e Shqipërisë).
Si rrjedhojë, të gjitha bizneset kanë paguar rreth 960 milionë lekë më pak tatimfitimi gjatë vitit të kaluar.
Në total, sipas të dhënave indirekte nga të ardhurat e mbledhura nga tatimet, rezulton se bizneset i kanë ulur fitimet me 9.6 miliardë lekë, apo rreth 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2009.
Një tjetër tregues i rëndësishëm i qarkullimit ekonomik, të ardhurat nga akciza, kanë shënuar një rritje minimale prej 4.2%, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të akcizës gjatë vitit të fundit
(shiko tabelën Mallrat e taksueshme në Republikën e Shqipërisë). Ecuria e këtyre të ardhurave është ndikuar gjithsesi edhe nga rënia e çmimeve të disa produkteve gjatë pjesës së parë të vitit.
Ecurinë më të mirë të të ardhurave e ka shënuar tatimi mbi të ardhurat personale, që është rritur me 9.5% (taksa e sheshtë prej 10% solli automatikisht një rritje të tatimit për pagat e ulëta).
Në mënyrë të detajuar të ardhurat nga tatimet e doganat paraqiten në tabelën: Të ardhurat tatimore në vlerë.
Rendimenti më i ulët i mbledhjes së të ardhurave në raport me ritmet e rritjes ekonomike ka bërë që në raport me PBB-në, zërat kryesorë të të ardhurave të shënojnë ulje
(shiko tabelën Të ardhurat buxhetore 2008-2009 në % ndaj PBB-së)
Shpenzimet kapitale më të ulëta
Si vit i zgjedhjeve elektorale, 2009-a u shoqërua me një ritëm të lartë shpenzimesh kapitale, të cilat shërbyen si një stimul i mirë për ekonominë, që kishte filluar të prekej nga kriza.
Por të dhënat e buxhetit faktik tregojnë se këto shpenzime në raport me PBB-në rezultojnë më të ulëta se në vitin 2008.
Nga ana tjetër, rreth 40% e këtyre shpenzimeve kanë shkuar për rrugën Durrës-Kukës.
Ky përqendrim i shpenzimeve gjithsesi nuk konsiderohet shumë efektiv nga ekspertët. Shpenzimet për rrugën Durrës-Kukës kanë arritur në 3.4% të PBB-së gjatë vitit 2009.
Përdorimi i këtyre fondeve krijoi një iluzion se ndërtimi kishte një ecuri të mirë në 6-mujorin e parë të vitit 2009, ku rritja e këtij sektori sipas INSTAT ishte rreth 8%.
Më pas, në tremujorin e tretë, të dhënat treguan për një ngadalësim të këtij sektori, që kontribuon në ekonomi me rreth 12% të PBB-së.
Në total, shpenzimet u rritën në 33.2% të PBB-së gjatë vitit 2009, nga 32.4% të PBB-së në 2008-n. Shpenzimet korente dhe ato për sigurimet sociale shënuan rritjen më të madhe në raport me PBB-në.
Në kohë krizash ekonomike janë stabilizatorët automatikë ata që marrin një rol të rëndësishëm në ekonomi.
Në kohë ngadalësimesh ekonomike, qeveritë tentojnë të rrisin shpenzimet për pagesa papunësie apo për ndihmë sociale.
Kjo gjë nuk ka ndodhur me buxhetin e vendit gjatë 2009-s, megjithëse të dhënat tregojnë për një rënie të numrit të të punësuarve në sektorin privat.
Pagesa e papunësisë ka mbetur në 0.1% të PBB-së gjatë vitit 2009, ndërsa ajo për ndihmën ekonomike është ulur nga 1.5% e PBB-së në 2008-n, në 1.4% të PBB-së gjatë vitit të kaluar.
Rritja e nivelit të borxhit ka çuar dhe në shtimin e shpenzimeve për interesa, të cilat arritën në 3.2% të PBB-së, nga 2.9% në 2008-n. Shpenzimet për interesa parashikohet të rriten më tej në vitet e ardhshme.
Privatizimet ndihmuan deficitin
Deficiti buxhetor arriti në 7% të PBB-së në fund të 2009-s, duke u rritur me 1.5 pikë përqindjeje në krahasim me vitin e mëparshëm.
Qeveria ka përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të financuar këtë deficit, që nga të ardhurat nga privatizimi,
të cilat e ndihmuan shumë në një vit ku të ardhurat kishin rritje minimale, bonot e thesarit, huatë në treg e deri te kreditë direkte.
