Hapat e vegjël të përmirësimit në raportin e konkurrueshmërisë janë një shenjë e mirë, por pothuajse me përmirësime të padukshme. Shqipëria mbetet ndër vendet më pak konkurruese në rajon, ku taksat kryesojnë listën e pengesave për të bërë biznes
Shqipëria ka përmirësuar renditjen në raportin e fundit të konkurrueshmërisë, pas katër vitesh përkeqësim. Sipas Raportit të Konkurrueshmërisë Globale 2015-2016, të publikuar javës së kaluar, Shqipëria është e 93-a, mes 140 vendeve të analizuara, për disa parametra që ndikojnë në nivelin konkurrues të vendit.
Në një renditje ku ndikojnë edhe zhvillimet e vendeve të tjera, Shqipëria rezulton të ketë përmirësuar shumë pak parametrat e saj, të cilat e bënë të vlerësohet me 3.9 pikë nga 3,84 pikë që mori një vit më parë. Vlerësimi maksimal i performancës së të gjithë treguesve është 7 pikë.
Nga 16 shtylla të rëndësishme, të cilat së bashku flasin për mbarëvajtjen e ekonomisë, por edhe nivelin e mirëqenies së vendit, rezulton se janë bërë hapa mbrapa për sa i përket nivelit të taksave, kompleksitetit të tyre, infrastrukturës, paqëndrueshmërisë politike e inovacionit.
Vlerësimet që u referohen vitit të kaluar, nxjerrin në pah se pengesa kryesore është niveli i taksave, i ndjekur nga problemi i qëndrueshëm i pamundësisë së financimit. Ndërkohë, korrupsioni zbriti në vendin e tretë për një vit.
Siç shihet edhe nga grafiku i mëposhtëm, pengesat janë përqendruar në fushën e taksave dhe në qeverisje. Përjashtuar kredinë, në të gjithë elementet e tjerë “dora e shtetit” duket fortësisht penguese në këtë rast. Sipas përgjigjeve të marra nga Shqipëria, Forumi Ekonomik Botëror, me raportin e tij, vë në dukje se shqetësimet më të mëdha në të bërin biznes në vendin tonë janë niveli i lartë i taksave, vështirësitë e mëdha për të marrë hua në tregun bankar, korrupsioni. Kalimi nga taksë e sheshtë në progresive, vitin e kaluar bëri që taksat të duken shumë më komplekse. Burokracitë, nga ana tjetër, vazhdojnë të mbeten mes problemeve kryesore, ndonëse sipërmarrjet dhe institucionet private të vlerësimit, raportojnë se burokracitë janë ulur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar.
Taksat e larta lënë gjurmë
Për herë të parë, bizneset shqiptare rendisin taksat e larta si pengesën më të madhe për të bërë biznes dhe kjo ka ndodhur kur paketa fiskale në drejtim të rritjes së taksave sapo kishte nisur. Këtë vit, një hap tjetër u bë drejt plotësimit me rritjen edhe të dividentit, tatimfitimit nga qiratë, pronat, interesat e depozitave etj.
Disa faktorë konkurrojnë fortësisht mes tyre dhe në zhvillimet dinamike të vendit mund të marrin rëndësi edhe sezonale. Ditët e fundit, debati i korrupsionit ka arritur pikun për një prej privatizimeve më të mëdha publike, atë të administrimit të shpërndarjes së energjisë, një korrupsion që dyshohet se ka përfshirë përmes aferave kontraktuale, krerë të institucioneve më të larta të shtetit.
Këtë e ka vënë në dukje në media edhe pedagogu i lëndës së konkurrueshmërisë, në Fakultetin e Ekonomisë Ilir Ciko. Sipas tij, “vitin e kaluar ishte korrupsioni problemi më shqetësues për biznesin vendas. Këtë vit, korrupsioni është i treti edhe pse, siç ne e kemi parë këto ditë, realisht nuk është se korrupsioni është ulur. Përkundrazi, mbetet ende një problem shqetësues. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre problemeve, bizneset kanë nxjerrë taksat e larta si pengesën kryesore, çfarë tregon se ky problem duhet adresuar”. Një sugjerim që rrezikon të bjerë në vesh të shurdhër të paktën edhe gjatë diskutimit të buxhetit dhe paketës fiskale për vitin e ardhshëm. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka theksuar në konferencën e fundit për shtyp se nuk do të ketë rritje taksash vitin ardhshëm, por vetëm ndonjë rregullim të mundshëm. Ndërsa nuk vlerësohet të flitet për ulje mundshme të taksave apo edhe thjeshtim të tyre. Një masë e tillë është përjashtuar për sa kohë jemi në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në politikën e të cilit nuk janë diferencimet në taksa, ndërsa vendit tonë i kërkohet konsolidim fiskal.
Në renditjen globale, Shqipëria mbetet në 50 vendet e fundit, saktësisht e 47-a nga fundi si vitin e kaluar, edhe këtë vit. Ekonomistët vlerësojnë se kjo flet për një renditje të dobët të ekonomisë shqiptare. Konkurueshmëria është treguesi më i afërt që lidh nivelin e mirëqenies së një vendi. Produktiviteti i një vendi varet plotësisht nga niveli i konkurrueshmërisë, dhe në kushtet e konkurrueshmërisë së lartë, e rrjedhimisht produktivitetit të lartë, edhe të ardhurat për frymë do të ishin më të larta.
Po 2015, si pritet të pasqyrohet vitin tjetër
Kur nisëm rrugën e përmirësimit në vlerësim, sa do të mund ta mbajmë këtë trend?! Ekonomistë si Zef Preçi janë skeptikë, nisur nga ndryshimet e mëtejshme të taksave por edhe përkeqësimit të disa treguesve të tjerë këtë vit. Sipas z. Preçi, “në rastin e këtij indeksi, duket të kemi parasysh dy elemente të rëndësishme: a) Indeksi është ndërtuar mbi bazën e të dhënave të vitit 2014, dhe b) treguesi përmbledhës/sintetik i indeksit të konkurrueshmërisë gjendet në të njëjtin nivel me vitin 2012-2013 (me të dhënat e 2012-s). Me të dhënat e këtij viti, ka pak pritshmëri, sipas tij, se do të ketë përmirësim në ekonominë reale dhe në indekset përkatëse, duke përfshirë edhe Indeksin Global të Konkurrueshmërisë.
Çfarë ndodh me rajonin e Ballkanit
Pavarësisht përmirësimit, ekonomia shqiptare vlerësohet të mbetet më pak konkurruese se vendet e rajonit. Këtë vit ajo renditet një vend para Serbisë, ndërkohë që Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia janë dhjetëra vende më përpara.
Sipas Raporti Global të Konkurrueshmërisë, Serbia dhe Kroacia kanë qëndruar në vendnumëro në renditje krahasuar me një vit më parë. Mali i Zi ka zbritur në renditje me tre vende, ndërsa Maqedonia përmirësoi po kaq pozicionin e saj konkurrues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.