Të kthesh kokën pas, botës i ka mbetur ora në të kaluarën

18/01/2019 10:04 PM 0 komente

Politikanët e kanë shfrytëzuar gjithmonë të kaluarën. Por tani, si vendet e pasura ashtu edhe ekonomitë në zhvillim, po përjetojnë nostalgji, shkruan The Economist.

E djathta dhe e majta, demokracitë dhe autokracitë, të gjitha po i kthehen lavdisë së të kaluarës. Presidenti Donald Trump është zotuar për ta “bërë përsëri Amerikën të Madhe”, Presidenti Xi Jinping po përdor “ëndrrën e tij kineze” për të ndaluar një shekull të ri poshtërimesh dhe për të kthyer Kinën në epokën e artë.

Presidenti i ri i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, ka një mision, të përballet me kapitalizmin global dhe të rivendosë sovranitetin ekonomik të vendit të tij. Jaroslaw Kaczynski, politikani më i fuqishëm në Poloni, dëshiron të pastrojë rrënjët e fundit të komunizmit sovjetik, për të sjellë një rilindje të vlerave polake të së kaluarës.

Arsyet se përse shtete të ndryshme po e kthejnë kokën pas në të kaluarën e vendeve të tyre janë të ndryshme. Në tregjet në zhvillim, për shembull, lavditë e kaluara shihen si një parakusht i një triumfi ose të një fitoreje të ardhshme. Kina, e cila prej 40 vjetësh po përjeton një rritje transformuese, ndien se është në prag të zhvillimit të diçkaje të madhe. India, me kryeministër Narendra Modi, po përjeton rritjen e saj më të madhe gjeopolitike me një ringjallje Hindu-nacionaliste.

Ndërsa në botën e pasur, nostalgjia krijohet zakonisht nga ajo që Sophia Gaston, nga shoqëria “Henry Jackson”, e quan “një ndjesi e gjithëpranishme, kërcënuese e rënies”. Pothuajse dy të tretat e britanikëve mendojnë se jeta ka qenë më e mirë në të kaluarën. Edhe një numër i ngjashëm i qytetarëve francezë nuk ndihen mirë në vendin e tyre, nuk ndihen më si në shtëpinë e tyre krahasuar me të kaluarën. Sipas raportit të sivjetshëm të OKB-së mbi lumturinë, numri i amerikanëve që po ndihen gjithnjë e më të palumtur është rritur shumë.

Një numër i madh njerëzish në vendet e pasura dhe ekonomitë e zhvilluara besojnë se robotët dhe automatizimi do të rrisin pabarazinë dhe nivelin e papunësisë. Bazuar në të dhënat e një sondazhi prej 28 vendesh në vitin 2017, u zbulua se më shumë se gjysma e të anketuarve presin që kushtet e tyre të jetesës të jenë në stanjacion ose të përkeqësohen. Vetëm 15% e japonezëve mendojnë se fëmijët e tyre do të jenë më të pasur se prindërit e tyre.

Sondazhet e shumta dëshmojnë se optimizmi i tregjeve në zhvillim është më i bazuar se pesimizmi i vendeve të ekonomive të zhvilluara. Njerëzit në të gjithë botën po jetojnë më gjatë, kanë një jetë më të shëndetshme; shumë më pak njerëz po bien viktima të luftës dhe urisë; ndërsa edukimi po përhapet gjithnjë e më shumë dhe diskriminimi dhe paragjykimet po pakësohen. Por refuzimi i pesimizmit dhe i nostalgjisë nuk është aq i thjeshtë sa mund të mendohet. Ato janë forca që po ndikojnë edhe në formësimin e politikës.

Dhe përpara se të shkatërrohen, ato duhet më parë që të kuptohen.
Nostalgjia i shërben njësoj si optimistëve ashtu edhe pesimistëve, si spiranca në një botë që po transformohet. Teknologjitë e reja, duke përfshirë Inteligjencën Artificiale, kërcënojnë të ndryshojnë të gjitha industritë dhe mbi të gjitha, marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarëve. Pas dy shekujsh pushteti po zhvendoset nga Perëndimi në Kinë. Planeti po plaket më shpejt krahasuar me çdo kohë tjetër.

Klima e planetit tonë po ndryshon. Planeti po popullohet gjithnjë më shumë nga një përzierje e madhe kulturash të ndryshme dhe pikërisht në momente të tilla, njerëzit bëhen nostalgjikë, si një formë që u jep atyre siguri dhe vetëvlerësim. Shumë prej mbështetësve të Brexit shpresojnë se largimi nga Bashkimi Europian do të thotë se ata mund t’i përkasin përsëri një “Britanie dinamike globale”.

