Shërbimi që shpeshherë lë për të dëshiruar, mungesa e transparencës në çmime, vonesat në porosi apo edhe stafi jo shumë miqësor janë disa nga vërejtjet që bëjnë rëndom të huajt gjatë qëndrimit në vendin tonë. Ata vlerësojnë ushqimin e freskët dhe bio, por edhe kombinimet mes kuzhinës tradicionale dhe asaj ndërkombëtare. “TripAdvisor”, si një nga portalet online më të profesionalizuara në fushën e turizmit, ofron përmes postimeve të përdoruesve opinione të vlefshme mbi marrjen e shërbimeve në restorantet dhe hotelet shqiptare.
Pjesa më e madhe e restoranteve në Tiranë kanë marrë opinione shumë të mira në lidhje me kuzhinën, ushqimin e freskët dhe bio, arredimet e realizuara etj. Nga ana tjetër, ata vlerësojnë edhe raportin e drejtë që kanë gjetur në shumicën e rasteve mes cilësisë dhe çmimit. Vërejtjet më të shpeshta iu adresohen stafeve, veçanërisht atyre që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientin (kamerierët). Një turist amerikan, teksa shkruan për një nga restorantet e njohura, diku në qendër të Tiranës, vinte në dukje se kamerieri gjatë servirjes së verës, ua mbushi gotat vetëm klientëve meshkuj dhe “harroi” ato femra që ishin në tavolinë. Një sjellje që nuk është kaluar lehtë, për më tepër që këto janë “abc”-ja në servirje. Ndërsa një tjetër turiste nga Britania e Madhe, teksa shkruante për përvojën e kaluar në një nga restorantet e njohura të Tiranës, vërente se “stafi ishte më shumë i interesuar që të fliste me njëri-tjetrin sesa të dëgjonte kërkesat e klientëve. Ushqimi ishte i mirë, edhe pse çmimet ishin pak të larta”.
Në Durrës, të huajt vlerësojnë me nota të larta kryesisht restorantet që ofrojnë prodhime deti. Ata shprehen të kënaqur nga ushqimi i freskët, çmimet e arsyeshme dhe kombinimi i kuzhinës tradicionale me atë ndërkombëtare, veçanërisht ajo italiane. Në opinionet e tyre një vend të veçantë ata i kanë kushtuar edhe shpejtësisë me të cilën shërbehet, më së shumti kur restoranti ka pasur fluks klientësh.
Të huajt kanë vlerësuar restorantet në Vlorë për freskinë e ushqimeve, veçanërisht prodhimeve të detit dhe për arredimin. Në këtë qytet, shpesh restorantet kanë marrë nota negative, veçanërisht për çmimet që kanë qenë ndryshe nga menyja dhe fatura. Vonesat e gjata në ardhjen e porosive kanë qenë gjithashtu pjesë e vërejtjeve kryesisht për restorantet në pjesën e Radhimës. Turistët në jo pak raste janë ankuar edhe për mungesën e sinjalistikës, për të gjetur vendndodhjen e saktë të tyre.
Për restorantet në Sarandë, turistët e huaj shkruajnë se ushqimet kanë çmime më të larta në krahasim me vendet e tjera, por deri diku e quajnë diçka që justifikohet nga shija dhe freskia e ushqimit. Turistët, në ato restorante që njihen për nivelin e lartë (sipas edhe opinioneve të dhëna te “TripAdvisor”) kanë pasur pritshmëri më të larta sa i përket vëmendjes që stafet duhet t’u kushtojnë klientëve.
Një turist nga Norvegjia, në opinionin e tij për një nga restorantet në qendër të Sarandës shkruan: “Çmimet janë rreth 10% më të larta në krahasim me qytete të tjera, por natyrisht shumë herë më të ulëta se në vendet turistike të botës”.
Një tjetër ankesë e turistëve, e shprehur përmes opinioneve në “TripAdvisor” ka të bëjë me përdorimin e kartave të kreditit, ku në pjesën më të madhe të rasteve ato nuk pranohen, pasi në “politikën” e tyre vlejnë vetëm pagesat cash.
