Pas Dhomës Amerikane dhe asaj të Tregtisë dhe Industrisë, katër organizma të tjerë kanë kundërshtuar projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”. Të gjitha argumentet…
Të gjitha institucionet e biznesit janë vënë në lëvizje për të kundërshtuar një nismë të fundit të deputetit Gjovalin Kadeli, lidhur me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, i cili po tenton të kalojë pa transparencë dhe pa u konsultuar më parë me palët e interesit. Drafti parashikon krijimin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë” (IEF) një organizëm, që grupon të gjithë ekspertët fiskalë persona fizikë dhe të gjitha shoqëritë e ekspertëve fiskalë të regjistruara në Regjistrin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë të Shqipërisë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, në një shkresë zyrtare drejtuar Ministrave të Financave e Drejtësisë dhe Komisionit të Ekonomisë, thotë se drafti nuk paraqet asnjë analizë, studim apo dhe thjesht problematikat që mund të jenë shfaqur që të ketë krijuar nevojën për rregullimin e këtij profesioni në Shqipëri. Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se ky shërbim, që kërkohet të monopolizohet përmes këtij drafti, sot jepet nga të punësuar në shoqëri (financierë dhe administratorë me kualifikimin përkatës), Kontabilistë të Miratuar si profesion i rregulluar, Ekspertë Kontabël të Regjistruar, Avokatë dhe Juristë të së drejtës tregtare dhe më gjerë, të tjerë të diplomuar, të lejuar sipas kurrikulave përkatëse universitare.
Edhe katër organizma profesionalë, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH), Shoqata Kontabël i Miratuar (SHKM), janë deklaruar zyrtarisht kundër projektligjit në një takim të përbashkët që kanë zhvilluar në fillim të muajit mars. Ata kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e drejtpërdrejtë negativ që mund të ketë miratimi i këtij projektligji, në të gjithë procesin e raportimit financiar në Republikën e Shqipërisë.
———————
Organizmat profesionalë të Kontabilitetit dhe Auditimit: Monopolizim në shërbim të grupeve të fuqishme të biznesit
Drejtuesit e organizatave profesionale të kontabilitetit dhe auditimit, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH), Shoqata Kontabël i Miratuar (SHKM), në një takim të përbashkët janë diskutuar në lidhje me shqetësimet dhe problemet që dalin nga miratimi prej Kuvendit të Shqipërisë, të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të Ekspertit fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”.
Pas diskutimeve në lidhje me përmbajtjen, por edhe për rrugën që po ndiqet për kalimin e shpejtë në Kuvendin e Shqipërisë, të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të Ekspertit fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit në Shqipëri, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku shprehin shqetësimet e tyre dhe japin sugjerimet për të tejkaluar situatën që mund të krijohet.
Të ndodhur në kushtet e mungesës së informacioneve për këtë zhvillim, pasi projekti në fjalë nuk ka ndjekur rrugën normale të konsultimit me palët e interesuara dhe as me autoritetet përkatëse që ndikojnë apo ndikohen nga ky projektligj, ne si përfaqësues të profesionit me bazë kontabël, që përfshin audituesit, kontabilistët dhe financierët, të cilët llogariten në disa mijëra anëtarë, përmes kësaj deklarate organizatat kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin e drejtpërdrejtë negativ që mund të ketë miratimi i këtij projektligji, në të gjithë procesin e raportimit financiar në Republikën e Shqipërisë.
Ata shprehen shumë të shqetësuar, pasi miratimi i këtij projektligji, do të dëmtonte seriozisht të gjithë punën e bërë gjatë këtyre dy dekadave të fundit në përmirësimin e raportimit financiar të shoqërive tregtare dhe zhvillimin e profesioneve me bazë kontabël në Shqipëri, ku Banka Botërore është angazhuar drejtpërsëdrejti dhe po investon bashkë me donatorë të tjerë në një projekt kompleks dhe shumëdimensional (CFRR World Bank). Në këto kushte, ata kërkojnë që autoritetet më të larta në vend të vlerësojnë seriozitetin e kësaj çështjeje kaq sensitive dhe të ndikoni që të merren në kohë masat e duhura, duke shmangur problemet që mund të krijohen dhe pasojat negative që do të vijnë nga miratimi i një ligji të tillë.
Organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit theksojnë ndërkohë se ata vlerësojnë çdo përpjekje, nga cilido grupim qoftë, që synon të përmirësojë cilësinë e raportimit financiar të entiteteve të biznesit në vendin tonë. Rritja e cilësisë së raportimit për qëllime tatimore, duke përdorur punën e ekspertëve më të mirë të kësaj fushe, mendojmë se kontribuon gjerësisht në rritjen e formalizimit të bizneseve, për të cilin jo vetëm qeveria, por edhe i gjithë opinioni publik, janë shumë të interesuar.
Anëtarët e profesionit të Audituesit ligjor (Ekspertët Kontabël të Regjistruar) dhe Kontabilistët e miratuar, të cilët jo vetëm që e kanë në fushën e tyre të veprimtarisë, por edhe janë testuar e certifikuar për të qenë në të njëjtën kohë ekspertë kontabël apo kontabilistë të miratuar, si dhe ekspertë të tatimeve e taksave. Këta profesionistë kanë dhënë një kontribut të dukshëm në këtë drejtim dhe posaçërisht në cilësinë dhe korrektësinë e deklarimeve tatimore, të cilat janë të lidhura ngushtë me informacionet kontabël dhe pasqyrat financiare.
Pa e analizuar projektligjin në detaje, katër organizatat kanë paraqitur shqetësimet si më poshtë:
• Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të Ekspertit fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, parashikon krijimin e një profesioni të ri të fushës kontabël (këshilltarin fiskal), të cilit për më tepër i rezervohet në formë monopol krejt padrejtësisht dhënia e shërbimeve me natyrë fiskale.
• Në projektin e paraqitur kopjohen në mënyrë gati tërësore në masën mbi 90%, të gjitha dispozitat që përmban ligji 10091 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, (i ndryshuar), duke krijuar de fakto dy profesione paralele;
• Përveçse synohet të krijohet një profesion i ri, i rregulluar fort në mënyrë ligjore, shërbimi i monopolizuar i këshillimit tatimor në projektligjin në fjalë parashikohet të kryhet vetëm nga ekspertë fiskalë që do të përgatiten sipas këtij projektligji, duke larguar ose duke i hequr të drejtën të kryejnë shërbimet me natyre tatimore, siç janë përgatitja e deklaratave tatimore, të listëpagesave, të përfaqësimit dhe të tjera të ngjashme, profesionistëve aktualë. Pra, projektligji ju heq të drejtën për ta ushtruar këtë profesion (pra për të dhënë këshillime fiskale), profesionistëve aktualë, siç janë, audituesit ligjorë (EKR), kontabilistët e miratuar (KM) të cilët janë certifikuar ose do të certifikohen sipas ligjit për të kryer këto shërbime, por edhe avokatëve, të cilët një pjesë të konsiderueshme të punës së tyre e kanë të lidhur pikërisht me shërbimet me natyrë këshillimesh fiskale.
• Edhe pse këshilltari fiskal, në projektligj përcaktohet si një profesion i rregulluar, ai në këtë projekt parashikohet të lihet jashtë fushës së mbikëqyrjes, për shembull nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, në një kohë kur për vite me radhë në bashkëpunim me Bankën Botërore (CFRR World Bank, Vjenë) po punohet për të forcuar sistemin e mbikëqyrjes publike dhe përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, ku natyrisht bën pjesë edhe raportimi për qëllime fiskale. Mjafton të përmendim se me njërin nga Ligjet më të fundit të aprovuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe me asistencën e Bankës Botërore, në ligjin 47/2016 është vënë theksi te forcimi i një Bordi të pavarur të Mbikëqyrjes Publike.
• Organizimi profesional i shoqërive të ekspertëve fiskalë, sikurse është parashikuar në këtë projektligj, i hap rrugën një monopolizimi të këtij shërbimi në grupe të fuqishme biznesi, pasi nuk përcakton qartë faktin që shumica e të drejtave të votës të jetë në zotërim të profesionistëve, por ai mund të jetë në zotërim të grupeve të mëdha të biznesit, siç mund të jenë media, shoqëri ndërtimi apo grupe të tjera influencuese, të cilat në këtë mënyrë do të kenë akses në shumicën e informacioneve të bizneseve të mëdha.
