Bujqësia është një nga sektorët që vuan mungesën e kreditimit, edhe për shkak të ekspozimit të lartë ndaj rreziqeve që mund të jenë natyrore, sezonale dhe të keqmenaxhimit. Drejtuesit e institucioneve të mikrofinancës shprehen se zhvillimi i plotë i zinxhirit do të krijonte më shumë garanci për kreditimin. Nga ana tjetër, mbetet i ulët aksesi ndaj fondeve që BE-ja vë në dispozicion
Në bujqësinë shqiptare, kërkesat për financim janë të larta dhe mikrofinanca ka ndikim të ndjeshëm në këtë tendencë. Për çdo hua që jepet nga ana e mikrofinancës krijohen 1.4 vende të reja pune. Ndërsa qeveria shqiptare po shikon mundësinë që shumë shpejt të mund të përfshijë edhe bankat, duke ju dhënë atyre garancitë e nevojshme për t’u ekspozuar ndaj këtij sektori.
“Bujqësia është dukshëm e pafinancuar. E pamjaftueshme është edhe mbështetja buxhetore. S’mund të themi që jemi përmirësuar shumë, ndaj mendoj se 50 milionë euro subvencione për fermerët janë asgjë nëse shohim nevojat reale. Çështja që ngrihet është ku do t’i gjejmë këto para shtesë që na duhen për të mbështetur fermerët? Mikrofinaca edhe sot mbetet instrumenti më i mirë financiar për të përmbushur nevojat e fermerëve. Ajo ka instrumentin e duhur për fermerët e vegjël që kemi në Shqipëri, pasi ofron kushte më të përshtatshme dhe më të lehta për financimin, sipas nevojave që kanë. Po përpiqemi të përfshijmë aktorë të tjerë, siç janë bankat që deri më tani kanë qenë disi skeptike, për shkak të riskut që ka sektori. Ne duhet të ofrojmë garanci për këto banka, që ndjekin një tjetër qasje ndaj bujqësisë”. Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Qendrës Europiane të Mikrofinancës që u mbajt në Tiranë, në të cilën morën pjesë mbi 600 të ftuar, 104 fonde, institucione dhe banka nga 32 shtete të Europës.
Sipas tij, sektori i bujqësisë duhet të përfitojë nga avantazhet, duke bërë që të mbërrijmë të parët në tregje në krahasim me fqinjët tanë.
“Një tjetër mundësi investimi që mund të gjejë likuiditet te mikrofinanca janë pikat e grumbullimit dhe të tregtimit.
Ndaj ne duhet të shkojmë te modeli i një bujqësie që orientohet nga tregu, pasi po humbasim shanset.
Produkti duhet të lidhet me tregun dhe financimi është mekanizmi që mundëson zhvillim. Unë e quaj këtë model të bazuar tek agregatet, që në këtë rast janë investitorët që investojnë në pikat e grumbullimit, në serra, në paketim, etj., gjë e cila do të mbyllte zinxhirin dhe do të krijonte siguri për kredituesit.
Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ky është modeli që po zhvillohet sot për sot. Fermerët sot, kërkojnë fonde për të zgjeruar aktivitetin, për të investuar në linjat e paketimit, si dhe në të gjithë linjat që do të plotësonin zinxhirin dhe që do të garantonin produktin të shkonte në treg.
Por, rritja e produktivitetit nuk mund të vijë nëse nuk investohet në qendrat e mëdha të grumbullimit.
Nëse ka rritje të prodhimit, nëse ka sasi të mëdha, atëherë ai duhet të grumbullohet, pasi në të kundërt do të dëmtohet dhe kjo do të thotë humbje.
Një tjetër model që e vlerësoj si të suksesshëm është edhe ai i agroturizmit, që mund të zhvillohet më tej në zonat malore dhe ato kodrinore. Unë e vlerësoj si një kombinim shumë të mirë, duke qenë se në fokus nuk është vetëm produkti, por edhe mënyra sesi përpunohet dhe serviret”, tha ministri Panariti.
Ai vlerësoi si të domosdoshme edhe zhvillimin e produkteve të sigurimeve në bujqësi. Ka disa përpjekje, tha Panariti nga ana e shoqërive të kursim-kreditit që, në bashkëpunim edhe me shoqëritë e sigurimit, të prezantojnë produkte të dizenjuara për këtë treg. Ato lidhin kreditin me sigurimin e biznesit. “Qeveria përpiqet të ndihmojë në rastet e fatkeqësive natyrore, siç janë përmbytjet që përsëriten vit pas viti, por kjo nuk duhet të jetë zgjidhja finale. Në Shqipëri mungon kultura e sigurimit, por nëse një investim nuk sigurohet, ai mund të zhduket. Ne shohim si të mundshme zbatimin e skemave të subvencionimit të sigurimit në bujqësi. Kjo për arkën e shtetit do të thoshte humbje, por ky është një rrezik që duhet të përballohet, pasi në këtë mënyrë do të rritej edhe ndërgjegjësimi”, tha ministri Panariti.
Herjola Spahiu, kryetare e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, u shpreh se ky sektor po jep ndikimin e tij në zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke kontribuar edhe në rritjen direkte të punësimit. “Janë dhënë mbi 350 mijë hua nga mikrofinanca që kryesisht janë fermerë apo sipërmarrës të rinj në zonat rurale dhe urbane, duke bërë që të përfitohen më shumë se një miliard dollarë”, tha znj. Spahiu.
Mikrofinanca shihet si një nga sektorët që mund të ndihmojë në zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke qenë se ka rrjetin për të siguruar financimin për këta sektorë.
Ndërsa përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë thanë se roli i institucioneve të mikrofinancës është i rëndësishëm në kreditim. Sipas tyre, evidentohen raste kur mikrofinancat kanë rezultuar më efikase se bankat komerciale.
Ajo sot përfaqëson mbi 20% të portofolit në numër të kredive të dhëna në vend. Financime të cilat kanë shkuar kryesisht drejt biznesit të vogël, fermerëve dhe individëve me të ardhura të ulëta, duke arritur ndër vite 350,000 përfitues për më shumë se 1 miliard dollarë në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.