Kur sjellin ndër mend të kaluarën, katalanasit e përshkruajnë atë në mënyrën më ideale të mundshme, si një formë për të thënë se ata dikur nuk kanë qenë ata që janë sot. Të alarmuar nga korrupsioni dhe recesioni, brazilianët kanë zgjedhur një President, i cili është shumë pro vendosjes së sigurisë së shtetit, nëpërmjet diktaturës ushtarake që ata e hoqën rreth tri dekada më parë. Kur z. Trump rriti taksën e qymyrit dhe çelikut duke i promovuar këto industri, njerëzit që kishin frikë se ishin margjinalizuar në industri të pista, papritur u ndien sikur po vlerësoheshin sërish.

Në botën e pasur, nostalgjia shpreh një mënyrë për t’u rebeluar kundër idesë së zhvillimit të dikujt tjetër, “për të marrë sërish kontrollin”. Partia “Alternativa për Gjermaninë” ka mbështetjen më të fortë në ish-Lindjen, ku votuesit flasin me keqardhje për humbjen e tyre. Në Francë, “jelekët e verdhë” shkatërruan dritaret e dyqaneve në Champs-Elysées, sepse ata nuk mund ta përballonin rritjen e taksës së naftës.
Ata e refuzojnë marrëveshjen e ofruar nga Presidenti i tyre, Emmanuel Macron, midis prosperitetit kombëtar dhe sigurisë individuale ekonomike.
Kjo e bën nostalgjinë të rrezikshme. Protestuesit nuk presin domosdoshmërisht që të kthejnë orën pas, por ata mund të kërkojnë që ta ngadalësojnë atë. Vetëvlerësimi që shpeshherë ndeshet te nostalgjikët ushqen tek ata edhe ksenofobinë.

Ringjallja e Hindu-nacionalistëve të Indisë është shoqëruar me rritje të numrit të krimeve ndaj myslimanëve. Në Perëndim, njerëzit në të djathtë mbajnë mend një të kaluar më të qetë, më të pastër, me më pak kultura, edhe pse e majta e ashpër i dënon makinacionet e biznesit global. Nuk është e rastësi që ka pasur edhe një rigjallërim të antisemitizmit, jo më pak në Partinë Laburiste të Britanisë, nën udhëheqjen e Jeremy Corbyn.
Për shkak të ksenofobisë, progresistët i kanë gjykuar shumë shpejt nostalgjikët. Dhe është pikërisht ky gjykim i gjithanshëm arsyeja se përse populistët kanë qenë në gjendje ta shfrytëzojnë nostalgjinë në mënyrë kaq të suksesshme.

Megjithatë, nostalgjia mund të shfrytëzohet edhe për mirë. Në fillim të shekullit të 20-të, Europa dhe Amerika ishin nostalgjike dhe të përfshira nga një situatë e ngjashme e ndryshimeve teknologjike, gjeopolitike dhe kulturore. Një periudhë konflikti dhe trazirash sociale çuan më pas në një votim universal dhe edukim për të gjithë. Politikanët e sotëm mund të mësojnë nga ajo kohë.

Ata duhet të shmangin luftën, natyrisht, duke ruajtur edhe institucionet që u mundësojnë vendeve të punojnë së bashku. Duhet të gjejnë mënyra të guximshme për të trajtuar pasigurinë dhe tjetërsimin. Dhe për këtë gjë, do të duhet që shteti të bëjë më shumë për qytetarët e tij, duke u mundësuar atyre arsimimin, duke ulur taksat, duke transferuar pushtetin në mënyrë të barabartë në qytete dhe rajone, duke shmangur katastrofën klimatike dhe duke menaxhuar çështjen e emigracionit.

 

Nëse e kaluara do të ishte një shtet i huaj, do të emigroja atje

Nostalgjikët janë duke planifikuar diçka. Kur njërës mënyrë për drejtimin e botës duket se po i vjen fundi, dhe një mënyrë tjetër ende nuk është përcaktuar, në këtë moment mund t’i drejtohemi së kaluarës për të marrë disa mësime të rëndësishme. Kur asnjë gjë duket se s’ka kuptim, historia shndërrohet në disiplinën supreme. Të dini se kush jeni dhe se nga vini është një prej gjërave më të rëndësishme.

Mënyra më e mirë për të shfrytëzuar të kaluarën është duke shkatërruar paragjykimet dhe duke hapur horizonte të reja. Trajtimi i historisë në mënyrën e duhur, do t’ju ndihmojë të kuptoni së përparimi dhe zhvillimi varet nga ballafaqimi me zgjedhjet e vështira. Ndonjëherë ato mund të jenë gjithashtu edhe frymëzuese. Këtu mund të përmendin rastin e Apollo 8, që u ngrit nga Cape Canaveral në Florida rreth pesëdhjetë vjet më parë dhe që më 24 dhjetor shkrepi një fotografi të Tokës.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of