Njësitë akomoduese, hotelet më së shumti, kanë marrë vlerësime më pozitive nga përdoruesit e “TripAdvisor”.
Hotelet kryesore në Tiranë janë vlerësuar shpesh me “shumë mirë”. Turistët në akomodimin e tyre u kushtojnë rëndësi elementeve si hapësira, pamja, tualeti, por edhe krevati. Opinionet më pozitive janë dhënë më shumë për hotelet në qendër të Tiranës dhe afër saj. Një turist nga Sllovenia e përshkruan kështu përvojën në një nga hotelet në afërsi të zonës së ish-Bllokut. “Kur mbërrin në dhomë nuk dëgjon zhurmat në rrugë. Unë, si një udhëtar biznesi, preferoj dhomat e qeta dhe të mos kenë ndonjë pamje të bukur përpara sesa dhomat ku mbërrijnë të gjitha zhurmat dhe e kanë pamjen më të këndshme. Stafi është gjithmonë aty kur ju keni nevojë dhe kjo është diçka shumë pozitive, që shpesh mungon te hotelet e ‘mëdha’ në Tiranë. Mëngjesi ishte i mirë, tualeti po kështu. Dhoma kishte hapësirë të bollshme. Një tjetër plus ishte se kishte shërbim wifi falas dhe që punonte gjatë gjithë kohës”.
Pjesa më e madhe e kritikave që iu adresohen hoteleve që janë në Tiranë kanë të bëjmë me shërbimet e bukurisë dhe relaksit që jo gjithmonë janë funksionale.
Ja se çfarë shkruan një turiste nga Filadelfia e SHBA-së në lidhje me këtë:
“Kur mbërritëm na thanë se nuk mund të përdornim shërbimet për mirëqenien, sepse ishin në rikonstruksion. I shpjeguam recepsionistes se ne zgjodhëm këtë hotel pikërisht për këtë arsye. Atëherë ajo na tha se mund të pyesnim booking.com. Nuk mund të përdornim telefonin e brendshëm (një budallallëk i vërtetë). Mësuam se mund të përdornim vetëm pishinën dhe asgjë tjetër. U zhgënjyem shumë. Nuk kemi qenë në shumë hotele në Shqipëri, por në rastet e tjera, kemi marrë shërbim dhe çmime më të mira”.
Ndërsa një turist nga Gjermania në përshkrimin e qëndrimit të tij në një nga hotelet e Tiranës shkruante: “Mëngjesi nuk ishte cilësor dhe as i bollshëm në sasi. Personeli i shërbimit më pa që unë mora copën e fundit të kekut dhe as nuk më pyetën nëse doja tjetër. Shërbimi me makinë ishte më cilësor dhe më i lirë në çmim sesa taksitë në aeroport. Nga ana tjetër, edhe pse dhomën e kisha parapaguar, më kërkuan kartën e kreditit dhe më bllokuan 99 dollarë për natën. Mendoj se ishte diçka e padrejtë”.
Opinionet për hotelet në qytetin e Durrësit në pjesën më të madhe të rasteve janë pozitive. Turistët vlerësojnë gjatë qëndrimit të tyre, pastërtinë në dhoma, parkimin falas dhe mëngjesin. Ndërsa nënvizojnë si aspekte negative stafin shpesh jo shumë miqësor, por edhe hapësirën jo shumë të pastër të plazhit. Një tjetër vërejtje kishte të bënte me faktin se jo gjithmonë fotot e hedhura në internet përkojnë me realitetin. Ja çfarë shkruan një turist nga Ilinoisi i SHBA-së: “Fotot tregonin se hoteli gjendej në një vend të izoluar, por në të vërtetë ishte i rrethuar nga blloqe pallatesh të shëmtuara. Edhe dhoma nuk dukej aspak si në fotografi. Mbulesa e krevatit nuk ishte shumë e pastër, në dysheme kishte rërë dhe kondicioneri nuk punonte mirë”.