• Largohet vëmendja nga raportimi financiar, i cili është për qëllime të shumë përdoruesve dhe fokusi zhvendoset vetëm tek raportimi për një përdorues, siç janë organet tatimore, duke ndikuar negativisht në mbajtjen e evidencës, kontabilitetit të rregullt, etj.
• Në kushtet e vendit tonë, krijimi i një profesioni të tillë nuk mund të justifikohet edhe për faktin që shumica janë biznese të vogla, dhe nuk ndihet shumë nevoja për këshillime në lidhje me planifikimin tatimor. Po kështu, krijimi i një profesioni të veçantë dhe për më tepër, monopolizimi përmes rezervimit të këtij shërbimi do të rrisë koston për biznesin, pasi do të përjashtonte nga kjo e drejtë administratorët të cilët i plotësojnë vetë deklaratat tatimore, në një kohë kur sipas frymës së direktivës së BE-së për raportimin financiar kërkohet minimizimi i kostove për raportimin e bizneseve.
• Ky projektligj ndikon gjithashtu në përkeqësimin e shërbimeve të administratës tatimore, duke i orientuar punonjësit e kësaj administrate drejt lidhjeve të shkurtra e direkte vetëm me këta ekspertë. Miratimi nga Kuvendi i këtij ligji krijon një terren të përshtatshëm që gjithnjë e më shumë të ketë një cikël të mbyllur të ofrimit të shërbimeve profesionale nga punonjësit tatimorë, apo nga ish-punonjësit tatimorë, duke stimuluar korrupsionin dhe trajtimin e pabarabartë e selektiv të bizneseve.
Nisur nga sa më sipër, ne mendojmë se nuk ka nevojë për një rregullim ligjor për këtë profesion, pasi ai nuk është një detyrim që buron nga direktivat e BE-së [nuk ka asnjë direktivë europiane që obligon rregullimin e detyruar të profesioneve, përjashtim bën vetëm audituesi ligjor, i cili rregullohet me Direktivën e Auditimit Ligjor të BE-së (direktiva e tetë)].
Një profesion i tillë, në shumicën e vendeve në botë, nuk ekziston, por edhe atje ku ekziston, është thjesht një profesion i lirë dhe çdo grup anëtarësh që i përket këtij profesioni ka të drejtën të vetorganizohet dhe të promovojë standarde teknike, profesionale dhe etike sa më cilësore. Edhe në vendet ku ka një rregullim të tillë (të cilat janë shumë pak), rregullimi bëhet vetëm për anëtarët dhe jo për shërbimin profesional të këshillimit tatimor. Tendenca e monopolizimit të këtij shërbimi dhe rezervimit të tij vetëm për ekspertët fiskalë është e padrejtë, pasi bie ndesh me konkurrencën dhe me parimet bazë të ekonomisë së tregut, ku shërbimet profesionale janë të lira.
Nëse nisemi nga përvoja kombëtare, do të evidentonim faktin që në Shqipëri ekzistojnë prej gati dy dekadash, dy profesione me bazë kontabël, të cilët mbulojnë pjesën më të madhe të aspekteve të raportimit dhe të këshillimit për qëllime tatimore (audituesi ligjor dhe kontabilisti i miratuar) dhe një profesion me bazë jurisprudencën, ai i avokatit, i cili mbulon aspektet juridike, pra legjislacionin fiskal dhe përfaqësimin e tatimpaguesve në gjykatë. Kështu që, nuk shohim asnjë argument, për të justifikuar një profesion të ri, kur fushat janë tashmë plotësisht të mbuluara.
Nuk duhet e as mundet që një ligj për profesionistin e këshilltarit fiskal, ta prishë këtë praktikë dhe për më tepër, të kushtëzojë vazhdimin e dhënies së shërbimeve tatimore, nga këta profesionistë me ricertifikimin e tyre si ekspertë fiskalë dhe anëtarësimin detyrues prej tyre në Institutin e ardhshëm të ekspertëve fiskalë (një kosto shtesë e panevojshme). Çfarë do të ndodhë me sektorët apo departamentet e tatimeve dhe taksave që kanë të gjitha firmat e auditimit dhe EKR-të, përfshirë edhe firmat e mëdha të auditimit (PWC, D&T, KPMG, E&Y, Grand Thornton, BDO, etj..) që veprojnë tek ne, kur edhe këto, projektligji i përjashton? Çfarë do të ndodhë me qindra e mijëra profesionistë që kanë investuar gjithë jetën e tyre për të konsoliduar një biznes, të cilin do të duhet ta mbyllin ose kufizojnë shërbimet e tyre, të cilat me një ligj ekzistues (ligji 10091 “Për auditimin ligjor dhe profesionet kontabël) ia lejojmë dhe me një ligj të ri ia heqim?
