Për 11 muajt e vitit 2014, nga taksat e makinave të importuara në vend është mbledhur rreth 39 mln euro. Dogana deklaron se numri i tyre arriti 15389 makina, ndërsa kompanitë më me emër të makinave në Kosovë shprehin pakënaqësitë e tyre rreth një numri të ulët makinash të reja, sipas tyre, për shkak të mungesës së stimulimit nga qeveria dhe institucioneve financiare.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës , Adriatik Stavileci, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se deri në fund të nëntorit në Kosovë kanë hyrë 15 389 makina në vlerë prej 81.7 milionë eurosh, me taksë prej 35.4 milionë eurosh. Sipas Stavilecit, në Kosovë për 11 muaj kanë hyrë 904 copë makina të reja, që kapin vlerën e zhdoganimit 12 milionë euro dhe pagesë të taksës 3.4 milionë euro. Ndërkaq, markat më të preferuara nga qytetarët e Kosovës për makina janë gjermane, franceze dhe italiane.
Ndërkaq sa iu përket makinave të reja, që janë importuar në Kosovë gjatë 11 muajve të këtij viti, Menaxheri në Autotrade “TOYOTA”, Bujar Hoxha ka bërë me dije se numri i tyre është jashtëzakonisht i ulët në krahasim me vendet në rajon. “Në këtë ka pasur ndikim niveli i lartë i kamatave nga institucionet financiare, të cilat edhe nuk ia kanë dhënë kujdesin e duhur industrisë së automjeteve. Në anën tjetër, edhe Qeveria e Kosovës është shumë pasive në këtë drejtim sa i përket stimulimit të blerësve të automjeteve të reja në krahasim me ato të vjetra”, është shprehur Hoxha. Ai ka thënë se do të duhej të stimulohej rritja e importit të veturave të reja. “Rritja e importit të makinave të reja në Kosovë mund të kishte ardhur në disa mënyra: stimulimi me anë të taksave rrugore, stimulimi për blerje të automjeteve që kanë nivel shumë të ulët të emisionit të gazrave si dhe automjeteve hibride”, ka thënë ai.
Hoxha ka shtuar se niveli i akcizës që paguhet në Kosovë është i pranueshëm. “Akciza nuk ka ndikim të madh në blerjen e automjeteve të reja. Problemet me të cilat përballen autotregjet në Kosovë janë të natyrave të ndryshme. Problemet ditore janë regjistrimi i veturave në qendra të regjistrimit, dërgimi i automjeteve të reja për certifikim të homologimit dhe kontrollim teknik. Kemi raste kur bëhet mospranimi i kontratave të shitblerjes nga dilerët e autorizuar”, ka deklaruar ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.