Pavarësisht politikave të Bankës së Shqipërisë, biznese e individë po tregohen të frenuar në shpenzime. Për ekonomistët, krahas uljes nga banka të kostos së parasë në treg, nevojitet në ketë më shumë para nëpërmjet investimeve publike. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, mund të ulen kreditë e këqija e të nxitet punësimi
Prej dy muajsh, norma bazë e interesit është në nivelet më të ulëta, por motori për nxitjen e ekonomisë ende nuk është vënë në funksion të plotë. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë flasin për ulje të normës së interesit për depozitat. Prej fillimit të këtij viti, interesi i depozitave ka shënuar rënie të vazhdueshme mujore, duke zbritur në nivelin më të ulët në qershor, për të gjitha llojet e depozitave afatshkurtra. Sipas këtyre të dhënave, interesi për depozitat njëvjeçare ka rënë në 1.9%, duke bërë kështu që banka të realizojë objektivin e saj që shqiptarët të mos kursejnë. Por, në nxitjen e konsumit duket sikur gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një rritje të kredive të shpejta, kryesisht overdraft, çka do të thotë se si bizneset, edhe individët kanë filluar të “lëvizin”, por ende janë të pasigurt për të ardhmen ekonomike të vendit, duke mos bërë plane afatgjata.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti ka pasur përmirësim të besimit të bizneseve e konsumatorëve, por duket se kjo nuk është në ato nivele sa për t’i bërë më “dorëlëshuar” në shpenzime.
Sipas ekspertit financiar, Arjan Kadare, në kushtet aktuale, sektori privat ka më leverdi të shtojë konsumin, por faktori që po i frenon ato është pritshmëria për të ardhurat. Sipas tij, “kur perspektiva e punësimit nuk është optimiste, atëherë konsumi nuk rritet me gjithë normat e ulëta të interesit të depozitave” dhe faktet tregojnë se konsumi është i ulët. Prej muajsh të dhënat e Institutit të Statistikave raportojnë një indeks çmimi nën minimumin e parashikuar nga Banka e Shqipërisë. Indeksi nën 2% do të thotë që prodhuesit nuk mund ta rrisin çmimin, e ndërsa nuk ka ndonjë lajm që kostot e lëndëve të para të kenë rënë, arsyeja e vetme që mbetet është kërkesa e ulët.
Për disa ekspertë financiarë, Banka e Shqipërisë e ka bërë detyrën e saj dhe gjallërimi i ekonomisë kërkon “dorën e qeverisë”, duke filluar nga nxitja e punësimit. Ndryshe e mendon Zef Preçi rolin e Bankës, ndërsa bie dakord me kolegët e tij në atë çfarë i kërkohet qeverisë: nxitja e punësimit dhe realizimi i investimeve publike.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, qeveria ka realizuar më pak se 30% të investimeve të planifikuara për këtë vit, kur me hapat normalë duhej të realizonte 50% të planit.
Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale në këtë periudhë ishin 19.4 miliardë lekë, ndërsa plani i investimeve për gjithë vitin është rreth 67 miliardë lekë. Duke kujtuar se qeveria nuk po e bën detyrën e saj në shërbim të nxitjes së ekonomisë, vëren se qeveria është porositësi kryesor i bizneseve. Kjo do të injektonte dy plagë aktuale në ekonomi: kompanitë e ndërtimeve mund të shlyenin disa detyrime të renditura ndër kreditë me probleme apo të humbura dhe në tërësi investimet publike do të nxisnin punësimin. Të dy këta tregues, kredia me probleme (e brenda kësaj kreditë e humbura) dhe papunësia kanë arritur shifra të larta negative. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, me gjithë masat e ndërmarra për ristrukturim, kreditë me tre muaj vonesë janë 24% e totalit të kredive, ndërsa ato të humbura u rritën sërish duke arritur në 12%, pra gjysma e kredive me probleme. Papunësia sipas INSTAT i ka kaluar 18%, niveli më i kartë i shënuar këto vite, ndërsa vrojtimet paralajmërojnë për një realitet edhe më të dhimbshëm të papunësisë, që mund të arrijë në 26% të popullsisë së aftë për punë.
———-
Kujdes me paratë jashtë bankave
Prof. dr. Adrian Civici, President i UET
Prof. Civici, janë ulur këto muaj normat e interesit për depozitat, ndërsa kredia po e reflekton këtë më ngadalë. Sipas jush, cili është perceptimi i bankave?
