Sipas të dhënave zyrtare nga Financat, stoku i borxhit publik arriti në fund të tremujorit të tretë në 69.77% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Por, a do të arrijë ky borxh të mbetet nën 70% të PBB-së deri në fund të vitit?!
Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, për borxhin publik rezulton se në fund të tremujorit të tretë, ai arriti nivelin e 7.74 miliardë eurove, nga 7.56 miliardë euro në fund të vitit 2015, duke pësuar një shtesë prej rreth 180 milionë eurosh. Nuk mund të mos të tërheqë vëmendjen se kjo ka ndodhur kur gjatë gjithë nëntëmujorit, buxheti i konsoliduar ka qenë me suficit. Vetëm në muajin gusht dhe shtator, ky suficit nuk e përballonte pagimin e principalit të borxhit të jashtëm dhe, për rrjedhojë, duhej marrë borxh. Por, sipas Ministrisë së Financave, me gjithë këtë shtesë të borxhit në terma relativë, ai rezulton në 69.77% të PBB-së. Dhe kjo për faktin se ky nivel i borxhit është vënë në raport me Produktin e Brendshëm Bruto të parashikuar në fillim të vitit prej 11.1 miliardë eurosh. Në fakt, mbështetur në treguesit fiskalë dhe të PBB-së të parashikuar në Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit, Produkti i Brendshëm Bruto rezulton 10.94 miliardë lekë. Për rrjedhojë, borxhi publik në fund të tremujorit të tretë, i llogaritur me PBB-në e rishikuar, është 70.71%.
Këtu nuk është çështja thjesht se borxhi publik është aktualisht 1 pikë përqindje më tepër se sa është paraqitur nga Ministria e Financave, por te rritja e kostos së shërbimit të tij. Të dhënat e fundit mbi ankandet e bonove të thesarit tregojnë se niveli i interesave të obligacioneve dhe bonove të thesarit, pasi arritën nivelin më të ulët historik, kanë shënuar një rritje. Pra pas uljes së dukshme të normës bazë të interesit dhe, për rrjedhojë, të kostos së borxhit publik në 3-4 vitet e fundit, po i afrohemi një situate të tillë ku interesat e borxhit publik të brendshëm po rriten
Kjo situatë meriton vëmendjen e gjithë politikëbërësve që të mos shkojmë në situatën e Argjentinës dhe Greqisë për mosshlyerjen e borxhit publik.
Tani që po përgatitet buxheti për vitin 2017, duhet hequr dorë nga praktika e 5-6 viteve të fundit që PBB të mbahet artificialisht e lartë nëpërmjet “parashikimit” shumë të lartë të deflatorit. Stoku i borxhit në fund të nëntëmujorit 2010 ishte 5.15 miliardë euro; në fund të shtatorit 2013, kur u ndërruan qeveritë, ishte 6.3 miliardë euro; në fund të shtatorit 2016 ishte 7.73 miliardë euro. Pra shtesa e borxhit publik për të dy qeveritë, për një periudhë trevjeçare, ka qenë respektivisht 1.17 miliardë euro, ndërsa gjatë tre viteve të qeverisjes aktuale, 1.41 miliardë euro. Nëse zbresim nga kjo e fundit borxhin e marrë për të shlyer borxhin e prapambetur të shlyer gjatë dy viteve 2014-2015 prej 372 milionë eurosh, borxhi shtesë gjatë tre viteve të fundit ka qenë 1 miliard euro.
Gjatë kësaj periudhe, në vitet 2014-2015, u krye ndërkohë një rritje e tatim-taksave me një efekt prej mbi 263 milionë eurosh. Ndërsa rritja e pagave dhe pensioneve u ndalua.
Por shtesa e të ardhurave buxhetore gjatë viteve 2015-2016 nuk lë vend për ngazëllim. Nëse ka një qëndrim të ndryshëm nga politikëbërja për të qenë të kujdesshëm ndaj borxhit, nuk ka vend për eufori për shkëputjen nga modeli i rritjes vetëm me borxhe apo kryesisht me borxhe. Këtu nuk shtrohet çështja për mosmarrjen e borxheve dhe kredive, por kryesorja është rritja e eficencës së përdorimit të tyre dhe kjo duhet të jetë jo vetëm një çështje e qeverisë, por edhe e biznesit, universiteteve etj. Nëse mazhoranca aktuale, kur ishte në opozitë, ngrinte problemin se politika e qeverisjes së atëhershme ishte dështim i një modeli rritje pa zhvillim, modeli rritje vetëm me borxhe, në fakt ky model u përsërit dukshëm gjatë vitit 2015 dhe sidomos gjatë diskutimit të miratimit të buxhetit faktik 2015 para disa javësh.
Edhe në ecurinë e të ardhurave buxhetore në tremujorin e tretë të 2016, vihet re një rënie e madhe e ritmit të rritjes të të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe të ardhurat pritet të jenë rreth 36 milionë euro më pak se plani i rishikuar.
Shqetësimi për rritjen sa relative dhe absolute të borxhit publik mbetet evident. Ndërsa ulja e borxhit publik në terma relativë mbetet një sfidë tepër e madhe për ekonominë e vendit tonë, jo lehtësisht e realizueshme. Ja pse transparenca e plotë për borxhin publik është më se e nevojshme dhe e domosdoshme.
Le të shpresojmë se kjo transparencë do të kryhet e plotë gjatë diskutimit të buxhetit për vitin 2017. Ajo merr një rëndësi të posaçme për faktin se 2017 është vit elektoral dhe që tani është zgjidhur laku i qeses së borxhit, duke filluar me premtime, dikush duke premtuar për rritje subvencionesh, dikush për rritje pagash… Pra jemi larg ndryshimit të qasjes “pa e vrarë mendjen fare për efektivitetin e borxheve të marra” dhe zëvendësimit të konkurrimit të premtimeve me konkurrimin e alternativave ekonomike.
Koço Broka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.