Ministria e Financave ka publikuar tabelën paraprake të të ardhurave për periudhën janar-gusht 2014. Sipas të dhënave paraprake, ritmet e rritjes së të ardhurave janë përshpejtuar sërish në gusht, duke bërë që për periudhën janar-gusht 2014 të hyjnë në buxhet 236.3 miliardë lekë, apo 12.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. (për shtatë-mujorin, ritmet e rritjes vjetore ishin 10.7%). Gjithsesi, duhet përmendur që në gusht të vitit të kaluar, rezultatet tatimore ishin mjaft të dobëta për shkak të periudhës së ndërrimit të pushteteve, pas zgjedhjeve të qershorit, duke shënuar një shkrehje të punës në tatime e dogana.
TVSH vijon të sjellë më shumë të ardhura në buxhet. Të ardhurat nga ky zë ishin 81.6 miliardë lekë, 16.3% më të larta se janar-gushti i një viti më parë (në total janë arkëtuar 85.6 miliardë lekë, por janë rimbursuar 4.1 miliardë lekë). Ritmet e rritjes së TVSH-së janë ngadalësuar në korrik-gusht (për gjashtëmujorin ky zë ishte zgjeruar me rreth 20%). Megjithatë, TVSH vijon të mbajë peshën kryesore në përmirësimin e rendimentit të të ardhurave, duke sjellë mbi 80% të rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat në total.
Të ardhurat nga tatimfitimi arritën 13.9 miliardë lekë, rreth 35% më shumë se janar-gushti i 2013-s. Gushti është muaji i dytë i fillimit të tremujorit (që prej janarit të këtij viti, tatimfitimi mblidhet mbi bazë tremujore) ndaj ritmet e rritjes pritet të jenë të sakta në fund të muajit shtator. Gjithsesi, tatimet nuk po arrijnë të mbledhin 59 % më shumë të ardhura nga ky zë, sipas parashikimit buxhetor, ndërsa norma e tatim fitimit që nga 1 janari u rrit nga 10 në 15%.
Të hyrat nga akciza ishin gati 24.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 6% me bazë vjetore, dhe duke iu kthyer për herë të parë zgjerimit përgjatë këtij viti, pas rënies që u konstatua muajt e parë të vitit, teksa bizneset nxituan të rrisnin importet në dhjetor, përpara hyrjes në fuqi të niveleve të rritura të akcizës për disa produkte.
Tatimi mbi të ardhurat vijon të ketë performancë negative, si rrjedhojë e uljes së tij për pagat relativisht të ulëta. Ky zë ishte 18.3 miliardë lekë në fund të gushtit, 6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Zëri “Taksa nacionale dhe të tjera” është rritur me rreth 20% për tetëmujorin.
Ecuri pozitive kanë pasur dhe të ardhurat nga pushteti vjetor, kontributet nga sigurimet shoqërore e ato shëndetësore, që janë zgjeruar përkatësisht 21%, 8.8% dhe 10.9%.
Të ardhurat jotatimore kanë rënë me 8.5%.