Dobësohet performanca e ekonomisë shqiptare. Tkurrja e konsumit rrezikon uljen e aktivitetit prodhues. Por Banka e Shqipërisë është optimiste për efektet nxitëse të uljes së normës së interesit
Zhvillimet ekonomike të partnerëve tanë më të rëndësishëm për tregtinë dhe investimet do të jenë themelore për ecurinë ekonomike të vendit.
Performanca e ekonomisë sonë vitin e kaluar u ndikua ndjeshëm nga këto tregje dhe sipas Raportit të fundit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë (BSH), do të vazhdojë të japë efektet edhe këtë vit.
Në prezantimin e raportit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se “ekonomia shqiptare është përballur me një ambient sfidues në 2011-n,
si në drejtim të rritjes ekonomike ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike”.
Tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat po ndjekin me vëmendje qëndrueshmërinë e financave publike në vendet e Eurozonës, kanë ulur gatishmërinë për të investuar në vendet në zhvillim.
Masat e marra kanë shkaktuar frenim të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë dhe janë reflektuar në ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes së eksporteve tona.
Nga ana tjetër, çmimet e rritura të ushqimeve, karburanteve dhe produkteve të tjera bazë janë përkthyer në forcim të presioneve të huaja inflacioniste,
në zgjerim të deficitit tregtar dhe potencialisht, në reduktim të kërkesës së brendshme për shkak të efekteve negative mbi bilancet financiare të familjeve shqiptare.
Guvernatori vuri në dukje se “zhvillimet negative në kontekstin botëror janë reflektuar në rritje të pasigurisë në ekonominë shqiptare dhe kanë ndikuar negativisht konsumin dhe investimet vendase”.
Sipas bankës, vitin e kaluar shpenzimi i konsumatorëve ka ardhur në rënie dhe kjo ka frenuar edhe rritjen e aktivitetit të industrive. “Konsumi privat vazhdon të pasqyrojë sjellje hezituese të konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve
dhe orientimin e rritur të tyre drejt kursimit”, thuhet në raport, duke theksuar se “ecuria e konsumit në vend nuk ka reflektuar plotësisht rritjen e të ardhurave të disponueshme,
të gjeneruar nga rritja e pagës dhe e punësimit apo zgjerimin e burimeve të financimit, në formën e rritjes së kredisë konsumatore gjatë vitit 2011.
Rënia e remitancave vlerësuar për nëntë muajt e parë të vitit mund të ketë reduktuar konsumin e një pjese të familjeve shqiptare. Sipas bankës, remitancat ranë 8.6% në periudhën janar-shtator 2011.
Por ndikim negativ në konsum vlerësohet të ketë dhënë edhe fatura relativisht e lartë e çmimeve të mallrave të importit.
Duke parë ecurinë e konsumit në gjashtëmujorin e parë, rritjen e balancave për blerjet e mëdha (sipas vrojtimit të besimit konsumator)
dhe rritjen e kredisë konsumatore në gjysmën e dytë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se ka pasur konsum të shtuar në gjysmën e dytë të vitit 2011.
Sipas BSH, ulja e shpenzimeve konsumatore dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi kanë frenuar kërkesën e bizneseve për të kryer investime të reja.
Paralelisht me të, ka pasur edhe kujdes të bankave në kredidhënie. Sipas ekspertëve bankarë, kjo e fundit mund të kenë dekurajuar një pjesë të kërkesës për kredi për investime.
Raporti i politikës monetare për tremujorin e katërt 2011 vëren se edhe “investimet e huaja direkte (IHD) kanë shënuar rënie në tre tremujorët e
parë të vitit”. Pas uljes së tretë të normës së interesit, Banka e Shqipërisë është optimiste për rritjen e investimeve me financim të brendshëm.
“Përmirësimi i kushteve të financimit në vitin 2012 pritet të sjellë mbështetje më të madhe të sistemit me kredi për investime dhe të rrisë kërkesën.
Banka e Shqipërisë gjykon se një pjesë e mirë e prirjeve të vërejtura në ekonomi vitin e kaluar do të jenë të pranishme edhe këtë vit.