Nëse shohim përvojën ndërkombëtare, siç e përmendëm më lart, ka disa vende ku profesioni i këshilltarit fiskal është i organizuar dallueshëm, por shërbimi i këshillimit fiskal nuk është i monopolizuar, ai është i lirë. Rastet tipike janë në Gjermani dhe Austri, dhe kjo është më shumë e lidhur me traditën e hershme në këto vende, ku fokusi i raportimit është raportimi për qëllime fiskale më shumë se raportimi për qëllime të përgjithshme. Më konkretisht, mjafton të marrim si shembull, DStV (Deutscher Steuerberaterverband e.V. – Institutin Gjerman të Ekspertëve Fiskalë). DStV është një shoqatë ombrellë për shoqatat rajonale, të cilat përfaqësojnë anëtarët individualë vullnetarë të profesionit të këshilltarit fiskal në Gjermani. Këtu përfshihen të gjithë profesionistët që lejohet të kryejnë shërbime tatimore në Gjermani, siç janë: këshilltarët tatimorë, audituesit, kontabilistët e betuar, agjentët tatimorë dhe avokatët. Në disa vende të tjera, këshillimet fiskale realizohen përgjithësisht nga avokatët, sikurse ka edhe shumë vende në botë që nuk e kanë fare të organizuar profesionin e ekspertit fiskal. Në asnjë nga vendet e rajonit tonë nuk ka organizim të profesionit të këshilltarit fiskal.
Gjithashtu, organizatat vënë në dukje edhe disa aspekte të veçanta të këtij projektligji. Në mënyrën si është paraqitur, Instituti i Ekspertëve Fiskalë (IEF), i cili parashikohet të krijohet me këtë projektligj, bie ndesh me ligjin “Për Procedurat Tatimore” në RSH dhe merr disa nga kompetencat që sot i ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kështu në projekt parashikohet që:
(a) Përpara se të marrë vendim lidhur me akte që kanë efekte fiskale, Këshilli i Ministrave, ministri i Financave apo Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, kërkojnë zyrtarisht opinion me shkrim të Komisionit të Këshillimit Fiskal (një strukturë që parashikohet të ngrihet pranë IEF).
(b) T’i jepet IEF-së e drejta të organizojë dhe të sigurojë funksionimin e rrjetit të zyrave të informimit dhe edukimit të tatimpaguesve në rrethet kryesore të vendit, në kohën kur kjo e drejtë, sipas ligjit, ju është ngarkuar organeve tatimore.
(c) Projektligji ngarkon Këshillin e Ministrave të sigurojë mjediset e përshtatshme për zyrat e informimit dhe edukimit të tatimpaguesve në rrethet përkatëse, pra për një funksion që sipas projektligjit do ta kryejë IEF-ja (një organizatë jofitimprurëse), sikurse e obligon Këshillin e Ministrave të sigurojë buxhetin dhe mjediset për struktura të caktuara të IEF, përcakton detyra për ministrin e Financave, të Arsimit, etj.
Të gjitha këto dalin përtej praktikës më të mirë rregullatore në këtë fushë.
Së fundi, ata nënvizojnë se u deshën gati dy dekada ekzistencë që profesioni i audituesit ligjor të rregullohej me Ligj edhe pse detyrimi nga Direktivat e BE-së ka ekzistuar që në vitin 1984.
———————
Dhoma Amerikane: Po favorizohen me super pushtet persona të caktuar
Në një letër, që Dhoma Amerikane i ka nisur Komisionit të Ekonomisë, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, dhe atij të Drejtësisë, Petrit Vasili, ka paraqitur disa problematika të ngritura nga anëtarët e saj, të cilat janë biznese të regjistruar në fushën e konsulencës, përfshirë zyra avokatore, auditues ligjorë dhe kontabilistë të miratuar, në lidhje me këtë projektligj. Së pari, ata kanë paraqitur shqetësimin për mungesën totale të konsultimit publik, pasi projektligji do të duhej të diskutohej jo vetëm me bizneset në përgjithësi, por edhe me Dhomën Kombëtare të Avokatëve, IEKA (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar), IKM (Instituti i Kontabilistëve të Miratuar), SHKFSH (Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, Këshillin Tatimor pranë Ministrisë së Financave dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në draftimin dhe implementimin e legjislacionit tatimor.
