Qeveria shqiptare nuk ka ende një marrëveshje me dy fqinjët, Italinë dhe Greqinë, për njohjen e viteve të punës për emigrantët. Ekspertët thonë se sa më shumë të vonohet ky proces, aq më i vështirë, për të mos thënë i pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve nga emigrantët shqiptarë.
Greqia dhe Italia vazhdojnë të refuzojnë përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në skemën e pensioneve. Edhe pse ka pasur tentativa të përsëritura, në rrugë diplomatike të shtetit shqiptar, përgjigjja e vazhdueshme e marrë ka qenë vetëm refuzimi. Kjo edhe për shkak të kostove të larta, por edhe ndikimit që ka dhënë kriza ekonomike dhe financiare në të dy vendet.
Naim Balluku, përfaqësuesi i Patronatit INAS-CISL në Tiranë, bën një analizë të detajuar të gjendjes ekonomike në të cilën ndodhen emigrantët në Itali. Sipas tij, në legjislacionin italian dhe grek, për të përfituar një pension, krahas vjetërsisë kontributive në punë, e cila aktualisht është në proces zgjatjeje, për përfitimin e pensionit nevojiten edhe 20 vite vjetërsie kontributive, të cilat llogariten me javë pune. “Por, duhet të kemi parasysh se emigracioni ynë është i ri dhe janë të rralla ato raste të plotësimit të këtyre kushteve, e kështu rrjedhimisht emigrantët shqiptarë që plotësojnë moshën, privohen nga përfitimi i pensionit.
Bazuar në legjislacionin shqiptar për t’u përfshirë në kushtet e pensionit, qoftë dhe të pjesshëm, është e domosdoshme pasja e një vjetërsie kontributive jo më pak se 15 vite. Kjo vjetërsi kontributeve, në të shumtën e rasteve, është e paarritshme, por edhe nëse plotësohet, të ardhurat që përfitohen prej saj janë aq minimale (përfiton një pension rreth 6,000 lekë) që nuk mund të mendohet ta përballojë jetesën e tyre.
Ndërsa për të përfituar një pension në Itali e Greqi, është i domosdoshëm plotësimi i një vjetërsie kontributive prej 20 vitesh. Le të marrim në mënyrë hipotetike që një emigrant shqiptar në Shqipëri ka vjetërsi pune prej 14 vitesh dhe në Itali 19 vite, pra gjithsej 33 vite. Ky person nuk përfiton pension si në Shqipëri dhe në Itali”, thotë z. Balluku.
Kriza ekonomike e pranishme në Europë dhe mjaft e thellë në Greqi e në njëfarë mase edhe në Itali, ka bërë që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të humbasin vendet e punës. Këtë e tregon fakti se ndërsa niveli i papunësisë në Itali është aktualisht 12.8%, niveli i papunësisë për emigrantët shqiptarë është mbi 15.5%.
Më i lartë është ky nivel për gratë, 17.2%, ndërsa për të rinjtë në moshë 15 deri në 24 vjeç, niveli është tepër i lartë dhe kap shifrën prej 40%. Në Greqi, niveli i papunësisë është më i lartë se në Itali dhe kap një nivel prej 27.9% dhe më i larti në Europë.
Telashet e dy dekadave
Emigracioni shqiptar është relativisht shumë më i ri se ai i vendeve të tjera jokomunitare të Europës. Ai nisi pas viteve ‘90, fillimisht në mënyrë spontane dhe më vonë më i organizuar. Ashtu sikurse dihet, me mbylljen e ndërmarrjeve shtetërore pas vitit 1990, të cilat nuk i rezistonin kohës, një numër i madh punonjësish dolën të papunë. Po kështu u shpërbënë ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjet bujqësore. Numri i banorëve në fshat përbënte rreth 64% të popullsisë. Në këto kushte, kjo popullsi mbeti edhe pa ato të ardhura tepër minimale për të përballuar jetesën. “Në këtë mënyrë, emigracioni ishte një valvul, që shërbeu për të amortizuar në mënyrë të ndjeshme problemet e mëdha social-ekonomike të vendit. Aktualisht emigracioni shqiptar është sa 1/3 e popullsisë së regjistruar në Regjistrin Kombëtar, ku peshën kryesore e zënë Greqia dhe Italia. Por, një pjesë e mirë e emigrantëve ka punuar në Shqipëri, duke poseduar një vjetërsi pune kontributive në ish-ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat bujqësore. Në kushtet e këtij emigracioni, tepër të madh krahasuar me popullsinë, vjetërsia kontributive e tyre është e ndarë në dy pjesë; vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe vjetërsi kontributive në shtetin ku janë rezidentë.