Ulja e normave të interesit për depozitat, sidomos ato në lekë, mendoj se lidhet me tre elemente kryesore, ose reflekton disa tendenca. Së pari, besoj se ka ardhur si pasojë e ndikimit të uljes së normës bazë të interesit nga BSH, aktualisht në 2.5%, shifër historikisht shumë e ulët. Pra, është një nga efektet e transmetimit të tendencës apo mesazhit të politikës monetare në tregjet financiare e monetare. Së dyti, raportet ndërmjet depozitave dhe kredive në bankat tregtare janë akoma disi të disproporcionuara në favor të depozitave (kryesisht si pasojë e frenimit të kreditimit), çka e ul interesin e bankave për të stimuluar shtimin e depozitave dhe për të ofruar paketa joshëse në favor të depozitave. Së treti, kërkesa e ulët për kredi dhe politikat e shtrënguara e prudente të bankave tregtare në dhënien e kredive duket se reflekton disa faktorë e elemente të tilla si: ecuria ekonomike në vend (e cila mbetet ende delikate), probleme në zhvillim e zgjerim të disa prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë si p.sh., ndërtimi, rreziku që bankat perceptojnë për kredinë si pasojë e përqindjes së kredive të këqija në disa degë e sektorë të ekonomisë, niveli i ulët i konsumit dhe investimeve publike e private, përmirësimi i klimës së biznesit dhe qartësimi i strategjisë së zhvillimit ekonomik të vendit në kuadrin e modelit të ri ekonomik, realizimin e të cilit qeveria e ka si prioritet të rëndësishëm, etj.
Ndërkohë të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për rritje të nivelit të parasë jashtë sistemit bankar?
Statistikat e fundit të botuara nga BSH dëshmojnë se në 6-mujorin e fundit ka një rritje të evidentueshme të nivelit të parasë jashtë sistemit bankar. Besoj se një fenomen i tillë është pasojë e çmimit të ulët të parasë, d.m.th. efekt i uljes së normës bazë të interesit, si dhe i nxitjes që kjo masë shkakton në stimulimin e përdorimit të parasë, investimin e saj ose rritjen e konsumit. Edhe ky fenomen është i lidhur direkt apo indirekt me interesin e ulët që ofrojnë depozitat bankare. Ky fenomen duhet monitoruar me kujdes, sepse qëndron dhe rreziku i shtimit të informalitetit në përdorimin e parasë së bashku me pasojat tejet negative që ai mund të shkaktojë.
Si mund ta formalizojmë qarkullimin monetar?
Luftimi i informalitetit në qarkullimin monetar është i lidhur ngushtë me gjithë ato elemente dhe praktika që kanë të bëjnë me orientimin 100% të të gjitha pagesave, dërgesave, veprimeve me paranë, etj., nëpërmjet sistemit bankar; kontrollin e rreptë ligjor e institucional të veprimeve që mund të fshehin pastrim parash apo financime të paligjshme; rritjen e transparencës bankare e financiare në të gjitha nivelet; përmirësimin e vazhdueshëm të praktikave ligjore e institucionale për parandalimin e informalitetit, etj.
Civici: Fenomeni i parave jashtë bankave duhet monitoruar me kujdes, pasi qëndron rreziku i shtimit të informalitetit në përdorimin e parasë.
————-
Perceptohet ende rrezik. Qeveria duhet të nxisë punësimin
Arjan Kadare, pedagog i bankingut dhe financave në Canadian Institute of Technology
Çfarë mendoni se po e pengon mekanizmin e transmetimit të BSH-së në treg për të nxitur konsumin? Çfarë duhet bërë më tej për të pasur efekt real në treg?
Sikurse konstatohet, normat e interesit të depozitave bankare nuk kanë qenë ndonjëherë më të ulëta dhe kohët e fundit po vihet re rritja e parasë jashtë bankave. Mendoj se uljet e njëpasnjëshme të normës bazë së interesit nga Banka e Shqipërisë janë transmetuar të plota e me shpejtësi te normat e interesit të depozitave bankare. Sistemi bankar ka pasur likuiditet me shumicë edhe për shkak se krediti i ekonomisë është tkurrur muajt e fundit, kjo ka sjellë që përcjellja e normës bazë tek interesat e depozitave të bëhet shpejt. Teorikisht kur ulen normat e interesit të kursimeve, konsumi nxitet pozitivisht, sepse ulen të ardhurat nga kursimet dhe sektorit privat i del më me leverdi të shtojë konsumin sot. Por ky është vetëm një nga faktorët. Një faktor më i rëndësishëm është pritshmëria për të ardhurat. Kjo varet shumë nga perspektivat e punësimit. Nëse perceptimet nuk janë optimiste, atëherë konsumi nuk rritet me gjithë normat e ulëta të interesit të depozitave. Në fakt, konsumi është i dobët. Unë nuk mendoj se Banka e Shqipërisë mund të bëjë ndonjë gjë tjetër në këtë drejtim. Fuqia e saj arrin deri te likuiditeti dhe normat e interesit se si ecën konsumi varet shumë nga vetë sektori privat, më konkretisht nga perceptimet e perspektivës së punësimit dhe të të ardhurave.
