Tirana, me një numër banorësh që në fillim të 2016-s arriti mbi 800 mijë sipas INSTAT, numëron 16 qendra tregtare. Në vjeshtën e këtij viti, pritet të vijë në treg një qendër e re, që do t’i shtojë stokut të përgjithshëm një sipërfaqe shtesë prej 60 mijë m² (mbi 240 mijë në total), por a ka vërtet blerës? Ngopet tregu me qendra, kryeqyteti njësoj si vendet perëndimore, me rreth 220 m² për 1000 blerës…
Të gjithë sot po kërkojnë blerës. Qendrat tregtare tentojnë të joshin me oferta të kombinuara me argëtim. Dyqanet e rrugëve kryesore ofrojnë skonto deri në 80%, pikat e shitjes së lagjeve tentojnë të krijojnë klientë besnik. Kjo në një mjedis ku konsumi është i dobët, ndonëse pozitiv, rritja ekonomike e ngadaltë dhe për më tepër klientët janë bërë më kërkues për raportin cilësi-çmim. Që pas heqjes së vizave, një pjesë e konsumatorëve blinin direkt jashtë vendit, ndërsa dhe blerjet online po bëhen gjithnjë e më të preferuara. Këto të fundit gjithsesi priten të frenohen pasi limiti për blerjen pa taksa u ul së fundmi nga 145 euro në 22 euro, duke u shtuar produkteve që blihen në internet, përveç 22.4% TVSH dhe taksë doganore, edhe andrallat e zhdoganimit. Ulja e kufirit erdhi pikërisht si rrjedhojë e presionit të biznesit vendas, që duket se po ndien tkurrjen e konsumit dhe shtimin e konkurrencës nga të gjitha drejtimet.
Shtohen Qendrat Tregtare dhe Hapësirat
Stoku i përgjithshëm sipërfaqes së shitjeve me pakicë në Tiranë në qendrat tregtare, në fund të vitit 2015 ishte 183,000 m², sipas të dhënave nga Colliers International. Stoku pritet që të arrijë në 243,000 m² me çeljen e Toptani Center në vjeshtë të këtij viti.
Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit.
Vetëm në kryeqytet, aktualisht ka 15 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të tij dhe së bashku me Toptani do bëhen 16.
Zonat periferike janë shndërruar prej vitesh preferenciale për zhvilluesit e tregut, pasi ato ofrojnë mundësi për zonat e mëdha tregtare dhe hapësirë parkimi. Megjithatë, hyrja në treg e dy qendrave të reja, fillimisht Tirana Ring Center, në maj 2015 dhe Toptani Plaza, që pritet në gjysmën e dytë të 2016-s të, dëshmon se edhe qendra e qytetit po shndërrohet në një atraksion të ri. Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International, tregon se me Tirana Ring Center në treg dhe me ardhjen e Toptani Plaza, pritet që të përmbushen kërkesat e konsumatorëve për blerje në qendër të Tiranës dhe të sjellë një shtim të vlerës së kryeqytetit nga ana komerciale, duke nënkuptuar një treg të mbingopur.
Megjithatë, znj. Dhami tregon për ‘Monitor’ se, edhe qendrat tregtare vazhdojnë të shikohen nga qiramarrësit potencialë si vende ku mund të bëhet biznes më i sigurt, sipas fluksit të konsumatorëve që ato ofrojnë, pavarësisht se nëpërmjet një kostoje më të lartë.
Qendrat kryesore tregtare në Tiranë janë të Tirana East Gate, City Park, Qendra Tregtare Univers, Casa Italia, , Kristal, Condor, Sheraton Shopping Plaza, Coin, Hekla Center, Concord Center, Metropol Center.
Tre qendrat e tjera, Blue Star, Qendra Galaktik dhe Qendra Flagship janë vendosur në Durrës, 38 km larg nga kryeqyteti. Dy degë të tjera të qendrës tregtare QTU gjenden në Fier dhe në Vlorë. Një tjetër qendër tregtare ndodhet në Elbasan, Orti Center, rreth 500 metra në autostradë.
Ka vend Tirana për qendra të reja?