Duke qenë në kushtet ku numri i emigranteve është shumë i madh (në Greqi dhe në Itali) dhe ende nuk ka një marrëveshje dypalëshe për njohjen respektive të vjetërsie kontributive në të dy vendet, emigrantët shqiptarë ndihen të diskriminuar nga legjislacionet respektive shqiptare dhe të vendeve ku punojnë, ku pjesa më e madhe e tyre, privohen nga përfitimi i pensioneve, duke mbetur pa të ardhura jetese, kur plotësojnë moshën për pension”, thotë z. Balluku.
“Indentikiti” emigranti
Emigracioni i shqiptarëve në Itali është i dyti ndër komunitetet dhe zë një të gjashtën e totalit. Naim Balluku, përfaqësuesi i Patronatit INAS-CISL në Tiranë në analizë rendit karakteristikat themelore social-demografike të komunitetit shqiptar:
– Shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë të qytetarëve ekstrakomunitarë, me qëndrim të rregullt në Itali.
– Në vitin 2012, numri i tyre llogaritet në 491, 495, e barabartë me 14% të totalit të emigracionit nga qytetarët jokomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali. Aktualisht i ka kaluar 500 mijë.
– 54% e qytetarëve me origjinë shqiptare janë burra, ndërsa 46% janë femra.
– Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë janë përqendruar në Italinë e Veriut, 61%.
– Kanë një moshë mesatare të re prej 30.5 vitesh, që është mosha më e ulët se mesatarja e emigracionit në përgjithësi, e cila është 31.7%.
– Një e katërta e tyre është nën 18 vjeç, shifër kjo 4% më e lartë krahasuar me totalin e emigracionit jokomunitar.
– Familja paraqitet si motivi kryesor i prezencës në Itali; 53% e qytetarëve shqiptarë janë me leje qëndrimi të rregullt. Lejet e qëndrimit për punë përfaqësojnë 43%.
– Numri i qytetarëve shqiptarë që kanë një leje qëndrimi afatgjatë është mbi 10% e totalit të qytetarëve jokomunitarë.
– Komuniteti shqiptar zë vendin e parë për numrin e të punësuarve
– 52% e popullsisë shqiptare, 15 vjeç e lart, është e punësuar, një numër ky më i ulët se ai i regjistruar nga totali i emigrantëve jokomunitarë.
– Norma e papunësisë është e barabartë me 15.5%, një masë më e madhe, qoftë nga ajo relative e totalit të qytetarëve europianë, e cila është 12%, por edhe kundrejt vendeve të tjera të Europës Qendrore e Lindore.
– Dy fushat kryesore të punësimit janë ndërtimi dhe industria që përfshijnë rreth 53.5% të të punësuarve.
– Niveli arsimor është i njëjtë me komunitetet e tjerë për shkollat e nivelit të parë me rreth 46% dhe të shkallës së dytë, 41%. Më e ulët është shkalla në arsimin universitar që zë 5%.
– Më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë merr një të ardhur mujore më të madhe se 1,000 euro, vlerë më e lartë se kuota mesatare e qytetarëve të tjerë të Europës Qendrore e Lindore (37%) dhe atyre jokomunitarë (44%).
Si përfitohet pensioni në Itali
Mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy vendeve bën që si Italia, ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend. Z. Balluku thotë se sistemi i sigurimeve shoqërore italiane përcakton se gjatë gjithë jetës së aktivitetit të punës, në cilësinë e të punësuarit dhe të vetëpunësuarit derdhen kontribute për të ushqyer fondin e pensioneve publike. Me këto fonde jepen tre tip pensionesh: invaliditeti, të pleqërisë dhe familjar ku më të zakonshmet janë të pleqërisë. Por, si mund të përfitohen pensionet e pleqërisë në Itali:
Kërkesa kontributive
Përfitojnë ata persona, të cilët kanë derdhur kontribute deri më 31 dhjetor 1995. Me efekt nga 1 janari 2012, subjektet në posedim të kontributeve si më 31 dhjetor 1995 mund të marrin të drejtën për një pension të daljes në pension vetëm në praninë e të dhënave të sigurimit të paktën 20 vjet, që përbëhen nga kontributet e paguara apo të kredituar për ndonjë arsye.
Kërkesa e moshës
Për përfitimin e pensionit të pleqërisë është e nevojshme për të përmbushur kërkesat e mëposhtme të moshës:
a) punonjëset femra, sektori privat:
nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012, 62 vjeç
nga 1 janari 2013 deri më 31 dhjetor 2013, 62 vjeç dhe 3 muaj
nga 1 janari 2014 deri më 31 dhjetor 2015, 63 vjet dhe 9 muaj
nga 1 janari 2016, deri më 31 dhjetor 2017, 65 vjet dhe 3 muaj
nga 1 janari 2018 deri më 31 dhjetor 2020, 66 vjet dhe 3 muaj
b) punonjësit e vetëpunësuar dhe administrimit të veçantë (të vetëpunësuar):
nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012, 63 vjet dhe 6 muaj
nga 1 janari 2013 deri më 31 dhjetor 2013, 63 vjet dhe 9 muaj
nga 1 janari 2014 deri më 31 dhjetor 2015, 64 vjet dhe 9 muaj
nga 1 janari 2016 deri më 31 dhjetor 2017, 65 vjet dhe 9 muaj
nga 1 janari 2018 deri më 31 dhjetor 2020, 66 vjet dhe 3 muaj
c) punonjësit e punësuar në sektorin publik, përfshirë edhe femrat;
nga 1 janari 2012 dalin në pension në moshën 66 vjeç.