Në këtë drejtim mendoj se qeveria mund të bëjë më shumë për nxitjen e punësimit. Politika fiskale rekomandohet si efektive sidomos kur normat e interesit janë të ulëta. Nga ana tjetër, konsolidimi fiskal nuk lë shumë hapësirë në këtë drejtim. Por, unë mendoj se qeveria duhet të jetë më aktive. Duhen bërë përpjekje për realizimin e projekteve prodhuese private që kanë ngecur për shkak të mungesës së financimit. Qeveria mund të bëjë shumë në këtë drejtim përmes fondeve të garancisë, rregullave favorizuese apo lehtësirave fiskale.
A duhet të pretendojmë më shumë nga bankat, apo normat e larta të
huave për kreditë mund të shihen si një perceptim i tyre për një risk ende të lartë në treg?
Bankat ndodhen në situatën që kanë likuiditet, por nuk po japin kredi sa duhet. Perceptimi është se normat e interesit të kredive janë ulur më pak se normat e interesit të depozitave. Kjo duket se është pranuar edhe nga Banka e Shqipërisë që ka thënë se uljet e normës bazë të interesit janë përcjellë më ngadalë te normat e interesit të kredive. Një nga arsyet mendoj se janë kreditë me probleme dhe sidomos ato të humbura. Kreditë me probleme përfaqësojnë rreth 24% të totalit të kredisë. Rreth gjysma e kredive me probleme janë kredi të humbura. Sistemi bankar ka rezerva të mjaftueshme provigjonesh për të përballuar këtë situatë, por kjo është vetëm gjysma plot e gotës. Gjysma bosh ka të bëjë me normat relativisht të larta të interesit të kredive të reja. Norma e interesit e kredive bankare faktorizon kryesisht dy elemente. Koston e fondeve për bankat (që jepet nga normat e depozitave) dhe primin e rrezikut të falimentimit të huamarrësit. Thamë se e para është ulur shumë nga Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare, kurse e dyta mendoj se qëndron në nivele të larta. Për kreditë e reja bankat faktorizojnë rrezik relativisht të lartë moskthimi dhe për këtë përdorin informacionin e kredive të humbura të së kaluarës së afërt. Pra, rreziku i moskthimit të huave ka qenë i lartë dhe mbetet i lartë. Ndërkohë sistemi bankar nuk po financon projekte që duket se janë me leverdi, por perceptohen me rrezik të lartë.
Ndërkohë ka biznese me reputacion që mund të marrin kredi dhe me kushte të mira, por nuk e bëjnë një gjë të tillë, sepse perceptojnë kërkesë të ulët konsumi. Situata duket se lëviz ngadalë. Mendoj se mund të përshpejtohet me një politikë fiskale më aktive drejt punësimit. Qeveria duhet të synojë që të krijojë kushte favorizuese për vënien në jetë të atyre projekteve të sektorit privat që kanë ngecur për shkak të mungesës së financimit nga bankat. Qeveria, përmes partneritetit me bankat dhe biznesin, mund të marrë një pjesë të rrezikut për t’i bërë ato projekte të financueshme. Pjesëmarrja e qeverisë nuk mendoj se do të jetë e kushtueshme për të, ndërkohë do të vihen në punë fonde që rrinë kot në sistemin bankar, si dhe do të rritet punësimi dhe prodhimi nga projektet e financuara. Sot, problemi i fondeve private të sistemit bankar që rrinë kot dhe projekteve po të sektorit privat që nuk financohen, nuk është vetëm i Shqipërisë, por edhe i një pjese të madhe të vendeve të Ballkanit.
Kadare: Duhet nxitur prodhimi.Qeveria mund të ofrojë fonde garancie, rregulla favorizuese apo lehtësira fiskale për prodhuesit
———-
BSH dhe qeveria, ende shumë detyra
Flet Zef Preçi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike
Duhet pranuar se gjatë tre viteve të fundit janë bërë përpjekje për të ndërtuar një mekanizëm lehtësues për zgjerimin e kreditimit të ekonomisë, duke përdorur uljen e normës bazë të interesit ndërbankar. Kjo masë, ndër instrumentet më të rëndësishëm të Bankës Qendrore ka qenë kundërproduktive, ka kontribuar për të pakësuar përfitimet e depozituesve individë dhe bizneseve dhe fare pak në uljen e kostos së parasë, pra zgjerimin e ekonomisë reale. Sipas vlerësimit tim duhet konsideruar si dështim i politikave monetare të Bankës Qendrore, ajo është pozicionuar në favor të bankave, më shumë se sa në rolin e arbitrit midis biznesit, qeverisë e qytetarëve.
