Flet Pier Paolo Ambrosio, drejtues i VIS Albania….
Në 25 vitet e shkuara, Shqipëria ka bërë ndryshime rrënjësore, por gjendja e strukturës së tokës së punueshme është e njëjta: pra një familje fermere ka mesatarisht në dispozicion të paktën 1,5 hektarë tokë, e shpërndarë zakonisht në tre–katër parcela larg nga njëra-tjetra. Kjo lloj “ferme” nuk mund të japë të ardhura dhe për këtë arsye, nuk lejon investim.
Në një kohë kur burimet e rritjes ekonomike po shterojnë pak nga pak, ekspertët këmbëngulin se vëmendja duhet të përqendrohet aty ku ka më shumë mundësi zhvillimi. Bujqësia është padyshim një prej tyre, por që ka nevojë të përcaktojë modelin sipas të cilit do të duhet të orientohet. Për ekspertët kjo është domosdoshmëri në kushtet kur vendi do të anëtarësohet në strukturat e europiane. Sipas tyre do të duhet ende shumë kohë për të ndryshuar ndjeshëm strukturën e fermave, qoftë edhe për të dyfishuar madhësinë e fermës. Megjithatë, kjo pjesë e bujqësisë do të duhet të mbështetet për t’u bërë konkurruese në tregjet e brendshme dhe ato rajonale.
Fermerët, thonë ekspertët, duhet të përfitojnë mbështetje në kuadrin e zhvillimit rural, veçanërisht në përdorimin e agro-biodiversitetit, mbrojtjen e mjedisit dhe masat për uljen e varfërisë, duke shfrytëzuar edhe prioritete të tjera të diversifikimit të prodhimit, veçanërisht agroturizmin, atje ku janë potencialet.
Pikërisht, kësaj filozofie i shërben edhe realizimi i edicionit të katërt të ‘Terra Madre’ (që organizohet çdo dy vjet), një event ku mblidhen bashkë fermerë dhe prodhues të vegjël nga 12 vendet e Ballkanit, Turqisë dhe Italisë. Për herë të parë, Shqipëria bëhet pritësja e saj. Rajoni i Ballkanit ‘strehon’ pjesën më të madhe të fermerëve, ndaj dhe ekspertët thonë se është koha që ai të vendoset në qendër të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.
Shqipëria është një nga ato vende të rajonit që po përballet me sfidën e zhvillimit të qëndrueshëm. Ekspertët thonë se shteti duhet të mbështesë fermerët, t’u japë atyre mundësi të qëndrojnë në tokën e tyre dhe të prodhojnë atë që është e përshtatshme për burimet vendore. Vendi ynë ka 22 produkte të regjistruara në ‘Arkën e Shijes’ që përbëjnë katalogun e produkteve që janë në rrezik zhdukjeje, dy ‘Presidio slow food’ që janë: glikoja e Përmetit, djathi Mishavinë (i prodhuar nga barinjtë e Kelmendit), etj.
Në kushtet kur vendi ynë ka sipërfaqe të vogla, ekspertët thotë se qasja duhet të jetë bujqësia shumëfunksionale, e cila përveçse kryen funksionin e saj parësor, është në gjendje që të ofrojë edhe një sërë shërbimesh që garantojnë zhvillim dhe siguri ushqimore.
Tradita gastronomike, sipas ekspertëve, është gjithashtu një element i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe historike dhe kulturore. Investimi te tradita i jep Shqipërisë vlerë të shtuar dhe përcakton rolin e saj në një treg më të madh siç është ai i Bashkimit Europian.
Në përfundim të përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë europian do të bëhet një regjistrim, një procedurë e thjeshtë që iu lejon fermerëve shitjen e prodhimeve të tyre nëse janë në përputhje me standardet e higjienës dhe sigurisë.
Të modifikohet struktura e fermave shqiptare
Flet Pier Paolo Ambrosio, drejtues i VIS Albania
Pier Silvio Ambrosio, prej 25 vjetësh, jeton dhe punon në Shqipëri. Ai është aktiv në mbështetjen e fermerëve të vegjël, veçanërisht të zonës së Kelmendit, e cila njihet për prodhimin e një djathi tepër të veçantë.
