Firmat që humbasin deri në mbi 1 miliard dollarë në vit, në ndjekje të ëndrrës së tyre mund të duken tërheqëse dhe në gjendje shumë të mirë, por ato janë të dënuara statistikisht. Pesë kompani – Chesapeake Energy, Netflix, Nextera Energy, Tesla dhe Uber, kanë humbur së bashku rreth 100 miliardë dollarë gjatë dekadës së fundit
Yves Saint Laurent, Lady Gaga, David Bowie. Disa njerëz nuk veprojnë sipas rregullave të shumicës. A mund të jetë e njëjta gjë edhe për kompanitë? Pjesa më e madhe e drejtuesve të mëdhenj ankohen se janë skllevër të objektivave afatshkurtra të fitimit, shkruan The Economist. Le të marrin shembullin e Tesla-s, krijuesin e makinave elektrike. Këtë vit, deri më tani, ajo nuk i ka arritur objektivat e prodhimit dhe ka humbur 1.8 miliardë dollarë (paratë që firmat gjenerojnë pasi janë zbritur investimet kapitale).
Edhe pse një shifër e lartë, ajo nuk është se ka shumë rëndësi, sepse nëse themeluesi i saj, Elon Musk, flet me pasion për krijimin e tij të makinave pa drejtues, aksionet e kësaj kompanie ngrihen menjëherë, me rreth 66% që nga fillimi i janarit. Tesla bën pjesë në një nga grupet e vogla të firmave të licencuara, që humbin miliarda dollarë në ndjekje të ëndrrave të tyre. Përpjekjet e tyre drejt suksesit janë të njëjta me ato të këngëtarëve, artistëve apo stilistëve të njohur në mbarë botën. Të investosh sot për të korrur frytet e punës tënde nesër, është një prej teorive më të njohura të kapitalizimit.
Firma Amazon humbi 4 miliardë dollarë gjatë 2012-‘14, në kohën kur po ndërtonte perandorinë e saj që tani gjeneron vetëm para. Megjithatë, është e rrallë për kompanitë e mëdha që të përballojnë humbje të mëdha vetëm e vetëm për t’u zgjeruar më shpejt. Nëse i referohemi indeksit Russell 1000, të firmave më të mëdha amerikane, vetëm 25 prej tyre, ose 3.3%, humbën mbi 1 miliard dollarë në vitin 2016 (të gjitha shifrat përjashtojnë firmat financiare dhe bazohen në të dhënat e Bloomberg). Në vitin 2007, këto të dhëna ishin në 1.4% dhe në vitin 1997 edhe më pak, nën 1%.
Shumica e humbësve miliarda dollarësh sot janë firmat energjetike, pjesërisht si pasojë e përshtatjes së tyre me një rënie në çmimet e naftës gjatë kohëve të fundit. Humbjet e tyre janë aksidentale. Por disa firma të tjera, duan të rrezikojnë për t’u zgjeruar sa më shpejt të jetë e mundur, atyre i pëlqen të ecin në korsinë e shpejtësisë. Netflix, Uber dhe Tesla janë kompani të teknologjisë që thonë se modelet e tyre të biznesit (kryesisht të paprovuara) do të transformojnë tërësisht industritë. Edhe dy firma të tjera, Chesapeake Energy Corporation dhe Nextera Energy veçohen ndër të tjera për humbjet që kanë kaluar në fazat e tyre të para të krijimit. Chesapeake Energy, që ndodhet në zemër të Amerikës, ka humbur rreth 1 miliard dollarë në vit, për të pasur më vonë me 14 vite suksesi të njëpasnjëshme.
Nextera Energy, një prej kompanive më të vlerësuara nga investitorët në ditët e sotme në fushën e energjisë së pastër, ka humbur shuma të konsiderueshme parash në fillimet e saj. Së bashku këto pesë firma kanë humbur rreth 100 miliardë dollarë në dekadën e fundit, por ato mburren me një vlerë totale tregu prej rreth 300 miliardë dollarësh. Kombinimi i arritjeve të shumta me humbjet masive të bëjnë ta shikosh artin e sipërmarrjes nga një këndvështrim aspak i qartë. Steve Jobs, bashkëthemeluesi i Apple, thuhet se ka pasur një perceptim përtej asaj që konsiderohet e zakonshme, dhe realitetit të shumicës dhe që e lejoi atë të dallohej nga të tjerët *(megjithëse, edhe vetë kompania Apple u tregua mjaft e kujdesshme në fillimet e saj, duke humbur vetëm 874 milionë dollarë në vitin e saj më të keq në 1993).
