Kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor dëshmojnë se si i adreson sistemi tatimor nevojat e veçanta të bizneseve të vogla
Politika tatimore dhe administrimi tatimor ndërveprojnë në tre nivele dalluese: formësimin e politikës dhe hartimin e legjislacionit, procedurat administrative dhe institucionet që nevojiten për të vënë në jetë legjislacionin tatimor, me kusht që politika tatimore t’u përshtatet kërkesave të kohës në lidhje me kapacitetet administrative në dispozicion. Nuk ka rëndësi se sa e mirë mund të jetë teorikisht një politikë tatimore, ose një administratë tatimore në praktikë, sepse të dyja kërkojnë një mjedis të përshtatshëm me qëllim që të prodhojnë rezultate të mira.
Prandaj tranzicioni drejt një niveli më të lartë zhvillimi të sistemit dhe administrimit tatimor në përputhje me kërkesat e kohës në një vend, duhet të jetë i përshtatshëm jo vetëm me sistemin dhe administrimin tatimor, por dhe me mjedisin kontabël, atë ligjor dhe ekonomik, në të cilin mund të funksionojë siç duhet një sistem tatimor modern.
Tatimet shkaktojnë shumë kosto dhe efektet e tyre ekonomike, thjesht, e kapërcejnë transferimin e parasë nga tatimpaguesit te buxheti i shtetit, gjë që ka qenë dhe mbetet arsyeja kryesore përse ekonomistët duhet të interesohen për kostot e të tatuarit; me ose pa qëllim, tatimet mund ta ndryshojnë, ose ta alternojnë sjelljen e tatimpaguesit, për arsye se ka edhe kosto të tjera që nuk janë të qëllimshme, të cilat literatura moderne ekonomike, i përshkruan si barrë e tepruar, ose një humbje përmbi dhe përtej të ardhurave tatimore që mblidhen.
Bihn Tran – Nam dhe John Glover, kostot e të tatuarit të biznesit të vogël, i kanë studiuar në lidhje me
(i) funksionimin dhe zotërimin e tij në mënyrë të pavarur;
(ii) kontrollin e tij ngushtësisht nga pronarët/menaxherët, të cilët kontribuojnë në mos në të gjithën, në pjesën më të madhe të kapitalit të punës; dhe me
(iii) funksionet kryesore të vendimmarrjes, të cilët u mbeten pronarëve/menaxherëve. Shpesh, për qëllime funksionale, kostot e të tatuarit cilësohen me anë të numrit të punëmarrësve që ka biznesi, ose me anë të madhësisë së qarkullimit të tij,
Studiuesi Joel Slemrod, kostot e të tatuarit i ndan në dy pjesë:
(1) kosto të përmbushjes së legjislacionit tatimor (të cilat përfshijnë mbajtjen e të dhënave, të mësuarit e ligjeve të veçanta dhe plotësimit të formularëve, kohën e përgatitjes, kohën e harxhuar për mbajtjen e tatimit në burim për punëmarrësit dhe çdo kosto monetare të tillë si asistenca nga ekspertët kontabël, juristët tatimorë, ose specialistët tatimorë, ose blerja e programeve ose librave të kompjuterit) dhe
(2) kosto administrative, që shoqërojnë operimet e administratës tatimore.
Fushat kryesore të zvogëlimit të kostove të përmbushjes së legjislacionit tatimor (që konkretisht lidhet me përgatitjen dhe raportimin në kohë të informacionit tatimor të kërkuar, vetëdeklarimit të saktë të tatimeve që i duhen paguar shtetit dhe pagesës së tyre në kohë nga tatimpaguesit e vegjël) janë: rishkrimi i legjislacionit tatimor ekzistues; shkurtimi i gjatësisë së legjislacionit; siguria që arrihet nëpërmjet eliminimit të hapësirës së fuqisë interpretuese të zyrtarëve tatimorë; heqja e pasigurive të përgjithshme; zvogëlimi i kostove dhe kërkesave për mbajtjen e të dhënave; rishikimi i përdorimit të sistemit tatimor për të arritur objektiva që kanë lidhje vetëm me të ardhurat dhe hartimi i proceseve administrative pa pengesa.
