Rumunët zgjedhin kryetarët, pavarësisht përfshirjes së tyre në çështje korrupsioni
Kryebashkiaku rumun, Dragos Vladulescu, ka në dosjen e tij një precedent penal në një vend që, sipas të dhënave të fundit, ka nivelin më të lartë të korrupsionit në BE dhe, megjithatë, shumë prej rumunëve do ta votojnë atë sërish gjatë zgjedhjeve, dhe madje disa prej tyre shprehen se ai ka bërë një punë shumë të mirë, shkruajnë për Reuters, Radu-Sorin Marinas dhe Luiza Ilie.
Për admiruesit e z. Vladulescu, ajo që ka rëndësi është se kryetari i bashkisë së tyre ka modernizuar shkollat ekzistuese si dhe ka ndërtuar shkolla dhe klinika të reja, dhe madje ka ndërtuar edhe kisha të reja gjatë periudhës 14-vjeçare që ka qenë në drejtim të këtij qyteti. Për më tepër, socialdemokratët kanë mundësuar ndriçim në disa prej rrugëve kryesore, furnizime me gaz dhe ujë, si dhe duke përmirësuar infrastrukturën rrugore, duke shtruar rrugë të cilat dikur kanë qenë të mbuluara nga balta në komunitetin e tyre të Dragomirestit, që shtrihet pranë një kodre rreth 90 km në veriperëndim të Bukureshtit.
Votuesit në shtetet më të pasura të Bashkimit Europian në Perëndim as nuk e çojnë fare nëpër mend faktin se nuk mund t’i marrin këto shërbime, por në Rumani është krejtësisht një situatë tjetër, sepse kjo është duke u përpjekur që të ringrihet dhe të zhvillohet duke lënë pas një formë qeverisëse brutale të ushtruar në regjimin komunist të Nicolae Ceausescut. Edhe kur një gjykatë e cilësoi z. Vladulescu fajtor për një konflikt interesi të ndodhur në vitin 2014 për dhënien e kontratave të punëve ndaj një shoqërie në pronësi të dhëndrit të tij, njerëzit u hoqën sikur nuk ishin në dijeni të kësaj situate dhe dy vjet më pas, e rizgjodhën atë për një mandat të katërt.
“Situata ka marrë një rrjedhë të mirë dhe ai ka bërë shumë gjëra të mira këtu. Unë sigurisht që kam votuar për të, sepse ai e meritonte”, u shpreh Gheorghe Baicoianu, një pensionist 64-vjeçar. Fakti që ndaj kryetarit të komunës së tij i është dorëzuar një urdhër arresti për gjashtë muaj, duket se nuk ndikon fare në mendimin që z. Baicoianu ka për të.
“Mua nuk më interesojnë aspak këto çështje apo të tjera të kësaj natyre, mund të shpreh mendimin tim vetëm për ato që mund të shoh me sytë e mi në këtë lokalitet”, tha ai më tej për Reuters. Situata në Dragomiresti nuk është aspak e pazakontë në Rumani, shtet ky që u rendit në vitin 2016, i katërti nga fundi në listën e 28 vendeve të BE-së për nivelin e lartë të korrupsionit që ekzistonte në të, të dhëna këto të nxjerra nga një indeks i publikuar nga grupi për Transparencën Ndërkombëtare (Transparency International).
Atë vit, Partia Social Demokrate (PSD) u rizgjodh në nivel kombëtar, edhe pse kreu i saj, Liviu Dragnea, u dënua me dy vjet burgim (dënim ky që u pezullua) për shkak të manipulimit të votove. Ndërsa tani, ndaj Dragneas po zhvillohet procesi gjyqësor, në të cilin ai akuzohet për shpërdorim të detyrës. Prokurorët, nga ana tjetër, kanë hapur një hetim të veçantë mbi dyshimet që janë hedhur në lidhje me formimin e një “grupi kriminal” nga ana e tij, në mënyrë që të përfitonte sa më shumë para nga projektet shtetërore, disa prej të cilave u financuan nga BE-ja. Por ai i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura në drejtim të tij.
Marrëdhënia Simbiotike
Sipas sociologut, Daniel Sandu, një faktor me rëndësi të veçantë në suksesin e PSD-së është marrëdhënie e ngushtë që ekziston midis udhëheqjes së saj kombëtare dhe kryetarëve të saj. Kjo përfshin mënyrën se si paratë e qeverisë për të ndërtuar infrastrukturën dhe për të paguar përfitime sociale kanalizohen në një nivel lokal, duke financuar llojin e punëve publike që e kanë bërë z. Vladulesku dhe kryetarët e tjerë të komunave aq të famshëm.
Kjo është një marrëdhënie simbiotike, sepse partisë që është në pushtet i duhet të kontrollojë këta kryetarë të komunave, sepse janë ata që i sjellin asaj vota dhe, nga ana tjetër, kryetarët e këtyre komunave kanë nevojë për partinë në pushtet, sepse është kjo e fundit ajo që i ndihmon që të marrin fonde, u shpreh për Reuters, Sandu, një studiuese në Institutin e Universitetit Europian.
