Të plakesh, madje shpejt, është e lehtë në Shqipëri. Të pleqërosh në këtë vend është betejë e humbur prej vitesh dhe mund të jetë edhe më e vështirë në të ardhmen. Pensioni mesatar është aq i ulët (rreth 12 mijë lekë, më i ulëti në Ballkan) sa ka me shumicë të moshuar që nuk kanë mundësi të përballojnë nevojat bazike të jetës, pa i financuar nga familjarët.
Për shkak të një historie me gabime, por më shumë të një vullneti të munguar politik, reformat për skemën e pensioneve nuk kanë kapur thelbin. Ato përgjithësisht janë munduar të kurojnë pasojën, por jo shkakun.
Herë pas here janë marrë vendime që rrisin moshën e daljes në pension. Është luajtur duke rritur pagën minimale, kanë lëvizur fashot e grupmoshave, zhvillohen aksione antiinformalitet, por të gjitha këto janë instrumente që nuk garantojnë jetëgjatësi. Ka pasur elemente të reformave, por kurrë reforma të plota me qëndresë afatgjatë. Kjo ka ndodhur, jo vetëm sepse mjedisi social ekonomik në Shqipëri ka qenë i paqëndrueshëm, duke shfaqur shpesh sëmundje të reja që prekin skemën e pensioneve e që kërkonin ndërhyrje imediate, por sepse përgjithësisht, politikëbërësit janë përqendruar ta optimizojnë skemën, duke administruar kostot e pagesës/pensionet, por jo aq shumë sesa për ta shëndoshur ekonomikisht kontribuuesi sa të jetë i aftë të paguajë më shumë.
Edhe e ashtuquajtura reformë e pensioneve në 2014, që ndërmori mazhoranca e majtë, e sapoardhur në pushtet, u fokusua te rritja e moshës së daljes në pension, tani mbi 70 vjeç dhe te heqja e tavanit me sloganin që kush ka pagë të madhe, mundet të marrë më shumë pension në pleqëri. Pati përpjekje që të tërhiqen në skemë edhe më shumë banorë të fshatit, për të tentuar një barazim të pensioneve me qytetin, por dhe ky dështoi.
Nga kjo reformë, Rilindja llogariste që nga 1.6% e PBB-së në vitin 2015, deficiti pritet të zbresë në 1% në vitin 2018 dhe 0.4% të PBB-së në vitin 2030, deri në 0% të PBB-së në vitin 2043.
Por gjatë kësaj kohe, kjo qeverisje prodhoi dy fenomene madhore, emigrimin me hov të shqiptarëve, duke reduktuar ndjeshëm masën më të madhe të kontribuuesve (po largohen të punësuarit me rroga të larta) dhe shifra drastike të bjerrjes së popullsisë, për shkak të shtesës natyrore të ulët. Që prej 1990-s, shtesa natyrore e popullsisë pati rënie prej 86%. Kjo shtesë është më e ulët gjatë viteve të fundit.
Të miksuar, këta dy faktorë kryesorë në Shqipëri rritën ndjeshëm numrin e pensionistëve/përfituesve dhe ulën numrin e kontribuuesve. Ky është rasti më flagrant që na tregon se si një reformë apo skemë pensionesh nuk mund të rrijë jashtë konteksti ekonomik dhe se si politikat ekonomike të orientuara keq krijojnë kriza që mund të shpërthejnë buxhetet publike në të ardhmen, për shkak se duhet të rrisë masën e subvencionit në skemë. Mirëpo nuk po vërejmë veprime politike që po u adresohen këtyre dy problemeve madhore, ndaj bëhet e sigurt se skema e pensioneve, sado ndërhyrje të ketë, është prekur nga një virus i keq e që do të vijojë të mbahet me doza të larta serumi financiar nga buxheti. Nga politika, problemi me skemën na serviret si problemi i shqiptarëve që s’paguajnë. Por disa pyetje bazë i shqetësojnë sot qytetarët: nëse duan të kontribuojnë, a i kanë të ardhurat për ta bërë këtë dhe nëse kjo ndodh, a mund të marrë nesër pension më të lartë, por edhe nëse e marrin, në cilën moshë, aty afër pikës ku t’i fshihesh nga regjistrat e shtetit?
Këto pyetje kanë vetëm një përgjigje me veprime strategjike dhe që kërkojnë vullnete politike dhe mirëqeverisje: reforma që rrisin punësimin dhe i mbajnë sot shqiptarët me shpresë në vendin e tyre. Por fatkeqësisht sot kemi vetëm pleq që duan të jetojnë në Shqipëri dhe të rinj që s’duan të jetojnë në Shqipëri, kemi përfituesit por jo kontribuuesit.
Ndaj nëse do të ketë një reformë që shëndosh skemën e pensioneve, ajo është reforma e ekonomisë që çliron të gjithë stimujt e saj të zënë në lak nga rrethet klienteliste dhe është reforma që mendon se si t’u japë më shumë njerëzve dhe jo si të kursejë prej tyre. Shqiptarët nuk kanë kohë të bëhen 80 vjeç që të shpresojmë, por tani sa janë të rinj dhe ende pa u larguar të gjithë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.