Intervistë me Arben Malajn, profesor në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës
Ekonomia ka nevojë për një reagim të shpejtë, për politika që ofrojnë siguri e qartësi. Në një intervistë për “Monitor”, prof. Arben Malaj, sugjeron që qeveria të marrë pjesërisht kredi të re për shlyerjen e borxhit dhe një pjesë të vlerës së tij ta shlyejë përmes planit të investimeve për vitin e ardhshëm. Të ardhurat nuk duhen fokusuar vetëm te rritja e taksave
Kohët e fundit ka pasur vlerësime nga disa institucione ndërkombëtare por edhe Banka e Shqipërisë e shikon me shqetësim zhvillimin e ekonomisë. Çfarë duhet bërë në këtë rast?
Nëse duam rritje ekonomike, duhet të eliminojmë pengesat. Duhet të diskutojmë qartësisht si të ulim pasiguritë në ambientin ekonomik, si të ulim paqartësitë dhe në këtë rast qeveria duhet të prezantojë sa më parë strategjinë e zhvillimit të integruar të vendit për periudhën 2014-2020. Duhet të qartësojë në këtë strategji se me çfarë politikash do ta mbështesë rritjen ekonomike, nga çfarë burimesh do t’i mbledhë të ardhurat, do të ketë apo jo ndryshime taksash, cilat do të ndryshojnë, cilat do të jenë prioritetet e shpenzimeve, sidomos në fushën e investimeve.
Si mund të shmangen pengesat e rritjes ekonomike?
Banka Botërore me dy raportet e saj “Doing Bussines” e “Paying Taxes” ka vërtetuar faktin që ne kemi pengesa në rritjen ekonomike të vendit. Në 189 vende në botë jemi të fundit (189) për pengesat në sektorin e ndërtimit, sektor që ka peshë në ekonomi dhe duhet të funksionojë. Jemi vendi i 159-të në botë për riskun për furnizimin me energji, në vendin e 146 për koston e lartë në pagimin e taksave. Ndaj, duhet një fokus për të eliminuar barrierat që pengojnë rritjen.
Në asnjë vend nuk është e mundur që të menaxhohet borxhi e të mbahet nën kontroll nëse nuk ka rritje ekonomike. Mungesa e rritjes ekonomike sjell vështirësi për buxhetin. Ndaj, pritet që qeveria të veprojë sa më shpejt. Agjentët ekonomikë (biznesi, konsumatori, apo grupet e tjera të interesit) duhet të jenë pjesë e politikëbërjes e të jenë të qartë për politikat ekonomike. Na duhet të eliminojmë praktikën që kur miratohet buxheti, nuk dimë çfarë taksash të ndryshojmë. Do të ishte mirë që politikën e taksave, qeveria ta përcaktojë si një politikë afatgjatë, duke filluar implementimin e saj me faza. Është e nevojshme që buxheti afatmesëm të përputhet me prioritetet që ka qeveria dhe njëkohësisht të mos vonohet buxheti vjetor. Nuk duhet të ndodhë si këtë vit, kur për tre muaj ishte bllokuar buxheti, çka solli vështirësi për pagesat dhe ekonomia nuk po ushqehej me shpenzime. Besoj se buxheti këtë vit është vonuar për shkak të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Jemi jashtë afateve tashmë dhe çdo vonesë e krijuar nga negociatat duhet minimizuar nga momenti i miratimit në Parlament dhe hyrjes në fuqi. Nëse nuk miratohet për të hyrë në fuqi më 1 janar, Ministria e Financave, për të eliminuar praktikat e vjetra, duhet të bëhet gati ta nisë buxhetin sipas rregullave ligjore, me një të dymbëdhjetën e vitit të kaluar. Pra, duhet të eliminojmë çdo vonesë, në rast të kundërt ekonomia fillon e vështirësohet. Sa më e ulët të jetë rritja ekonomike, bëhet më kritik paralajmërimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që Shqipëria me këto ritme të rritjes ekonomike dhe deficitit, (i cili është nën presion të deficitit të madh që ka skema e pensioneve), rrezikon të shkojë në nivele që bëhen të pamenaxhueshme 80-83% për një ekonomi që mbledh 24 nga 100 lekë që prodhon.
Në këto kushte të vështira, ekonomia jonë do të kishte edhe më tepër nevojë për investime të huaja dhe për hyrje të valutës së huaj, ndaj cila është rruga e duhur?
Të gjitha projektet në Shqipëri, që kanë filluar nga puna, duhet të kontaktohen, të asistohen dhe të mbështeten për të përparuar me planin e tyre të investimit, duke ndihmuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Zhvillimi pastaj mbështet më mirë dhe vetë sektorin privat. E kundërta do të ndodhë me hezitimin e sektorit privat.
