Të huajt po blejnë bregdetin; A ia vlen të investosh apartamente

15/02/2019 10:10 PM 0 komente

Nordikët, rusët, izraelitët, madje dhe shtetas nga Kina, po interesohen dhe po bëhen blerës të vilave apo apartamenteve brenda fshatrave turistikë që po zhvillohen viteve të fundit në bregdetin shqiptar. Kompanitë që kanë projekte në zona si Hamallaj, Palasa apo Saranda konfirmojnë rritje të interesit nga grupi i të huajve, një tendencë që po thyen disi atë të mëparshme, ku blerësit ishin kryesisht shqiptarë të diasporës. Këta të fundit gjithsesi nuk mungojnë dhe vijojnë të mbeten blerësit kyç. Interesi i madh duket se po nxit mbajtjen e një ritmi të lartë në ndërtimin e projekteve të reja.

 

Nga Nertila Maho

 

Shqipëria, të paktën tre-katër vitet e fundit, është futur në hartën e destinacioneve të reja që po eksplorohen nga një kontingjent turistësh që nuk e kanë pasur më herët në objektiv të tyre. Të nxitur edhe nga situata në Turqi pas “grushtit të shtetit” pak vite më parë dhe nga pasiguria e lakuar në Egjipt dhe Tunizi, agjencitë e huaja kthyen sytë nga vendi ynë duke ofruar paketa turistike. Polakët, çekët, suedezët, finlandezët, rusët, ukrainasit janë grupe që kanë njohur rritje këto vite. Panorama duket se ka dhënë edhe një efekt zinxhir në tregun imobilar të vilave apo apartamenteve në bregdet.

Të huajt po blejnë në Shqipëri. E ndërsa është disi vështirë të nxjerrësh këtë përfundim për apartamente të veçantë në zona të ndryshme të bregdetit, mund ta shohësh fare mirë të reflektuar tendencën tek ato që njihen si fshatra turistikë. Janë një sërë projektesh që po zhvillohen përgjatë gjithë bregdetit, të cilat edhe pse ende në fazë zhvillimi kanë zgjuar interesin e të huajve për të blerë një apartament apo një vilë brenda atyre që konsiderohen si resorte.

 

Kush po ble vilat në bregdet, kompanitë: Po vijnë të huajt

Kompani që po zhvillojnë projektet në bregdet vlerësojnë se kërkesa për të blerë mbetet e lartë. Ka një lloj diversifikimi të blerësve, të cilët nuk janë më tipikisht shqiptarët e diasporës. Sigurisht, ata vijojnë të mbeten pjesa e rëndësishme e blerësve por sot, për herë të parë në Shqipëri, po kërkojnë të blejnë nordikët, izraelitët, rusët, ukrainasit. E gjitha kjo është e lidhur me tendencën që ka pasur edhe turizmi. Ka pasur të zhgënjyer që nuk duan të kthehen më në Shqipëri, nga ata që thjesht duan të mbeten turistë, ndërkohë që ka edhe nga ata që duan të kenë një pasuri të paluajtshme për t’u rikthyer si turistë apo banorë të përhershëm.

Ledia Telhai, nga “Balfin Real Estate”, konfirmon se të paktën në dy projekte të rëndësishme të kompanisë, blerësit janë shqiptarë dhe të huaj nga vende të ndryshme të Europës, por jo vetëm. Konkretisht në “Green Coast”, interes kanë shprehur blerës nga Zvicra, Austria, Italia, por edhe nga vende më larg si: Izraeli, Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Anglia. Gjithsesi, deri më tani, 60% e blerësve janë shtetas shqiptarë. Në “Vala Mar Residences”, në Hamallaj, rreth 75% janë shtetas shqiptarë dhe pjesa tjetër është nga diaspora, shtetas të Kosovës, si dhe vendet nordike.

Të njëjtën tendencë konfirmon edhe kompania “Concord Investment”, e cila po zbaton një seri projektesh përgjatë bregdetit, duke nisur nga “San Pietro Resort” tek “Palasa Resort” dhe së fundmi edhe “Kep Merli”. Kompanitë nënvizojnë se grupi i atyre që po blejnë vilat në bregdet varion, por nuk mungojnë moshat e thyera, të cilat kanë edhe mjetet e nevojshme financiare për të investuar në një pasuri të kësaj natyre. Nuk janë të pakta rastet kur pensionistë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri prej kostos së ulët të jetesës në raport me vendet e tyre dhe duket se një grup i vogël do të jenë edhe banorë të këtyre fshatrave turistikë.

