Flet drejtori i Credins Bank, Z. Maltin Korkuti
Fryma e përgjithshme e indeksimit të gati gjithë mallrave të tregtuara me pakicë në monedhën europiane, veçanërisht ato direkte nga importi, drejt një indeksimi vetëm në monedhën vendase, do të japë një ndihmesë të rëndësishme në kërkesën e lartë për euro që ekziston tashmë në tregun shqiptar.
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?
2017-a ishte një vit që konfirmoi konsolidimin e Credins Bank dhe pozicionimin e saj si banka e dytë në vend për kredidhënie, dhe banka e tretë më e madhe në vend në depozita dhe aktive. Viti 2017 përkoi me fundin e planit trevjeçar të zhvillimit të Bankës dhe përgatitjen e strategjisë për tre vitet e ardhshme. Dhe në këtë moment analize, konstatojmë me kënaqësi se Credins ka siguruar një rritje të qëndrueshme në të ardhura, shtrirje kapilare në të gjithë vendin, por dhe ka amplifikuar prezencën e saj pranë qytetarëve, klientë e jo klientë, përmes marrëveshjeve të rëndësishme me Postën Shqiptare dhe AK Invest për lehtësimin e shërbimeve të ndryshme të pagesave.
Gjatë 2017-s u hap një degë e re në Lezhë dhe u investua në shkallë të gjerë në rivitalizimin, zgjerimin dhe përmirësimin e imazhit të degëve ekzistuese, duke krijuar kushte optimale për një shërbim sa më efektiv ndaj klientëve. Investimi i bërë në kapitalin njerëzor, përmes programit të trajnimit të stafit për efektivitetin e shitjeve (SFE), filloi të japë frytet e veta duke u reflektuar në krijimin e një kulture të re pune dhe në një qëndrim gjithnjë e më proaktiv të punonjësve ndaj klientit.
Cilësia e depozitave dhe kredive ishte fokusi ynë kryesor, dhe kjo është reflektuar në ritmin e rritjes së tyre në 2017, por është punuar intensivisht që Credins të jetë zgjedhja numër një e shqiptarëve për produktet bankare. Sot, Credins ofron një gamë produktesh që mbulon 360 gradë nevojat e individit, institucioneve apo biznesit. Gjatë 2017-s u hodh në treg Mastercard për biznesin në EUR dhe USD si kartë debiti dhe krediti, si dhe Mastercard Gold për klientët Elitë në Credins.
Credins Bank, si një nga bankat përmes së cilës mundësohen pagesat përmes portalit e-Albania, vazhdoi të jetë pjesë dinamike e përmirësimeve të platformave të pagesave që ofrohen nga institucionet qendrore e lokale. Credins renditet si një nga mbështetësit më të mëdhenj në fushën e përgjegjësisë sociale duke kontribuar përmes donacioneve dhe sponsorizimeve në shumë aspekte sociale, infrastrukturore, institucionale, kulturore dhe në ambient. Prej dy vitesh, Credins Bank i është bashkëlidhur nismës së Shoqatës Shqiptare të Bankave për të prezantuar së bashku me raportin e përgjegjësisë sociale dhe kontributin që jep në përmbushjen e Objektivave për një Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) të Kombeve të Bashkuara.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?
Fokusi ynë mbetet kënaqësia e klientit e, në këtë kuadër, parashikojmë investime të rëndësishme në integrimin gjithnjë e më shumë të teknologjisë në shërbimet bankare. Sfida teknologjike në shërbimet bankare është shumë e madhe pasi nuk mjafton investimi, por ka një kontekst rregullator dhe ligjor të komplikuar, si dhe një konkurrencë në rritje nga institucionet jo banka. Por është një domosdoshmëri që brezi aktual konsumator e ka prioritet dhe ne, si bankë, synojmë të propozojmë zgjidhjet tona.
Gjatë vitit 2018, gjithashtu pritet finalizimi i disa investimeve në bazën e të dhënave, që do të sjellin analiza më cilësore të të dhënave të klientëve dhe orientim më të saktë të produkteve drejt nevojave reale të klientit. Krijimi i një portofoli të ekuilibruar midis korporatave dhe bizneseve të vogla, mikro dhe agro, përmirësimi i strukturës së të ardhurave duke ekuilibruar të ardhurat nga interesi dhe ato nga komisionet, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në fokus të zhvillimit të biznesit.
Banka ka marrë licencën e Brokerit nga AMF dhe synojmë që ky aktivitet i ri të fillojë të japë rezultatet e para në gjysmën e dytë të 2018-s. Ndërtimi i një organizate të shëndetshme, përmirësimi i vazhdueshëm i sistemeve dhe teknologjike dhe fuqizimi i stafit, gjithashtu bëjnë pjesë në planin ambicioz të bankës për vitin 2018. Duke e parë vitin 2018 në perspektivën e 15 viteve aktivitet, siç e kam përmendur dhe në një intervistë të mëparshme, kemi të gjitha arsyet për të besuar se planet tona dhe perspektiva e rritjes u përgjigjen pritshmërive të themeluesve, aksionerëve, stafit dhe klientëve tanë.
Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?
Gjatë viteve të fundit, Credins Bank ka synuar të ketë një balancim mes tërheqjes së fondeve në monedha të ndryshme dhe në investimin e tyre nëpërmjet dhënies së huave në këto monedha. Njëkohësisht për bankën ka qenë e rëndësishme zbutja e ekspozimit ndaj riskut indirekt të kredisë si pasojë e kursit të këmbimit, edhe duke rekomanduar marrjen e huave nga klientët në monedhë të njëjtë me të ardhurat e tyre, ose në raste të tjera në konvertimin e huave ekzistuese në Euro drejt monedhës vendase. Kjo gjë shfaqet në një nivel më të ulët të Credins Bank ndaj këtij ekspozimi në raport me të dhënat e publikuara, si për kreditë dhe për depozitat që ka gjithë sistemi bankar vendas.
Në këto kushte vlerësohen të rëndësishme masat përtej sistemit bankar, në sistemin ekonomik të vendit, ku parësore është pjesa e informalitetit dhe nxitja e përdorimit të monedhës vendase në pjesën dërrmuese të transaksioneve brenda vendit. Fryma e përgjithshme e indeksimit të gati gjithë mallrave të tregtuara me pakicë në monedhën europiane, veçanërisht ato direkte nga importi, drejt një indeksimi vetëm në monedhën vendase, do të japë një ndihmesë të rëndësishme në kërkesën e lartë për euro që ekziston tashmë në tregun shqiptar.
Njëkohësisht masat për informimin e klientelës së bankave rreth risqeve të ekspozimit nga luhatjet e kursit të këmbimit janë një ndihmesë në ndërgjegjësimin dhe udhëzimin drejt një investimi më të sigurt. Kjo masë është ndjekur nga Credins Bank, si pjesë e informimit dhe transparencës ndaj publikut, duke i parashtruar në formë të detajuar në marrëveshjet me klientët, dhe në mënyrë të ndjeshme drejtpërsëdrejti në dialogun e përditshëm në këshillimin që ofron banka për gjithë klientët e saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.