Zakonisht, thjeshtësia ekonomike rrok edhe thjeshtësinë ligjore, ndërsa thjeshtësia efektive e një tatimi të veçantë përfshin: thjeshtësinë ligjore; numrin e tatimpaguesve dhe administratorëve tatimorë; shpërndarjen e madhësisë së tatimpaguesve; ciklin e biznesit (ndryshimin e kushteve makroekonomike dhe ekonomike që ndikojnë bazën tatimore); si dhe kulturën tatimore të tatimpaguesve të biznesit të vogël.
Me pak fjalë: kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor dëshmojnë se si i adreson sistemi tatimor nevojat e veçanta të bizneseve të vogla. Treguesi që siguron masën e parë të ndikimit të të tatuarit mbi rrjedhën e parasë në dorë që përdoret nga bizneset e vogla, është aftësia për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve dhe është kjo arsyeja përse përmirësimi në fushën e administrimit tatimor kërkon që të rishikohet me kujdes legjislacioni tatimor duke u fokusuar mbi kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor për bizneset e vogla, sidomos kur bëhet fjalë për mundësitë reale që ka administrata tatimore në lidhje me monitorimin sistematik të tyre, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet saj dhe një numri tejet të konsiderueshëm tatimpaguesish me kufi qarkullimi (xhiro) vjetore mbi 2 milionë lekë.
Raporti kosto-pwrfitim
Përmirësimi në fushën e administrimit tatimor kërkon që të rishikohet me kujdes legjislacioni tatimor duke u fokusuar mbi kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor për bizneset e vogla, sidomos kur bëhet fjalë për mundësitë reale që ka administrata tatimore në lidhje me monitorimin sistematik të tyre, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet saj dhe një numri tejet të konsiderueshëm tatimpaguesish me kufi qarkullimi (xhiro) vjetore mbi 2 milionë lekë.
Përvoja e vendeve nw tranzicion
Studimet e shumta që janë bërë për vendet në tranzicion dhe vendet në zhvillim, për sa u përket kostove të përmbushjes së legjislacionit tatimor dhe kostove administrative, kanë dhënë rekomandimet që vijojnë: -biznesi i vogël duhet tatuar me një tatim të vlerësuar në një shumë të caktuar fikse;
-duhet rritur pragu tatimor i TVSH–së;
-afati i fundit për llogaritjen dhe pagimin e tatimeve duhet të jetë fleksibël në lidhje me ditët e festave, të shtunave dhe të dielave;
-sistemi tatimor duhet të jetë më stabël;
-formularët duhen thjeshtuar si dhe duhet zvogëluar numri i tyre, veçanërisht, për tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore;
-bashkëpunim më i mirë ndërmjet administratës tatimore, administratës doganore, institucionit të statistikave kombëtare, etj.;
-si dhe bashkëpunimi i administratës tatimore me përfaqësues të kategorive të ndryshme të tatimpaguesve të biznesit të vogël (shërbimi për tatimpaguesit);
-sigurimi i shërbimeve për tatimpaguesit e biznesit të vogël ndihmon për të zvogëluar kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor, sidomos me anë të sigurimit të programeve që ua bëjnë të mundur tatimpaguesve të përmbushin detyrimet e tyre tatimore më me lehtësi. Përparësitë afatgjata të rrugëzgjidhjes së shërbimit të tatimpaguesit kanë shumë më tepër vlerë se kostot afatshkurtra të tij dhe njihet gjithashtu se tërësia e faktorëve, që përfshijnë kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor, është përcaktuese e rëndësishme për nivelin e përgjithshëm të zbatimit vullnetar të legjislacionit tatimor si dhe për të eliminuar disa forma të moszbatimit të legjislacionit tatimor.
