Punëdhënësit i pëlqejnë shumë zyrat në plan të hapur sepse ato kursejnë para – në një hapësirë pa mure mund të fusësh shumë më tepër njerëz – megjithatë punonjësit zakonisht i urrejnë këto lloj zyrash të përbashkëta.
Studime të njëpasnjëshme tregojnë me hollësi sesi zyrat në plan të hapur shkatërrojnë moralin, shëndetin dhe rendimentin e punonjësve. Rrëmujat, shpërqendrimet, aromat e këqija dhe sëmundjet përhapen më lehtë në një hapësirë të përbashkët.
Megjithatë, ky lloj organizimi është i përsosur për të nxitur ndërveprimin ballë për ballë midis punonjësve të niveleve të ndryshme.
“Nëse hapësira është e dizenjuar siç duhet, ajo rrit barazinë dhe mundësitë, kur njerëzit janë duke u shoqëruar gjithmonë me njëri-tjetrin”, thotë Elizabeth Von Lehe, drejtoreshë e strategjisë dhe dizajnit në Icrave, një studio dizajni. Kjo ndihmon, mbi të gjitha gratë, njerëzit me ngjyrë dhe grupe të tjerë punonjësish që nuk kanë pasur akses të njëjtë ndaj pozicioneve të pushtetshme si homologët e tyre të bardhë meshkuj.
“Në këtë mënyrë, ata kanë mundësinë të shohin sesi një person më i lartë në post, e menaxhon një problem dhe si u përgjigjet pyetjeve. Kjo është një aftësi që mund ta përvetësoni vetëm duke parë të tjerët përreth jush”.
Arsyeja pse zyrat e hapura janë kaq të papëlqyera, thotë Von Lehe, nuk ka të bëjë me konceptin, por me ekzekutimin e tyre. “Njerëzit shohin si ideale një hapësirë që është e ndriçuar mirë, me materiale në ngjyrë të çelët”, thotë ajo. Ajo rekomandon një hapësirë ku të ndërthuren kabinat telefonike për zyra, dhomat e konferencës si dhe shkallët nëse hapësira e zyrave shtrihet në disa kate.
“Sigurisht që duhet të ketë edhe hapësira private,” – shton ajo. “Askush nuk do të donte të bisedonte me mjekun e vet personal në sy të të tjerëve”. Të domosdoshme janë edhe dhomat për ushqyerjen e foshnjave me gji. “Ato duhet të jenë me tingull të izoluar dhe ngrohje të posaçme, që kur të zhvisheni të jetë ngrohtë. Dhe sigurisht nuk duhet harruar që dera të ketë kyçje të mirë”.
Veçoritë që formojnë një hapësirë ideale pune – si cilësia e ajrit, drita, temperatura dhe rehatia, nuk janë të dukshme derisa vihet re mungesa e tyre”, thotë Von Lehe.
Burimi: Bloomberg