Teksa shumica e zërave të tatimeve dhe taksave kanë pasur ecuri pozitive këtë vit në drejtim te të ardhurave që kanë çuar në buxhet, nuk ka ndodhur kështu me Tatimin mbi të Ardhurat Personale.
Sipas Ministrisë së Financave të ardhurat nga TAP për shtatëmujorin ishin 451 milionë lekë ose 2.3 për qind më pak se njëjta periudhë e një viti më parë dhe 1.2 miliardë lekë më pak se plani.
Siç shihet nga te dhënat zyrtare nga të 9 nënzërat e TAP, 3 prej tyre kanë pasur ecuri negative. Të ardhurat nga tatimi i interesave bankare, të ardhurat nga tatimi në burim në shitjen e pasurive të paluajtshme dhe të ardhurat nga deklarata e të ardhurave nga individët shënuan ulje krahasuar me vitin 2016.
Rënien më të madhe e pësuan të ardhurat nga tatimi i shitjeve të pasurive, të cilat ishin 49 për qind ose 1.3 mld lekë më të ulta se në gjashtëmujorin e parë 2017 në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ministria e Financave thotë së rënia i dedikohet rivlerësimit të banesave, ku tatimi u ul nga 15 në 2 për qind. Ministria e Financave shpjegon se të ardhurat e munguara tek TAP, sakaq janë kompensuar me arkëtimet që solli në buxhet pagesa e tatimit të rivlerësimit (3,6 mld lekë).
Gjithashtu të ardhurat nga tatimi i interesave nga depozitat bankare kanë shënuar një rënie vjetore me 20 % në gjashtëmujorin e parë me një vlerë 273 milionë lekë më pak. Normat e interesit bankarë janë ulur ndjeshëm vitin e fundit, si rrjedhojë e politikës së ndjekur nga Banka e Shqipërisë për uljen e kostos së parasë.
Të ardhurat nga deklaratat individuale ranë me 46 milionë lekë me një rënie vjetore 19 për qind.
Zëri kryesor i TAP që është tatimi mbi pagat ka rezultuar me rritje te të ardhurave si për pagat në sektorin publik si në ato në sektorin privat.
Të ardhurat nga tatimi i pagës në sektorin publik shënoi një rritje vjetore me 14 për qind, ose 417 milionë lekë më shumë, ndërsa të ardhurat nga tatimi i pagave në sektorin privat u u rriten me 8.8 për qind ose 510 milionë lekë më shumë se 6 mujori i 2016.
Te ardhurat nga TAP sipas nënkategorive
6-M 2016 | 6-M 2017 | Diferenca | në % | |
Nga të punësuarit e Sektorit Publik | 2,937 | 3,354 | 417 | 14.20% |
Nga të punësuarit e Sektorit Privat | 5,749 | 6,259 | 510 | 8.87% |
Tatim mbi të Ardhurat nga interesat | 1,342 | 1,069 | -273 | -20.36% |
Tatim mbi të Ardhurat nga Qiratë dhe Enfiteoza | 1,850 | 1,898 | 47 | 2.56% |
Tatim mbi Fituesit e Lodra ve të Fatit | 28 | 44 | 16 | 56.62% |
Të tjera Tatime mbi të Ardhurat në Burim | 2,721 | 1,362 | -1,360 | -49.96% |
Tatimi mbi të ardhurat nga Dividentët dhe Aksionet | 969 | 1,229 | 260 | 26.78% |
Tatim mbi të Drejtën e Autorit dhe Pronësisë intelektuale | 117 | 145 | 28 | 23.72% |
Tatimi mbi Deklaratën individuale Vjetore të të ardhurave | 242 | 196 | -46 | -19.11% |
Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.