Ministria e Financave ka publikuar sot Treguesit fiskalë paraprakë të 2-mujorit 2017.
Sikurse shpjegohet nga financat, të ardhurat totale në 2 mujorin 2017 janë realizuar në masën 64 miliardë lekë, 3.7% më shumë ose 2.3 miliardë lekë më shumë se 2-mujori 2016 dhe rreth 105 përqind në raport me planin e periudhës. Realizimi i shpenzimeve të përgjithshme është 54.6 miliardë lekë ose rreth 94 përqind kundrejt planit të periudhës. Kjo situatë është shoqëruar me një sufiçit buxhetor prej afërsisht 9.4 miliardë lekë.
- Performanca “Tatime dhe Dogana” 2 mujori 2017
Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 2-mujorin 2017, u realizuan në vlerën 56.4 miliard lekë, 2.7 miliard lekë ose 5.1% më shumë se 2 mujori i vitit 2016 dhe 3.3 miliard lekë ose 6.2% më shumë se plani.
Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 864 milionë lekë, 6.9% ose 56 milion lekë më shumë se 2 mujori i vitit 2016, dhe 2.2 % ose 19 milion lekë më shumë se plani.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 5.7 miliard lekë, 3% ose 169 milion lekë më shumë se 2 mujori i vitit 2016, dhe 10.4% ose 540 milion lekë më shumë se plani.
Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 438 milionë lekë, 33.9% ose 111 milion lekë më shumë krahasuar me 2 mujorin e vitit 2016, dhe 52.6% ose 151 milion lekë më shumë se plani.
Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 13.1 miliard lekë, 0.2% ose 35 milion lekë më shumë se 2 mujori i vitit 2016 dhe 4.8% ose 599 milion lekë më shumë se plani.
Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 7.1 miliard lekë, 5% ose 340 milion lekë më shumë se 2 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 92.2%. Faktor pozitiv që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe karburantit.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 3.8 miliard lekë, 12% ose 411 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 37.1% ose 1 miliard lekë më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve, në kuadër të qasjes së re në fazën e dytë të luftës kundër informalitetit.
Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 5.4 miliard lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 5.8% më pak se 2 mujori i vitit 2016 dhe 6.1% më pak se plani.
Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar 6.3 miliard lekë, 20.6% ose 1 miliard lekë më shumë se 2 mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit në masën 118.7%. Në përgjithësi të gjithë nënzërat kanë pësuar rritje si: Taksa e qarkullimit rrugor, Taksa për regjistrimin në arsmin e lartë, Taksa e mjeteve të përdorura të transportit, Taksa e rentës minerare etj.
Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 13.7 miliard lekë, 7% ose 904 milion lekë më shumë se 2 mujori i vitit 2016 dhe 7.3% ose 932 milion lekë më shumë se plani.
- Performanca e shpenzimeve publike 2 mujori 2017
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2017, arritën në rreth 54.6 miliardë lekë me një realizim në masën 94 përqind të planit të periudhës. Shpenzimet kapitale në raport me planin 2 mujor janë realizuar në masën 63 përqind, duke reflektuar procedurat e pashmangshme që karakterizojnë çdo fillimviti, në drejtim të bërjes efektive të projekteve të investimeve publike.
Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 2 mujor të këtij viti, prej 98 përqind, duke rezultuar në 51.6 miliardë lekë. Zërat kryesorë që ndikuan në nivelin e realizimit të shpenzimeve korrente kundrejt planit 2 mujor janë përkatësisht: shpenzimet e personelit me 99 përqind, shpenzimet për fondet speciale me 92 përqind, shpenzimet operative mirëmbajtje me 100 përqind, shpenzimet e tjera sociale me 81 përqind.
Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve për 2 mujorin e vitit 2017 është konstatuar një realizim në masën 63 përqind, në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë.
Niveli i realizimit të shpenzimeve publike dhe realizimi i plotë i të ardhurave të planifikuara, në masën 105 përqind të planit të periudhës, është shoqëruar me një nivel sufiçiti prej afërsisht 9.4 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.