Flet Klajdi Mati, drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit…
Në fund të këtij viti parashikohet që ligji i ri “Për falimentin” të dërgohet për miratim në Kuvend. Përmirësimi i kuadrit ligjor është një kërkesë e artikuluar shpesh edhe nga ndërkombëtarët, të cilët po asistojnë me programe të veçanta, pasi në Shqipëri, falimenti nuk ka gjetur zbatim në “terren”. Më shumë sesa për një ligj të ri, hartuesit flasin për një Kod, jo vetëm sepse do të kemi të bëjmë me një volum të madh nenesh që do të përbëjnë kuadrin legjislativ (rreth 260), por sepse falimenti përfaqëson një sistem të tërë dhe si i tillë duhet të nisë të trajtohet. Funksionimi i drejtë i këtij sistemi do të thotë shumë për kushtet në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare. Në një intervistë për “Monitor”, Klajdi Mati, drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit shpjegon përse nuk ka funksionuar deri më sot ky sistem dhe çfarë do të garantohet me kuadrin e ri rregullator.
Ky është një fillim i ri
Flet Klajdi Mati, drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit
Në gjykata, aktualisht janë rreth 130 çështje në procedurë falimenti. Pjesa më e madhe janë aplikime të bëra nga kreditorët për t’i çuar bizneset në faliment, për të marrë detyrimet që u kanë dhënë në formën e huas. Në bazë të ligjit, kreditorët kanë të drejtë që të bëjnë kërkesë për faliment për cilindo debitor që nuk ka arritur të përmbushë detyrimet. Nga ana tjetër ka edhe biznese që, me vullnetin e tyre, kanë nisur procedurën në momentin që kanë konstatuar se nuk kanë pasur më aftësi paguese dhe kur data e maturimit ka kaluar mbi tre muaj, atëherë i janë drejtuar gjykatës. Ajo që është e re për vitin 2014 ka të bëjë me faktin se sistemi i falimentimit ka nisur të njihet, kjo edhe me asistencën e avokatëve që kanë studiuar mbi këtë ligj, duke bërë të kuptohet se kjo është mënyra më e shpejtë për të zgjidhur “ngërçet” e detyrimeve (falimenti është një e drejtë ligjore për zgjidhjen e borxhit). Për herë të parë kemi kompani nga fusha të ndryshme që kanë aplikuar vetë në gjykatë dhe drejtpërdrejt në kapitujt e sistemit. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se falimenti është një sistem dhe ai ndahet në tre apo katër kapituj. Një prej tyre është likuidimi ku subjekti ose një palë tjetër, siç është kreditori, mund të bëjë aplikimin; është riorganizimi ku subjekti ka të drejtë të aplikojë për të, në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ka edhe një sërë aspektesh teknike, që ndikojnë në fitimin e së drejtës ose jo për të qenë nën këtë kapitull; sikundër është edhe një kapitull që lejon aplikimin për ristrukturim borxhi me të ardhura të rregullta.
Një nga problemet e hasura më parë kishte të bënte me faktin se subjektet futeshin në sistem falimenti, por pa u orientuar qartë se ku duhet të ‘shkonin’. Vetë fryma e ligjit nuk e interpretonte drejt, pasi lihej në një periudhë ‘pauze’ në lidhje me orientimin. P.sh., kreditorët gjithmonë duan të marrin huan e dhënë, por në krahun tjetër biznesi mund të jetë solid, pavarësisht se mund të jenë duke kaluar një moment paaftësie paguese, si pasojë e investimeve që mund të jenë kryer.
Nga rreth 130 çështje që janë në gjykatë, një pjesë janë për likuidim e të tjerë për riorganizim. Është bërë një punë e madhe për ndërgjegjësimin e aktorëve, se gjykata është një hallkë shumë e rëndësishme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për administratorët e falimentit, të cilëve iu është shpjeguar se si mund të ndiqet një procedurë në mënyrën më të mirë të mundshme, që të jetë e shpejtë në kohë dhe të mos ketë kosto ekonomike të larta. Moskuptimi i drejtë i ligjit dhe keqinterpretimi sjellin padyshim rritje të këtyre kostove për kreditorët dhe vetë publikun.