Dhoma shton se mungesa e konsultimit publik është një element i mjaftueshëm për Komisionin që të refuzojë miratimin e këtij projektligji dhe i kërkon Komisionit të mos e miratojë këtë projektligj.
Dhoma thekson se relacioni, që shoqëron projektligjin, nuk paraqitet asnjë analizë, studim apo dhe thjesht problematikat që mund të jenë shfaqur që të ketë krijuar nevojën për rregullimin e këtij profesioni në Shqipëri.
Problematika më e rëndësishme, thekson Dhoma, është kufizimi i shërbimeve të përcaktuara në projektligj vetëm për ekspertët fiskalë, duke përjashtuar profesionistët e tjerë që aktualisht i kryejnë këto shërbime.
Dhoma kundërshton si ekskluzivitetin, ashtu edhe numrin e gjerë të shërbimeve që përcaktohet në projektligj.
Drafti ka dhe mbivendosje me aktivitetin e ushtruar nga avokatët për sa i takon përfaqësimit në gjyq të klientëve, si dhe ofrimi i shërbimeve të konsulencës fiskale.
Ka dhe mbivendosje me shërbimet e konsulencës fiskale të ofruara nga auditues ligjorë dhe kontabilistë të miratuar.
Rezulton se shërbimet që do të ofrohen nga ekspertë fiskalë, aktualisht ofrohen nga auditues ligjorë (sigurisht sa kohë auditori nuk gjendet në konflikt interesi) si dhe nga kontabilistë të miratuar.
Dhoma thotë se të dy këto profesione të rregulluara duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë këto shërbime pa pasur nevoje që të licencohen si Ekspertë Fiskalë, pasi profesionet e tyre janë të rregulluara me ligj dhe janë të mbikëqyrur nga institucione që ofrojnë sigurinë maksimale për shërbimet e ofruara.
Këshillimet në fushën fiskale duhet të vazhdojnë të jepen edhe nga audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar, pa pasur nevojë për një licencë si ekspert fiskal, rekomandon Dhoma.
Dhoma thekson se nenit 32 të projektligjit “Ekspertët fiskalë që kanë fituar titullin e “Ekspertit Fiskal”, nuk u nënshtrohen kritereve të regjistrimit dhe ushtrimit të profesionit të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore. Ata automatikisht e kanë fituar titullin e “Ekspertit Fiskal” dhe regjistrohen si të tillë në regjistrin e Ekspertëve Fiskalë”. Çfarë do të thotë një dispozitë e tillë, përveçse që aktualisht paska “ekspertë fiskalë” të licencuar (ende pa u miratuar një ligj për këtë licencim) dhe këta ekspertë konsiderohen automatikisht “ekspertë fiskalë” sipas ligjit të ri.
Përveçse është një dispozitë antikushtetuese, favorizuese për persona te caktuar, ajo tregon qartë se ka një përpjekje nga një apo më shumë persona për t’u licencuar që në ditën e parë të miratimit të ligjit, duke përfituar kështu benefite të padrejta kundrejt profesionistëve të tjerë që do të duhet të përmbushin kushtet tejet strikte të parashikuara në projektligj, thotë Dhoma.
Deri më tani nuk kemi dijeni se cilët janë “ekspertët fiskalë që kanë fituar automatikisht titullin e ekspertit fiskal” përpara miratimit të këtij ligji dhe si justifikohet ky propozim.
Dhoma thotë se rregullimi i ngushtë i profesionit të ekspertit fiskal në legjislacion do të rezultojë në rritje të kostove për ata që kanë më pak mundësi për të paguar. Ai do të pengojë konkurrencën dhe do t’i drejtojë tatimpaguesit tek alternativa më të kushtueshme.
Nuk ka asnjë arsye bindëse ekonomike në favor të reduktimit të konkurrencës në treg, reduktim i cili bëhet i mundur me këtë projektligj.
