Të bësh biznes në Shqipëri (nuk) është e lehtë

15/02/2020 10:04 PM 0 komente

Të investosh në Shqipëri për bizneset e huaja ka gjithmonë një histori. Për disa, kjo është e thjeshtë, për disa bëhet e komplikuar, për të tjerë ka pengesa të vogla, e ndoshta për më pak edhe dorëzime dhe tërheqje. Por edhe pse bizneset e huaja pranojnë se është disi më e favorshme për të bërë biznes, problematikat që kanë vite që e shqetësojnë dhe nuk marrin zgjidhje janë të njëjta: korrupsioni, informaliteti, ndryshimet e shpeshta fiskale. Të gjitha këto janë rrjeta ku ngec suksesi hera-herës. E në fund, gjithmonë zgjidhja kërkohet te reforma në drejtësi. Por si e shohin sot Shqipërinë bizneset italiane, ato gjermane dhe ato që janë pjesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë?

 

Nga Nertila Maho

Reforma në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit, ndryshimet e shpeshta fiskale, informaliteti lakohen shpesh nga investitorët e huaj në vend si çështje që kanë nevojë për vëmendje. Shqetësimi nuk vjen vetëm nga një komunitet, atë e ngrenë pothuajse të gjithë, edhe pse disa me nota më të ashpra e të tjerë me nota më diplomatike duke kërkuar që të bërit biznes në Shqipëri të jetë më i drejtë dhe më i ndershëm. Kështu ndodhi edhe me biznesin italian, i cili vitin e shkuar përmes një deklarate për shtyp me tone të ashpra kritikoi mënyrën sesi administrata shqiptare po menaxhonte punën sa u takon marrëdhënieve me biznesin.

‘Funksionimi i administratës publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset.

Biznesi has vështirësi të dukshme në gjetjen e bashkëbiseduesve kompetentë dhe vetëm rrallëherë merr përgjigjet e duhura”, thuhej në deklaratën e tetorit. Disa muaj më pas duket se tonet janë bërë më të buta, por sërish biznesi italian ka kërkuar që qeveria të kthejë vëmendjen ndaj disa masave që do të lehtësonin aktivitetin në tërësi të gjithë operatorëve në ekonomi.

Mbledhja vjetore e asamblesë së Konfindustria Albania, ku u prezantua edhe guida e investimeve, nxori në pah sërish disa nga shqetësimet kyçe të këtij grupi investitorësh.

 

Fontana: Çdo sipërmarrje në Shqipëri duhet të jetë e sigurt për drejtësinë

Presidenti i Konfindustria Albania, Sergio Fontana, nënvizoi se Italia është vendi me numrin e parë të sipërmarrjeve në Shqipëri dhe ka rreth vetes disa prej punëdhënësve më të mëdhenj. “Konfindustria shërben si një përçues i zërit të sipërmarrjeve italiane. Vitin e shkuar, ne pritëm 112 misione sipërmarrëse që erdhën në Shqipëri për të parë mundësitë që ofron vendi juaj.

Por pse një sipërmarrës zgjedh të vijë në Shqipëri? Dikur së pari vetëm për krahun e lirë të punës, ndërkohë që në plotësim të kësaj janë edhe disa aspekte të tjera si afërsia gjeografike, të folurit e italishtes gjerësisht etj. Përtej këtyre aspekteve pozitive, ka edhe disa pika kritike që do të doja t’i saktësoja. Kemi nevojë për reformën e drejtësisë që të plotësojë gjithë kuadrin dhe të jemi të sigurt për të. Çdo sipërmarrje duhet të ketë sigurinë që do të gjykohet siç duhet në të gjitha shkallët.

Korrupsioni dhe informaliteti janë ende problem. Kemi një politikë fiskale që ka nevojë të përmirësohet dhe nuk mund të ndryshojë çdo vit. Edhe vetë biznesi nuk arrin të mbajë ritmin me ndryshimet që bëhen. Zgjidhja në këto raste është një politikë afatmesme dhe afatgjatë. Po kështu, mënyra sesi po ndryshojnë sot kushtet e tregut sjell në vëmendje nevojën për formim profesional të krahut të punës. Sot ka nevojë për profesionistë si mekanikë të specializuar apo edhe profesione të tjera më specifike.

Fabrizio Bucci, ambasador i Italisë në Shqipëri, vuri theksin te pjesa që zë biznesi italian në totalin e bizneseve të huaja në Shqipëri. Ai nënvizoi se Konfindustria ka sot rreth vetes 100 sipërmarrës dhe është vendi kryesor me të cilin Shqipëria ka shkëmbim tregtar.

