Të fundit në rajon për thithjen e fondeve të BE-së për shkencën

18/12/2018 4:26 PM 0 komente

Avancimi në inovacion dhe shkencë janë nga kushtet e vështira që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u anëtarësuar në BE. Shqipëria, për herë të parë, mori pjesë në mënyrë institucionale në Programin e BE-së për kërkimin shkencor nëpërmjet “EU Seventh Framework Programme – FP7 2007- 2013”.

Gjatë kësaj periudhe, institucionet akademike e kërkimore shqiptare, nëpërmjet projekteve të paraqitura, kanë pasur një shkallë të përgjithshme niveli suksesi, prej 14.4%, në krahasim me mesataren prej 21.6%30 me fonde totale të përfituara rreth 2.36 milionë euro. Për më tepër, 41% e fondeve të përfituara i takojnë sektorit të shëndetësisë, 20% në shkencat sociale, 17% në fusha si ushqimi, agrikultura e bioteknologjia, 12% në mjedis (përfshirë ndryshimet klimatike), 5% në ICT, 4% në sektorin e transportit (përfshirë aeronautikën), ndërsa 1% i takojnë Nano Shkencave.

Në vitin 2014, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen me Komisionin Europian për të marrë pjesë në Programin Kuadër për Kërkim – Shkencor e Inovacion Horizon 2020 (2014-2020) që pasoi programin paraardhës FP7. Programi Kuadër i BE për Kërkim – Shkencor e Inovacion Horizon 2020 ka në fokus të veçantë marrëdhëniet e bashkëpunimin mes biznesit e komunitetit kërkimor shkencor.

Gjate dy viteve të para të zbatimit të tij 2014-2016, institutet e qendrat kërkimore në vend janë përpjekur të marrin pjesë e të përfitojnë nga ky program, por të dhënat e deritanishme dëshmojnë se Shqipëria ende ka nivele të ulëta të pjesëmarrjes e përthithjes së fondeve edhe përkundrejt vendeve të tjera të Ballkanit.

Ndonëse gjatë periudhës 2015-2016, numri i aplikantëve shqiptarë është rritur në 146 nga 66 që ishte 2014-2015, ende numri i projekteve të suksesshme nga Shqipëria mbetet shumë i ulët në këtë program. Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se gjatë periudhës 2014-2016, që përkon me 2-vjeçarin e parë të programit kuadër të BE në Horizon 2020 kanë aplikuar gjithsej rreth 50 organizata nga Shqipëria, me rreth 140 projekte. Shkalla e suksesit ka qenë shumë e vogël me vetëm 4.8%, ose 6 projekte të suksesshme nga të gjithë aktorët publikë dhe jopublikë me një vlerë prej 330 mijë eurosh.

Gjithashtu, gjatë periudhës 2006-2016, zhvillimi më i rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor ishte hapja e programeve të studimit të doktoraturës, fillimisht në universitetet publike e më pas në ato private.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of