Në dhjetë vitet e ardhshme pritet të rritet deri në 70% numri i përfituesve nga programet sociale të strehimit. Qeveria së fundmi miratoi projektligjin e strehimit social, që i hap rrugë dyfishimit të programeve
Në Shqipëri, prej vitesh ka munguar kuadri i plotë për strehimin dhe nuk ka pasur një shifër të saktë për numrin e të pastrehëve. Projektligji i miratuar së fundmi nga qeveria dhe i hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban parashikon shtimin e numrit të programeve dhe si rrjedhim, edhe përfituesit. Gjithashtu për herë të parë parashikohet edhe kontributi i sektorit privat. Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor që, investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi për efekt përfitimi, mbi 2,000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim e të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik, të banesave sociale me qira. Këto 50 metra katrorë, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepen në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi.
Nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese, për efekt përfitimi, kërkon rritje të volumit të ndërtimit, krahasuar me standardet e miratuara në planin vendor dhe vetëm atëherë, kur bashkia ka miratuar një plan vendor, mund t’i akordohet shtesa në volum, përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi, në favor të bashkisë.
Projektligji “Për strehimin social” ka përfshirë edhe risi të tjera si: dyfishimi i programeve të strehimit (ku përfshihet edhe programi i strehëve të përkohshme); dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale dhe familjet pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit, i cili do të jetë i kombinuar me fondet që MZHU planifikon me ato të bashkive; krijimi i pronarit social, si mundësi që subjektet private, duke hyrë në marrëdhënie me bashkinë, të japin me qira banesat e tyre; krijimi i fondit social (sigurimi i banesave si fond i përhershëm i bashkisë), rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimi në fond banesash, si dhe sigurimi i një strehimi të përshtatshëm për komunitetet vulnerabile.
Numri i programeve arrin në gjashtë
Ligji ekzistues i Programeve Sociale të Strehimit lidhej me faktin se ky ligj nuk adreson një pjesë të mirë të kategorive në nevojë, duke i lënë jashtë skemave apo programeve financiare të strehimit. Me ndryshimet janë shtuar dhe tre programe të reja, duke e zgjeruar në këtë mënyrë kategorinë e përfituesve në nevojë. Pra në total do të jenë 6 programe: a) Programi i banesave sociale me qira; b) Programi i banesave me kosto të ulët; c) Programi i banesave ekzistuese ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri; d) Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; e) Programi i strehëve të përkohshme dhe f) Programi i banesave të specializuara.
Programet e reja u japin mundësi bashkive të krijojnë fondin e strehimit për të dhënë banesa sociale me qira, si dhe të përshtasin kërkesat për strehim të qytetarëve, në një nga këto programe, mbështetur rigorozisht në kushtet ekonomike, sociale dhe familjare të tyre.
Përfituesit, kushtet që duhet të plotësojnë
Projektligji parashikon kritere të përgjithshme dhe kritere të veçanta për secilin prej programeve. Kushtet bazë janë ato lidhur me situatën konkrete të strehimit (nuk kanë banesë në pronësi; banojnë në banesë që paraqet rrezik shembjeje; në banesë të mbipopulluar; mbeten të pastrehë nga fatkeqësi natyrore apo mund të humbasin banesën për shkak të zhvendosjes apo zbatimit të një vendimi gjyqësor); kushtet familjare (familje me një prind; vajzat nëna; të moshuarit e vetëm; familjet me më shumë se katër fëmijë; çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç); kushtet sociale (personat me aftësi të kufizuar; personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç; komuniteti rom, komuniteti egjiptian; emigrantë të kthyer; familjet e punonjësve të rendit, të rënë në detyrë; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit etj.); kushtet ekonomike (familjet pa të ardhura; me të ardhura shumë të ulëta; të ulëta; mesatare).
Familjet përfituese do të përzgjidhen përmes një sistemi pikëzimi, i cili do ta hartohet në bashkëpunim me INSTAT-in.
Pra kemi synuar të hartojmë një ligj ku të përfshihen në skemat e strehimit dhe të mbështetjes me programe financiare, të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë, në pamundësi reale për të disponuar një banesë me kushtet e tregut.
Privati, ja sesi duhet të kontribuojë
Në këtë projektligj janë ofruar dy modele të reja, që përcaktojnë se si sektori privat mund të përfshihet e të jetë një partner i qëndrueshëm edhe në sektorin e strehimit.
Modeli i parë është “pronari social”, që mund të jetë çdo subjekt privat, që kërkon të investojë në banesa sociale me qira ose që disponon banesa për t’i dhënë me qira për familjet në nevojë për strehim, duke u regjistruar pranë bashkisë me këtë status.
Modeli i dytë është ai i pjesëmarrjes së subjekteve private në krijimin e fondit publik të banesave sociale. Ky fond do të jetë në pronësi të bashkive dhe do të krijohet nga ndërtimet e reja, blerjet e banesave në treg të lirë ose ankand, blerjet ose ndërtimet e banesave përmes të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, të mbledhur nga njësitë e qeverisjes vendore.