Me çështjet që janë në proces, kemi arritur të reduktojmë hapësirën kohore. Nëse një vit më parë, ato zvarriteshin me dy apo tre vjet, sot kemi arritur një mesatare kohore rreth 6-muaj, kjo edhe falë rritjes së ndërveprimit mes agjencisë, gjykatës, administratorëve dhe palëve të interesuara (kreditorëve dhe debitorëve). Me ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve kemi arritur në një zgjidhje konkrete për të siguruar që sistemi të funksionojë.
Si ka qenë kjo tendenca e çështjeve në proces falimenti krahasuar me një vit më parë dhe cilët janë sektorët nga ku regjistrohet edhe numri më i madh i bizneseve që nisin falimentin?
Është e vërtetë që tendenca është në rritje, por kjo nuk do të thotë se ata vetëm tani nisën të kenë paaftësi paguese. Kjo është një situatë e mbartur mesatarisht në pesë vite. Por, duhet të theksojmë se një gjendje e tillë është krijuar edhe si pasojë e mosinterpretimit të saktë të ligjit, në interes të të gjitha palëve. Duhet të kemi parasysh se nëse është likuidim, atëherë shpërndarja duhet të bëhet nga një aktor i tretë, i besuar, i vendosur nga gjykata dhe kreditorët do të marrin pjesë në mënyrë të barabartë. Situata ndryshon në rastin e kreditorëve të siguruar, pasi ata kanë si garanci kolateralin, ndërsa ata që janë të pasiguruar mbeten gjithmonë të rrezikuar. Ndryshimet e reja në ligj, për këtë kategori, ofrojnë një zgjidhje optimale, e cila redukton zvarritjet.
Çështjet që janë në gjykatë u përkasin kryesisht kompanive që vijnë nga sektori i ndërtimit, i cili vuan pasojat e një krize të rëndë, por edhe nga hidrokarburet e sektorit social. Falimenti është një mundësi e hapur, duke filluar nga biznesi i vogël e deri tek ai i madh. Ndërsa ende mungojnë aplikimet e individëve, të cilët janë persona fizikë.
A ka ndryshuar numri i administratorëve të falimentit dhe çfarë ndryshimesh do të sjellë ligji i ri?
Numri i administratorëve për momentin nuk ka ndryshuar, ndërsa të rinjtë që do t’u shtohen kësaj liste, do t’u nënshtrohen rregullave të reja që do të jenë pjesë e ligjit të ri që po hartohet. Licencimi si administrator do të bëhet duke plotësuar disa kritere, si të qenët shtetas shqiptar, mosha më e lartë se 23 vjeç, me arsim të lartë, etj., por ajo që vjen e re është se testimi do të bëhet mbi bazë manuali. Kjo do të thotë se dalja e ligjit të ri do të shoqërohet edhe me përgatitjen e manualeve. Çdo kapitull do të ketë manualin e tij. Ndjekja e manualit nuk është një detyrim ligjor, por do të shërbejë si guidë me anë të së cilës administratori mund të zgjidhë një sërë çështjesh. Nëse dikush do të dojë të licencohet si administrator për likuidim, atëherë mbi bazën e këtij manuali do të mund të informohet dhe më pas të testohet.
Në rastin e riorganizimit, në ligj do të parashikohet diçka tjetër. Pasjen e një administratori ose jo do ta vendosin kreditorët, të cilët për një ose më shumë arsye do të argumentojnë se debitori/pronari që ka në posedim pronën ose biznesin nuk është menaxhues i mirë, ata do të mund të kërkojnë para gjykatës që debitori të ‘lëvizë’ nga posedimi i pronës/biznesit dhe në krye (të biznesit në një riorganizim) të vendoset një administrator për menaxhimin e sipërmarrjes (këtu duhet të bëhet dallimi mes administratorit në likuidim që ka funksione të tjera dhe atij që është administrator biznesi në riorganizim). Kërkesën, ligji do t’ia lërë në dorë grupeve të interesit, por ajo duhet të marrë miratimin e gjykatës.
