Rreth 20% janë rritur prenotimet e parapaguara nga turistët e huaj për të vizituar Shqipërinë. Për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, promovimi që po i bëhet vendit ka çuar në rritje të kërkesës për turizëm gjithëvjetor.
Aktualisht po “luhet” me revokimin e lidhjeve të dikurshme, siç janë ato me Rusisë apo Kinën, si tregje me hapësira të pashfrytëzuara.
Turizmi pritet të marrë një “impuls” të ri edhe nga një event i rëndësishëm siç është Kampionati Europian i Futbollit, Euro 2016, ku Shqipëria reflektoi një imazh tërësisht ndryshe, i cili u artikulua nga mediat më prestigjioze të Europës
————-
Po tërheqim tregje që kanë potencial për rritjen e net-qëndrimeve
Flet Ardit Çollaku, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit
Shqipëria po shfrytëzon kapacitetet e saj për promovimin, duke shfrytëzuar edhe situatat gjeopolitike, siç është mbyllja e tregut turk apo atij tunizian, maroken, egjiptian, etj.
Këta janë faktorë pozitivë që ndikojnë në promovimin e burimeve që ne kemi. Një tjetër mundësi që ne jemi duke shfrytëzuar është edhe hapja e tregut aziatik, që është interesant.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në një eveniment të rëndësishëm si Euro 2016 në Francë padyshim që ka nxitur promovimin vendit si destinacion turistik, cilat janë sinjalet që ju si agjenci keni marrë?
Po, është e vërtetë se gjatë promovimit që ne i bëmë Shqipërisë në Francë morëm sinjale pozitive nga reklamimi jo vetëm turistik. Për ne ka qenë një përvojë e re promovimi në të tilla evenimente, edhe pse në Paris jemi të pranishëm në panairin që zhvillohet çdo vit në shtator.
Shqipëria ka fonde modeste në promovimin e turizmit, në krahasim me vende të tjera, por megjithatë jemi munduar që të shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi, në mënyrë që të tjerët të na njohin edhe nga këndvështrime të tjera. Pranë lokalitetit ku qëndroi kombëtarja jonë, AKT ngriti një stendë informuese në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Perros Guirec, e cila u bë e mundur edhe me ndihmën e kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana.
Gjatë kësaj fushate, cilat segmente shfaqën më shumë interes për turizmin shqiptar?
Prezenca e Shqipërisë, sikundër është konstatuar, ka qenë e lartë në mediat franceze, e diktuar edhe nga fakti se ne ishim në një grup me vendin organizator. Kemi pasur sinjale pozitive edhe nga agjencitë turistike që mbulojnë këtë rajon me rreth 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kërkesë në rritje kemi pasur edhe nga vende të tjera, si nga Zvicra apo Italia, kjo e fundit e nxitur nga fakti që trajneri i kombëtares shqiptare është italian, por edhe sepse një pjesë e lojtarëve luajnë në ekipet e vendit fqinj përtej Adriatikut.
Megjithatë, që në fillim të vitit, u vu re shtimi i interesit të mediave të huaja (TV, gazeta, media sociale, blogje), kryesisht europiane dhe amerikane për të promovuar Shqipërinë si destinacion turistik. Si e gjykoni ju këtë interesim?
Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ndërmarrë një seri fushatash për promovimin e vendit, duke sjellë grupe të caktuar gazetarësh të huaj, të cilët padyshim kanë dhënë kontributin e tyre në rritjen e interesimit.