Përvoja e të pesta firmave të mësipërme tregon qartazi se të sfidosh realitetin në kohët e sotme duhet të kesh tre elemente: vizionin, rritjen e shpejtë dhe financimin. Le të përqendrohemi tek vizoni fillimisht. Një udhëheqës karizmatik dhe me plane për të ndryshuar botën, përfaqëson më së miri etiketimin e “liderit ideal”. Gjatë 23 viteve të para të saj, kompania Chesapeake u drejtua nga Aubrey Mçlendon, nga Oklahoma, një njeri me bindje të forta dhe me shumë vizion, i cili udhëhoqi procesin tejet të vështirë të gërmimit të shkëmbinjve për nxjerrjen e gazit dhe naftës (ai vdiq vitin e kaluar në një aksident automobilistik, për shkak të shpejtësisë së lartë).
Reed Hastings në Netflix ka në plan të shkatërrojë industrinë konvencionale televizive duke shitur filma dhe shfaqje të ndryshme nëpërmjet internetit. Ashtu si z. Musk, Travis Kalanick, ish-shefi i kompanisë Uber, ëndërronte të ndryshonte mënyrën se si njerëzit udhëtojnë. Nextera drejtohet nga teknokratët, por qëllimi i tyre është madhështor, aksesi në një gjeneratë të re të teknologjisë energjetike.
Por ky vizion duhet të vlerësohet edhe nga arritjet në të ardhmen. Investitorët duhet të besojnë në një “vlerë të lartë në një periudhë afatgjatë”, një pikë në të ardhmen kur fitimet e larta dhe të qëndrueshme do të arrijnë. Së dyti është rritja e shpejtë. Uber shprehet se është fitimprurës në qytete ku ka operuar më gjatë, si San Francisko. Nextera thotë se në qoftë se ndalonte investimin në kapacitete të reja, do të rriste fitimet e saj me 6 miliardë dollarë në vit.
Elementi i tretë është financimi, për të përballuar humbjet e mëdha kumulative. Secila nga pesë kompanitë ka qenë një novator financiar, duke përfituar nga vlerat e lira të parave dhe investitorët e uritur për rritje. Uber ka përdorur tregjet e kapitalit privat, Nextera ka strukturuar një pjesë të biznesit të saj si një partneritet, ndërsa Tesla ka marrë depozita nga klientët dhe gjithashtu tregton kredi tatimore mjedisore. Pra duhet të ketë sa më shumë kapital për ta justifikuar humbjet masive fillestare. Rritja e shpejtë i tensionon shumicën e drejtuesve, duke i ngarkuar me përgjegjësi të mëdha, sepse mund të ndodhë që edhe gjithçka të prishet dhe të mos funksionojë sipas planeve. Pesë prej kompanive të marra si shembull në këtë artikull kanë marrë hua rreth 60 miliardë dollarë, madje njëra prej tyre, Chesapeake Energy Corporation, po përballet me betejën tejet të ashpër për të ulur borxhin e saj të lartë.
Të shkëlqesh së jashtmi, por të kalbesh së brendshmi
Las Vegas Sands, një firmë në rrjetin e kazinove, Royal Caribbean, një kompani lundrimi dhe Micron Technology, një kompani që merret me prodhimin e çipeve, kanë humbur secila rreth 1 miliard dollarë në vit dhe më pas kanë lulëzuar. Por shanset për këtë lloj suksesi janë shumë të pakta. Sipas indeksit Russell 1000, që nga viti 1997, vetëm 37 firma kanë humbur 1 miliard dollarë ose më shumë për të paktën dy vjet rresht. Nga këto, 21 ende humbasin para. Për të justifikuar vlerësimet e tyre, pesë kompanitë e ekzaminuara më sipër nga Schumpeter (Chesapeake Energy Corporation, Nextera Energy, Uber, Tesla dhe Nextera) duhet të rrisin shitjet e tyre me rreth 8-33% çdo vit për një dekadë.
Bazuar në të dhënat e të gjitha kompanive amerikane që nga viti 1950 dhe nivelet e të ardhurave të pesë kompanive, probabiliteti që një gjë e tillë të ndodhë varion midis 0.1 dhe 25%, duke përdorur si referencë edhe të dhënat e gjeneruara nga një anketë statistikore e bankës Credit Suisse. Por humbja e një miliard dollarëve apo pak më shumë se kaq gjatë një viti të vetëm, është një çështje delikate dhe mbi të gjitha e rrezikshme, sepse shanset që këto biznese të bien dhe të mos kenë mundësi për t’u ngritur sërish janë të mëdha. Dhe kjo nuk duhet të jetë aspak befasuese.