Koha është një nga gjërat më të çmuara dhe për ju, ndoshta është e pamundur që të kryeni çdo gjë në afatet e duhura. Ju duhet të paguani faturat, të shikoni llogarinë bankare apo të transferoni fonde? Mos u shqetësoni. Nuk është e nevojshme që të lini diçka pa bërë dhe të nxitoni për në bankë. Teknologjia iu vjen në ndihmë për gjithçka që iu nevojitet. Për këtë është E-banking.
Kurseni kohën, është diçka e sigurt dhe nuk ka shumë kosto.
Pothuajse të gjitha bankat në Shqipëri ofrojnë një seri shërbimesh online. Gjithçka është e sigurt, pasi të dhënat tuaja mbrohen nga sisteme të veçanta sigurie.
Përse është koha të zgjidhni online banking (ose Internet banking ose E-banking)? Sepse paraqitja juaj fizike nuk është e domosdoshme për të kryer një veprim, sepse vetëm kështu mund të shmangi radhët e gjata, për të paguar një faturë ose për të kryer një transaksion bankar, sepse tek e fundit nuk duhet të respektoni orare. Banka “virtuale” iu shërben në çdo kohë, 24 orë në 24, në ditë pushimi apo fundjavë, kjo nuk ka fare rëndësi.
Përse E-banking
Qofshi në zyrë, në shtëpi apo duke udhëtuar, ju mund të keni me vete gjithmonë “bankën”, pa asnjë lloj kufizimi.
Bankat iu ofrojnë mundësinë që të kontrolloni në mënyrë elektronike gjendjen e llogarisë suaj, historikun e transaksioneve që keni bërë. Mund të merrni edhe shërbime të tjera, si për shembull: të transferoni fonde brenda dhe jashtë vendit, të paguani faturën e telefonit, ujit, energjisë elektrike apo të paguani taksa, të kërkoni informacione rreth huave, depozitave, çeqeve të lëshuara, kursin e këmbimit.
Disa banka iu ofrojnë mundësinë edhe të hapini depozita online, në këtë rast mund të ketë kufizime në lidhje me shumën që mund të përdorni. Interesat që aplikohen janë të ndryshme nga ato depozita që hapen në rrugën e zakonshme. Më poshtë, ne do t’ju njohim në mënyrë më të detajuar ofertat.
Avantazhet dhe dizavantazhet
Përpara se sa të ndërmerrni hapin për të kërkuar këtë shërbim duhet të njiheni me avantazhet dhe dizavantazhet.
Bankingu online është një koncept i ri, veçanërisht në Shqipëri. Ky shërbim nënkupton vetëshërbim bankar. Varësia nga banka ndonjëherë është e ekzagjeruar dhe mund të jetë zhgënjyese. Natyrisht si çdo shërbim ka anët pozitive dhe negative. Aspektet pozitive janë disa: ju kurseni disa shpenzime të kota; mund të kryhen transaksione brenda dhe jashtë vendit, pa u varur nga banka; transaksionet kryhen në sekondë dhe kursehet kohë; duke qenë se çdo gjë është e kompjuterizuar kursehet letra dhe ruajtja fizike e veprimeve; banka iu lajmëron për mbarimet e afatit të pagesave; kostot e shërbimit janë të ulëta, ka edhe raste kur ofrohen falas; me kalimin e kohës do të rritet gama e shërbimeve që ofrohen online.
Nuk mungojnë edhe dizavantazhet që janë: bankingu online redukton në masë kontaktet personale me bankën, pra nuk krijohen marrëdhënie ndërpersonale. Kur ju fusni të dhënat tuaja personale në internet ka gjithmonë hapësira që ato të sulmohen. Bankat në përgjithësi kanë sistem shumë të mirë mbrojtës.