Sipas Dhomës, projektligji i jep kontroll mbi profesionin e këshilltarit tatimor dhe autoritet të plotë një OJF të vetme të quajtur Instituti i Ekspertëve Fiskalë.
Roli i kësaj organizate, sipas projektligjit, tejkalon kompetencat e çdo lloj organizate profesionale, duke i dhënë të drejtat ekskluzive mbi (i) anëtarësimin e të gjithë profesionistëve, (ii) hartimin e provimeve të pranimit dhe programeve të kualifikimin të vijueshëm profesional, (iii) hartimin e rregulloreve të kontrollit të cilësisë, (iv) investigimin dhe monitorimin e disiplinës profesionale dhe (v) marrjen e masave disiplinore. Këto të drejta të gjitha bashkë nuk i ka as bordi i Mbikëqyrjes Publike, i cili rregullon auditimin ligjor dhe as IEKA – organizata e EKR, madje as të dyja bashkë këto organe nuk i gëzojnë këto të drejta në fushën e tyre. Pasi nuk mundet që një organ, cilido qoftë, të kryejë si funksionin legjislativ, atë ekzekutiv edhe gjyqësor. N.q.s. i referohemi modelit gjerman të rregullimit të profesionit të këshilltarit tatimor, i cili është modeli me sistem më të fortë rregullator, të drejtat e mësipërme i kanë kryesisht organet shtetërore dhe organizatat e ekspertëve fiskalë kanë një rol dytësor në rregullimin e profesionit të këshilluesit tatimor.
———————
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Ky është monopol
Në një shkresë që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i ka nisur Komisionit të Ekonomisë dhe për dijeni ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, theksohet se kjo iniciativë është e panjohur dhe e pakonsultuar me Përfaqësues të Biznesit dhe në dijeninë e Dhomës, as
me shoqatat profesionale. Për këtë arsye, Dhoma ka kërkuar që të marrë pjesë në Komisionet Parlamentare për të parashtruar komentet e saj.
Dhoma ka adresuar disa nga shqetësimet më të rëndësishme të mbledhura në konsultim me anëtarët e saj:
1. Relacioni që mbështet projektligjin në fjalë është vetëm 2 (dy) faqe dhe më pas vjen me një përkthim “chapter 5- Regulation of tax Professionals”. Autori parashtron se nisur nga nevojat si vijon:
a) rëndësia e raportimit financiar:
b) se numri i subjekteve tatimpagues në të ardhmen do të arrijë deri në 600 mijë;
c) tatimpaguesit e kanë të vështirë përmbushjen e detyrimeve vullnetare pa pasur asistencë;
d) tatimpaguesi kërkon mbështetje për çështje me Gjykatat Administrative;
e) në vijim janë përmendur si praktika aplikimi të këtij profesioni vende si Austria, Gjermania, Çekia, Polonia (Kina, Japonia e SHBA) si dhe është deklaruar se BE-ja ka rekomanduar Qeverinë tonë për të bërë ndërhyrjet e nevojshme për rregullimin e këtij profesioni”.
2. Dhoma mendon se mbështetja dhe lobimi për këtë projektligj, nuk sjell vlerë të shtuar për publikun, pasi ai kërkon monopolizim (neni 3, pika-3 e projektligjit) të këtij shërbimi si profesion më vete, krijon probleme me kuadrin ligjor ekzistues siç është ligji nr.10091, ligji nr.10171, nr.9640 dhe ligji nr. 8788, por efekti i miratimit tij ndikon negativisht edhe më gjerë ambientin profesional, pasi sikurse dihet, ky shërbim vazhdon edhe sot të jepet nga;
a) të punësuar në shoqëri (financierë dhe administrator me kualifikimin përkatës)
b) Kontabilistë të Miratuar si profesion i rregulluar
c) Ekspertë Kontabël të Regjistruar
d) Avokatë dhe juristë të së drejtës tregtare dhe më gjerë
e) Të tjerë të diplomuar, të lejuar sipas kurrikulave përkatëse Universitare
3. Sikurse argumentohet në relacion ky profesion aplikohet në vende të zhvilluara dhe me traditë dhe jo në vendet në zhvillim apo pa traditë sikurse është vendi ynë. Sot në botë ekzistojnë tre modele të aplikimit të këtij Profesioni.