AIDA: Kompanitë italiane po ndryshojnë orientim në biznes

Bizneset italiane nuk po vijnë më drejt Shqipërisë për marrëdhënie tregtie me biznese shqiptare, por tashmë po orientohen drejt hapjes së investimeve të mirëfillta. Dorina Patuzi nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve nënvizoi pikërisht këtë treg. Sipas saj, bizneset italiane janë më aktive në shërbime.

Nga janari deri në nëntor, në vlerë importesh, shkëmbimet mes dy vendeve ishin 1.92 miliardë euro kryesisht në veshje dhe këpucë. Nga ana tjetër ka një sektor tjetër që ka marrë vëmendje, siç janë pjesët e këmbimit. Mario Tonucci, studioja ligjore e të cilit ka hartuar guidën e investimeve, tha se për Shqipërinë ka ende interes të lartë dhe këtë e tregon edhe fakti që publikimin e një guide të kësaj natyre e mbështeti Bashkimi Europian.

Ai tha se biznesi duhet të punojë bashkë në mënyrë të organizuar, pasi nismat individuale janë më të vështira për t’u finalizuar, ndërsa kur ato vijnë nga një grup, kanë më shumë mundësi. Investitorët që vijnë drejt Shqipërisë, nuk vijnë me idenë e një tregu të vetëm sipas Tonuçit, por e shohin atë si një pikë me rëndësi për tregun më të madh të Ballkanit.

 

Pedrazzi: Qeveria të orientohet drejt ekonomisë së gjelbër

“Greeneconomy” është një nga trendet që po ndjekin vrullshëm qeveritë, sidomos në vendet e zhvilluara në një përpjekje për të ulur risqet e dëmtimeve ekologjike dhe për të krijuar një zhvillim të qëndrueshëm pa e degraduar ambientin.

Ky koncept ka hyrë tashmë në një listë të gjatë sektorësh nga energjia e rinovueshme, ndërtimet e gjelbra, transporti i qëndrueshëm, menaxhimi i ujit, menaxhimi i mbetjeve dhe menaxhimi i tokës. Kryetari i Bordit në Shoqatën Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, nënvizoi gjatë takimit të biznesit italian se qeveria ende nuk po kupton potencialin që ka ekonomia e gjelbër, që në fakt është e ardhmja.

“Shqipëria ka ndryshuar, për mirë sigurisht. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë siç duhet, por duhet thënë që Shqipëria e sotshme është më e mirë se ajo e para disa viteve. Duhet të punojmë me një vështrim strabik, afatshkurtër dhe afatgjatë njëkohësisht. Për arsye politike në 18 muaj ka pasur një ngërç që ka ardhur prej politikës, por mendoj që do të kalohet. Çfarë ka ndodhur nga pikëpamja e sipërmarrjes? Ne kërkonim koston e ulët të krahut të punës dhe shpërthyen call center-at. Pastaj Italia reagoi ashpër me ligjet e veta.

Këto shoqëri me volume u kthyen në diçka tjetër. Shqipëria sot ka fabrika që prodhojnë me cilësi të lartë. Di që një pjesë e çizmeve “Chanel” prodhohen sot këtu. Ka disa ekselenca të tilla, por që kanë lindur nga kostoja e lirë e punës dikur, por që sot nuk vjen prej saj këtu. Shqipëria ofron mundësi në ndërtim dhe infrastrukturë. Po kështu u fol për teknologjinë si një tjetër sektor me interes, por përveç saj janë dy sektorë të tjerë që do të shpërthejnë.

Turizmi i pari. Sipërmarrja italiane ka shumë ç’të bëjë dhe nuk flas vetëm për hotele apo për turizmin veror dhe detar. Shqipëria është një vend i virgjër, ku mund të zhvillohen gjërat e veçanta. Shkoni vizitoni Veriun dhe do të shihni vende fantastike. Nuk ka ndotje. Ka agroturizëm, produkte ekselence, të cilat ne në Itali jemi mjeshtër për t’i zhvilluar. Një tjetër sektor është fushë e hapur dhe është ekonomia e gjelbër. Akoma ministritë këtu nuk e kuptojnë“greeneconomy”.

