Tregtia jonë me rajonin ndoqi të njëjtin kurs të tregtisë së jashtme në tërësi gjatë nëntë muajve të vitit. Eksportuam 10% më shumë e importuam 15% më pak. Por, pesha vendeve CEFTA vazhdon të mbetet e ulët. “Lufta” tregtare mes vendeve shfaqet me procedura të herëpashershme administrative.
Tregtia jonë me rajonin e Ballkanit u ndikua njësoj nga faktorët që sollën rritje të eksporteve dhe ulje të importeve tona në tërësi.
Sipas të dhënave doganore, në periudhën janar-shtator të këtij viti, eksportet tona drejt vendeve me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje të lirë tregtie u rritën 10.5%, duke arritur në gati 21 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, importet ranë 15%. Pavarësisht se një treg i afërt e lehtësisht i arritshëm falë investimeve në infrastrukturë, ritmet u luhatën ashtu si në tregtinë me Europën Perëndimore.
Vendet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë (CEFTA) janë Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia.
Hapat e Shqipërisë drejt rajonit duken shpeshherë edhe më të ngadaltë se ato të integrimit tonë në Bashkimin Europian. Ballkani nuk është në objektivin e tregtarëve e prodhuesve shqiptarë, por ky treg mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë për ta, për sa kohë tregojnë në të njëjtën monedhë me atë të destinacionit në Europë, në euro. Për më tepër, kërkesat për certifikatat cilësore nuk janë aq sa në BE. Me rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve nga vendet e CEFTA-s, deficiti tregtar u përmirësua lehtësisht krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave doganore, pesha e deficitit me këtë treg ndaj totalit ra nga 9% në 6.45%. Duhet të kujtojmë se gjatë kësaj kohe, edhe deficiti tregtar në total është përmirësuar ndjeshëm.
Sipas të dhënave doganore, pesha e rajonit u rrit në total, si në importe edhe në eksporte. Por, rritja rezulton të jetë ndikuar më shumë nga luhatja e eksporteve dhe importeve në tërësi.
Tregtia me Ballkanin, ende e ulët
Pavarësisht rritjes së lehtë të shkëmbimeve tregtare, Ballkani është një potencial që po shfrytëzohet pak nga prodhuesit e tregtarët shqiptarë. Arsyet kanë ndryshuar krahasuar me pak vite më parë. Interesi i tyre për tregun fqinj verior filloi të rritej me shfaqjen e efekteve të krizës dhe rritjes së çmimit të karburanteve. Nga metale e materiale ndërtimi, tregtia u zgjerua deri te prodhimet shtazore. Industria e këtyre të fundit u zhvillua dhe, pasi përmbushi kërkesat e brendshme, të vetmen rrugëzgjidhje kishte Ballkanin. Megjithatë, rritja e tregtisë mbeti e kufizuar. Kësaj radhe pengesa vjen nga jashtë. Tregjet e Ballkanit, kryesisht Maqedonia, Serbia dhe Bosnja duken të orientuara drejt tregjeve të largëta dhe po realizojnë shkëmbime të mëdha me tregje të rëndësishme si Gjermania, Italia, apo edhe në lindje Sllovenia e deri në Rusi. Por, edhe në rastet e interesit tregtar mes fqinjësh, janë shfaqur pengesa të shumta në kufi, deri në kthimin e mallrave.
Një fenomen i hasur më së shumti me tregtinë me Kosovën, mund të shihet si një “luftë” mes tregtarësh e prodhuesish. Kështu e shohin vetë tregtarët. Besnik Bare, sipërmarrës i një fabrike tullash, tregon se u dëmtua ndjeshëm nga procedurat që vendosi administrata kosovare për pikat doganore. Sipas tregtarëve kosovarë, kjo pengesë ishte tërësisht në favor të tregtarëve serbë të tullave. Disa vite më parë, lufta tregtare zhvillohej me Maqedoninë dhe ishte e fokusuar tek prodhimet ushqimore. Por, ky fenomen nuk shfaqet vetëm në raport me Shqipërinë. Edhe mes vendeve të CEFTA-s, pas marrëveshjeve të tregtisë së lirë, filluan të shfaqen pengesa sporadike, të karakterit administrativ, të cilat edhe sot janë bërë pengesë në marrëdhëniet tregtare. Në fakt, po të shohim shifrat e tregtisë së këtyre vendeve më shumë mbi 60% të shkëmbimeve tregtare, Ballkani i ka me tregjet e largëta. Sipas Institutit të Statistikave të Kosovës, tregtia me Ballkanin është vetëm 35%, ndërkohë që Serbia duket më “agresive” me mbi 45% të import-eksporteve në këtë rajon.
Importojmë nga Serbia dhe eksportojmë në Kosovë
Më shumë se gjysma e eksporteve tona në Ballkan përfundojnë në tregun kosovar. Sipas të dhënave të tregtisë, ato zënë rreth 60% të totalit të eksporteve drejt 6 vendeve CEFTA. Krahas materialeve të ndërtimit (hekur, tulla, çimento) dy vitet e fundit është rritur ndjeshëm pesha e eksporteve agro-ushqimore, veçanërisht prodhime shtazore.
Pothuajse e njëjta strukturë prodhimesh gjendet edhe në importet nga Serbia, treg që kryeson mes importeve tona nga rajoni. Në tërësi tregtia me Ballkanin është përqendruar tek materialet e ndërtimit dhe produktet e konsumit të përditshëm.
Një vend importues?!
Zona e lirë e tregtisë u krijua mes vendeve të CEFTA-s që në vitin 2007. E konsideruar si një BE e vogël për shkëmbimet tregtare, ajo siguron mundësi për një treg prej 30 milionë banorësh. Por, ndryshe nga vendet e Bashkimit Europian, duket të mos jetë aq favorizuese struktura e ndryshme e kërkesë-ofertës. Nëse në vendet e BE-së tregtohen gjerësisht si teknologji edhe ushqime, për teknologjinë, vendet e Ballkanit duhet t’u drejtohen tregjeve jashtë rajonit. Pavarësisht investimeve, edhe infrastruktura rrugore nuk është në ato përmasa lehtësuese të BE-së. Por, mbi të gjitha, pengesa më e madhe vërehet tek procedurat doganore. Procedura të liberalizuara pothuaj si mes vendeve të BE-së, nuk ka një aplikim të drejtë të marrëveshjeve. Sipas ekspertëve në fushën e tregtisë, pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë përpjekur të nxjerrin forma të reja frenuese, të cilat, në njëfarë mënyre, kanë zëvendësuar efektin e tarifave doganore. Ata kujtojnë se, ende luhet me tarifat sezonale e kuota.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.