Nga institucionet ndërkombëtare, tek ekspertët e ekonomisë, të gjithë shprehin rezerva për rendjen e qeverisë drejt projekteve të Partneritetit Publik-Privat. Shqetësimet e tyre, ata i kanë shprehur në intervistat dhënë për “Monitor” për pritshmëritë e ecurisë ekonomike për vitin 2019.
FMN: Kostot mund të jenë më të larta sesa pritet
Z. Jan Kees Martijn, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, ka pohuar se, ndërsa është e mundur që PPP-të të ofrojnë cilësi të mirë dhe kosto më të ulët, në shumë vende ka rezultuar, që kostot fiskale aktuale të PPP-ve mund të jenë shumë më të larta se sa pritej. “Shqipëria ende nuk ka një sistem të mirë për të menaxhuar kostot dhe rreziqet që vijnë nga PPP-të. Ne këshillojmë që Ministria e Financave të ndërmarrë një vlerësim të plotë të rreziqeve të lidhura me PPP-të, ndikimin e tyre në kuadrin afatmesëm buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit.
Ne mirëpresim përpjekjet e deritanishme për t’i dhënë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë rol më të fortë si gardianë në frenimin e kostos fiskale potenciale të PPP-ve. Ne gjithashtu këshillojmë që të nxitet procesi konkurrues i ofertave, duke ndaluar pranimin e propozimeve PPP të pakërkuara në të gjithë sektorët”, ka pohuar z. Martijn.
Përveç kësaj, FMN ka këshilluar qeverinë që të marrë në konsideratë zbatimin e “kontabilitetit me të drejta të konstatuara” dhe të forcojë diskutimin lidhur me rreziqet fiskale që lidhen me PPP në Deklaratën Fiskale të Rreziqeve. Kjo deklaratë duhet të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të të gjitha kontratave të PPP-së dhe të përshkruajë politikën e qeverisë për zbutjen e këtyre rreziqeve.
Banka Botërore: Po shtohen rreziqet fiskale jashtë bilanci
Znj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, ka tërhequr vëmendjen se po shtohen rreziqet fiskale jashtë bilanci, përfshirë shpenzimet e larta të qeverisë nëpërmjet PPP-ve dhe krijimit të detyrimeve të prapambetura, të cilat kërkojnë përmirësime domethënëse në menaxhimin e riskut, që vjen nga detyrimet potenciale. Për më tepër, duke pasur parasysh nivelet shumë të larta të borxhit, forcimi i transparencës fiskale do të rriste besimin e tregjeve dhe do të ulte rreziqet e financimit në tregjet e brendshme dhe të jashtme.
Ajo shton se në fillim të këtij mandati, Kryeministri shpalli projektin “1 miliard”, si një mënyrë për mobilizimin e burimeve për investime që janë shumë të nevojshme në vend. Disa nga këto investime janë nisur përmes PPP-ve. “Ndërsa është shumë herët për të gjykuar mbi ndikimin e këtyre investimeve, ne gjithmonë kërkojmë për shqyrtim të fortë të ndikimeve fiskale afatshkurtra dhe afatgjata të PPP-ve. PPP-të, në vetvete, janë një instrument i ligjshëm, por përdorimi i tyre kërkon një mjedis të fortë për sa i takon një administrate të fortë publike, mekanizmave të kontrollit dhe transparencë të plotë”, pohon znj. Salim.
Banka Botërore do të mbështesë qeverinë për i) forcimin e kapaciteteve teknike të stafit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe ministrive të linjës për të hartuar, për të vlerësuar dhe për të monitoruar PPP-të; (ii) bërjen më transparente dhe më të përgjegjshme të aktivitetit të PPP-ve, përfshirë edhe publikimin e një njoftimi mbi rreziqet fiskale që do të bënte transparence mbi detyrimet potenciale që lindin nga PPP-të; (iii) integrimin e procesit të përzgjedhjes së PPP-ve në strategjinë e përgjithshme të Shqipërisë për menaxhimin e investimeve publike, duke forcuar funksionin ndërmjetës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të siguruar që PPP-të të jenë të qëndrueshme nga ana fiskale, duke reduktuar varësinë nga propozimet e pakërkuara “ad-hoc” për PPP-të dhe duke kufizuar përjashtimet prej ligjit për PPP-të.
