Flet z. Bozhidar Todorov, drejtor ekzekutiv i First Investment Bank – Albania (FIBank – Albania)
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2016?
Sistemi bankar vazhdon të ketë ecuri të mirë dhe të menaxhojë shumë mirë sfidat me të cilat përballet. Në përgjithësi, sistemi bankar është ndër industritë më të stabilizuara dhe ka një nivel të lartë kapitali dhe likuiditeti.
Për Fibank Albania, 2016 ishte viti më i mirë që nga kur është e pranishme në Shqipëri dhe kjo ka qenë ecuria e këtyre viteve të fundit. Viti 2016 ishte më i miri për sa i përket përfitueshmërisë, duke u renditur ndër 5 bankat më të mira, pavarësisht madhësisë së Bankës sonë. Edhe tregues të tjerë të performancës siç janë kthyeshmëria nga aktivet dhe kapiteli patën të njëjtën ecuri pozitive dhe janë shumë më pozitive sesa mesatarja e sistemit bankar.
Ritmi i rritjes së kredive dhe depozitave vitin e kaluar ishte ndër më të lartët me 16% dhe 11% respektivisht. Çfarë e bën rritjen tonë edhe më domethënëse është edhe fakti që ne ruajtëm dhe përmirësuam raportet e kapitalit dhe likuiditetit.
Rezultatet pozitive u arritën pas përpjekjeve të bëra në drejtim të përmirësimit të shërbimeve dhe produkteve të ofruara.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?
Ne po shohim përpara dhe kemi pritshmëri për t’u rritur më tej dhe siç e kemi treguar i kemi mundësitë për t’u rritur shëndetshëm dhe me burimet e brendshme. Megjithatë Fibank Albania dhe grupi në të cilin ne bëjmë pjesë ka ambicie dhe ne do të konsiderojmë çdo blerje të mundshme të përshtatshme, e cila do të bëjë të mundur rritjen e konsiderueshme të pjesës se tregut të Fibank.
Sistemi bankar si industria më e mirërregulluar në Shqipëri ka treguar që është gati dhe se ka potencialin e nevojshëm për t’u zgjeruar dhe për të mbështetur rritjen ekonomike, pavarësisht nivelit të rrezikut të vendit, dhe do të vazhdojë përpjekjet edhe në vitin 2017.
Si e prisni ecurinë e huasë për bankën tuaj dhe sistemin bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe faktorët kryesorë që do të ndikojnë në ecurinë e huadhënies?
Fibank Albania ka vendosur objektiva ambiciozë në terma afatshkurtër dhe afatmesëm dhe do të vazhdojë të jetë shumë aktive në huadhënie. Ne jemi ‘të uritur’ për të financuar projekte biznesi fitimprurëse dhe t’u ofrojmë produkte konkurruese dhe të dizenjuara sipas nevojave të klientëve që është bërë edhe veçoria jonë.
Sistemi bankar ka treguar që ka qëllim që të jetë aktiv në huadhënie dhe një shenjë e qartë janë ecuria në rënie e normave të interesit të ofruara nga të gjitha bankat, edhe pse disa banka janë më aktive se të tjerat ndër të cilat edhe Fibank Albania. Një tjetër tregues i rëndësishëm është niveli i kapitalit dhe i likuiditetit i të gjithë sistemit bankar, që dëshmon se Bankat jo vetëm kanë dëshirën por edhe të gjitha mundësitë e duhura për të dhënë kredi me norma interesi mjaft të favorshme.
Faktorët që ndikojnë në huadhënie varen shumë nga zhvillimi i Shqipërisë në përgjithësi dhe i ambientit të biznesit në veçanti. Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare duken të jenë në rrugën e duhur dhe ka shenja që ekonomia e vendit po hyn në një kurbë rritëse, gjë e cila është shumë pozitive për të gjithë agjentët ekonomikë.
Së fundmi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, në një intervistë për revistën ‘Monitor’, shprehu shqetësimin nivelin e lartë të euroizimit në Shqipëri. Sipas z. Guvernator, BSH së bashku me MoF do të zbatojnë një plan masash me qëllim reduktimin e përdorimit të monedhës Euro. Sipas jush, sa problematike e konsideroni këtë çështje dhe çfarë do të propozonit për reduktimin e euroizmit në Shqipëri?
Kjo është një çështje me të cilën nuk është përballur vetëm Shqipëria, por edhe rajoni, ku shumë vende në momente të veçanta iu desh të bënin ndryshime të rëndësishme strukturore. Është e vërtetë që Shqipëria ka një nivel relativisht të lartë të përdorimit të Euros, dhe kjo kryesisht ndikon Bankat nëpërmjet rrezikut të kursit të këmbimit. Ne e mirëpresim nismën e BSH-së për adresimin e kësaj çështjeje dhe jemi të gatshëm për të ofruar mbështetjen tonë. Do të doja të theksoja që Bankat në dy – tre vitet e fundit kanë bërë hapa konkretë në promovimin e huadhënies në Lekë duke dizenjuar dhe ofruar produkte të veçanta me kushte më të favorshme. Megjithatë janë disa faktorë, të cilët kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit që mund të lehtësojnë në këtë çështje. Vetëm politikat monetare nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund të adresojnë këtë problem, kështu që është shumë pozitiv fakti që BSH është duke bashkëpunuar me qeverinë. Një ndër faktorët kryesorë është mbrojtja e prodhimit vendas që do të rezultonte në reduktimin e deficitit tregtar dhe normalizimin e disbalanës midis importeve dhe eksporteve.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Në dy vitet e fundit, sistemi bankar ka përjetuar konkurrencë të lartë që është reflektuar në nivelet e ulëta historike të normave të interesit që bankat po ofrojnë. Në fakt, kjo ecuri e normave të interesit nuk reflekton nivelin e rrezikut të Shqipërisë dhe të ambientit të biznesit në vend. Megjithatë, ky është një tregues i potencialit të sistemit bankar.
Fibank Albania ka vendosur objektiva ambiciozë për rritjen e peshës së saj në Shqipëri dhe është vazhdimisht në kërkim të mundësive. Ne jemi duke shfrytëzuar avantazhin konkurrues që na jep fakti se jemi banka e vetme në Shqipëri, pjesë e një grupi bankar, që e njeh mirë tregun vendas si rezultat i të qenët një nga grupet më të mëdha me aksionerë vendas në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.