Hotelet në Sarandë, sipas turistëve, ofrojnë kryesisht qëndrim komod. Edhe ushqimi i servirur në mëngjes vlerësohej i bollshëm dhe cilësor.
Në opinionin e saj, një turiste nga Finlanda, shkruante: “Saranda është një qytet i bukur, ka shumë vende ku mund të qëndrosh dhe ke shumë opsione për të konsumuar vaktet. Në hotelin ku qëndruam, stafi ishte gatshëm për të të ndihmuar dhe fliste shumë mirë anglisht. Kjo ishte një gjë shumë e mirë sepse mund të merrje prej tyre edhe informacione për gjëra të ndryshme. Gjithashtu në qytet ka edhe një qendër shumë të mirë për informimin e turistëve. Shërbimi wifi ishte falas dhe punonte shumë mirë në të gjithë hotelin”.
Ndërsa një pushues nga Zyrihu e komentonte kështu qëndrimin në një nga hotelet e Sarandës: “Dhoma ku qëndrova së bashku me bashkëshorten kishte një ballkon shumë të këndshëm dhe krevat të rehatshëm, por kondicioneri nuk funksionoi kurrë si duhej. Mëngjesi ishte i tmerrshëm, vezë të ziera të ftohta, bukë jo e butë dhe për të pirë vetëm kafe dhe lëng. Menaxherja e hotelit mungonte në pjesën më të madhe të kohës dhe nuk kishe kujt t’i ankoheshe”.
Këshillat e të huajve për të vizituar Shqipërinë
Blog-et e turizmit ofrojnë një sërë këshillash për ata që duan të udhëtojnë në Shqipëri. Në to shkruhet se turistët nuk do të zhgënjehen. Deti Adriatik dhe ai Jon ofrojnë plazhe shumë të bukura dhe zona shpesh të virgjëra. Pavarësisht vështirësive ekonomike të trashëguara nga regjimi komunist, vendi ka bërë hapa të ndjeshëm përpara dhe ofron diversitet të rrallë kulturor.
Shpesh distancat duhet të shumëzohen me pesë përpara se të shkoni në itinerarin e duhur. Hartat nuk japin distancat e duhura, janë të vjetra në kohë. Ka shumë brigje dhe gjire të fshehura, që janë të vështira për t’u gjetur dhe për t’u prekur. Nuk duhet të lini pa vizituar qytetin e gurtë të Gjirokastrës që përshkruhet në romanin e mrekullueshëm të Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”. Po kështu, edhe teatrin e vjetër të Butrintit.
Në Shqipëri, “Të bësh pazar” nuk do të thotë vetëm të bësh një biznes të mirë, por është edhe një formë politese. “Kënaqësia” mund të zgjasë disi dhe me të mund të arrini në një marrëveshje. Shqipëria ka një kod të veçantë që quhet Kanun e që përcakton rregulla që kanë të bëjnë me mikpritjen dhe mbrojtjen e udhëtarëve.
Ushqimi është një nga pikat e forta të traditës shqiptare. Gatimet origjinale, veç atyre me ndikim turk dhe grek, janë të shumta. Mund të gjeni edhe një varietet të madh të prodhimeve të detit. Pija tradicionale është rakia dhe konjaku “Skënderbeu”. “Cheers” është “Gëzuar!”
Suveniret mund t’i gjeni në dyqanet e hoteleve, në qytet apo edhe në Pazar (veçanërisht në Krujë). Aty mund të blini qilima, prodhime argjendi dhe bakri, por edhe druri dhe alabastri.
Arsyet Pro
– Vendi nuk është “pushtuar” ende nga turistët
– Ka 90 milje bregdetare me rërë dhe brigje të pashkelura
– Ka pesë liqene të mëdha
– Qytetërime të periudhave të tjera
Arsyet Kundër
– Pajisje të kufizuara për turizmin dhe standarde jo shumë të larta të rrugëve
– Prania e korrupsionit dhe evazionit fiskal
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.