Të dy këto modele aplikohen për herë të parë në Shqipëri dhe ne si Ministri jemi angazhuar si gjatë konsultimeve publike që po zhvillojmë për prezantimin e këtij projektligji, por edhe përmes takimesh me përfaqësues të sektorit privat, të qartësojmë më tej mekanizmat dhe procedurat e nevojshme të funksionimit të tyre.
Gjatë vitit 2017 do të jenë rreth 250 milionë lekë që do të aplikohen nga buxheti i shtetit për subvencionimin e interesave të kredisë për familjet që përfitojnë nga këto skema. Sipas të dhënave nga ky subvencionim pritet të përfitojnë 4,300 familje.
Në tre vitet e fundit, sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban janë rreth 737 familje të reja të cilave u janë subvencionuar interesat e kredive me interes 0%, 3% dhe 4%. Deri në vitin 2020 parashikohet që t’u subvencionohet kredia rreth 5,000 personave.
Po gjatë vitit të ardhshëm parashikohet që të mbulohet qiraja në masën 50 deri në 100% të vlerës për 210 familje të reja, nëpërmjet instrumentit financiar të “bonusit të strehimit”.
Në fakt, për periudhën deri në vitin 2018, shtetit do t’i duhet një vlerë prej 1.5 miliardë lekësh për të zbatuar detyrimet që lindin nga strategjia kombëtare e miratuar në vitin 2016. Hendeku llogaritet në rreth 59.8 milionë lekë, ndërsa financimi i donatorëve është parashikuar të jetë në masën e rreth 27.6 milionë lekëve.
Po gjatë vitit të ardhshëm, sipas të dhënave të Ministrisë së Zhvillimit Urban me fondet nga Enti Kombëtar i Banesave do të përfundojë ndërtimi i katër objekteve të reja të banimit, ku do të strehohen 160 familje të reja, përkatësisht në Bashkinë e Korçës, në Durrës, Lushnjë dhe Pukë.
Ndërsa me financimin e Bankës Europiane për Zhvillim (CEB) do të bëhet përfundimi dhe shpërndarja e 88 apartamenteve.
Programet
Programet sociale të strehimit të parashikuara me projektligjin e ri
-Programi i banesave sociale me qira (BSQ)
-Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese ose të përmirësimit të kushteve, deri në një ndërtim të ri
-Programi i banesave me kosto të ulët (BKU)
-Programi për zhvillimin e zonës, me qëllim strehimi
-Programi për krijimin e strehëve të përkohshme
-Programi i banesave të specializuara.Fondi
Projektligji parashikon krijimin e Fondit Publik të Banesave Sociale, përmes ndërtimeve të reja, blerjeve të banesave në treg të lirë ose në ankand, blerjeve ose ndërtimeve të banesave përmes të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, të grumbulluara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore në masën jo më pak se 1% të saj, përshtatjes së objekteve të dala jashtë funksioni dhe kalimit të pronësisë mbi pronat e konfiskuara si pasuri të vëna me aktivitet të paligjshëm, janë një tjetër risi e projektligjit.
Kontributi privat
Sektori privat kontribuon në krijimin e fondit publik dhe konkretisht, i konceptuar në këtë mënyrë: çdo shoqëri ndërtuese ose investitor që, investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi për efekt përfitimi, mbi 2000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim e të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik, të banesave sociale me qira. Këto 50 metra katrorë, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepen në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi. Nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese, për efekt përfitimi, kërkon rritje të volumit të ndërtimit, krahasuar me standardet e miratuara në planin vendor dhe vetëm atëherë, kur bashkia ka miratuar një plan vendor, mund t’i akordohet shtesa në volum, përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi, në favor të bashkisë.
Qiraja
Vlera e subvencionit të qirasë në tregun e lirë, mbulon deri në 100 për qind të qirasë mesatare në tregun e lirë. Dhënia e subvencionit të qirasë duke u financuar, edhe nga pushteti qendror në rastet kur njësitë e vetëqeverisjes vendore, nuk kanë mundësi financimi të subvencionit apo kur familjet janë pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta dhe nuk përballojnë dot qiranë, sjell në këtë mënyrë një risi për trajtimin e këtij instrumenti të programit të banesave sociale me qira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Kjo analize duket qe eshte marre fiks na relacioni i Ministrise. Madje ne disa fjali del “ministria” qe flet ne vete te pare shumes. Nuk ka asnje analize, aq me teper oponence te ketij projektligji dhe ato cfare ai parashikon. Perpunojini pak keto materiale kur ua sjellin nga ministrite se mbaheni dhe si reviste serioze!!!!
ke te drejte. Do e reflektojme. Ka ndodhur nga shpejtesia. Faleminderit