Shqipëria është vizituar së fundmi nga grupe gazetarësh nga Azia, gazetarë “freelance” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Gjermania, Italia, Franca por edhe Izraeli. Ne jemi duke u përpjekur që këtë strategji ta shtrijmë edhe më tej. Në SHBA, në bashkëpunim edhe me ambasadën tonë atje, kemi organizuar edhe Ditën e Shqipërisë, si një event i dedikuar. Qëllimi ynë është që të realizojmë një organizim të tillë në diasporë, duke shfrytëzuar kanalet diplomatike për të përcjellë mesazhet e një destinacioni që ka shumë të veçanta për të ofruar. Vendi ynë ofron larmi dhe harmoni karakteresh turistike që e pasurojnë ofertën. Turisti është më i interesuar për të pasur një paketë të plotë, ku të përfshijë elemente të historisë, kulturës, traditës, kulinarisë, sportet ‘outdoor’ etj. Kjo është ajo që ne synojmë të promovojnë, e cila mbështetet dhe nga disa reforma që qeveria është duke ndërmarrë në sektorin e turizmit. Ne jemi duke promovuar turizmin e qëndrueshëm, atë që zhvillohet gjatë gjithë vitit. Një nga pikat e forta po bëhet edhe nxitja e turizmit rural dhe agroturizmit, duke krijuar mundësinë që të zhvillohen edhe ekonomitë e vogla lokale që promovojnë produktet bio. Kjo do të krijonte më shumë vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare. Këto janë modele që funksionojnë prej vitesh në mënyrë të suksesshme në vende të tjera, si në Kroaci, Itali, Maqedoni etj.
Po pjesëmarrja në panaire a do të rritet, duke qenë se gjendemi përballë një konkurrence të shtuar e ku vendet e rajonit synojnë të marrin sa më shumë nga ‘torta’ e turistëve?
Gjatë këtij viti, pjesëmarrja jonë në panaire është rritur me rreth 20%, kjo falë edhe kërkesës së shtuar të operatorëve dhe agjencive shqiptare turistike. Ndër përfaqësimet e rëndësishme mund të veçojmë Panairin e Berlinit, ndërsa në vjeshtë ne do të marrim pjesë në Panairin e Parisit dhe në atë të Londrës. Ndërsa për vitin 2017, prezenca do të jetë edhe më e madhe, duke paraqitur edhe në ato tregje ku ka nisur të ketë rritje të kërkesës, siç është ai rus dhe aziatik. Janë dy tregje që Shqipëria po mundohet t’i eksplorojë. Sjellim shembullin e Kroacisë, e cila ka pasur një kërkesë për net-qëndrime me rritje rreth 7% gjatë këtij viti nga ana e rusëve.
Megjithatë, ne vazhdojmë të jemi ndër vendet me buxhetin më të ulët për promovimin e turizmit…
Edhe pse buxheti i akorduar për promovimin është rritur, ai mbetet sërish ndër më të ulëtit. Nëse i referohemi Maqedonisë, vendi ka një buxhet vetëm për materialet promocionale në rreth 2 milionë euro dhe kjo shumë rritet me fushatat reklamuese në mediat ndërkombëtare. Kroacia, edhe pse është një destinacion i konfirmuar, ka një buxhet shumë herë më të lartë për promovim.
Shqipëria po shfrytëzon kapacitetet e saj për promovimin, duke përfituar edhe nga situatat gjeopolitike, siç është mbyllja e tregut turk apo atij tunizian, maroken, egjiptian, etj.
Këta janë faktorë pozitivë që ndikojnë në promovimin e burimeve qe ne kemi. Një tjetër mundësi që ne jemi duke shfrytëzuar është edhe hapja e tregut aziatik, që është interesant. Ne patëm një ftesë të veçantë për të ndjekur një konferencë mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, më saktësisht në provincën Zhejiang, në qytetin e Ningbos. Ky është një treg që nuk pretendon sezonin veror. Periudhat që ata zgjedhin janë mars – qershor dhe shtator – nëntor. Është një faktor pozitiv për ne dhe nxit kërkesën e qëndrueshme. Kina tashmë ka hapur një zyrë në Budapest të Hungarisë nga ku mban lidhje të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore. Shqipëria nuk ka një lidhje direkt me Kinën, por shpresojmë që në të ardhmen të kthehemi në një destinacion fillestar nga ku më pas të shpërndahet kërkesa. Ata janë turistë që vizitojnë disa destinacione dhe ofrimi i rajonit si një paketë e plotë mund të rezultojë tërheqëse dhe konkurruese.