Tirana Ring Center hyri një vit më parë në tregun e qendrave tregtare të kryeqytetit, duke i shtuar stokut total të qendrave një hapësirë prej 55 mijë m², me ambiente argëtimi dhe dyqane.
Në gjysmën e dytë të këtij viti pritet të vijë edhe një tjetër kompleks shumëfunksional, konkretisht Toptani Plaza.
Toptani Plaza, e konceptuar si qendër shumëfunksionale në rrugën “Abdi Toptani”, ndodhet në qendër të Tiranës, me një strukturë prej 60,000 m², nga të cilat rreth 13,000 m² janë dyqane dhe rreth 17,000 m² zyra, sipas burimeve zyrtare. Është një investim i kompanisë Gener 2, ndër të tjera ndërtuesi dhe menaxhuesi i Abba Center (Coin).
Sipas të dhënave, ndonëse nga kompania nuk vijnë konfirmime të sigurta, duke lënë në mëdyshje kohën e saktë se kur do të hapet si qendër, në faqen e internetit të kompanisë dhe në rrjetet sociale kanë nisur thirrjet për qiradhënie të ambienteve.
Stela Dhami, nga Colliers International, tregon për “Monitor” se kjo qendër e re pritet që të shtojë stokun e përgjithshëm të retail, që do të shkojë në 243,000 m², si dhe të përmbushë kërkesat e konsumatorëve për në qendër të Tiranës.
Ngopet tregu me qendra, kryeqyteti njësoj si vendet perëndimore
Me hyrjen e Tirana Ring Center dhe hapjen e Toptani Complex Center në shtator, treguesi i përqendrimit të qendrave për gjithë vendin arrin në rreth 80 m² për 1000 banorë, nga 67 m² për 1000 banorë, që ishte para hyrjes së tyre. Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës Qendrore është 209 m² për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit (Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i banorëve në Tiranë vlerësohet të jetë 811,649 dhe në Durrës 278.775).
Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 220 m² për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë. Në Itali psh, ky tregues është 227 m² për 1000 banorë, në Gjermani 180 m², në Greqi 56, në Spanjë 244, ndërsa shumë i lartë është në vendet nordike, ku kryeson Norvegjia, me gati 900 m² për 1000 banorë.
Në verë, qendrat tregtare në Shqipëri tentojnë të tërheqin edhe pushuesit nga Kosova.
Aktiviteti, qendrat me rritje, fillojnë të dalin me fitim
Sipas bilanceve të dorëzuara në vitin 2014, TEG, qendra më e madhe në vend nga qarkullimi vjetor, në pronësi të Mane TCI, në vitin e tretë të plotë të aktivitetit, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 907 milionë lekësh, me një rritje prej 9.64% nga viti 2013, për herë të parë pas tkurrjes prej rreth 7% që pati në 2013, krahasuar me 2012. Në vitin 2015, xhiro arriti në 1.1 miliardë lekë, duke u rritur me 19%, ndërsa për herë të parë TEG rezultoi me fitim prej rreth 30 milionë lekësh.
Situata është përmirësuar në 2014-2015, pasi në këtë qendër, hyri grupi Inditex me markat e veta Zara, Bershka, Massimo Dutti, Pull&Bear. TEG segmenton klientët e mesëm dhe ata që kërkojnë çmime të lira. Nga ana tjetër, në vitin 2015, kjo qendër futi një prej markave më të mëdha në fushën e ushqimit e pijes, pjesë e grupit Yum, siç është edhe KFC (Kentucky Fried Chicken), ardhja e të cilit në tregun shqiptar, për ekspertët është një sukses, që tregon maturim.
Abba Center- Coin (në pronësi të Gener 2) është qendra e dytë më e madhe tregtare në vend, me një qarkullim vjetor prej rreth 770 milionë lekësh, me një rritje prej 8.6% me bazë vjetore, duke përbërë rreth 17% të të ardhurave të Gener 2, sipas të dhënave të detajuara në bilanc.
Qendra Tregtare Univers (QTU), edhe kjo në pronësi të Mane TCI, që në fund të vitit 2014 ka dalë me NIPT më vete, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 387 milionë lekësh dhe një fitim neto prej 264 milionë lekësh, duke qenë qendra më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi prej gati 70%.