Ju mund të hyni në bankingun elektronik, duke përdorur të dhënat personale dhe fjalëkalimin. Ky fjalëkalim mund të vidhet dhe të përdoret nga dikush tjetër, ndaj mirë është që të dhënat t’i merrni personalisht në bankë dhe me shkrim. Siguria e internetit është një nga problemet më të mëdha me të cilën përballet sot sistemi bankar. Çdo konsumator duhet të informohet për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Ofertat e bankave
Për të pasur akses në shërbimet online, ju duhet të keni llogari te një nga bankat. Si fillim do t’ju duhet të mbushni një formular ku kërkohen të dhëna personale, si telefoni apo adresa e postës elektronike. Pasi të jetë pranuar aplikimi, ju do të pajiseni me një emër përdoruesi dhe fjalëkalim. Në rast se i humbisni mund të riaplikoni. Sapo të keni akses në llogarinë tuaj online, ndryshoni menjëherë fjalëkalimin.
Kostot për këtë shërbim ndryshojnë nga banka në bankë, natyrisht që ka raste kur nuk ju duhet të paguani komision. Tarifat zakonisht luhaten nga 2 deri në 5 euro, në varësi të llojit të shërbimit që keni kërkuar. Tarifat përfshijnë koston e regjistrimit, vjetoren dhe atë të transaksioneve.
Union Bank: Shërbimi iu ofrohet si individëve, ashtu edhe korporatave, në tri paketa të ndryshme. Me anë të paketës së parë “read only” (vetëm lexo), klienti merr informacion të plotë mbi llogaritë, depozitat dhe kreditë që ofron banka. Me paketën “half option” (opsion jo i plotë), klientit i ofrohet mundësia e kryerjes së transfertave dhe pagesave brenda Union Bank. Me paketën e plotë “full option” (opsion i plotë), klienti mund të kryejë edhe pagesa/transferta jashtë bankës, përfshirë dhe ato ndërkombëtare.
Klienti mund të hapë nëpërmjet shërbimit “Ub Online” depozita me afat, sipas normave dhe afateve në fuqi të bankës. Për depozita në shuma mbi 20,000 euro (2.5 milionë lekë) ofrohen norma të përmirësuara interesi.
Procedura e kërkuar është shumë e thjeshtë. Mjafton që klienti të bëjë një kërkesë të thjeshtë për të përfituar lehtësitë e kërkuara. Kostot për paketë variojnë nga 1 deri në 5 euro në muaj, për individë, dhe nga 2 deri në 10 euro në muaj për korporatat. Komisioni fillestar për pajisje me “token” është 5 euro, nuk aplikohet pagesë për mbyllje komisioni. Union Bank nuk mban komision për paketën bazë “read only”, për klientët që kanë një llogari page apo personale Plus. Shërbimi ofrohet në kushte të larta sigurie, ku klienti përveçse emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin, pajiset edhe me “tokenin” i cili e shton maksimalisht sigurinë. Banka ofron dhe mundësinë e kufizimit në shuma të transaksioneve, sipas kërkesave specifike të klientit.
BKT: Edhe te kjo bankë me e-banking mund të merrni informacion mbi huatë e marra, depozitat, investimet dhe kartat tuaja të debitit e të kreditit. Ju mund edhe të hapni një llogari kursimesh online. Banka i inkurajon klientët e saj të hapin depozita online, pasi kanë avantazhe. Normat e interesit që aplikohen janë 0.2% më të larta. Banka ofron edhe mundësinë e regjistrimit online. Nëse keni një kartë krediti, një numër “CIF” dhe një numër celulari të përhershëm, ju mund të hyni me internet pa qenë nevoja të shkoni në bankë.
Banka Raiffeisen: Ia ofron këtë shërbim çdo klienti që ka të paktën një llogari në këtë bankë. Është e disponueshme për individët, korporatat, klientët mikro, ndërmarrje etj. Funksionet e këtij shërbimi grupohen në dy kategori kryesore: kontroll i llogarive dhe pagesa.