 

Interes suedezët, por edhe rusët

Kompania “Concord” konfirmon se intensiteti i punimeve për “San Pietro Resort” ka qenë më mirë sesa plani fillestar, duke synuar që brenda këtij viti të përfundojë pjesa e vilave dhe apartamenteve. Paralelisht me këtë duket se ka avancuar edhe pjesa e shitjeve dhe ndonëse ka shtetas shqiptarë që duan të bëhen pjesë e resortit, një pjesë të mirë e zënë të huajt. Vetëm për këtë resort, “Concord Investment” nënvizon se ka interes dhe blerje nga shtetasit suedezë, italianë, gjermanë dhe shqiptarë të Maqedonisë apo Kosovës.

Projekti i “San Pietro Resort” shtrihet në një sipërfaqe prej 350.000 m² dhe 1500 metra vijë bregdetare. Ai përbëhet nga një zonë rezidenciale luksoze dhe parashikohet edhe ndërtimi i hotelit me 5 yje. Pjesa rezidenciale përbëhet nga vila, palazzina, ndërkohë që nuk mungojnë godinat e shërbimeve në zonat e përbashkëta, si dhe zona relaksi e kënde sportive. Hoteli me 5 yje, nga ana tjetër, pritet që të përfundojë në vitin 2020.

Ashtu sikurse është lakuar edhe më herët, menaxhimi do të jetë ndërkombëtar dhe do të bëhet nga grupi spanjoll “Melia Group”. “Në kompleksin ‘San Pietro’ do të jetë i pozicionuar në skajin verior hoteli me 5 yje ‘Melia Hotels International’. Hoteli do të ketë një ndërtesë kryesore dhe disa rezidenca private me një kapacitet prej 350 dhomash, të cilat do të jenë të organizuara dhe me suita të niveleve të ndryshme të luksit. Pishinat e hotelit do të jenë në total 2500 m². Ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme duke filluar nga restorante, bare, dhoma konferencash, kazino, qendra Spa”, – pohojnë përfaqësues të “Concord”.

I nisur që nga viti 2017 “San Pietro Resort” është klasifikuar si investim strategjik me një investim që kap vlerën 88 milionë euro, ndërkohë që kriter tjetër për përfitimin e statusit ka qenë gjenerimi i vendeve të punës. Vetëm gjatë fazës së ndërtimit janë të punësuar 500-600 persona. Nga ana tjetër, në momentin e operimit, pritet që në resort të punësohen 700 persona dhe mbi 600 të tjerë sezonalë.

 

Projekti zgjon interesin e blerësve nga Kina, përfundon në 2022

Një nga projektet më të mëdha në Jug dhe konkretisht në zonën mes Sarandës dhe Ksamilit është “Kep Merli”. Ky është një projekt i hershëm, me një leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, për “Boiken Developments” por që së fundmi duket se ka bashkuar forcat edhe “Concord Investment” për ta çuar para së bashku.

Zhvillimi ka nisur në vitin 2014 dhe përfundimi i plotë i tij pritet në vitin 2022. Ai shtrihet në një sipërfaqe 280 mijë metra/katrorë, ku në ndërtim janë 67 mijë metra/katrorë. Dinamika e blerësve potencialë ka ndryshuar nga viti në vit, por së fundmi kompanitë zhvilluese nënvizojnë se ka interes për blerje të apartamenteve apo vilave nga shtetas anglezë, gjermanë, norvegjezë, suedezë, austriakë, belgë madje edhe blerës nga Azia e konkretisht nga Kina.

Por çfarë parashikon në fakt projekti “Kep Merli” dhe si është konceptuar ai? Gadishulli Verior përfshin një hotel me 5 yje me 210 dhoma, suita, restorante, bare, dhoma konferencash, një qendër SPA & Wellness, një port me jahte, si dhe 16 anije dhe 4 vila luksoze, nga të cilat 3 janë për shitje, me shumë pishina private dhe hapësira të gjelbra. Vilat detare tashmë janë ndërtuar, ndërsa arredimi i brendshëm është në proces.