Guvernatori i bankës, Ardian Fullani, është shprehur në prezantimin e raportit se “në projeksionet tona bazë, ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet vitin në vazhdim,
ndonëse duke mbetur poshtë nivelit të saj potencial. Aktiviteti ekonomik në vend do të ndikohet nga kushtet që imponon zgjidhja e krizës në vendet e Eurozonës,
rritja ekonomike e vendeve partnere dhe nga qëndrimi ndaj rrezikut i investitorëve të huaj”. Por z. Fullani ka theksuar edhe anën tjetër të medaljes.
“Problemet ekonomike në vendet tona partnere mund të shndërrohen në një premisë pozitive për ekonominë shqiptare.
Atraktiviteti i ekonomisë shqiptare në drejtim të kostos së ulët të punës për njësi, të stabilitetit makroekonomik dhe të shëndetit financiar të bizneseve, të familjeve dhe të sistemit bankar,
mund të reflektohet në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte”. Pavarësisht pritshmërive të bankës, kërkesa e huaj pritet të japë kontribut më të ulët të huaj,
rritja e tregut të eksporteve shqiptare mbetet e mundshme. “Projeksionet e rritjes ekonomike supozojnë se do të ketë ecuri më pozitive të konsumit dhe investimeve në vend,
në përgjigje edhe të përmirësimit të kushteve të financimit. Ato pritet të reflektojnë politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe uljen e primeve të rrezikut në sistemin financiar.
Inflacioni nuk ra vetëm nga kërkesa
Inflacioni mesatar vjetor në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011 rezultoi 2.9%, duke rënë me 1.1 pikë përqindje në krahasim me vlerën e shënuar në gjashtëmujorin e parë.
Tendenca rënëse e inflacionit u shfaq në tremujorin e dytë dhe u forcua më tej në gjysmën e dytë të vitit. Sipas bankës, ajo erdhi për shkak të reduktimit të kontributeve të çmimeve të ushqimeve të përpunuara,
të ushqimeve të papërpunuara, si dhe të mallrave me çmime të rregulluara. Banka e Shqipërisë vëren se, çmimet e mallrave ushqimorë devijuan nga sjellja e tyre sezonale në muajin dhjetor,
duke shkaktuar rënien e shpejtë të inflacionit vjetor në nivelin 1.7%. Por Banka e Shqipërisë vëren se rënia e inflacionit është ndikuar nga faktorë të kërkesës dhe të ofertës njëkohësisht.
Nga ana e ofertës, ngadalësimi i inflacionit të çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit, u materializuan në rënie të inflacionit të importuar.
Nga ana e kërkesës, rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare ka vijuar të mbajë kapacitete të lira në faktorët e prodhimit – të punës dhe kapitalit – duke u materializuar në presione të kahut rënës në paga,
në kostot e prodhimit dhe në inflacion. Pritjet e agjentëve ekonomikë mbeten të ankoruara rreth objektivit, të ndikuara edhe nga politika monetare e besueshme e Bankës së Shqipërisë.
Politikat e kujdesshme në ekonomi kanë reduktuar të ashtuquajturat efekte të raundit të dytë, ose me fjalë të tjera përcjelljen e qëndrueshme të goditjeve të përkohshme të shkaktuara nga rritja e çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore,
në kostot e prodhimit dhe në rritjen e çmimeve të konsumit në vend. Ato vlerësohet të kenë mundësuar edhe fleksibilitet më të madh në ndjekjen e një politike monetare stimuluese nga Banka e Shqipërisë.
Këto tendenca pritet të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme për sa i përket ofertës. Ngadalësimi i inflacionit të çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit,
sollën një rënie të inflacionit të importuar. Nga ana e kërkesës, rritja nën potencial e ekonomisë shqiptare ka vijuar të mbajë kapacitete të lira në faktorët e prodhimit – të punës dhe kapitalit
duke u materializuar në presione të kahut rënës në paga, në kostot e prodhimit dhe në inflacion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.