Duhet të avancohen investimet e sektorit privat vendas dhe të huaj. Mundësia për të pritur investime të reja është për t’u vlerësuar, por për të rritur ndikimin në ekonomi duhen mbështetur, duke eliminuar barrierat, pengesat e kostot shtesë për projektet që kanë filluar, siç është Devolli apo projekte të tjera të energjisë, naftës. Për të ndikuar sa më shumë në ekonomi nuk duhet nënvlerësuar asnjë mundësi, duhet mbështetur edhe biznesi i vogël nga pushteti lokal, ndërkohë që qeveria dhe Ministria e Financave duhet të fokusohen tek projektet e mëdha private.
Premtimi i qeverisë është shlyerja e borxhit ndaj biznesit. Si mendoni se duhet bërë kjo shlyerje. A duhet të marrë qeveria kredi për gjithë vlerën e detyrimit, apo mund të zgjedhë një shlyerje të përshkallëzuar?
Shlyerja e borxheve është imediate. Shlyerja e një pjese prej tyre do të bëhet nga investimet e vitit 2014, pasi janë punime të kryera por të pafinancuara. Në gjykimin tim, qeveria nuk duhet të marrë borxh të ri në masën 100% për të shlyer borxhet e vjetra, por një pjesë të tyre ta mbulojë me planin e investimit të vitit të ardhshëm dhe një pjesë me borxh të ri. Gjithsesi, duhet pranuar se shlyerja e borxhit është prerja e zinxhirit që i rëndon ekonomisë në qafë.
Në përkeqësimin e borxhit të qeverisë kanë ndikuar edhe këto pak kompani publike që kanë mbetur. Çfarë duhet bërë që ato të mos “rëndojnë” më në buxhetin publik
Duke parë thellimin e krizës së borxheve të këqija, është e domosdoshme të ndryshojë 100% menaxhimi i kompanive të mëdha publike. Edhe pse kemi pak, ato kanë lidhje me një pjesë të madhe të sektorit privat si p.sh. Albpetrol. Kompani të tilla rrezikojnë që me borxhet e tyre të riprodhojnë prapë borxh. Ato duhet të mbijetojnë duke u menaxhuar më mirë.
Jemi para hartimit të paketës së re fiskale, dhe pritet të prezantohet taksa progresive? Si mendoni se do të ndikojë kjo te sipërmarrja dhe te buxheti i shtetit?
Që vendi ynë duhet të rrisë të ardhurat në buxhet, kjo është imediate. Që pa rritur të ardhurat ne nuk e mbajmë dot nën kontroll as borxhin edhe kjo është e qartë. Por, rritja e të ardhurave me rritjen e taksave duhet të shtrihen më mirë në kohë dhe qeveria të mos fokusohet vetëm te rritja e taksave pasi mund të dëmtojë biznesin dhe rritjen ekonomike. Kjo është këshilla që jepet sot për të gjitha qeveritë që kanë rritje të ulët ekonomike, që kanë borxh të lartë dhe që duan t’u kthejnë stabilitetin financave të tyre.
Nevojitet një bashkëpunim më i mirë me grupet e interesit për politikat e rritjes së të ardhurave. Por, duhet qartësuar cila taksë do të rritet, kur do të fillojë të rritet dhe sa do të rritet. Këto janë formulat që mbajnë parasysh edhe realitetin ekonomik të një vendi edhe kulturën e pagimit të taksave. Nuk ka një zgjidhje unike të vlefshme për të gjitha vendet që po kalojnë situata të vështira.
Meqë duhen rritur të ardhurat, a mendoni se është momenti për të zgjeruar bazën e tatimpaguesve e për të ulur nivelin ende të lartë të informalitetit në ekonominë tonë?
Në kohë krize, implementimi i reformave bëhet i vështirë. Ka studime që tregojnë se shkalla e informalitetit është rritur sot edhe në vendet e zhvilluara, kështu që edhe në politikat kundër informalitetit duhet të mbizotërojë fryma që i ndihmon ata të formalizohen. Politikat që janë bazuar te penalizimi nuk kanë dhënë rezultat. Politikat që parashikojnë zbutjen e procedurave, zbutjen e ngarkesës fiskale e sjellin në mënyrë më të natyrshme pjesën informale tek ajo formale.
Kohët e fundit është zbuluar një skemë e gjerë e abuzimit me TVSH-në. Pas kësaj, ministri i Financave po vlerëson mundësinë e ndërhyrjes për të forcuar kushtet e regjistrimit të bizneseve.
Ulja e barrierave për hapjen e biznesit ka qenë një nga reformat kryesore në përmirësimin e të bërit biznes dhe është bërë në të gjitha vendet. Fakti që në Shqipëri ka krijuar probleme të tilla, ka të bëjë me interpretimin e deformuar ose me korruptimin e strukturave, por jo me vetë procesin.
Intervisoi A.MUÇAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.