Vilat detare të Tipit A kanë një sipërfaqe të brendshme prej 173 m², me një sipërfaqe të zbuluar prej 627 m², ballkon 116 m² dhe verandë, si dhe një zonë pishine prej 35 m² secila. Vilat Tipi B kanë një hapësirë të brendshme prej 133 m², me një sipërfaqe të zbuluar prej 609 m², ballkon 112 m² dhe verandë, si dhe një zonë pishine prej 35 m², si Tipi A. Kjo pjesë e projektit është pothuajse e përfunduar, ku tashmë ka filluar ndërtimi i vilave luksoze. Vendi ku do të ndërtohet hoteli është përgatitur.

Gadishulli Jugor përfshin një hotel me 4 yje, me 250 dhoma, suita, bare, restorante, dhoma konferencash, një amfiteatër, një qendër Spa & Wellness, dy porte jahtesh, si dhe 33 vila mesdhetare me pishina private dhe hapësira të gjelbra të bollshme. Përfaqësuesit e kompanive nënvizojnë se kjo pjesë e projektit do të realizohet me anë të të ardhurave nga shitjet në gadishullin verior. Fshati “Kep Merli” do të ketë shërbimet e nevojshme për të banuar, duke përfshirë një farmaci, një dyqan ushqimor, një dyqan pastrimi kimik, një qendër Spa & Wellness, një luleshitës si dhe shërbime bankare.

Klubi Sportiv i “Kep Merli” do të lejojë si klientët ashtu edhe banorët e tij të përdorin një fushë golfi me sipërfaqe prej 1.5 hektarësh, fusha tenisi dhe basketbolli, si dhe një qendër zhytjeje, e cila është projektuar për të dy kategori, fillestarët dhe zhytësit me përvojë.

 

Në qershor 2019 nis ndërtimi i një tjetër fshati, targeti elitarët

Rritja e numrit të turistëve dhe theksi i vazhdueshëm për rritje të strukturave akomoduese nxiti viteve të fundit lulëzimin e një sërë projekteve në hoteleri, por edhe në fshatra turistikë. Nën ambicien 10 milionë turistëve, qeveria ka ndërmarrë një seri lehtësimesh të lidhura qoftë me pjesën e investimeve strategjike, ashtu edhe sa i përket regjimit fiskal me përjashtime nga një sërë taksash për të paktën 10 vjet. Sipërmarrja, nga ana tjetër, duket se po i përgjigjet kësaj nxitjeje të qeverisë me investime të reja përgjatë bregdetit. Në qershor të këtij viti, pritet të nisë ndërtimi për një tjetër resort, i njohur si “Palasa Resort” me zhvillues “Concord Investment”. Koordinatat e kompleksit janë në bregdetin e Dhërmiut, Palasë. Kompania nënvizon se modeli që do të zbatohet në këtë resort, do të jetë mesdhetar dhe synohet turizëm elitar.

“Falë pozicionit në lidhje me rrjetin rrugor nacional dhe rajonal ndër më kryesorët në vend, ka një pozitë gjeografike mjaft të favorshme në komunikimin e afërt dhe të largët me qendrat e tjera urbane të vendit. Kompleksi do të zhvillohet me një përzierje të përbërësve të banimit, duke përfshirë vila dhe apartamente të tipologjive të ndryshme. Këto rezidenca gjenden midis gjelbërimit karakteristik të zonës. Gjithashtu, pozicionimi i kompleksit mundëson aksesin e lehtësive dhe komoditeteve kryesore të jetesës. Palasa ofron një ndër plazhet më të bukura të rivierës së Jonit.

Kompleksi ‘Palasa Resort’ është një projekt risi, i cili do të sjellë një vizion të ri në turizëm e një mënyrë jetese luksoze të një niveli të lartë”, – theksojnë përfaqësuesit e kompanisë. Resorti parashikohet që të përfundojë në vitin 2021 nëse gjithçka ecën sipas parashikimit aktual.

 

Flet Ledia Telhai, Drejtore Ekzekutive e “Balfin Real Estate”

 

“Interesi për bregdetin mbetet i madh, shitjet më mirë se parashikimi”

 

Shitjet e vilave dhe apartamenteve brenda komplekseve turistike në bregdet duket se po përjetojnë një periudhë lulëzimi. Drejtorja ekzekutive e “Balfin Real Estate”, Ledia Telhai, konfirmon në një intervistë për “Monitor” se në të paktën dy projekte që kompania ka në bregdet, ecuria e shitjeve ka qenë më mirë se parashikimet.