Bujqësia shqiptare vazhdon të haset me shumë sfida dhe ende nuk arrin të jetë konkurruese…
Të flasësh për bujqësinë shqiptare do të thotë të gjendesh përballë një problemi kompleks. Megjithatë, mendoj se aspekti thelbësor ka të bëjë me strukturën e tokës së punueshme të ndërmarrjeve bujqësore. Kjo gjendje është rezultat i reformës agrare të korrikut 1991 (ligji 7501). Objektivi i asaj reforme ishte që t’i jepej një përgjigje e menjëhershme një gjendjeje emergjente kombëtare. Në 25 vitet e shkuara, Shqipëria ka bërë ndryshime rrënjësore, por gjendja e strukturës së tokës së punueshme është e njëjta: pra një familje fermere ka mesatarisht në dispozicion të paktën 1,5 hektarë tokë, e shpërndarë zakonisht në tre–katër parcela larg nga njëra-tjetra. Kjo lloj “ferme” nuk mund të japë të ardhura dhe për këtë arsye nuk lejon investim.
Nëse duam të flasim për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, problemi i parë për t’u përballuar është si të modifikohet struktura e fermave aktuale për të pasur një fermë që të jetë në gjendje të prodhojë të ardhura të mjaftueshme që të mund të bëjë një investim. Me të njëjtin problem janë përballur në të kaluarën të tjera vende, mes të cilave Italia, me rezultate të shkëlqyera, përmes themelimit të “Arka për krijimin e pasurive të vogla rurale”. Bëhej fjalë për një bankë shtetërore, që u jepte hua bujqve për të blerë tokë bujqësore për të rritur sipërfaqen e fermave të tyre. Kjo ishte një hua e lehtësuar (1.5-2%) dhe për një kohëzgjatje prej 20,30 deri në 40 vjet. Në këtë mënyrë, një bujk që donte që të përmirësonte seriozisht ndërmarrjen e tij, mund ta bënte. Një masë e ngjashme në Shqipëri do të ketë dy rezultate të rëndësishme: nga njëra anë, do të fillonte një proces stabiliteti ekonomik për ato familje që dëshirojnë të jetojnë me bujqësi. Nga ana tjetër, do të shndërrohej sot në një pasuri në thelb jo prodhuese, në pasuri financiare menjëherë të investueshme në aktivitete të tjera ekonomike.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që pengon zhvillimin e bujqësisë, është mungesa e shoqatave të prodhuesve. Në vendet e Bashkimit Europian janë këto shoqata që në përgjithësi garantojnë hyrjen në treg të produkteve kryesore.
Si mund të arrihet që të njihen nga fermerët shqiptarë, mundësitë e reja të bashkëpunimit rajonal?
Këto evente janë të rëndësishme për dy arsye.
E para, është kontributi që këto nisma ofrojnë në rritjen e ndërgjegjësimit, nga ana e autoriteteve kompetente, e nevojave për të përcaktuar veprime konkrete për mbrojtjen e prodhuesve të vegjël dhe fermat familjare.
E dyta, ka të bëjë me vetë fermerët dhe është vetëdija të mos ndihen të përjashtuar, por në qendër të një ngjarjeje ndërkombëtare, së bashku me shumë të tjerë që kanë të njëjtat probleme. Kjo jep besueshmëri, thellon angazhimin, jep krenari, për të qenë pjesë e rëndësishme e një procesi që i përket jo vetëm të gjithë Ballkanit, por së gjithë Europës.
Sipas jush, ku qëndrojnë problemet e zhvillimit rural në vendin tonë?
Për shumë kohë, është menduar që zhvillimi rural i përket vetëm bujqësisë dhe blegtorisë. Koncepti ka evoluar dhe tani mendohet për zhvillimin rural në termat e zhvillimit të mbarë territorit jo urban. Para së gjithash një premisë: ekziston një problem që lidhet me situatën në Shqipëri, ku bota rurale konsiderohet “e prapambetur” dhe të mendohet që duhet rifituar me shpejtësi prapambetja, ekziston rreziku i propozimit të zgjidhjeve që ngatërrojnë modernizimin me zhvillimin. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm të mos bëjmë veprime zbukuruese, që nuk ndryshojnë thelbin. Sfidat në thelb janë tre: formimi profesional i qëndrueshëm, garancia e shërbimeve të duhura dhe ndryshimi i brezave.
Formimi profesional i qëndrueshëm, në zonat rurale, është një kusht i domosdoshëm për t’i dhënë botës rurale një rol efikas në ekonominë e vendit.