Këtu ende vazhdojnë të mendojnë për hidrocentrale, por kjo ekonomi është më shumë se kaq: është riciklim për shembull. Dhe këtu është një kompani italiane, e cila është bashkaksionere me Bashkinë e Tiranës. Por ka edhe mundësi të tjera plot. Ekonomia qarkulluese duhet të ketë më shumë fokus. Doja të thosha që turizmi dhe bujqësia janë sektorë ku ne jemi të ndjeshëm dhe do të japim kontributin tonë maksimalisht. Shërbimet që ofrohen nga bankat sot në mbështetje të këtyre sektorëve janë në nivel ekselence”, tha Pedrazzi.

 

Investitorët e energjisë kanë rezerva: Po mbajmë planet në sirtar

Kompanitë italiane që kanë investuar në sektorin e energjisë kanë rezerva sa i takon mënyrës se si është vepruar me politikat e çmimit në vend. Giordano Gorini, në takimin e asamblesë së Confindustria Albania nënvizoi se, pavarësisht se ka mundësi investimi dhe projekte konkrete, ato po mbahen në sirtarë për shkak të pasigurive. Ai është president i kompanisë ESSEGEI S.p.A që operon sot 22 hidrocentrale për një fuqi të instaluar prej 31MW.

“Shqipëria paraqet potencial sa i takon energjisë. Ne sot kemi 22 hidrocentrale përmes dy kontratave koncesionare. Duke e njohur mirë Shqipërinë, sot shkova të marr dy të dhëna shumë sintetike që të japin idenë e gjendjes. Shqipëria konsumon me një rritje të ulët nga viti në vit 8 milionë kilovat/orë në vit. Provinca e Breshias në Itali konsumon 12 miliardë. Kjo jep idenë e potencialit që ka Shqipëria.

Ky hendek plotësohet nga numri i hidrocentraleve që janë dhënë nga qeveria dhe janë të paktën 214 hidrocentrale të dhëna dhe të parealizuara. Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në moszhvillimin e tyre, ku renditet së pari garancia ndaj klientit. Kemi pasur ndryshime të mëdha çmimesh, njëlloj si numra bingosh.

Së bashku me sekretariatin dhe me Ambasadën Italiane, ne përpiqemi ta diskutojmë këtë çështje. Është e qartë që Bashkimi Europian synon të investojë 100 miliardë euro për dekarbonizimin dhe Shqipëria nuk duhet ta humbë këtë mundësi. Sot prodhimi i energjisë nga nafta ka një kosto 30 euro/MW, ndërkohë që Shqipëria nxori një tender për fotovoltaikun e Divjakës 55 MW duke garantuar 15 vite blerjen e energjisë.

Po kush është ai politikan që merr përgjegjësinë për të garantuar kaq gjatë? Investimet në sektorin energjetik kanë mundësinë të lidhen me territorin dhe të mos e dëmtojnë atë. Shumë prej nesh shkojnë në Trentino, në Alpe. A jeni skandalizuar nga pamjet? Në Shqipëri janë me qindra hidrocentrale. Mendoj se sot ekziston mundësia për Shqipërinë që të kapë këtë mundësi.

Investitorët sot janë të interesuar për një çmim energjie që garanton kthim investimi. Shumë prej investitorëve nuk kanë investuar përtej asaj që kanë bërë. Ne për shembull kemi investuar 30 MW dhe kemi disa projekte në sirtar, por nuk po marrim miratimin nga bordet sepse nuk ka qëndrueshmëri. Çmimi që kemi këtë vit është 5 për qind më pak se ai i vitit të shkuar. Perceptimi i riskut që investitorët kanë për të punuar në Shqipëri step investimet. Se ka edhe situata të tjera që e nxisin këtë.

Për shembull nuk është e mundur që një kryebashkiak të shpikë taksën për territorin në atë pjesë që ti po investon, ndërkohë që ty koncesionin ta ka dhënë shteti me një kontratë të përcaktuar. Duhet të punojmë shumë për rrezikun e investimit në Shqipëri. Kemi sjellë në vëmendje edhe një problem që ka të bëjë me gjurmueshmërinë e pronave në kadastër. Ne sot kemi pesë hidrocentrale që nuk na dalin në sistem si prona. Janë gjëra që duhen zgjidhur pasi u japin qetësi dhe garanci investitorëve.

 

Sektori i prodhimit: Qeveria të na mbështesë për formimin profesional

Lucio Nucci është përfaqësues i një kompanie që prodhon këpucë në vend. Ai nënvizoi se kompania ka 1 mijë të punësuar dhe në qendër të aktivitetit janë këpucë për profesionet. “Ne parashikojmë që të investojmë në teknologji dhe inovacion. Me kalimin e viteve, përvoja e këpucëbërjes është rritur. Këpucët tona janë të veçanta, pasi janë mbrojtëse, jo vetëm këpucë, dhe sigurisht zgjerimi kërkon investime, por edhe formim më të mirë profesional të forcës punëtore.