Nëse kemi të bëjmë me disa kreditorë do të ngrihet një këshill dhe do të vendosin gati–gati për çdo gjë, pasi ata janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve. Kërkesa për ndryshimin e pronarit duhet të bazohet mbi argumente të forta dhe do të miratohet nga gjykata.
Edhe në rastin e licencimeve për administratorë të bizneseve për riorganizim kjo do të realizohet duke marrë për bazë manualin përkatës, por do të kenë funksione të tjera nga administratorët e falimentit. Ata do të jenë administratorë në posedim të pronës apo biznesit dhe që do të kenë të gjitha të drejtat e detyrimet, siç i ka një debitor për mbarëvajtjen e biznesit. Por, kush do ta kontrollojë qoftë edhe debitorin, i cili do të jetë në posedimin të pronës/biznesit? Përvoja edhe e vendeve perëndimore ka treguar se kjo figurë është administratori, i cili mbikëqyr të gjithë procedurën e riorganizimit, që ky debitor ka paraqitur përpara gjykatës dhe është miratuar me votim nga kreditorët. Këta të fundit kanë rol kryesor, janë ata që kërkojnë zëvendësimin, që miratojnë planin e biznesit.
Më duhet të përsëris një fakt që është shumë i rëndësishëm dhe që arrihet të perceptohet me vështirësi se në një procedurë falimenti, kreditorët janë ata që vendosin për një debitor në bazë të një plani që hartohet për mbarëvajtjen e një biznesi për një periudhë 3-5 vjet, në varësi të vendimit që do të japë edhe gjykata.
Nuk është e thënë që në të gjitha rastet, plani realizohet, pasi gjykata ose vetë kreditorët mund ta vlerësojnë si jo të arsyeshme dhe si rrjedhim, ai rrëzohet. E, në këtë rast, mund të kalohet nga një aplikim për riorganizim në atë për likuidim.
Cilat janë mundësitë reale që rastet në proces gjykimi të përfundojnë me sukses?
Ligji aktual i ka të gjitha elementet në tërësinë e tij, por problemi qëndron se ato nuk janë të renditura si duhen. Sikundër u deklarua edhe në lançimin e programit të asistencës së IFC-së dhe Bankës Botërore, procese të tilla si likuidimi, riorganizimi, ristrukturimi janë të parashikuara në ligjin aktual, por mënyra sesi janë radhitur në strukturë, sesi është interpretuar fryma, sesi shfaqen elemente të veçanta, por nuk kuptohet drejt se ku nis dhe mbaron.
Ajo që duhet kuptuar qartë është se falimenti, vërtet është e drejtë e kreditorëve për ta aplikuar, por nëse shihet me kujdes fryma e ligjit kupton se është një zgjidhje për debitorët kur konstatojnë se kanë paaftësi paguese (rreth 95% e këtyre rasteve në botë paraqiten vetë para gjykatës). Edhe kur debitori aplikon për riorganizim ka të drejtat dhe detyrat e tij. Në ligjin e ri këto do të trajtohen në mënyrë më specifike dhe do të trajtohen qartësisht. Kur një debitor ka paaftësi paguese, ligji përcakton se nuk mund të rrihet më shumë se 3-6 muaj në këtë gjendje dhe në këtë mënyrë, ai të ofron një shans të dytë. E kjo mund të gjendet brenda një likuidimi, kur debitori mund të lirohet nga detyrimet.
Si mund të ndodhë kjo?
