Te drejtoje nje grua

07/10/2008 00:00 0 komente

Nga Albana MUçAJ


Niveli i sipermarrjeve te drejtuara nga grate mbetet i ulet ne vendin tone, ndonese jane ato qe kane marre guximin te drejtojne edhe kompani ne sektoret e ndertimit dhe nxjerrjes se mineraleve. Sipermarreset gjermane pritet te jene nje mbeshtetje per to.

E gjendur ne mes te kater rrugeve dhe e papune 18 vite me pare, ajo fillon te mendoje se çfare mund te beje per te ndihmuar familjen. Profesioni e saj si inxhiniere tekstilesh dhe pasioni per moden do ta shtynin te mendonte per nje shtepi mode, ose te pakten per nje punishte konfeksionesh. Por, niveli shume i dobet ekonomik dhe pamundesia per te marre nje kredi e zvarritnin nje enderr te tille. Duke ecur neper rruget e Shkodres, Pranvera Beqiri, i bie ne sy nje kioske e vogel ku bluhej kafe dhe vendosi t’i kerkoje te atit dy makina te vjetra bloje qe zoteronte. Fillon me bluarjen dhe paketimin e thjeshte te kafes dhe shume shpejt terheq vemendjen e nje prej kompanive tregtare ne vend Don Kafe. Prej 15 vitesh, znj.Beqiri merret me shperndarjen per llogari te kesaj kompanie ne zonen e Veriut te vendit.

Kjo eshte nje prej historive te “vjedhura” gjate nje bisede mes grave biznesmene ne pushimin e konferences Gruaja ne Biznes, e organizuar nga Shoqeria Gjermane per Bashkepunim Teknik (GTZ) dhe Komisioni i Lindjes se Ekonomise Gjermane.

Shume gra sipermarrese kane rritur pozicionet e tyre ne treg, ndersa verehet edhe nje rritje ne numer, por te dyja keto perbejne nje peshe shume te vogel te totalit te sipermarrjeve ne vendin tone. Sipas te dhenave nga Dhoma e Tregtise dhe Industrise se Tiranes (e cila ka numrin me te madh te grave sipermarrese te regjistruara krahasuar me qytete te tjera), ato nuk perbejne as 10% te totalit te sipermarresve anetare te Dhomes. Edhe ne nivele drejtuese, grate jane me te paketa se burrat.
Megjithate, kjo nuk karakterizon vetem tregun tone. I njejti fenomen vazhdon te duket edhe ne vende me nje ekonomi shume me te zhvilluar dhe te ekuilibruar si Gjermania. Sipas ambasadorit gjerman ne vendin tone Bernd Borchardt, drejtimi i grave ne sipermarrje eshte i ulet edhe ne Gjermani. Megjithate, shifrat flasin per nje nivel shume te larte te pjesemarrjes se gruas ne biznes. Sipas Borchardt, “industria tashme e ka kuptuar rolin e rendesishem te grave, pasi ato perbejne gjysmen e potencialit prodhues”. Ai vleresoi se ne nje nga studimet e Bankes Gjermane, grate jane cilesuar si “promotore te zhvillimit ekonomik”. Ne Gjermani rreth nje e treta e ndermarrjeve drejtohen nga grate.

Shqiperi- Gjermani, bashkepunim ekonomik femeror

Per ekspertet gjermane te ekonomise Shqiperia ofron nje stabilitet ne rajon. Ne te njejten kohe, sipas tyre, tregjet e reja kane nevoje per produkte dhe sherbime, ndaj edhe krijojne mundesi per zhvillimin e biznesit nga grate. Kjo beri qe ne kryeqytetin shqiptar te mblidhen 12 sipermarrese gjermane dhe disa drejtuese te shoqatave gjermane, si dhe me shume se 150 gra biznesmene e drejtuese institucionesh shqiptare.

Probleme te perbashketa, qe jane me te medha se thjesht konkurrenca ne treg, kane nxitur sipermarreset e dy vendeve te mendojne per nje rrjet bashkepunimi te grave ne biznes.