Kjo është edhe kërkesa që ne bëjmë ndaj autoriteteve shqiptare, që të na japin ndihmë për formimin profesional. Deri më tani kemi ecur me forcat tona, por kjo do të na ndihmonte më shumë. Gjithsesi, mund të them se këtu ka një klimë të favorshme për biznesin”, tha Nucci.

 

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço

 

“Tërheqja e investimeve më e rëndësishme se kurrë, duhet reformë e veçantë”

Kambanat për atë se çfarë do të mbetet në ekonominë shqiptare me përfundimin e gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Moglicës mbi lumin Devoll, kanë kohë që bien nga të gjitha insitucionet financiare ndërkombëtare dhe komunitetet e biznesit.

Në punimet e Forumit Ekonomik të Tiranës II, ishte Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ai që theksoi se për Shqipërinë sot është më e rëndësishme se kurrë të tërheqë investime të tjera në vend. Investimet krijojnë tregje të reja pune, mundësi biznesi dhe rrisin konkurrencën.

Por ato janë bërë edhe më kritike se kurrë, për arsye të reduktimit të pritshëm të 2 projekteve të mëdha: TAP dhe Devoll – si dhe pasojave të tërmetit, i cili sipas reagimeve që ne kemi marrë nga anëtarët tanë, do të ndikojë në uljen e shpenzimeve konsumatore si dhe reduktimin e të ardhurave”, u shpreh ai.

Presidenti i AmCham tha se, nisur nga kjo situatë, është e rëndësishme që të analizohet se sa e aftë është Shqipëria për të tërhequr investitorë të huaj. Për këtë çështje, Jaço u ndal te performanca e Shqipërisë në nivel rajonal sa i përket thithjes së investimeve duke iu referuar këtu edhe raportit të fundit të Bankës Botërore, “DoingBusiness”. Investitori tipik i interesuar për Ballkanin, merr një vendim se në cilin nga vendet duhet të vendoset për të mbuluar rajonin.

Vendi në të cilin ai vendoset, merr dhe pjesën kryesore të investimit. Nëse shohim renditjen krahasuar me vendet e rajonit:  Shqipëria është e 82-ta në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjës, e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lart. Mali i Zi renditet i 50-ti, Kosova e 57-ta, Serbia në vendin e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Pra, është Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Këtu ne dështojmë”, tha presidenti i AmCham.

Duke ngritur këtë shqetësim, Jaço tha se është shumë e rëndësishme që pas reformës në drejtësi, Shqipëria duhet të hedhë një tjetër hap të domosdoshëm: reforma për investimet. “Reforma për Investimet është e rëndësishme, jo vetëm sepse renditemi të fundit në rajon, por ajo është thelbësore për potencialet e mëdha që ne kemi dhe që investitorët mund të shfrytëzojnë. Ne mendojmë se Shqipëria mund të bëhet lider për investimet e huaja në rajon dhe që të bëhet e tillë, kjo reformë është jetike”, tha ai.

 

Flet Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i DIHA-s

 

“Interesi i biznesit në 2019 në rënie, por ja sektorët ende atraktivë”

 Interesi i biznesit gjerman për Shqipërinë ishte në rënie në vitin 2019 në raport me vitin paraardhës, por pozitiv mbetet fakti që sot ka të paktën dy investime konkrete që po finalizohen.

Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i DIHA-s nënvizon se janë bërë disa hapa pozitivë nga ana e administratës sa i takon procedurave, por nuk mungojnë rastet kur bizneset hasin pengesa.

Ai nënvizon se përmirësimi i klimës së biznesit mund të bëhet vetëm duke dëgjuar zërin e biznesit, dhe duke korrigjuar problematikat që raportohen. Lidhur me sektorët me interes Mankollari rendit se janë disa që shihen si tërheqës për investime duke nisur nga burimet natyrore të nëntokës dhe energjia tek investimet në sektorë si “call center” dhe IT.

Si ka qenë interesi i bizneseve gjermane për Shqipërinë gjatë vitit që lamë pas dhe aktualisht? Si e shohin ata vendin tonë sa i takon fuqisë punëtore?