Detyrimet mund të zgjidhen në rrugë ligjore dhe jo individuale. Sistemi ka të mirat, por edhe pasojat e tij. Nëse do të flasim për një individ, avantazhet janë të shumta. Ata nuk kanë të drejtë të riorganizohen, por të likuidohen ose të ristrukturohen. Shpesh ndodh që të ngatërrohet falimenti me riorganizimin, por në fakt kemi të bëjmë me sistemin e falimentit që si kapituj të veçantë ka riorganizimin dhe ristrukturimin. Këto të dyja nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën. Ristrukturimi është vetëm për individët, të cilët kanë të ardhura të rregullta. Në momentin kur aplikojnë për të ristrukturuar borxhin, ata paraqesin para gjykatës, palëve dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit gjendjen e të ardhurave të tyre mujore dhe një plan të thjeshtë, mbi bazën e të cilave do të ristrukturohet borxhi. Është shumë e domosdoshme që të kuptohet se sa janë këto borxhe. Një risi e ligjit është se individi (një gjë e tillë zbatohet në vendet e zhvilluara) mund të shkarkohet nga një pjesë e detyrimeve, por një gjë e tillë ndodh kur ai është i ndershëm. Me termin individ apo biznes “i ndershëm” do të kuptojmë atë person ose subjekt që deklaron në mënyrë vullnetare se ka paaftësi paguese dhe nuk e ka lënë kohën të ikë; ka sjellë gjithë dokumentacionin përkatës që do të njohë ligji, pra kartën e identitetit dhe adresat, formularët e kreditorëve të tij me kolonat përkatëse informuese sipas shumës së borxheve dhe identifikimeve, nëse është borxh i siguruar apo i pasiguruar.
Një individ, sot nuk mund të ketë më shumë se gjashtë tituj borxhesh. Në rast se është borxh i siguruar, atëherë kemi të bëjmë me banesën ku jeton, ose makina dhe ose çdo lloj pasurie tjetër e paluajtshme që është e hipotekuar. Duke i përdorur si kolateral është marrë edhe kredia. Ky është një rast i konsoliduar, sepse garancia është kolaterali.
Ndërsa borxhe të tjera te një individ mund të jenë: faturat e utilitetit (telefonia, uji, ngrohja, energjia). Ato kanë një vlerë të caktuar që nuk shkojnë në nivele të larta.
Mund të jetë një kredi studentore, që në pjesën më të madhe jepen pa kolateral. Edhe në vendin tonë ofrohet si shërbim. Ky gjithashtu mund të jetë një titull borxhi.
Borxh mund të jetë edhe një faturë mjekësore. Mund t’i ndodhë gjithkujt që për arsye shëndetësore të paraqitet pranë urgjencës dhe kjo mund të jetë një faturë. Ky shërbim merret pa paraqitjen e një dokumentacioni (sigurim apo librezë), por nuk ndodh e njëjta gjë për një rast tjetër.
Një faturë tjetër për një individ mund të jetë një detyrim familjar. Mund të nënkuptojë divorcin nga ku ka lindur një detyrim financiar për fëmijët.
Një zë tjetër mund të jenë edhe overdraft-et, që merren pa kolateral në bazë të një historie të mirë kreditimi.
Kjo është korniza e titujve të borxheve që një individ mund të ketë. Në rastin e borxheve të siguruara, çështja është e qartë.
Por, me ligjin e ri, do të shihet mundësia e diskutimit për shkarkimin e një pjese të këtyre borxheve (dy apo tre tituj) me vendim gjykate. Përvoja botërore njeh mundësi të tilla që ofrohen nga kuadri ligjor.
Në fakt, zgjidhja e paaftësisë paguese është një çështje që trajtohet edhe në planin e masave të miratuara nga qeveria në kuadër të raportit “Të bësh biznes”, si e shihni ju këtë, në raport edhe me reduktimin e procedurave të falimentit?
Koha e procedurës dhe kostot që shoqërojnë procesin mbeten një çështje për t’u diskutuar, por ajo që është më e rëndësishme për ekonominë tonë ka të bëjë me vetë sistemin e falimentit. Ai duhet të jetë funksional, i mirinterpretuar. Në gjithë botën, falimenti trajtohet mbi bazën e një kodi, sepse është pjesë thelbësore e ekonomisë së një vendi. Nëse vlerat e “ngrira” do të futen për të qarkulluar sërish në sistem, atëherë ekonomia do të ecë. Nëse njerëzit nuk do të zgjidhin çështjen e borxheve, atëherë ekonomia do të mbetet në “ngërç”. Ndaj mund të themi se falimenti është pjesa më thelbësore e ekonomisë, është një fushë ndërveprimi që përfshin një sërë institucionesh.
Me ligjin e ri parashikohen ndryshime edhe në funksionimin e Agjencisë, ku konsistojnë ato?
Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit është një institucion shumë i rëndësishëm në proces dhe kjo jo vetëm si palë, por edhe sepse licencon, ndjek punën e administratorit të falimentit, ndjek procedurat në tërësi. Është palë, sepse është shumë i vlefshëm interpretimi që bën, në rastet kur i kërkohet nga gjykata ose nëse do të cenohej e drejta e publikut. Nëse kjo ndodh, atëherë Agjencia ka të drejtë të kundërshtojë çfarëdolloj vendimi pavarësisht edhe pse nuk ka tagër që të kthejë mbrapsht vendimin e gjykatës, duke dhënë argumente. Nga ana tjetër, është e vërtetë se Komiteti i Kreditorëve mbron interesat e tyre, por Agjencia ka target më të gjerë. Ajo mbron të drejtat e gjithë kreditorëve, duke filluar nga tatimet, sigurimet, punonjësit, të pasiguruarit, distributorët, etj., pra në tërësi gjithë sistemin. Agjencia mund të kundërshtojë edhe shuma faturash që mund të jenë në dëm të kreditorëve apo edhe të ekonomisë etj.
Ky institucion ka aftësinë që në një proces të orientojë edhe konvertimet e çështjeve, që do të thotë se, nëse një biznes ka aplikuar për riorganizim dhe i është aprovuar, por gjatë periudhës përgatitore konstatohet se nuk ka bërë të gjitha deklarimet (formularët e deklarimeve do të plotësohen përpara bërjes së aplikimit) sikundër i kërkohen në ligj, atëherë do të konsiderohet mashtrim. Në këtë rast, do të ketë sanksione më të rënda sesa mashtrimet që mund të bëjnë shoqëritë tregtare. Kjo argumentohet me faktin se debitori është paraqitur me vullnet të lirë, është mirëpritur në sistem dhe në këto kushte, ai nuk ka arsye për mashtrime. Duhet të kuptohet qartë se mashtrimi në faliment përbën një krim të rëndë dhe ka fatura financiare të jashtëzakonshme. Agjencia ka aftësinë të gjejë lehtësisht nëse është bërë ndonjë mashtrim në deklarime, nëse është shmangur ndonjë pasuri apo kompani fantazmë që mund të gjenerojë të ardhura ‘cash’, pasi ka marrëveshje bashkëpunimi me një sërë institucionesh.
Në raste të tilla, të konstatuara, Agjencia do të ketë të drejtë të kërkojë edhe konvertim të çështjes. Duhet pasur parasysh se sistemi garanton rimëkëmbjen, përparimin e biznesit, përmes likuidimit ose riorganizim. Në të dy rastet, ky do të jetë një fillim i ri sepse do të zerohen të gjitha problemet me kreditorët. Falimenti është diçka më e madhe nga sa njihet sot në Shqipëri.
Si trajtohen me ndryshimet, rastet kur mund të ketë mbivendosje me ato që trajtohen edhe nga Kodi i Procedurës Civile?
Ligji aktual përcakton mjaft qartë që në procedurën e falimentit ndiqen etapa të tjera, të ndryshme nga ato që sanksionohen në Kodin e Procedurës Civile.
Me konsiderimin e falimentit si Kod, ai shmang të gjitha përplasjet me kodet e tjera. Kështu sanksionohet se në faliment ndiqen procedurat e parashikuara në ligjin për falimentin. Ligji aktual është me 284 nene, por edhe ai i riu që pritet të dalë, do të ketë rreth 260 nene. Me këtë volum lind e drejta për t’u quajtur Kod, por edhe për një fakt tjetër se ka një procedurë tërësisht të ndryshme, si në shpërndarje, tek aplikimi në gjykatë, te njoftimet, te mbledhjet e kreditorëve. Të gjitha ngërçet që mund të vijnë si pasojë e përplasjeve me ligjet e tjera duhet të eliminohen, për ta bërë sistemin e falimentit të funksionojë dhe të jetë sa më efikas.
Mashtrimi
Mashtrimi në faliment përbën një krim të rëndë dhe ka fatura financiare të jashtëzakonshme
Shkarkimi
Me ligjin e ri do të shihet mundësia e diskutimit për shkarkimin e një pjese të titujve borxheve (dy apo tre) me vendim gjykate. Përvoja botërore njeh mundësi të tilla që ofrohen nga kuadri ligjor.