Sa më e vogël të jetë madhësia e biznesit, aq më pak e qartë është linja ndarëse ndërmjet tipave të ndryshme të tatimeve, për arsye se sipërmarrësit e vegjël priren të paguajnë një shumë totale të vetme të tatimeve, që i mbledh ose qeverisja qendrore ose ajo vendore, një shumë e vetme që të përmbledhë tatimin mbi fitimin, taksat vendore, tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore; tatimet individuale nganjëherë janë shumë të vogla, akumulimi i tatimeve të tilla, shpesh, peshon rëndë mbi rrjedhën e parasë në dorë të biznesit të vogël dhe një gjë e tillë mund bëhet një barrë e rëndë, veçanërisht, kur bizneset e vogla përballen me konkurrencën e bizneseve që operojnë në ekonominë informale.
Barra e madhe e tatimit e kufizon aftësinë e biznesit të vogël për të konkurruar dhe, njëkohësisht, vepron si nxitës që tatimpaguesit e biznesit të vogël të shmangin dhe evadojnë tatimet, në mënyrë të veçantë, duke deklaruar në mënyrë jo të saktë xhiron, fitimet dhe pagat. Në rastin e zbatimit të një tatimi të vetëm fiks, tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk do të nevojitej të akumulonin faturat gjatë vitit, të blinin programe kompjuterike ose shërbime nga profesionistë të ndryshëm për zbatimin e legjislacionit tatimor, operimin e kasave regjistruese, etj., që të mos shkelin legjislacionin tatimor. Do të mjaftonte një llogaritje e thjeshtë e detyrimit të tyre tatimor mbi bazën e llogaritjes së qarkullimit vjetor dhe shumëzimit të tij me një përqindje të caktuar, procedurë kjo që gjithë e gjithë do t’i harxhonte tatimpaguesit të biznesit të vogël vetëm disa minuta. Megjithatë, bizneseve të vogla u duhet të mbajnë të dhëna me qëllim që të kalkulojnë të ardhurat neto për vitin, por natyrisht këto të dhëna do t’i mbajnë për qëllimet e kontabilitetit të tyre. Ky ka qenë dhe mbetet një nga argumentet më të fuqishëm të studiuesve dhe ekspertëve të ndryshëm në mbarë botën në lidhje me përdorimin e kasës regjistruese, duke e konsideruar atë si mjet për qëllimet e kontabilitetit të biznesit të vogël dhe jo si një mjet fiskal. Me një sistem të thjeshtë të tatimit fiks, tatimpaguesit e biznesit të vogël, supozohet se do t’i njihnin mirë rregullat dhe mund të përqendroheshin mbi klientët e tyre; nga ana tjetër, kursime shtesë në lidhje me kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor do të vinin nga vetë qeveria, sepse përqindja e tatimit fiks i zvogëlon nxitësit e tatimpaguesit të biznesit të vogël për të shmangur dhe evaduar tatimin, kështu që qeverisë do t’i duheshin më pak para për të shpenzuar për ta zbatuar legjislacionin tatimor me masa shtrënguese.
Për ta bërë më të qartë problemin do të ishte me vlerë të sqarohej një pikë tejet interesante që u referohet të ashtuquajturave orë “të çuara kot” që i kushtohen zbatimit të legjislacionit tatimor, për arsye se ato nuk janë të domosdoshme për të arritur qëllimin e tyre. E gjithë arsyeja e sistemit tatimor është kanalizimi i të ardhurave për qeverinë dhe sistemi i tatimit fiks mund t’ia arrijë këtij qëllimi me anë të kostove më të vogla të përmbushjes së legjislacionit tatimor, që do të përfshinin zbatimin e sistemit ekzistues, ndërsa shtrirja e TVSH–së deri në kufirin e qarkullimit vjetor prej 2 milionë lekësh ishte vërtet kohë e çuar kot, pasi është vërtetuar se tatimi fiks i ka më të vogla kostot e përmbushjes së legjislacionit tatimor dhe liron, gjithashtu, burime njerëzore që shërbejnë për të prodhuar mallra dhe/ose shërbime të tjera që u duhen njerëzve.
Ekonomisti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.