A mund të shikohet mundësia për bashkëpunim, për të tërhequr fluksin e turistëve rusë që vizitojnë Greqinë, kryesisht Korfuzin që të mund të realizojnë ture edhe në Shqipëri përmes Sarandës?
Gjashtë ndër operatorët turistikë më të mëdhenj rusë vizituan Shqipërinë për katër ditë me radhë, në itinerarin e të cilëve ishin qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, por edhe zonat që mbrohen nga UNESCO. Kjo ishte një vizitë njohëse me destinacionet, por edhe me kapacitetet akomoduese që ofrohen. Synimi është që të mos priten vetëm turistë njëditorë sikundër ka ndodhur përmes hyrjeve nga Mali i Zi apo nga Korfuzi, por të ketë më shumë net-qëndrime. Me ofrimin e një produkti të ri turistik, me më shumë zona për t’u vizituar, por edhe me larmishmëri mund të bëhemi pjesë e këtij tregu, për të cilin rajoni po lufton gjithnjë e më fort.
Por, sa po na pengon vonesa në krijimin e standardeve dhe klasifikimeve si për njësitë e akomodimit, ashtu edhe për guidat?
Ministria ka pasur një bashkëpunim me ato të linjës, pushtetin vendor dhe grupet e interesit në hartimin e një kuadri të plotë ligjor me anë të të cilit do të përcaktohet produkti final turistik, por do të garantohet edhe zbatimi i tij në terren.
Aktualisht kemi të miratuar VKM-në për plazhet, monitorimi i të cilave do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në bashkëpunim me njësitë vendore. Nga ana tjetër, ka hyrë në fuqi VKM-ja e cila konsolidon funksionimin e AKT-së, duke i dhënë më shumë kompetenca në promovimin e turizmit, të zonave prioritare, por edhe të projekteve ku mund të aplikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në bashkëpunim edhe me njësitë lokale apo rajonale. AKT, do të duhet të promovojë edhe një produkt të ri, siç është “Marka e Cilësisë”. Nga ana tjetër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të miratojë ngritjen e një komisioni të posaçëm, i cili do të zgjedhë certifikuesit e njësive akomoduese.
Në lidhje me përcaktimin e zonave prioritare, kur mund ta kemi nisjen e zbatimit të kuadrit ligjor?
Ka një vendim të Këshillit të Territorit të datës 30 dhjetor 2015 për përcaktimin e zonave me prioritet turistik, i cili nuk është zbardhur ende pasi pritej miratimi i tre planeve kombëtare. Në zbatim të këtyre planeve do të bëhet edhe zbardhja e VKM-së, që do të përcaktojnë se ku mund të investojë sipërmarrësi i huaj apo vendas.
Në Shqipëri, janë ndërtuar struktura që kanë kapacitete që shkojnë më shumë se 200 shtretër e që vihen në funksionim këtë vit. Kemi të dhëna që në zonën e Jugut ka një rritje të numrit të shtretërve me mbi 15% në krahasim me vitin 2015.
“Buxheti
Për vitin 2016, buxheti i Agjencisë Kombëtare të Turizmit është rreth 20% më i lartë në krahasim me një vit më parë, duke u llogaritur në rreth 100 milionë lekë. Masat që po merren aktualisht synojnë ta shndërrojnë turizmin në një sektor konkurrues”.
“Kapacitetet
Në Shqipëri janë ndërtuar struktura që kanë kapacitete që shkojnë më shumë se 200 shtretër e që vihen në funksionim këtë vit. Kemi të dhëna që në zonën e Jugut ka një rritje të numrit të shtretërve me mbi 15% në krahasim me vitin 2015”.
————
Agjencitë: Rusët po testojnë tregun shqiptar
Turistët rusë janë duke testuar Shqipërinë si destinacion turistik, por efektet e këtij “vrojtimi” do të jenë më domethënëse vitin e ardhshëm.