Individi
Me ligjin e ri do të shihet mundësia e diskutimit për shkarkimin e një pjese të këtyre borxheve (dy apo tre tituj) me vendim gjykate. Përvoja botërore njeh mundësi të tilla që ofrohen nga kuadri ligjor.
Mangësitë në ligjin ekzistues
Nga një vlerësim i legjislacionit aktual mbi falimentin, krahasuar me ligje të tjera të brendshme dhe me legjislacionet e huaja, që trajtojnë këtë fushë, ekspertët konsiderojnë se pozitat e debitorit në një procedurë falimenti, janë në një gjendje diskriminuese, kjo për shkak se fryma, që ligji ekzistues përcjell, është e orientuar drejt zbatimit të procedurave të likuidimit, duke mos i lënë hapësirën e duhur biznesit për të shfrytëzuar mundësinë tjetër të njohur nga ligji, atë të riorganizimit, që si qëllim kryesor ka ruajtjen e aktivitetit.
Kjo ndodh pasi dispozitat e ligjit ekzistues fokusohen më tepër në sqarimin e dispozitave që parashikojnë likuidimin e një biznesi, duke lënë të paqartësuar procesin e riorganizimit të një biznesi.
Në këto kushte, ata thonë se është e nevojshme të hartohen dispozita të qarta ligjore, që të plotësojnë këtë mundësi që vetë ligji jep, duke ruajtur njëkohësisht balancën midis të drejtave dhe detyrimeve, që kanë të gjithë aktorët në një çështje.
Ata thonë se ligji aktual nuk plotëson kërkesat që diktohen nga kushtet e reja në të cilat gjendet biznesi sot.
Mënyra e hartimit dhe e renditjes së dispozitave ligjore, apo krerëve të tij, nuk ndjek vijën procedurale, që ka secili nga rastet e falimentit likuidimi, riorganizimi apo ristrukturimi i borxhit. Kjo ka sjellë që në zbatimin në praktikë të evidentohen vështirësi të theksuara për të kuptuar dhe për të interpretuar ligjin aktual dhe nga subjekte të specializuara në fushën financiare.
Ligji aktual nuk përcakton saktë se për çfarë mund të aplikohet në fazën fillestare të nisjes së procedurave të falimentit. Pra, nuk përcakton mundësi alternative, nëse një procedurë aplikimi mund të jetë për ndjekjen -e procedurës së likuidimit, të riorganizimit apo për ristrukturim borxhi, me të ardhura të rregullta.
Legjislacioni aktual nuk i sanksionon saktë detyrat dhe përgjegjësitë e administratorit të falimentit, apo detyrat e mbikëqyrjes në një procedurë falimenti. Duke mos u specifikuar qartë detyrat e Administratorit, ekziston rreziku: i shpërbërjes së masës së falimentit, dështimit të gjithë procesit; i shmangies nga përgjegjësia ligjore.
Ai sanksionon në mënyrë të përgjithshme se çfarë është masa e falimentit, por nuk përcakton konkretisht sendet dhe pasuritë që përfshihen dhe deri ku shtrihet masa e falimentit.
Ekspertët thonë se nga zbatimi në praktikë është konstatuar mosrealizimi i një procedure, për shkak të keqinterpretimeve nga gjykata të ndryshme në forma të ndryshme, se çfarë do të quajmë masë apo pasuri e debitorit, e cila i nënshtrohet një procedure falimenti.
Ligji aktual paraqet gjithashtu mangësi në përcaktimin e qartë të të drejtave dhe detyrimeve, që kanë palët: në një proces likuidimi, riorganizimi, apo ristrukturimi borxhi.
Nga evidentimi te zbatimi i procedurave në praktikë është konstatuar zbatim i gabuar i detyrave që ka secili në procedurë.
Në të nuk parashikohet asgjë, në lidhje me mashtrimet në procesin e falimentit, ndërkohë që legjislacionet e vendeve të zhvilluara, e kanë të përcaktuara: llojet e mashtrimeve në faliment, si dhe masën dhe mënyrat e vendosjes së sanksioneve penale, apo administrative që vendosen në rast të konstatimit të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.