Të ardhurat nga privatizimi kanë financuar rreth 35% të këtij deficiti. Normalisht këto të ardhura ndahen gjysma për uljen e stokut të borxhit dhe pjesa tjetër për investime publike,
por këtë vit duket se shqetësimi më i madh i qeverisë ka qenë financimi i deficitit të buxhetit.
Borxhi publik ka arritur në nivelet më të larta të 7 viteve të fundit, duke iu afruar kufirit tavan prej 60% të PBB-së. Shtimi i tij është shoqëruar me një rritje të stokut të borxhit të jashtëm,
që ka arritur në 23.1% të PBB-së, nga 19% e PBB-së në 2008-n.
Emetimi i eurobondeve për të shlyer borxhin joproduktiv
Ministria e Financave kërkon të realizojë këtë vit synimin e saj për të debutuar në emetimin e eurobondeve (letrave me vlerë në euro) me vlerë 300 milionë euro në tregun ndërkombëtar të borxheve.
Ministria e Financave ka njoftuar se tashmë ka përfunduar procesin e vlerësimit të bankave që do të udhëheqin transaksionin e emetimit të eurobondit të parë shqiptar në tregun ndërkombëtar të kapitaleve.
Në fund të këtij procesi, Ministria e Financave ka mandatuar si bashkëdrejtues (Joint Lead-Managers) “JP Morgan” dhe “Deutsche Bank”.
Gjatë dy muajve të ardhshëm, Ministria e Financave, në bashkëpunim me bankat e mandatuara, do të hartojë dokumentacionin standard për këtë lloj transaksioni (si p.sh. prospectus).
Me tej, do të vijohet me “Road Show”-t në disa nga qendrat financiare më të rëndësishme të Europës, si Londër, Frankfurt, Vjenë, etj., nëpërmjet të cilave do të synohet pozicionimi atraktiv i Shqipërisë për investitorët potencialë të eurobondit.
Ministria e Financave synon të finalizojë me sukses procesin e emetimit në fund të muajit prill. Sipas financave, nëpërmjet këtij instrumenti, Shqipëria do të vendoset në hartën e tregjeve ndërkombëtare të kapitalit.
Eurobondi do të tregtohet rregullisht në këto tregje dhe do të shërbejë si një indikator agregat ndër vite i profilit investues dhe i performancës së ekonomisë sonë në tërësi.
Por Gjergj Teneqexhi, ekspert i financave dhe pedagog i lëndës së financave publike, pohon se emetimi i eurobondeve për të shlyer borxhin nuk është produktiv.
Obligacionet në përgjithësi përdoren për investime publike dhe përdorimi i tyre për të shlyer borxhin nuk është ekonomik.
Qeveria u detyrua vitin e kaluar të marrë kredi nga bankat me një normë interesi të lartë,
që i kalonte 11% për të financuar rrugën Durrës-Kukës dhe emetimi i eurobondeve shihet si një rrugë për të zëvendësuar këtë borxh me kosto të lartë.
Rreth 200 milionë euro nga shuma që do të emetohet nga eurobondet parashikohet të përdoret për të rifinancuar dhe ulur koston e huasë bankare të marrë për rrugën Durrës-Kukës.
TABELA Mallrat e taksueshme në Republikën e Shqipërisë
NK Kod | Përshkrimi | Norma e Taksës (në euro) | ||
Ishte | Bëhet | |||
I | Kafe | |||
09 01 11 00 | Kafe e papjekur e dekafeinizuar ose jo | 0.38 euro/ kg | 0.53 euro/kg | |
09 01 12 00 | ||||
09 01 21 00 | Kafe e pjekur e dekafeinizuar ose jo | 0.763 euro/kg | 1.068 euro/kg | |
09 01 22 00 | ||||
III | Malto, verë, alkool dhe pije alkoolike | |||
22 08 | Pije alkoolike me forcë alkoolike ndaj volumit mbi 12 për qind. | |||
– nga prodhues vendas e të huaj me sasi < = 20.000 hektolitër/vit | 1.14 euro/ litër | 1.679 euro/litër | ||
– nga prodhues vendas e të huaj me sasi > 20.000 hektolitër/vit | 1.526 euro/ litër | 2.29 euro/litër | ||
Pije alkoolike me forcë alkoolike ndaj volumit mbi 12 për qind. | 0.53 euro/litër | 0.763 euro/litër | ||
IV | Duhan dhe nënproduktet e tij | |||
24 02 10 00 | Puro dhe cigarillos që përmbajnë duhan | 17.09 euro/kg | 19.08 euro/kg | |
24 02 20 | Cigare që përmbajnë duhan | 0.30 euro / package | 0.38 euro/package | |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.