Në përgjithësi interesi i bizneseve për të investuar në Shqipëri përgjatë vitit të kaluar ishte në rënie, gjithmonë në raport me interesin e shfaqur për të njëjtën periudhë të vitit 2018. Por pavarësisht kësaj zbehjeje të interesit mund të them se ka pasur disa projekte interesante konkrete në zbatim. I pari është një biznes fason dhe i dyti një call center gjermanofolës. Këto biznese janë në hapat e fundit të themelimit dhe nisjes së aktivitetit.

Të dyja kompanive iu është bërë i ditur fenomeni i largimit të fuqisë punëtore të thjeshtë dhe asaj të kualifikuar, një tendencë e shfaqur sidomos 2-3 vitet e fundit, por këto biznese kanë vendosur të vijnë sepse mendojnë që pagat do të jenë shumë konkurruese. Pak a shumë po ndodh ajo që kemi thënë dhe më parë, që sado të ngrihen pagat ato do të jenë sërish më të ulëta se në Europë.

Biznesi fason po vjen në Shqipëri për arsye strategjike, për të pasur akses në det. Ky pozicion strategjik na ka dhënë përparësi. Lidhur me kompaninë call center mendoj se do jetë pak më e vështirë pasi gjermanfolësit kalojnë procedurat e vizave dhe largohen. Ne kemi bërë një studim të vogël sesa gjermanfolës ka në Shqipëri dhe na ka rezultuar që institute gjuhësh në vend ka shumë dhe që ofrojnë nivel kursesh jo akademikë. Nuk kemi ende shifrat e sakta sesa gjermanfolës largohen. Ideja është që të gjithë ata që e mësojnë nuk mund të llogariten si forcë pune në Shqipëri, pasi i hyjnë mësimit të gjuhës me idenë e qartë të largimit në Gjermani.

Po lidhur me taksat apo klimën e përgjithshme të të bërit biznes në vend çfarë përshtypjesh keni marrë nga investitorët gjermanë të interesuar?

Lidhur me taksat kjo është një llogari e pastër. Për sa kohë që biznesi vjen në Shqipëri dhe interesohet, këtë aspekt e ka përllogaritur sepse janë fikse dhe ai e di shumë mirë çfarë shkallë taksimi ka në çdo rast. Problemi nuk është tek taksat më shumë sesa ajo që gjen pasi vjen këtu ku bizneset hasin probleme administrative dhe procedurale. Administrata shqiptare nuk është e motivuar, apo e trajnuar, që biznesit t’i lehtësohet puna dhe të bëjë nisjen e aktivitetit sa më shpejt.

Nuk kemi raste të investitorëve që kanë ardhur dhe ikur por njoh investitorë që kanë ardhur dhe hasin shumë gurë në rrugë. Ja për shembull tek procedurat. Nëse dikush kërkon të ndërtojë diku, diçka i duhet të presë tre javë  që t’i bëhet vlerësimi nga arkeologu që ajo zonë ku do ndërtohet nuk ka vlera arkeologjike. Më pas vjen inxhinieri i OSHEE-së që ka 45 ditë kohë për të bërë lidhjen e trefazorit. Ligji i njeh kohën 45 ditë dhe administrata e shfrytëzon atë deri ne ditën e fundit.

Në këtë rast nuk kemi thyerje të ligjit, por koha e biznesit është shumë e vlefshme. Sot një investitor nuk gjen një manual që ta sqarojë ku të shkojë për të bërë një punë të caktuar. Të gjithë njohurinë mbi procedurat i ka administrata publike dhe nuk e ka hedhur diku në mënyrë të thjeshtë. Nëse do të ekzistonte kjo, puna do të ishte më e thjeshtë për të dyja palët dhe administratën edhe biznesin.

Përtej kësaj, ka edhe diçka që ka ndryshuar pozitivisht. Për shembull është ulur shumë numri i kontrolleve në terren për bizneset. Doganat janë profesionalizuar shumë krahasim me 5 apo 10 vjet më parë. Sigurisht që kanë njohur forma të tjera import-eksporti dhe kompani që operojnë prej 40-50 vitesh. Prezenca e kompanive që kërkojnë import-eksport, e ka modernizuar doganën. Janë bërë hapa pozitivë sa i takon procedurave dhe dokumentacionit, të cilat po dixhitalizohen.

Cilët janë sektorët për të cilët ka më shumë interes për të investuar?