Kane mjaftuar vetem disa ore takim per te hedhur ne tryeze nje larmi idesh per te bashkepunuar. Nga interesa te drejtperdrejta per te blere makineri ne tregun gjerman deri te deshira per krijimin e nje rrjeti mes sipermarreseve shqiptare dhe gjermane, per te ndihmuar grate shqiptare ne biznes.

Duke pranuar veshtiresite e tyre ne rolin e sipermarresit, perfaqesuesit e GTZ-se ne vendin tone, kane vleresuar se grave ne biznes nuk u mjafton vetem ndihma e shtetit. Ato duhet te ndihmojne njera-tjetren. Pikerisht per kete, pritet te krijohet nje rrjet bashkepunimi mes biznesmeneve femra te dy vendeve.

Sipas Ulrike Gantzer-Sommer, drejtorja gjermane e GTZ-se per Shqiperine, “ne  duam te inkurajojme grate e reja te rrisin mundesite e tyre ne sipermarrje”.

Sipas saj, sipermarreset gjermane mendojne se ne Shqiperi eshte e lehte te behet biznes, pasi ka lehtesi ne ngritjen e tij dhe ka krah te lire pune. Nga ana tjeter, sipas saj, do te ishte me interes krijimi i programeve te monitorimit te biznesit te grave shqiptare per t’i ndihmuar dhe pastaj te keshillohen se si mund te ecin me mire.

Karriera e sipermarrja per grate, me e veshtire

Ide te shumta deri ne debate rreth nje argumenti tregojne se çfare i dallon grate biznesmene nga sipermarresit burra. Ato jane me kembengulese, me te duruara dhe me te ndershme ne biznes, siç nxitojne ta theksojne vazhdimisht gjate takimeve mes tyre. Barazia gjinore prej vitesh eshte pranuar “ne teori” ne nje pjese te mire te shoqerise boterore. Po ku ndodhen grate sotr! Ndonese shume eksperte e profesore vleresojne se femrat kane rezultate me te mira ne studime krahasuar me meshkujt, ne karriere keta te fundit jane me te suksesshem. Nje sere pengesash shoqerore e biologjike e bejne deshiren e femrave per karriere apo per te bere emer shume me te veshtire. Dhoma e Tregtise dhe Industrise se Tiranes numeron vetem 100 kompani qe administrohen nga grate, ndersa ne Durres ato jane vetem 15.

Duke filluar nga vitet ’60-te, barazia gjinore ne shoqeri ka filluar te permiresohet dukshem, por megjithe zhvillimet edhe Europa Perendimore duket te kete bere vetem nje pjese te rruges per te arritur barazine gjinore ne realitet. Sipas ambasadorit Borchardt, ndonese ne Gjermani dy te tretat e studenteve jane femra, ne drejtim mbizoteron numri i meshkujve. Shembulli me i mire i barazise shoqerore vjen nga vendet skandinave, sipas tij, ndaj ky shembull duhet pare me interes edhe per vende te tjera.

Megjithate ambasadori veren se po verehet nje proces transformimi me ritme te shpejta si ne Gjermani dhe ne Shqiperi persa i perket sipermarrjes femerore. Dy arsye te ndryshme ne te dy vendet duket se po çojne ne rritjen e rolit te gruas ne ekonomi. Plakja e popullsise ne Gjermani dhe emigrimi (kryesisht i meshkujve) ne Shqiperi.

Marredhenia ekonomike mes dy vendeve mbushin 20 vjet, nderkohe qe qeveria gjermane po zbaton edhe nje program per zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e punesimit per grate ne Europen Lindore.

Gra biznesmene edhe ne sektore te veshtire

Sipermarreset gra i gjeni kryesisht ne biznese te vogla tregtare apo sherbimesh, por kohet e fundit sipermarrja femerore ka shtrire me gjere rrenjet e saj. Ndonese nuk krahasohen ne numer me sipermarresit meshkuj ato po konkurrojne ne te njejtet sektore. Ndryshe nga pak vite me pare, ne vendin tone grate biznesmene mund te gjenden edhe ne sektorin e ndertimit apo industrise minerale.

