Oltion Rrumbullaku, profesor në Fakultetin Ekonomik për çështjet fiskale, sugjeron se do të ishte më e drejtë që të aplikohet një standard që të ketë një mikrobiznes, i cili do të ketë prag xhiroje prej 2 milionë lekësh dhe maksimumi dy punonjës.
Nëse kalohet pragu prej dy punonjësish nuk është më mikronjësi dhe duhet të përfshihet në TVSH.
Një biznesi të vogël do t’i duhet të paguajë 50 deri në 100 mijë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në rast se e kanë atë xhiro, pra atë vlerë të shtuar, nuk është aspak dramatike.
A duhet përfshirja e të gjithë bizneseve në skemën e TVSH-së, duke pasur parasysh edhe karakteristikat e biznesit të vogël?
Kjo është një problematikë shumë e madhe. E kam ndjekur këtë çështje. Ka 13 vite që taksimi i biznesit të vogël ka degraduar. Ka qenë çështje më shumë politike, duke sjellë për biznesin e vogël favorizime, përjashtime dhe ulje, që ndikonin patjetër te prishja e barazisë.
Nuk ka qenë marrë asnjëherë seriozisht, ose ka pasur taksa të larta të cilat nuk miradministroheshin, ose u hoqën taksat dhe prapë nuk administroheshin mirë.
Në 2015-n, kur filloi aksioni i parë antiinformalitet, u bë rrëmujë dhe nuk u kuptua situata. Regjimi tatimor që ndryshon shumë me rritjen e xhiros së bizneseve, kërkon një trajtim shumë të ndryshëm, pasi humbet gradualiteti. Në momentin që një biznes kalon pragun e xhiros prej 5 milionë apo 8 milionë, kalon në skemën standarde dhe ky kalim i menjëhershëm i biznesit i duket shumë.
Një biznesi të vogël do t’i duhet të paguajë 50 deri në 100 mijë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në rast se e kanë atë xhiro, pra atë vlerë të shtuar, nuk është aspak dramatike.
Ka ende shumë biznese që nuk janë të vogla, por në letra deklarohen të tillë. Duhet një lloj skeme graduale. Ne kemi pasur një skemë graduale në 2005-n, bizneset e vogla kishin një taksim minimal, pastaj kalonim në taksimin mbi përqindjen mbi xhiron, që mund të jetë edhe 5 apo 6%. Në 2004-n e kemi pasur 4%. Fondi Monetar Ndërkombëtar na rekomandoi që ta çonim 6.
Sipas të dhënave që unë kam të mbledhura me vite, shumica e atyre bizneseve që kanë qenë të mesme, deklaroheshin si biznese të vogla. Ndërsa bizneset që ishin të vogla ishin informale.
Situata është e tillë, ato që kanë qenë të mesme, nga fushata e antiinformalitetit kanë kaluar sipër.
Bizneset e mëdha kanë gjetur mënyra për të fshehur xhiron, ndërsa tatimet nuk kanë gjetur mënyrën për t’i gjurmuar.
Një pjesë e bizneseve, pasi kalojnë pragun dhe cilësohen të mëdha, mbyllin NIPT-in dhe çelin një NIPT të ri, duke bërë kështu “riciklimin e bizneseve”. Për të mos bërë dallime, është mirë që TVSH-ja të jetë sa më gjithëpërfshirëse.
Si mund të jetë mënyra më e mirë e përfshirjes në skemën e TVSH-së të biznesit të vogël?
Unë jam më shumë për një standard që të ketë një mikrobiznes, i cili do të ketë një prag xhiro prej 2 milionësh dhe maksimumi dy punonjës, pasi nëse kalohet pragu prej dy punonjësish nuk është më mikronjësi.
Ka vende që TVSH-në e kanë në bazë të llojit të aktivitetit, nëse është biznes familjar apo jo. Në qoftë se biznesi është me persona jofamiljarë kalon në TVSH. Brenda familjes mund të konsiderohet si një lloj e ardhure personale. Po u dhe të ardhura të tjerëve nuk je më mikronjësi, por je biznes.
Duhet menduar edhe për kategorinë e disa lloj profesionesh si rrobaqepës, këpucarë, berberë apo dyqane të vogla. Të tjerët duhet të jenë në TVSH.
Ne jemi në një situatë informaliteti, ka ende biznese shumë të mëdha, të cilat në letra deklarohen si biznese të vogla, sepse është sistemi i tillë. Tatimet nuk po arrijnë që të mbyllin rrjetën. Hapësira dhe diferenca tatimore është shumë e madhe. Nuk mund ta lejosh këtë diferencë, ose do ta bësh shkallë-shkallë ose do ta mbyllësh fare.
Problemi është se biznesi i vogël është shumë i ndjeshëm, a do të sjellë vendosja e TVSH-së falimentim të tij?
Shteti ka funksionuar me aksione. Njerëzit që u vunë për ta drejtuar nuk ishin operacionalë dhe iu desh kohë për të kuptuar se çfarë po bëhej. Duhet të ulet pragu, jam i mendimit se pragu duhet të hiqet fare. Pragu nuk është i mirë, por një prag prej 2 milionësh mund të vendoset për mikronjësitë. Ata që janë për të falimentuar, le të falimentojnë.
Biznesi i vogël është në nivele të frikshme të informalitetit dhe favorizimit. Është shumë e vështirë si çështje, sepse në 13 vjet vetëm e kanë degraduar, do të jetë e vështirë politikisht.
Praktikisht, biznesi i vogël në Shqipëri në 2015-n ka filluar të paguajë diçka. Ka qenë komplet jashtë sistemit, nuk e kam për mikronjësitë, por për biznese që janë të vogla dhe të mesme.
Ka qenë gabim heqja e taksës për biznesin e vogël, mund të ulej por jo të eliminohej plotësisht. Kur i ke në TVSH janë të kontrollueshëm.
Intervistoi: Ledina Loga
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.