Në vitet e fundit është regjistruar një ndryshim, por për më shumë se 20 vjet, formimi profesional shqiptar ka qenë i fokusuar pothuajse ekskluzivisht në fushat joprofesionale. Për zonat rurale, kjo ka prodhuar një varfërim të vazhdueshëm, sepse u ka hequr zonave rurale përveç ‘krahëve edhe kokat, trurin’.
Sfida e dytë u përket shërbimeve thelbësore: nëse duam zhvillimin rural, të paktën shkolla dhe shëndetësia duhet të kenë një nivel mjaftueshmërisht dinjitoz.
Sfida e fundit është pasojë e drejtpërdrejtë e dy të parave. Ndryshimi i brezave tani është bllokuar. Nëse nuk marrim masa të përshtatshme në kohë, pas 10-15 vitesh fermerët aktualë do të jenë në pension dhe do të zhduket bujqësia familjare në vend. Pra është e rëndësishme që të mendojmë sa më shpejt masat që nxisin çiftet e reja të jetojnë në fshat. Për këtë, e përsëris, shërbimet bazë dinjitoze dhe formimi profesional i vazhdueshëm, janë kushte paraprake të domosdoshme.
Gastronomia është një nga pikat e forta, si mund të kthehet ajo në një avantazh për promovimin e agroturizmit shqiptar?
Po e nis nga një kujtim personal. Në verën e pesë viteve më parë, shkova për herë të parë te ‘Mrizi i Zanave’, në Fishtë, i shtyrë nga kurioziteti pasi më kishte folur një mik. Kur u ktheva në shtëpi, i telefonova gruas sime duke i thënë tekstualisht: “Kam qenë për drekë në një agroturizëm që është hapur para pak kohësh, ku të shërbejnë pjata tradicionale shqiptare të përgatitura dhe të servirura sikur të jesh në një restorant në qendër të Parisit”. Kjo është rruga për të hyrë në tregun europian. Pas kësaj qëndron një formim shumë i madh profesional (në këtë rast, shumë vite punë në Itali).
Më pas, për të afirmuar një produkt tipik tradicional, duhet të garantohet vërtetësia e procesit. Kjo nuk është aq e mundur nëse futen rregullat e rrepta europiane. Për këtë, Bashkimi Europian ka prezantuar mundësinë e përshtatjes së ndryshimeve, për të cilën kanë kërkuar gjerësisht vende si Italia dhe Franca. Është një detyrë e vetë politikës. Nëse mbizotëron nxitimi, ashtu siç ka ndodhur me disa vende të Ballkanit që kanë hyrë në Bashkimin Europian në vitet e fundit, ekziston rreziku që nga njëra anë hyn në Europë dhe nga ana tjetër, pengohen bujqit që të jetojnë në vendin e tyre. ‘Slow Food e Slow Europe’.
Toka Mëmë…
‘Terra Madre’ është një manifestim ndërkombëtar i organizuar nga ‘Slow Food’ çdo dy vjet, që nga viti 2004, në Torino, në të cilin marrin pjesë prodhuesit e vegjël nga e gjithë bota.
Më pas, ‘Slow Food’ ka vendosur, në vitin 2010, që ta shoqërojë manifestimin botëror me një më specifik për vendet e Ballkanit. Pas dy edicionesh në Bullgari dhe një në Kroaci, është zgjedhur Shqipëria. Ky vendim ka në thelb dy arsye: në Ballkan, bota rurale zë një vend të rëndësishëm si në nivel ekonomik, ashtu edhe shoqëror. Përveç kësaj, vendet ballkanike historikisht janë të destinuara të jenë pjesë integrale, herët a vonë, të Bashkimit Europian dhe zhvillimi rural në Bashkimin Europian, ka një vend të rëndësishëm në zërat e shpenzimet.
TMB është përshtatur në këtë kontekst për t’iu dhënë prodhuesve të vegjël (artizanët e ushqimit tonë të përditshëm) një vend në zemër të axhendës politike të atyre që duhet të udhëheqin procesin drejt integrimit europian.
Në edicionin e saj të katërt TMB do të zhvillohet në Shqipëri, si për faktin që është një vend dinamik, dhe se negociatat për integrimin europian kanë filluar kohët e fundit dhe është e dobishme t’i futemi menjëherë rrugës për të mundësuar akses të gjerë në fondet IPARD.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.