Drejtuesit e agjencisë turistike “KLSU Travel” thanë për “Monitor” se po vihet re se ka rritje të kërkesës së turistëve rusë për ta njohur si destinacion Shqipërinë. “Është vështirë të bëhet një krahasim në lidhje me shifrat, për interesimin e rusëve pasi jemi në kushtet kur ajo po diktohet nga situata e krijuar me Turqinë, megjithatë mund të konfirmojmë se është në rritje”, u shprehen drejtuesit e kësaj agjencie e cila bashkëpunon që nga viti 1992 me tur-operatorë kryesisht të Federatës Ruse.
“Rusët, janë të interesuar më së shumti për bregdetin shqiptar. Nuk e njohin shumë vendin tonë dhe tashmë po e eksplorojnë si mundësi. Janë të interesuar për qëndrime nga 7 deri në 10 ditë me shërbime all inclusive, që ne mundohemi t’ia ofrojmë, pasi siç e dini ne nuk kemi shumë struktura hoteliere që i përshtaten kërkesave të tyre. Ne nuk mund ta konkurrojmë dot Turqinë, por me bregdetin tonë të bukur mund t’i joshim ata. Po mundohemi të ofrojmë paketa konkurruese, pasi nuk duam që t’i humbasim si treg. Së fundmi një grup me tur-operatorë rusë po viziton disa destinacione të Shqipërisë dhe në shtator do të kemi sërish një vizitë të këtij lloji, por këtë herë me grupe që janë të interesuar për turizmin fetar. Do të ketë ture të kombinuara edhe me Korfuzin”, thonë drejtusit e agjencisë “KLSU Travel”. Sipas tyre është e vështirë që të tërhiqet ky kontigjent i cili është mësuar me tipet e resorteve turke, ndaj dhe Shqipëria duhet të përpiqet që të joshë me veçantitë e saj.
Edhe Xhimi Lama, drejtues i Tours Albania thonë se së fundmi ka pasur dy – tre grupe turistësh rusë që kanë qenë të interesuar për turizmin kulturor dhe se tendenca e tyre është në rritje, për shkak të një sërë faktorëve. Sipas tij, një konkurrente e fortë mbetet Greqia, e cila po tërheq ndjeshëm vëmendjen e rusëve me ishujt e saj. Shteti fqinj Greqia është destinacioni i tretë i zgjedhur nga rusët për të kaluar pushimet verore. Kostoja për natë për person llogaritet në 159 euro në Greqi. Në vend të parë të preferncave ruse është Qipro me një mesatare çmimesh që llogaritet në 107 euuro në natë për një dhomë dysheme standarde. Sipas rrjetit Trivago, në vendin e dytë të preferencave ruse gjendet Mali i Zi me një çmim mesatar prej 94 euro në natë. Bullgaria dhe Spanja mbyllin listën e destinacioneve më popullore.
Greqia, këtë verë do të jetë e preferuar edhe nga shqiptarët, pavarësisht rritjes së çmimeve të diktuar nga rritja e nivelit të TVSH-së, kryesisht për ishujt. Për z. Lama, çmimet do të japin e efektet e tyre, por jo në stepjen e kërkesës psë shqiptarëve për të pushuar në Greqi, veçanërisht në Korfuz, Pargë dhe Halkidiki. Kërkesa parashikohet të jetë 10-15% më e lartë në krahasim me një vit më parë.
E ndërsa rusët dhe gjermanët pothuajse e kanë braktisur Turqinë, numri i shqiptarëve që do ta zgjedhë si destinaciion kryesisht në pjesën e dytë të korrikut dhe gjatë gushtit do të rritet deri në 20-25%. Çmimet më të ulëta se një vit më parë janë faktori kryesor që do të ndikojnë këtë ecuri të kërkesës.
Intervistoi: E.Bedalli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.