Ministria e Financave përllogariti se të ardhurat për frymë arritën në 573 mijë lekë në vitin 2018, duke u rritur me 6.1 për qind në raport me vitin 2017. Gjithashtu qeveria parashikon se të ardhurat për frymë do të rriten me ritme të ngjashme madje edhe më të lartë për katër vitet në vijim.
Mirëpo rritja është e pamjaftueshme për të avancuar në raporte të krahasueshme me Bashkimin Europian. Shqiptarët kishin të ardhura sa 30 për qind e mesatares së Bashkimit Europian në vitin 2017, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat. Kjo shifër ka mbetur e pandryshuar për tre vjet radhazi, si një indikator që vendi nuk ka mundur të beje përpara në procesin e konvergjencës (rritjen me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara të Europës, me synim për të kapur gradualisht standardin e tyre).
Përllogaritjet e INSTAT për të ardhurat për frymë sipas qarqeve deri në vitin 2016 tregojnë se Tirana ishte në krye të qarqeve për nivelin e lartë te të ardhurave për frymë, me 669 mijë lekë për person.
PBB për frymë në Tiranë ishte 36,4% mbi mesataren e vendit. Më pas u rendit Qarku i Fierit, me 530 mijë lekë. PBB për frymë e këtij qarku ishte 3,3% mbi mesataren e vendit.
Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 në vitin 2016, u vlerësua në Qarkun e Kukësit me rreth 314 mijë lekë. PBB për frymë e këtij qarku ishte 38,8 % nën mesataren e vendit.
Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku i Elbasanit me rreth 360 mijë Lekë duke shënuar një rritje me 3,8% ndaj vitit 2015. PBB për frymë e këtij qarku ishte 29,9 % nën mesataren e vendit” vlerëson INSTAT.
Fondi Monetar Ndërkombëtar renditi dy shtetet shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova, renditen të fundit në Europë (pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë, sipas të dhënave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtare, që ka përditësuar shifrat në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit 2018.
Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, duke u përmirësuar me katër vende në raport me 2017-n, kur ishte në pozicionin e 106. Kosova, me të ardhura për frymë prej 4,324 dollarësh, renditet e 112-a.
Në rajon, të ardhurat më të larta i ka Mali i Zi, me 8,644 dollarë për frymë, duke u renditur i 79-i në botë, i ndjekur nga Serbia me 6,815 dollarë (vendi 88); Maqedonia, me 5,953 dollarë (95) dhe Bosnjë-Hercegovina me 5,704 dollarë (e 100).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.