Ne Tirane, ku sipermarreset femra duken se punojne ne kushte me te mira pune jane mbi 100 biznese qe drejtohen nga grate. Ato jane te shtrira kryesisht ne prodhimin e konfeksioneve, kepuceve, import-eksport, ndertim, mode, agjenci udhetimi, turizem, studio ligjore etj.

Statistika te dobeta per sipermarreset shqiptare

Perjashtuar numrin e te anetaresuarve ne dhomat e tregtise, mungojne statistika te plota rreth bizneseve qe drejtojne grate. Gjate ketij viti, Qendra Kombetare e Regjistrimit pritet te nise nje program te ri te regjistrimit te kryqezuar, prej nga mund te merren te dhena mbi situaten e biznesit te grave ne te gjithe vendin.

Zhvillimet e viteve te fundit nxjerrin ne pah nje permiresim te pozicionit ne gruas ne sektore te ndryshem te ekonomise, megjithate ato mbeten gjithnje me te pafavorizuara ne treg. Sipas te dhenave nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT), grate ne Shqiperi perbejne 51% te popullsise. Te dhenat mbi varferine, tregojne per nje feminizim te saj dhe rritje te peshes se femijeve ne grupin e te varferve.

Grate ne Shqiperi kane me pak mundesi sesa burrat per te filluar nje pune, per pasoje niveli i papunesise eshte me i larte se te burrat. Megjithese niveli i arsimimit te gruas eshte i barabarte me burrat, kjo nuk u siguron grave te njejtat mundesi ne tregun e punes.

Niveli i punesimit te grate, sipas INSTAT, eshte 46%, kundrejt 69%  per burrat. Situata e punesimit te gruas eshte me e favorshme ne sektorin e administrates publike ku gruaja ze 56% te te punesuarve.  Pabarazia ne punesim eshte shume e dukshme ne sektorin privat, ku vetem 17% e grave punojne ne nivele drejtimi, sipas INSTAT. Ngjashmerisht, dhe perqindja e biznesit jobujqesor te drejtuar nga grate eshte i vogel¸ vetem 2% ne sektorin e transportit dhe 25% ne sektorin e sherbimeve. Nese analizohet pjesemarrja e femrave ne popullsine ekonomikisht joaktive, verejme se femrat perbejne 46%. Perveç nivelit me te ulet ne punesim, grate shperblehen me pak se burrat dhe jane me te rrezikuara nga largimet nga puna. Mundesia e grave ne moshe riprodhuese per te qene shtatzena si edhe pamundesia per t’u aftesuar ne profesione te reja, i shnderron grate ne me pak te favorizuara per t’u punesuar apo per te ruajtur vendin e punes. Sipas te dhenave statistikore, grate ne Shqiperi kane nje mesatare te pages 35% me te ulet se burrat per te njejtin nivel arsimor. Kjo page me e ulet eshte kryesisht pasoje e nivelit te ulet te pozicionit ne pune. Ne kete nivel ndikon gjithashtu edhe pjesemarrja e paket e grave ne aktivitete private vetepunesimi, te cilat sigurojne te ardhura me te larta se sektori publik. Megjithese niveli i arsimit te vajzave dhe grave eshte pergjithesisht me i larte se numri i sudenteve meshkuj dhe perbejne rreth 71% te te diplomuarve, niveli i papunesise ne radhet e grave eshte 17.2%, nderkohe qe ai i burrave eshte dukshem me i ulet, rreth 12.1%. Industria perpunuese eshte sektori qe numeron numrin me te madh te grave te punesuara. Sipas te dhenave zyrtare, ato zoterojne kryesisht arsim 8-vjeçar dhe te mesem dhe niveli mesatar i pagave varion nga 15 mije – 25 mije leke ne muaj.