Blerësit janë kryesisht shqiptarë të diasporës, por së fundmi nuk kanë munguar as të huaj nga vendet nordikë, rusë apo izraelitë që interesohen për të blerë një pasuri të paluajtshme në bregdet. Me ritmet që po ecin me shitjet, Telhai konfirmon se projekti në Hamallaj do të mbyllë shitjet, ndërsa ai në Palasë është 35% i shitur, edhe pse ende në fazë zhvillimi.

“Balfin Real Estate” ka disa projekte të rëndësishme në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku mund të përmendim “Green Coast Resort” në Palasë dhe “Vala Mar Residences” në Hamallaj, Gjiri i Lalëzit. Në çfarë faze janë sot këto dy projekte nga pikëpamja e ndërtimit? Si ka qenë ecuria e shitjeve të vilave apo apartamenteve?

“Green Coast Resort” është një projekt ndër më të mëdhenjtë në Ballkan dhe ndërtimi i tij kalon në tri faza. Aktualisht jemi në përfundim të fazës së parë të projektit, e cila përfshin rreth 1/3 e ndërtimit të pjesës rezidenciale të projektit, e përbërë nga vila elitare, vila individuale, vila twin dhe vila 4 familjare. Krahas pjesës rezidenciale, edhe shëtitorja buzë detit e përbërë nga njësi shërbimi, është funksionale nga vera e vitit të kaluar.

“Green Coast Resort”, është investimi më i rëndësishëm i grupit Balfin në fushën e turizmit, me vlerë rreth 100 milionë euro. Ka një pozicionim strategjik në Palasë, në një nga zonat më të bukura të Rivierës Shqiptare si dhe sjell programet risi të menaxhimit dhe qiradhënies së pronës, të cilat garantojnë një kthim të shpejtë investimi. Si rrjedhojë e këtyre elementeve, shitjet në “Green Coast Resort” kanë rezultuar të suksesshme, me një numër njësish të shitura rreth 35% të totalit, rezultat i cili tejkalon edhe parashikimet e bëra.
“Vala Mar Residences” është funksional dhe në këtë kompleks ka filluar jetesa që prej muajit janar të vitit 2018, ndërkohë që janë drejt finalizimit detajet e fundit të projektit. Sipas parashikimeve, brenda sezonit veror të këtij viti, projekti do të jetë i përfunduar me të gjithë elementet e tij.

Pozicionimi shumë afër me Tiranën dhe njëkohësisht në një vendndodhje të qetë, shumëllojshmëria e tipologjive të vilave, si dhe një sërë elementesh të tjera kanë bërë që shitjet e vilave dhe apartamenteve edhe të këtij projekti të kapërcejnë parashikimet. Aktualisht janë shitur rreth 86% e vilave dhe 74% e apartamenteve. Ecuria e shitjeve me këto ritme, garanton që brenda vitit të ardhshëm, ky projekt do të jetë plotësisht i shitur.

Ata që kanë blerë vila apo apartamente në këto projekte, janë blerës shqiptarë apo të huaj?

Për projektin “Green Coast”, interesimet vijnë nga shumë vende të botës, jo vetëm gjeografikisht pranë nesh si Zvicër, Austri, Itali por edhe nga vende më larg si: Izrael, Rusi, Shtetet e Bashkuara, Angli etj.
Nga shitjet e deritanishme rezulton që rreth 60% e blerësve janë shtetas shqiptarë. Një pjesë të rëndësishme zë edhe Diaspora Shqiptare, shtetas të Kosovës, Amerikës, Ukrainës dhe vendet nordike.
Në “Vala Mar Residences”, rreth 75% janë shtetas shqiptarë dhe pjesa tjetër është nga diaspora, shtetas të Kosovës, si edhe vendet nordike.

Cilat janë format e marketimit që ju po përdorni duke qenë se target nuk është vetëm grupi i shtetasve shqiptarë apo brenda territorit?

Format e marketimit që ne përdorim janë të shumëllojshme dhe përfshijnë si marketimin tradicional, ashtu edhe “Content marketing”, duke i dhënë rëndësinë e duhur tendencës, gjithmonë e më shumë në rritje, të komunikimit dixhital. Aktualisht jemi të fokusuar jo vetëm në tregun shqiptar por edhe tregun ndërkombëtar, pasi vihet re një tendencë në rritje e interesit për projektet tona, nga vende të ndryshme të botës.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of