Personat të cilët kanë derdhur kontribute pas datës 1.1.1996
Punonjësit, e punësuar, të regjistruar në Administrim të Veçantë, të Vetëpunësuar, të regjistruar në fondet e pensioneve suplementare dhe me Zëvendësim, që janë të siguruar pas datës 31.12.1996 kanë të drejtë për një pension të daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë kushtin: 5 vite kontribute (260 javë);
“Në Itali, numri i pensioneve të përfituar nga shqiptarët zë 7.2%. Kjo shifër shpjegohet jo vetëm me moshën më të re të emigracionit shqiptar, por me pamundësinë e përfitimit të pensioneve për arsye të legjislacionit, veçanërisht reformës “Monti”, që privon një pjesë të mirë të emigrantëve shqiptarë, të regjistruar dhe që kanë paguar kontribute para vitit 1996, të cilët krahas moshës duhet të plotësojnë një vjetërsi kontributive prej 20 vitesh. Thënë më thjeshtë , numri i ulët i pensioneve të komunitetit shqiptar në Itali, shpjegohet me faktin e pamundësisë së këtij komuniteti për të kompletuar vjetërsinë prej 20 vitesh, për t’u përfshirë në kushte pensioni. Kështu nga rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë të moshës se tretë, vetëm 1,921 persona trajtohen me pensione në Itali”, – thotë z. Balluku.
Zgjidhjet (?)
Por, a ka zgjidhje përballë kësaj situate, e cila rëndon një pjesë të madhe të shqiptarëve dhe që rrezikon të bëjë “nul” vite të tëra pune. Përfaqësuesi i Patronatit INAS-CISL në Tiranë, z. Balluku, thotë se aktualisht jemi në kushtet kur mijëra bashkatdhetarëve tanë u mohohet përfitimi i pensioneve. “Kjo marrëveshje nuk është lidhur pasi në shtetet fqinje ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë. Në këtë kontekst, shteteve ku shqiptarët janë të shumtë në numër iu intereson, që të lënë pa pagesa për pension, kjo sidomos në kushtet e krizës dhe të mungesës së reciprocitetit”, thotë z. Balluku. Sipas tij, integrimi i vendit në BE do të krijojë mundësi për bashkimin e periudhave kontributive mes shtetet reciproke. “Për ta shpjeguar më thjeshtë: nëse një emigrant shqiptar që ka një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 10 vitesh dhe në Itali apo Greqi jo më pak se 10 vite, përfshihet në kushte pensioni, si në këto vende ashtu edhe në Shqipëri ku secili shtet do të japë reciprokisht pjesën e tij të pensionit.
Sa më shumë të vonohet ky proces, aq më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve nga emigrantët shqiptarë”, thotë z. Balluku.
Ai vlerëson lidhjen e marrëveshjes me Belgjikën, pasi shënon një hap pozitiv me një vend të BE-së. “Nga institucionet shtetërore, shoqërore dhe organizma të tjera llogariten vetëm përfitimet nga anëtarësimi në BE, por nuk llogariten dëmet ekonomiko-sociale që iu krijohen emigrantëve nga kohëzgjatja e këtij anëtarësimi, duke i privuar nga e drejta për përfitimin e pensionit, pra të bazës së jetesës së tyre. Jemi tepër të vonuar, sepse emigrantët kanë nevojë për mbështetje. Nuk bëhet fjalë për luks, por për mbijetesë”, – thotë ai.
Pasojat e krizës
Padyshim, pasojat e krizës ekonomike dhe të papunësisë kanë një kosto jo të lehtë për emigrantët tanë. Në kushtet e një krize ekonomike në të gjithë sektorë, më të prekurit janë ata. E disa nga pasojat mund të jenë:
Së pari, humbja e vendeve të punës që përkeqëson së tepërmi problemet sociale dhe bën të pamundur jetesën.
Së dyti, pamundësia për të mbijetuar çon në detyrimin për t’u kthyer në Shqipëri, ku vihen përballë vështirësive të mëdha. Në këto kushte tregu i punës në Shqipëri nuk do të arrijë të absorbojë një numër më të madh force pune.
Së treti, vështirësitë për t’u socializuar, për t’u arsimuar në vendin mëmë.
Së katërti, problemi i strehimit, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e emigrantëve kanë shitur banesat.
Së pesti, papunësia ka pasoja sociale për të sotmen dhe të nesërmen pasi do të vihen përballë vështirësisë për të plotësuar vjetërsinë në punë, që kërkohet për të përfituar pension.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.