City Park vijon të jetë problematike, duke pasur sekuestro të shumta konservative si rrjedhojë e moskryerjes së pagesave. Për vitin 2013, në të dhënat më të fundit që kompania ka dorëzuar pranë QKR, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 522 milionë lekësh (3.7 milionë euro) me një rënie me rreth 16% me bazë vjetore. Kompania rezultoi me një humbje prej 165 milionë lekësh, nga fitimi prej 278 milionë lekësh i vitit të mëparshëm. Humbjet erdhën tërësisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet arritën të mbaheshin nën kontroll. Momentalisht, menaxhimi i qendrës ka ndryshuar, që ka sjellë bashkë me të një frymë të re marketimi dhe numër dyqanesh të reja të pranishme në qendër, pjesa më e madhe e të cilave sërish me target luksi.
MSA Konstruksion, që ka në pronësi Tirana Ring Center, të hapur në maj 2015, ka parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave, nga 197 milionë lekë në 2014-n, në 634 milionë lekë në 2015-n, ndërsa fitimi pas taksave ishte 279 milionë lekë, sipas bilancit zyrtar.
Erjol & A sh.p.k, që në fillim të vitit 2013 bleu përmes përthithjes qendrën tregtare Casa Italia Tirana ka raportuar në 2015-n një qarkullim vjetor prej 73 milionë lekësh, me një rënie prej 16% me bazë vjetore. Pavarësisht rënies së xhiros, fitimet neto janë rritur nga 2.4 milionë lekë, nga vetëm 390 mijë lekë një vit më parë.
Rajoni, Tirana dhe Beogradi më të shtrenjtët
Në Shkup, Maqedoni, në vitin 2015, stoku i qendrave tregtare qëndroi në nivelin e 86,000 m². Duke qenë se qendrat kanë vetëm 4 vjet aktivitet, me 140 m² për 1000 banorë, tregu i shitjes me pakicë në Shkup pritet të zgjerohet. Sa u përket çmimeve, Shkupi qëndron në vlerat 12-40 euro/m² në muaj, në varësi të tipit dhe formatit të qendrës tregtare.
Në Beograd, Serbi, tregu ka hyrë në fazën e zhvillimit të madh, kjo e dëshmuar nga ndërtimi i një sërë skemave të shitjeve me pakicë në të gjithë vendin. Në tremujorin e katërt të 2015-s, u hap një qendër e re, Aviv Park Zvezdara, e cila e shtoi me 11.500 m² stokun. Tashmë, ai ka arritur 255,000 m², pra 153 m² për 1000 banorë. CBS International pohon se në fund të 2017-s pritet të vijnë në treg edhe dy qendra të mëdha, që do të shtojnë stokun më tej. Sa u përket çmimeve, në Serbi kanë mbetur në vlerat e 50-70 euro/m².
Në Podgoricë, Mal i Zi, në të cilën hasim vetëm dy qendra moderne tregtare, stoku ka mbetur në të njëjtin nivel si një vit më parë, prej 55,000 m², e llogaritur 320 m² për 1000 banorë. Ndërsa për çmimet, shfaqet më e lira në rajon, me rreth 15-25 euro/m².
Çmimet e qirave në qendrat tregtare në Tiranë, sipas Colliers International në vitin 2015, janë në vlerat e 50 euro/m². Pavarësisht se nuk ka pësuar ndryshime krahasuar me një vit më parë, së bashku me Beogradin, janë më të shtrenjtët në Ballkan.
Frenimi i shitjeve online, në favor të qendrave tregtare
Një vendim i fundit i qeverisë, tashmë i hyrë në fuqi, që blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro, ka shkaktuar zemërimin e konsumtorëve.
Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore). Kjo nënkupton se për të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, individët duhet të llogarisin që çmimet do të jenë 22.4% më të shtrenjta.
Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm. Në mes të vitit 2014, qeveria vendosi që të gjithë ata që blinin online dhe iu vinte produkti me postë nga jashtë vendit, paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalonte 20 mijë lekë, duke e rritur, nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.
Ky veprim, sipas Financave, bëhet për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.
Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësorë me çmime të pranueshme
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.