Konsumatorët shqiptarë i provuan për vite me radhë pasojat e një tregu monopol apo duopol në fushën e telefonisë celulare, përmes çmimeve të larta dhe shërbimeve të kufizuara. Por dy vitet e fundit është rishfaqur rreziku i pozicionit dominues në treg. Hetimi i autoritetit të Konkurrencës dhe si shkelet konkurrenca në treg…
Në 1998-n, vit në të cilin filloi veprimtarinë në treg kompania e parë celulare, Albanian Mobile Company (AMC), shërbimet celulare konsideroheshin luksi, të largëta dhe të paarritshme nga shtetasi shqiptar me të ardhura mesatare. Vetëm zotërimi i një numri, do t’i kushtonte klientit rreth 100,000 Lekë. Për 5 vjet, tregu i telefonisë së lëvizshme ishte monopol i një kompanie, AMC, deri në vitin 2001, vit në të cilin iu dha licenca për ushtrimin e veprimtarisë në këtë treg, operatorit të dytë në vend, Vodafone. Pritshmëritë e opinionit publik u rritën në momentin që Vodafone hyri në treg dhe fokusi i vëmendjes ishte pikërisht te ulja e çmimeve. Por, mungesa e metodologjisë që do të rregullonte tarifat në varësi të kostos, sipas ligjit, bëri që këto kompani të mos konkurronin me tarifat, por me elementë të tjerë të marketingut. Cullen Report 2 – Country Comparative Report, i hartuar në vitin 2006, shkruante se 2 kompanitë e telefonisë celulare që ushtronin veprimtarinë në atë kohë në vend, i tarifonin abonentët me tarifa shumë herë më të larta se mesatarja e rajonit.
Gjobat për pozitat dominuese
Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka konstatuar gjatë periudhës 2004 dhe 2005 se në tregun shqiptar të telefonisë së lëvizshme, ka pasur abuzime me pozitën dominuese të operatorëve AMC dhe Vodafone, të cilët janë gjobitur nga autoriteti në fjalë, për pozitën e tyre dominuese në tregun e telefonisë celulare, nëpërmjet aplikimit të çmimeve të padrejta gjatë viteve 2004 dhe 2005. Operatorët u gjobitën respektivisht me shumat AMC Sh.A me 211 552 000 lekë dhe Vodafone Albania Sh.A me 242 633 000 lekë.
Hyrja e operatorëve të rinj rriti konkurrencën, uli çmimet
Nga evidencat e enteve rregullatore dhe mbikëqyrëse të tregut të telefonisë së lëvizshme, për vitin 2011, shfaqet qartë rëndësia e hyrjes në treg të dy operatorëve të rinj, ndër të cilët dhe PLUS Communication. Vlen të përmendet fakti se vetëm përpara 6 vitesh, në tregun duopolistik të telefonisë së lëvizshme në vend, konsumatori paguante shumën prej 500 Lekë, për të komunikuar vetëm për 7-8 minuta, brenda apo jashtë rrjetit. Ndërsa sot, me po të njëjtën vlerë ai mund të komunikojë më mijëra minuta e SMS si dhe të shpenzojë mijëra MB për të lundruar në Internet.
Rritja e numrit të operatorëve, solli si pasojë direkte shtimin e konkurrencës në cilësinë e shërbimit të ofruar, uljen e menjëhershme dhe të konsiderueshme të çmimeve si dhe një varietet paketash, të cilat ofrojnë për konsumatorin vlera të larta njësish komunikimi, me çmime mjaft të ulëta. Konsumatori dhe përfitimet e tij u vendosën gjithmonë e më shumë në qendër të vëmendjes së operatorit.
PLUS konstaton shkelje të konkurrencës së lirë
Problematika aktuale e tregut të telekomunikacionit në vend, cenimi i konkurrencës së drejtë e të lirë, që zanafillat i ka në të shkuarën, ashtu siç tregohet dhe në rastet e mësipërme, shtynë PLUS të kërkonte nisjen e hetimeve mbi sjelljen e operatorit të telefonisë celulare Vodafone.
PLUS konsideron se Vodafone po abuzon me pozitën e tij dominuese duke përdorur një strategji tregu që synon fuqizimin e pozitës së tij nëpërmjet konsolidimit dhe rritjes së pjesës së tij të tregut dhe duke mos lënë hapësira për operatorët konkurrues dhe në veçanti për operatorët e rinj, si PLUS.
Më konkretisht PLUS parashtroi opinionin e tij para AK dhe kërkoi kryerjen e një hetimi në lidhje me abuzimin me pozitën dominuese për sa i përket diferencës në çmimet që Vodafone aplikon lidhur me shërbimet me pakicë.
Këto diferenca shfaqin një zgjedhje të qartë që Vodafone ka bërë për të zbatuar një marzh shumë më të lartë fitimi për trafikun e thirrjeve jashtë rrjetit (off-net) duke subvencionuar, kështu, shërbimet e veta me pakicë në kurriz të operatorëve të tjerë.
