Kompanitë e mëdha të naftës dhe energjisë po minojnë arkën e shtetit, teksa janë kthyer në debitorët më të mëdhenj ndaj arkës së shtetit.
Në një raport të posaçëm të tatimeve për borxhin tatimor referohet se në totalin e detyrimeve tatimore të papaguara në afat, peshën kryesore e zënë kompanitë ARMO, OSHEE dhe KESH me 40 miliardë lekë ose 27.2 % të të gjithë shumës së borxhit të papaguar në fund të vitit 2016.
Sipas tatimeve, entet shtetërore janë tatimpaguesit më të këqij janë me rreth 17% të totalit të stokut të borxhit në fund të vitit 2016.
Me ligjin e fshirjes fiskale detyrimet janë lehtësuar disi, por kompania OSHEE rezulton debitorë në tatime me rreth 100 milionë dollarë deri në fund të shtatorit 2017.
Në fund të shtatorit të këtij viti kur procesi i fshirjes së detyrimeve lehtësoi stokun e borxhit tatimor në 120 miliardë lekë nga 147 miliardë lekë që kishte qenë deri në fund të vitit 2016, 10 kompani rezultuan se kishin më shumë se 33 për qind të këtyre detyrimeve.
Tatimet raportojnë se 40 miliardë nga tatimet e papaguara zotërohen nga kompanitë OSHEE, ARMO, KESH, Ionian Refining and Trading Company– IRTC, EFOR, Top Bast, Geotec Albania Branch, Belle Air, Fullpet, Bankers Petroleum Albania.
Ndërkohë burime nga Bankers sqaruan për Monitor se kompania nuk ka detyrime të papaguara në Tatime. “Edhe vlerësimi tatimor prej 5 miliardë lekë + 2.5 miliardë lekë i vendosur nga tatimet në vitin 2015 është tashmë zeruar nga tatimet pas vendimit të eksperteve të pavarur në favor të Bankers”.
Vihet re gjithashtu se në rritjen e detyrimeve tatimore të papaguara në afat, peshën kryesore e zënë ndërmarrjet shtetërore OSHE dhe KESH me 28.5 miliard lekë ose 23.7 % të të gjithë shumës së borxhit të papaguar në fund të muajit shtator 2016.
Tatimet referojnë se ndër vite janë ndërmarrë iniciativa ligjore për faljen e detyrimeve tatimore të papaguara, por të tilla iniciativa ligjore asnjëherë nuk janë ndërmarrë paralelisht me thjeshtimin e procedurave, me fushata sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit si dhe luftën kundër informalitetit, duke çuar kështu në mospërmbushjen e plotë të objektit kryesor të synuar për faljen e detyrimeve.
Kjo duket qartë nga fakti se një masë e madhe detyrimesh tatimore edhe pse kanë qene objekt i ligjeve të faljeve ndër vite, kanë mbetur në llogarinë e tatimpaguesve dhe nuk janë shuar.
Më 2016, borxhi tatimor u rrit me 45%
Në fund të vitit 2016 gjendja e detyrimeve të papaguara arrin në rreth 147 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej 45,5%, krahasuar me një vit më parë.
Përveç shtimit të detyrimeve të papaguara në vlerë gjatë vitit të kaluar pati një rritje të ndjeshme të numrit të bizneseve të cilat kishin këto detyrime. Në fund të vitit 2016 numri i këtyre bizneseve arriti në 146.650 dhe nga këto 70,519 tatimpagues janë aktualisht me status aktiv dhe diferenca për 76,131 janë tatimpagues me status pasiv.
Nga numri total i tatimpaguesve me detyrime tatimore të papaguara në fund të vitit 2016, 53,445 prej tyre janë tatimpagues të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratat e tyre elektronike për lloje te ndryshme detyrimesh tatimore të viteve 2015 dhe 2016. Ky numër i madh tatimpaguesish janë ngarkuar në mënyre automatike me 187 mijë gjoba për mosdeklarim, Tatimet sqarojnë se në rritjen e shumës së borxhit dhe sidomos të numrit të tatimpaguesve me borxhe në fund të vitit 2016 krahasuar me atë të fundit të vitit 2015, ka ndikuar së tepërmi fakti që deri në muajin mars 2016, shuma e borxhit dhe numri i tatimpaguesve raportohej manualisht dhe merrte për bazë vetëm njoftim vlerësimet e lëshuara për tatimpaguesit.
Me implementimin e sistemit të ri informatik të tatimeve, raportimi i borxhit të papaguar në afat, që nga muaji mars 2016 e në vijim bëhet në bazë të të dhënave të sistemit informatik, i cili si shumën e borxhit për çdo tatimpagues ashtu dhe numrin e tatimpaguesve me borxhe e përllogarit jo vetëm në bazë të njoftim vlerësimeve të lëshuara për tatimpaguesit por edhe për rastet e gjobave për deklarim me vonesë apo për mosdeklarim nga ana e tyre, e gjobave për pagesë të vonuar dhe të interesave për pagesë të vonuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.