Investitorët e huaj duan te shfrytëzojnë atë qe ofron Shqipëria momentalisht, të cilat janë burimet natyrore, burimet njerëzore si dhe pozita gjeografike. E përkthyer ne sektorë biznesi shfrytëzimi i nëntokës apo burimeve ujorë janë minierat apo prodhimi i energjisë elektrike nga burime te rinovueshme këtu bën pjese edhe turizmi dhe kryesisht në hoteleri ku në vitet e fundit janë afruar marka ndërkombëtare ne këtë sektor.

Pe sa i përket burimeve njerëzore fasonet, Call-Center dhe p.sh. kompanitë  e IT janë akoma me interes për biznesin e huaj. Them akom,a pasi në këta sektorë ka filluar të ulet oferta e fuqisë punëtorë për shkak te largimit të të rinjve drejt vendeve europiane. Dhe se fundmi do të renditja sektorin e logjistikes dhe transportit, i cili ka akoma potenciale te mëdha ne vendin tonë për shkak të pozitës gjeografike të Shqipërisë.

Shqipëria deri tani është njohur për avantazhin e saj lidhur me fuqinë e lirë të punës a mendoni se do vazhdojë ta ruajë këtë pikë?

Mendoj se në harkun e 4-5 viteve të ardhshme do të ketë përmbysje të pagave dhe Shqipëria nuk do të jetë më konkurrente për shkak të fuqisë punëtore, që sot cilësohet si avantazh. Qeveria duhet të riorientohet për atë se çfarë mund t’ju ofrojë sot investitorëve. Deri para tre vitesh oferta që jepte Shqipëria ishte fuqia e lirë e punës por nuk do të jemi më të tillë. Kjo do të bëjë që të mos ketë hapësirë për të ngritur fasonë apo fabrika që kërkojnë fuqi të lartë punëtore. Ndaj duhet të ketë një orientim se ku kemi sektorët strategjikë të rinj që do t’iu jepet prioritet.

Çfarë mund të bëhet lidhur me lehtësimin e procedurave, politika të tjera stimuluese apo arsimin profesional?

Mendoj se po bëhet një hap pozitiv ne drejtimin e dixhitalizimit të disa procedurave dhe nevojën e dokumentacionit ne administratën publike. Por ka akoma hapësira te mëdha për përmirësim.

Ka shume rrugë se si mund te përmirësosh klimën e biznesit, por një nga rrugët më të thjeshta që qeveria mund te ndjekë është të dëgjoje zërin e biznesit. Është forma më natyrale dhe efektive që mund të sjellë rezultate të shpejta pozitive. Mendoj se në këtë drejtim, biznesi ka parë një përmirësim në krahasim me vitet e kaluara dhe konkretisht me ngritjen e Ministrisë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Për sa i përket arsimit profesional, mendoj se do të bëhet akoma edhe më i domosdoshëm nëse konsiderojmë uljen e ofertës së fuqisë punëtore në tregun shqiptar të punës. Në këtë fushë duhet një koordinim i mirë midis sipërmarrjes, institucionit arsimor dhe qeverisë si instancë rregullatorë. Këtu dua të shtoj se aktorët ndërkombëtare janë të fokusuar në zgjerimin dhe përmirësimin e arsimit profesional në Shqipëri pasi sjellin përvoja pozitive nga vendet e tyre dhe kanë eksperiencë në këtë fushë.

 

 

POTENCIALET, PRIORITET DHE FOKUS

Agropërpunim

  • Fruta-perime
  • Made in Albania
  • Bimët mjekësore
  • Nxit bashkimin dhe krijimin e fermave dhe vlerën e shtuar në vend
  • Turizëm

 

Kontribut direkt 8,5% të PBB

  • 7,7% të forcës së punës në Shqipëri
  • 7,5% të investimeve në vend dhe numri i sipërmarrjeve u rrit me 26%.
  • 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri.
  • Sektor me incentiva dhe fokus
  • Burime ende të pashfrytëzuara

 

Burime Natyrore

  • Burimet e rinovueshme të energjisë (kuadër rregullator i ri momentum – mundësi për diversifikim të burimeve, treg i sigurt)
  • Hidrokarbure (burime ende të paoptimizuara, zhvillim-kërkime në zona të reja, renta minerare, impakt në buxhet)
  • TEDA

 

Kuadër ligjor komplet dhe incentiva

  • Nevojë për targetim investitorësh dhe investime në infrastrukturë nga ana e shtetit
  • Digjitalizim
  • Treg i liberalizuar, zgjerim i përdorimit të internetit, përmirësimi në shërbimet publike elektronike dhe MAP REA
  • Institucionet rregullatore

Burimi: Këshilli i Investimeve

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of