I- modeli i rregulluar (Austri, Gjermani, Japoni, Kinë)
II- modeli i kufizuar (SHBA)
III- modeli i parregulluar (Itali, Francë, Angli, Ballkani dhe pothuajse e gjithë bota)
Pra nuk kuptojmë modelin, ku përfshihet vendi ynë dhe pse duhet që me shpejtësi dhe pa konsultim të kalojë për miratim ky projektligj, kur Ne nuk na rezulton si shërbim i munguar apo profesion i kërkuar nga biznesi që për rrjedhojë të lindë edhe nevoja për rregullim. Nga ana tjetër, ky projektligj nuk përafron asnjë akt të “acquis communautaire” dhe nuk e gjejmë të jetë prioritet apo rekomandim i BE-s për Qeverinë.
4. Dhoma mendon se, sipas projektligjit pretendohet, përveç të qenët monopol i këtij profesioni (shërbimi), sipas nenit 3, pika 5 e projektligjit, të jetë edhe kosto e shtuar për biznesin, pasi dhe në këtë rast ata janë të detyruar që këto shërbime të merren vetëm nga Ekspertët Fiskalë, kjo është kosto shtesë “e fshehur” për biznesin dhe detyrim i pavend për të imponuar marrjen e këtij shërbimi vetëm nga “Ekspertët Fiskalë” anëtarë të “Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, kur sot merren nga të punësuarit e vetë tatimpaguesve apo të tjerë profesionistë të kontraktuar, sipas parimit të tregut (kërkesë-ofertë), po këtu duhet pasur parasysh që shërbime të lidhura dhe të kësaj natyre, përveç konsulencës fiskale, janë edhe ato të konsulencës financiare, tregtare, ligjore, administrimit, marketingut, informatikës, burime njerëzore dhe të tjera të lidhura, rrjedhimisht mos do duhet të kërkojmë rregullimin me ligj për çdo lloj konsulencë veçmas?
5. Projektligji është në thelb një kopjim i keq i ligjit nr.10091 për profesionin e ekspertit kontabël, si dhe imitim i funksioneve për Dhomat e Tregtisë sipas ligjit nr.9640.
Në ligjin nr.10091, në nenin 17, pika 2, propozon një testim me 4 (katër) disiplina në provimin e shtetit për kandidatët që duan të bëhen Ekspert Fiskal, kur sipas ligjit nr.10091, neni 18, pika 5 kandidatët për Ekspert Kontabël të Regjistruar japin 4 (katër) teste në gjashtë disiplina, përfshirë legjislacionin fiskal. Sikur të mos mbaronte me kaq si mbivendosje, po në këtë projektligj, në nenin 32, pika 2 shkruhet se; “për EKR-të do vendosë statuti i Institutit (IEF)” se çfarë do të bëhet? Nuk shikojmë mbështetje ligjore në projektligjin në fjalë, kur propozon ndarjen e këtij shërbimi, duke ia hequr këtë të drejtë, sipas ligjeve në fuqi, sot ushtruesve të tjerë të profesioneve dhënës të shërbimit në fjalë si drejtues, kontabilistë, ekspertë, avokatë, etj.
6. Projektligji në nenin 29, pika 1 dhe pika 5 (ndoshta edhe neni 30 pasi nuk gjetëm një të tillë në projektligj) kërkon të bëjë shqyrtim paraprak të çdo nisme ligjore me efekte fiskale për tatimpaguesit, të shprehë zyrtarisht opinione për aktet ligjore në fjalë. Pra kërkon dhe bëhet detyrues dhe pjesë e Institucioneve shtetërore, pa ruajtur parimin e pushteteve dhe as qenien i pavarur si Institut.
7. Projektligji në nenin 31, pika 2 merr përsipër të bëjë “Edukimin e tatimpaguesve”, edhe pse një funksion i tillë është detyrim me ligj nga Administrata Tatimore, gjithsesi kjo do të ishte pozitive nëse mjaftohet deri këtu. Në pikën 5 të nenit 31, projektligji ngarkon Këshillin e Ministrave të gjejë mjedise të përshtatshme për zyra që të kryhet ky funksion. Ndërkohë që edhe sot, shërbimi i Tatimpaguesit është në çdo DRT, por edhe pranë QKB-ve apo Dhomave të Tregtisë, në disa raste pa qenë nevoja për kërkesa me kosto të shtuar për publikun.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.