Të gjitha partitë që kanë qeverisur Rumaninë që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 janë akuzuar për favorizim të kryetarëve të tyre dhe administratave të qarkut për sa i përket dhënies së fondeve.
Dragnea krijoi një program miliarda eurosh të financuar nga shteti në vitin 201, kohë gjatë së cilës ai ishte ministër i Zhvillimit Rajonal. Sipas këtij programi, paratë për projektet infrastrukturore rurale dhe komunale tani shpërndahen në qarqe nga një zëvendëskryeministër, pa pasur nevojë për mbikëqyrje të përgjithshme të qeverisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Reuters, kryebashkiakët socialdemokratë kanë bërë në përgjithësi një punë të mirë nga ky Program Kombëtar për Zhvillimin Lokal.
Pasardhësi i Dragneas në postin e ministrit të Zhvillimit Rajonal, Sevil Shhaideh, ka mohuar shpërndarjet preferenciale. “Qarqet më të varfra, me numrin më të lartë të popullsisë dhe zonat me më shumë njësi administrative, do të marrin grantet më të mëdha”, tha znj. Shhaideh.
Ajo e humbi postin ministror në një riorganizim të qeverisë tetorin e kaluar pasi prokurorët nisën një hetim për të, ku ajo dyshohej se ishte e përfshirë në çështje që kishin lidhje me korrupsionin.
Komisioni Europian po e mban sistemin gjyqësor rumun nën një monitorim të posaçëm dhe prokurorët e vendit janë duke ndjekur me vendosmëri rastet e ndryshme të korrupsionit, duke dërguar në Gjykatë, qindra kryetarë komunash, këshilltarë qarku dhe ligjbërës nga të gjitha kahet e partive.
Pjesa më e madhe e hetimeve përfshijnë rastet që kanë të bëjnë me kontratat publike që u janë dhënë kompanive në këmbim të ryshfeteve, mashtrimeve që janë bërë me fondet e BE-së, manipulimin e ankandeve dhe konflikteve të interesit. Megjithatë, dënimet me burg janë pezulluar në të shumtën e rasteve, duke dërguar pas hekurave vetëm një numër të vogël zyrtarësh.
Përpjekjet e qeverisë së PSD-së për të dekriminalizuar disa vepra korrupsioni vitin e kaluar shkaktuan edhe protestat më të mëdha të dekadave të fundit në rrugët e vendit.
Dhe ajo që është më e çuditshme, është se pas të gjitha këtyre situatave, partia, e cila fitoi si zgjedhjet në nivel kombëtar ashtu edhe ato në nivel lokal, vazhdon të gëzojë ende një përkrahje të madhe.
Ekonomia e Rumanisë po lulëzon me ritme vjetore rritjeje prej 9% gjatë 2017, por gjithsesi vazhdon të renditet ende në vendet e varfra. PBB-ja për frymë ishte vetëm 58% e mesatares së BE-së në vitin 2016, ndërsa në vitin 2011, të ardhurat mesatare vjetore të rumunëve arritën në më pak se 6,000 euro (7,500 dollarë) krahasuar me afërsisht 18,000 euro në Portugali, një prej vendeve më të varfra të Europës Perëndimore.
Një problem tjetër është pabarazia që ekziston midis qyteteve të tilla si Bukureshti, që kanë përfituar kryesisht nga tranzicioni i Rumanisë në një ekonomi tregu dhe zonave rurale. “Rumania ka dy fytyra të ndryshme, tha sociologu Sandu. Njëra është ajo që të lë përshtypjen si çdo qytet i begatë dhe dinamik në Europë dhe tjetra është të krijon idenë që po drejtohet nga një grup politikanësh, që kanë zhvilluar një strukturë institucionale të pushtetit, pothuajse feudale.
Jashtë qyteteve të mëdha, shumë qyteza të vogla dhe fshatra vuajnë nga mungesa e shërbimeve bazë. Sipas një studimi të World Vision, më shumë se 200,000 fëmijë, veçanërisht në zonat rurale, binin të flinin të uritur.
Sipas të dhënave të Eurostat, vendi ka shkallën më të lartë të varfërisë së familjeve në BE, me një në dy rumunë që përpiqen me vështirësi të shumta të paguajnë faturat në kohë apo t’u plotësojnë familjeve të tyre kërkesat bazë.
Prandaj këta njerëz priren të votojnë për kandidatin që mendojnë se do t’u sigurojë atyre më shumë para.
“E thënë me fjalë të tjera, ata po votojnë për të mbijetuar. Këta njerëz ndihen të harruar, të braktisur, të lënë në mëshirë të fatit dhe besojnë se mënyra më efikase e mbijetesës, është ai udhëheqës që mendon sado pak për ta”, tha më tej z. Sandu.