Mundesia e ulet ndaj prones (vetem 8% e grave zoterojne ligjerisht prona) dhe mungesa e politikave favorizuese qe nxisin sipermarrjen private te grave, mban nje nivel te ulet te numrit te atyre qe drejtojne biznese te vogla, te mesme apo te medha.

Megjithese prania e grave ne administraten publike eshte ne nivele me te larta se ne sektorin privat (ne nivel ekspertesh dhe drejtuesish), burrat perseri mbizoterojne pozicionet drejtuese. Edhe perfaqesimi i grave ne vendet drejtuese te partive politike ne vendin tone mbetet i ulet.

Gjermania gjithnje afer Shqiperise

Gjate ketij muaji mbushen 20 vite qe vendi yne ka nenshkruar Marreveshjen e Bashkepunimit Ekonomik me Gjermanine. Gjate takimit te grave biznesmene, ambasadori gjerman ne vendin tone, vleresoi se ne kuader te ketij bashkepunimi prej vitit 1988 jane dhene rreth 7 milion euro ne nivel kombetar dhe nderkombetar. Permes zyres se GTZ-se, zbatimi i financimeve te qeverise gjermane ne sektore te ndryshem eshte vleresuar nga ekspertet shqiptare te ekonomise si nder me efektivet. Projektet gjermane per zhvillim kane “prekur” te gjithe vendin duke u perqendruar kryesisht ne infrastrukturen e ujesjelles kanalizimeve. Megjithate, programe te shumta me ekspertet gjermane jane zhvilluar edhe ne sektore te turizmit, arsimit, permiresimin e kuadrit ligjor etj.

Gjermania renditet nder partneret kryesore te tregtise se jashtme te vendit tone, ndonese gjate dy viteve te fundit ritmet e rritjes se tregtise nga Kina jane me te larta. Sipas te dhenave nga INSTAT, Gjermania eshte partneri i peste tregtar i Shqiperise, prej vitit te kaluar.

Gjate ketij viti (7-muajt e pare), importi nga Gjermania u rrit 19% me shume se nje vit me pare. Vlera e importit gjate kesaj periudhe, sipas INSTAT, ishte 13.96 miliard leke. Me pak u  rrit vlera e eksporteve. Produktet e paketa qe eksportojme drejt Gjermanise ishin vetem 1.56 miliard leke nga 1.35 miliard te eksportuara ne shtate muajt e pare te vitit te kaluar (duke u rritur me 15.5%).

Rritjet me ritme me te ngadaleta, ekspertet e tregtise e shpjegojne me forcimin e pozicionit te tregtareve shqiptare ne treg. Per produktet e teknologjise, te cilat perbejne peshen kryesore te importeve nga Gjermania, tregtaret shqiptare duket se kane zgjeruar tregjet e blerjes. Edhe per arsye te rritjes se çmimeve ne tregjet nderkombetare, sipas eksperteve, tregtaret po orientohen gjithnje e  me shume drejt tregjeve qe ofrojne çmime me te lira, si Rusia per dritherat, Argjentina per mishin apo vendet aziatike per makinerite.

Megjithate, Gjermania mbetet nje vend interesant per blerjen e produkteve te makinerive dhe pajisjeve mekanike cilesore. Gjate ketij viti, sipas te dhenave nga INSTAT, vlera e importit te makinerive, pajisjeve mekanike dhe pjeseve te kembimit ishte gati 8.1 miliard leke duke perbere 58% te totalit te vleres se importit.

Gruaja gjate vitit 2007

1-Grate ne shkalle vendi jane te punesuara ne 8.905 subjekte private dhe perbejne 49,3% te te punesuarve;

2- Te ndara sipas llojit te aktiviteteve, ne sherbimet dhe ndermarrjet e biznesit te vogel, rreth 38,6% e punemarresve jane femra;

3- Ne sektorin e Ndertimit dhe te Prodhimit te Materialeve te Ndertimit rreth 10,9% te punemarresve kane qene gra;

4- Ne sektorin e prodhimit, rreth 73,4% e punemarresve jane femra.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.