Jemi në një situatë paksa paradoksale, ku bankat tregtare më shumë janë orientuar drejt kolateraleve, do të thotë që lehtësirat që ka krijuar qeveria e mëparshme për likuidimin deri në 40% të vlerës i joshin më shumë bankat për të ofruar kredi, ndoshta pa u thelluar në analizën e situatës së biznesit. Por, kjo në thelb nuk i kontribuon zhvillimit të ekonomisë kombëtare në Shqipëri, pasi vetë vlerësimi i kolateraleve bëhet nga bankat, nga vlerësues të zgjedhur për tyre. Qeveria i ka mbështetur që të likuidojnë me 40% në raundin e dytë, që do të thotë se pak vëmendje u kushtohet plan-bizneseve dhe realisht tendencave që shfaq ekonomia reale. Kjo shpjegon nivelin ende të lartë të kredive problematike, apo të këqija.
Njëkohësisht fokusimi te letrat me vlerë të qeverisë ka kufizuar e po kufizon burimet e zhvillimit të ekonomisë kombëtare, kreditimin e ekonomisë reale e zhvillimin e biznesit.
Kemi një deformim që e kalon BQ në pozitën e pamundësisë për të ndikuar.
Duhet theksuar se pakësimi relativ i depozitave në afat në banka është tregues i varfërisë, por edhe tregues që bizneset janë të painteresuar për të mbajtur para në banka në formë depozite. Ndërkohë fakti që një e treta e parasë qarkullon jashtë bankave duhet të përbëjë një shqetësim të madh, qoftë për informalitet, qoftë për treg paralel të kredisë me norma interesi shumë të larta. Kjo sasi parash është burim i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë, i cili nuk po futet në qarkullim në mënyrë të ligjshme institucionale. Kjo tregon se qeveria nuk ka ofruar ende alternativa të tjera ku do të investohen këto para. Pse nuk zhvillohet tregu i kapitalit në Shqipëri?! Është mundësia më e mirë që të gjenerohet një burim shtesë për zhvillim.
Marrëdhëniet midis depozituesve, bankave dhe qeverisë janë marrëdhënie besimi. Varet nëse qeveria do të ndërmarrë ato reforma që janë thënë, në terma realë dhe në të njëjtën kohë të krijohen politika më miqësore ndaj biznesit. Duhet kuptuar që pa një klimë të mirë biznesi, politikë të rregulluar me më pak korrupsion, që ka kapacitete më të mira administrative, sidomos në atë fiskale, qytetarët nuk do të besojnë tek institucionet, te bankat. Ndërkohë, bankat kanë nevojë të monitorohen më rreptësisht nga Banka Qendrore. Duhet nxitur konkurrenca ndërmjet bankave pasi ka një numër të madh kostosh të fshehta, të cilat tejkalojnë disa herë kostot në vendet e origjinës së bankave të huaja që operojnë në territorin shqiptar. Njëkohësisht duhet të rritet transparenca e sistemit në tërësi. Ndërhyrjet e shpeshta në sistemin fiskal, rritja e taksave, konsiderohen faktorë që nuk e inkurajojnë zhvillimin e ekonomisë. Programet e investimeve publike kanë ndikim në përshpejtimin e ekonomisë në tërësi dhe njëkohësisht në rritjen e besimit të biznesit ndaj qeverisë e sistemit ekonomik në tërësi.
Këtë vit, niveli i investimeve publike është i ulët. Është një periudhë amullie, kur çelet me vonesë buxheti. Ndërkohë, janë krijuar hallka shtesë sa i takon fitimit të programeve prioritare të investimeve. Ndoshta qeveria është në kërkim të prioriteteve të tjera, por që ende nuk janë mbështetur me studime fizibiliteti.
Është një situatë disi paradoksale kur ekonomia shqiptare disponon likuiditete, por këto nuk materializohen. Të mos harrojmë që qeveria mbetet porositësi kryesor i një numri të madh, sidomos biznesesh të vogla dhe futja e këtyre parave në qarkullim ndihmon për ta rritur më tej zhvillimin e ekonomisë e për të ndërtuar atë marrëdhënie mes sektorit publik e privat që është normale në një ekonomi tregu.
Preçi:Qeveria mbetet porositësi kryesor i një numri të madh biznesesh dhe futja e parave në qarkullim ndihmon për ta rritur më tej zhvillimin e ekonomisë
Përgatiti A. MUÇAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.