Këto diferenca në çmim, janë të pajustifikueshme dhe synojnë të nxisin klientët që të zgjedhin dhe të qëndrojnë në rrjetin e Vodafone (sidomos brenda Vodafone club). Në fakt, në këto kushte, klientët e Vodafone nuk mund të kryejnë telefonata drejt operatorëve të tjerë me çmim të leverdishëm apo të paktën proporcional, pasi tarifat e planit të Vodafone Club kundrejt rrjeteve të tjera apo operatorëve të tjerë, janë tepër të larta, në krahasim me ato që ofrohen nga konkurrenca.
Për të kërkuar hapjen e një hetimi mbi këtë çështje, PLUS u mbështet gjithashtu edhe në praktikën evropiane dhe ndërkombëtare.
Precedenti i Autoritetit Francez për Mbrojtjen e Konkurrencës (ERG) evidenton të njëjtat shqetësime në tregun përkatës, si ato të ngritura nga operatori PLUS. Autoriteti i Francës konsideron se nëse ndërmarrja dominuese vendos çmime on-net (brenda rrjetit) më të ulta sesa çmimet off-net (jashtë rrjetit), ajo krijon një efekt-rrjet, apo të ashtuquajturin efekt klub , i cili mundëson përjashtimin e konkurrentëve nga tregu. Në veçanti, sa më i lartë të jetë çmimi për thirrjet off-net (jashtë rrjetit) krahasuar me ato on-net (brenda rrjetit), aq më të larta janë mundësitë që ndërmarrja dominuese të zbatojë një strategji grabitqare me qëllim bllokimin (lock-in) e klientëve të saj dhe përjashtimin e konkurrentëve nga tregu.
ERG nga ana tjetër, specifikon se ndikimi negativ në konkurrencë, që vjen nga efekti i rrjetit (network effect) përforcohet në tregje të ngopura, meqë operatorët e vegjël dhe në veçanti operatorët e rinj kanë vështirësi të tërheqin konsumatorët drejt rrjeteve të tyre, duke qenë se ata nuk mund të përfitojnë nga ekonomia e shkallës, ashtu si operatorët e mëdhenj. Rrjedhimisht, vetëm operatori i madh mund të përfitojë nga diferencimi i çmimit on-net me off-net; ndërkohë që konkurrentët më të vegjël dëmtohen.
Pasojat e kufizimit të konkurrencës
Nëse tregu i telefonisë së lëvizshme do të vazhdonte të pësonte kufizimet aktuale të konkurrencës nga abuzimi me pozitën dominuese të një operatori, operatorët më të rinj në treg, brenda një periudhe afatshkurtër, do ta kishin të pamundur të vazhdonin të operonin në këtë treg, çka do të sillte në mënyrë direkte, një ulje të konkurrencës.
Abuzimi me pozitën dominuese
Në vendet që udhëhiqen nga parimet e një konkurrence të drejtë dhe të efektshme, pozita dominuese që një sipërmarrës zotëron në tregun në të cilin ushtron veprimtarinë, është pothuajse gjithmonë e analizuar me detaje dhe e kontrolluar periodikisht nga entet rregullatore dhe mbikëqyrëse.
Çdo praktikë, produkt, shërbim apo sjellje e një operatori me pozitë dominuese, për shkak të influencës së tij në treg, mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në shtrembërimin e konkurrencës së lirë, në kufizimin e saj ose në raste të veçanta edhe eliminimin e kësaj të fundit.
Pozita dominuese e një sipërmarrësi në një treg të caktuar, në vetvete, nuk është e sanksionueshme. Por në rastin kur praktikat e ushtruara nga një sipërmarrës me pozitë të tillë kanë ndikim negativ në treg, cenojnë konkurrencën e lirë apo mund të ndikojnë në eliminimin e një lojtari më të vogël, atëherë praktikat e sipërmarrësit dominant kthehen në praktika abuzuese. Koncepti i abuzimit është objektiv dhe i referohet sjelljes së ndërmarrjes me pozitë dominuese, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në strukturën e tregut, ku, si rezultat i pranisë së ndërmarrjes në fjalë, niveli i konkurrencës dobësohet.
Rëndësia e operatorëve më të rinj
Hyrja në treg e operatorëve të rinj vitet e fundit i ka dhënë dimensione të reja tregut të telefonisë celulare në vend, duke bërë që ky treg më së fundmi të marrë formë dhe të funksionojë, njësoj si tregjet në vendet e zhvilluara të botës, të cilat fokusohen tek klienti dhe jo tek përfitimet monopolistike apo duopolistike. Konkurrenca e lirë dhe e fuqishme i ka shtyrë operatorët të ofrojnë shërbime cilësore dhe tarifa të ulëta për klientët e tyre, duke e sjellë shërbimin e telefonisë së lëvizshme më afër konsumatorit.
Sot ky shërbim nuk është më një luks dhe tarifat e ofruara nga operatorët janë ulur aq shumë sa t’u ofrojnë atyre komunikim me tarifa mjaft të ulëta.
Vendosja e probabilitetit të numrit gjithashtu rriti dhe më shumë konkurrencën në treg duke bërë që operatorët, sidomos ata që hynë rishtazi në treg dhe u përballën me të mëdhenjtë, të dëgjonin nevojat e konsumatorëve, duke i kthyer ata në arkitektë të planeve të tyre të komunikimit, duke u ofruar varietete produktesh dhe ofertash, prej të cilave mund të zgjedhin shërbim të mirë dhe çmime të ulëta!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.