Kjo bankë ju jep mundësinë për të paguar edhe taksat, ky është një shërbim i ri. Klientët do të kenë mundësinë të kryejnë pagesa nga llogaria e tyre rrjedhëse për zyrën e Tatim Taksave apo Degën e Thesarit duke shlyer detyrimet ndaj tyre.
Intesa Sanpaolo Bank: Ju ofron mundësinë për të pasur norma më të larta interesi për depozitat bankare të hapura online, në të tri monedhat kryesore, lek, euro, dollarë. E-deposit fillon nga shumat: minimumi 100,000 lekë, 1,000 euro dhe 1,000 dollarë. Për të hapur një depozitë elektronike, ju duhet të abonoheni në shërbimin internet banking. Më pas, e-deposit është e disponueshme falas. Normat e interesit variojnë për monedhën lekë ( 1 muaj deri në 2 vjet) nga 1.75% në 6.55%, në euro për të njëjtin afat nga 0.4% në 3.3% dhe në dollarë nga 0.1% në 4.5%.
Banka iu ofron edhe një “çelës” sigurie për internetin, një mjet që rrit sigurinë për kryerjen e veprimeve bankare online.
Banka Credins: Ofron një manual përdorimi të dizenjuar dhe të pajisur me figura për ta pasur më të lehtë marrjen e shërbimit, për t’u siguruar që, nëse kjo është përvoja juaj e parë me shërbimin e-banking, do t’ia dilni mbanë.
Fibank: Ofron veprime bankare online për hapjen e llogarive rrjedhëse dhe depozitave në lekë dhe në valutë të huaj, kryerjen e transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare në kohë reale, transaksione ndërmjet llogarive, mundësi për të negociuar, kurse këmbimi preferenciale, pagesa të faturave utilitare dhe të kartës së kreditit, etj. Depozitat online kanë interesat e depozitave standarde të ofruara nga banka, por për këtë klienti duhet të paraqitet edhe fizikisht për të nënshkruar kontratën.
Për të marrë shërbimin e-banking klienti mbush formularin e aplikimit dhe përcakton shërbimet që preferon të marrë. Më pas klienti bën regjistrimin online si dhe gjenerimin dhe instalimin e certifikatës. Kostot e shërbimit e-banking janë në varësi të shërbimeve që klienti zgjedh të përdorë. Regjistrimi i llogarisë dhe leximi i saj është falas. Nëse kërkohet të përfshihen transferta ndërmjet llogarive dhe shërbime të tjera shtesë komisioni është 2 euro. Siguria bazohet në tri principe bazë. Asnjë person i paautorizuar nuk mund të ketë akses te të dhënat personale, të dhënat e e transmetuara ndërmjet browser-it të klientit dhe bankës mbrohen nëpërmjet enkriptimit dhe veprimet verifikohen elektronikisht. Klientët pajisen edhe me një usb dhe smart card për të ruajtur dhe siguruar certifikatën elektronike.
Kujdes!
Shmangni përdorimin e llogarisë suaj bankare nga një internet-kafe apo një kompjuter që ka përdorim të gjerë. Nëse ndodh një gjë e tillë duhet që të ndryshoni menjëherë fjalëkalimin dhe më pas përfundoni transaksionin.
Pas çdo veprimi që bëni online duhet të mbyllni sesionin, mos u mjaftoni duke mbyllur motorin e kërkimit. Ndryshoni fjalëkalimin pas hyrjes së parë në faqe, por edhe herë pas here.
Përdorni fjalëkalime të vështira, në mënyrë që të mos gjendet lehtësisht. Mos ia jepni askujt atë. Kontrolloni çdo ditë gjendjen e llogarisë suaj dhe nëse nuk bëni transaksione. Nëse vini re ndonjë gjë që nuk shkon, lajmëroni bankën.
Sugjerim
Bëni kërkime më të hollësishme dhe zbuloni vetë atë që është më e mira për ju. Ne ju dhamë një orientim. Zgjedhja është e juaja!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.