BERZH: Përdorni huatë nga institucionet ndërkombëtare të kombinuara me grante
Për Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, PPP-të mund të jenë një instrument i nevojshëm për financime në infrastrukturë, veçanërisht në projekte që gjenerojnë të ardhura si aeroportet ose autostradat. Ai shton se kur PPP-të konsiderohen si mjeti duhur për financim, kërkesa duhet të përgatitet nga sektori publik dhe t’u ofrohet investitorëve nëpërmjet një procesi tenderimi konkurrues.
Kjo do të siguronte më shumë transparencë dhe do të gjeneronte më shumë të ardhura për qeverinë, sesa përdorimi alternativ i ofertave të pakërkuara të nisura nga vetë investitorët. “Kur PPP-të konsistojnë thjesht në një detyrim ndaj investitorit privat, që do të duhet të shlyhet nga qeveria për disa vite me radhë, atëherë nuk kemi një ndarje të vërtetë të riskut të projektit me investitorin privat dhe si rrjedhim detyrimet do të zvogëlojnë hapësirën fiskale në mënyrë të ngjashme me borxhin publik”, pohon z. Colangeli.
Ai thotë që huatë nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare të kombinuara me grante të donatorëve, veçanërisht nën Platformën për Investime të Ballkanit Perëndimor (WBIF) të mbështetur nga BE, mbeten mënyra me kosto efektive për financimin e infrastrukturës në Shqipëri.
Ekspertët, nga rreziku i klientelizimit deri tek pastrimi i parave
Edhe ekspertët e ekonomisë nuk janë më pak skeptikë, duke paralajmëruar për pasojat afatgjata që mund të kenë në ekonomi kontratat e Partneritetit Publik-Privat.
Prof. dr. Adrian Civici, president i UET pohon se PPP, në vend që të bëhen faktor i rritjes së investimeve dhe zhvillimit, janë shndërruar në klientelizëm të pastër oligarkik dhe burim konfliktualiteti të ashpër politik e shoqëror; etj.
Ndërsa prof. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në UET, shprehet se zhvillimet në borxhin publik, për shkak të kontratave të Partneritetit Publik-Privat, do të vazhdojnë të mbeten një rrezik potencial serioz, jo thjesht për vitin 2019, por në një perspektivë më afatgjatë.
Më i drejtpërdrejtë është dhe Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, tani Këshilltar i Lartë për Programin e Stabilizimit Ekonomik të Libisë. Ai thotë se rreziku i Partneriteteve Publike – Private (PPP) do të rritet gjatë vitit 2019 dhe për rrjedhojë, do të ulet vëllimi dhe cilësia e investimeve publike të bazuara në studime dhe me ndikim afatgjatë në rritjen ekonomike. “Mungesa e disiplinës dhe rregullave në miratimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve publike ka bërë që ato të dominohen nga PPP-të, të cilat kanë kosto më të lartë dhe efektivitet më të ulët. Edhe në buxhetin e vitit 2019, ato do të shtohen, ndonëse niveli i sotëm i tyre prej 31% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) është i lartë dhe me rreziqe.
Sfidat më të mëdha të sotme dhe për vitin 2019 lidhen me nivelin e lartë të informalitetit dhe mungesën e investimeve me efekte afatgjata. Qarkullimi dhe investimi i parave informale deformojnë tregun, godasin sektorët prodhues të ekonomisë dhe ulin cilësinë e investimeve publike. Ekonomia do të dominohet nga investimet në sektorin e ndërtimeve të banesave dhe të koncesioneve ku paratë informale mund të përdoren më me lehtësi. Të parat janë investime që nuk sjellin efekte në rritjen ekonomike të viteve të ardhshme, ndërsa të dytat do të mbajnë peng pjesën e buxhetit për zhvillim në 10-15 vitet e ardhshme”, pohon z. Shehu.
Kundër projekteve të Partneritetit Publik-Privat është shprehur vazhdimisht edhe Zef Preçi, nga Qendra Shqipëria për Kërkime Ekonomike. Ai thotë se, nëse ky borxh i ri i fshehtë, i cilësuar PPP, merret në një kohë që fuqia ripaguese e ekonomisë, nuk është e mundur të rritet, shtohen rreziqet. E nëse këto para shkojnë për investime fasadash, pllakash, lulesh, etj., pra nuk hapin vende pune, nuk zhvillojnë industrinë, bujqësinë, etj., përsëritja e skenarit të dhimbshëm grek është e pashmangshme, shtoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.