Teknologjia dhe bankat, “E ardhmja është tani”

30/11/2018 10:04 PM 0 komente

Si zhvillimet teknologjike po ndryshojnë mënyrën si operojnë institucionet financiare. Bankat kanë qenë gjithnjë pararojë e ndryshimeve teknologjike. Tashmë shërbimet e tyre janë më të personalizuara ndaj klientit. Bankat në botë po orientojnë bizneset e tyre sipas nevojave të klientit. Në një të ardhme të afërt, degët e bankave do të jenë shumë të ndryshme nga modelet tradicionale

 

Revolucioni teknologjik tashmë është një realitet që po ndodh në të gjithë globin. Ndryshimet teknologjike kanë qenë shpesh një hap para edhe kornizave ligjore. Sektori bankar ka qenë në të shumtën e rasteve pararojë e këtyre ndryshimeve.

Për të katërtin vit radhazi, Printec, kompani që operon në 17 vende të Europës Qendrore dhe Lindore, organizon workshop-e mbi të rejat më të fundit në teknologjitë e transaksioneve biznes-konsumator, të cilat ofrojnë zgjidhje për ta bërë përditshmërinë më të lehtë. Ky vit shënon 30-vjetorin e operimit të Printec në treg. “E ardhmja tani” (The future now) ishte tematika e këtij workshop-i, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të bankave dhe të kompanive të sigurimit. Risitë më të fundit u prezantuan nga përfaqësues të kompanive amerikane të prodhimit të ATM-ve dhe POS.

Në fjalën e tij hapëse, drejtuesi i Printec Group, Harris Costandinos, e vuri theksin te një botë që po ndryshon dhe se si vizionet po transformohen në teknologji. Tashmë, ndryshimet teknologjike po sjellin një rikonfigurim të degëve të bankave, ndërsa kombinimi i teknologjive po ndryshon mënyrën tradicionale të shërbimit ndaj klientit.
Disa nga temat e prezantuara në workshop ishin “Degët e së ardhmes”, “Gjenerata e re e zgjidhjeve në tregti”, “e-firmat”, si dhe u prezantuan të rejat më të fundit mbi transaksionet dhe ATM.

 

Degët e së ardhmes

Degët e bankave i janë nënshtruar një evolucioni në mbarë globin, ndryshime të cilat po prekin edhe Shqipërinë. Violeta Xanthouli, përfaqësuese e kompanisë Printec Group, tha se këto ndryshime po nxiten nga një sërë faktorësh të bërë bashkë. Së pari, faktor kryesor janë ndryshimet demografike. Të rinjtë përbëjnë rreth 30% të popullsisë botërore dhe ata janë shumë të lidhur me teknologjinë. Duke iu referuar studimeve, Xanthouli tha se mundësitë financiare që ata përfaqësojnë, qoftë në konsum apo biznes, llogariten rreth 290 miliardë dollarë.

Të rinjtë janë shumë të lidhur me smartphone-t e tyre. Sipas të dhënave në 2017-n, kishte 4.4 miliardë smartphone të lidhur në mbarë globin. Tashmë kemi të dhëna për çdo gjë, informacioni personal është i gjithi i ruajtur brenda telefonave tanë. Evolucioni i degëve të bankave është nxitur edhe nga Fintech, ku prej 2010-s është rritur si numri i marrëveshjeve, ashtu edhe vlera e investimeve.

Evolucioni i degëve po vjen edhe nga përdorimi i të dhënave biometrike, të cilat janë unike dhe të pakopjueshme për secilin individ. Sipas anketave në Mbretërinë e Bashkuar, 42% e të rinjve janë shprehur se mund të përdorin skanimin e syve për të verifikuar pagesat.

Në të njëjtën kohë që kanë evoluar telefonat që përdorim, kanë evoluar edhe pagesat, tashmë mund të paguajmë nga një sërë pajisjesh faturat tona, pa qenë e nevojshme të shkojmë diku fizikisht.
Ndërkohë që ndodhin të gjitha këto ndryshime, po punohet edhe me kornizën ligjore. Prej korrikut 2016 ka një legjislacion të harmonizuar në mbarë Europën për transaksionet online, duke bërë që e-firmat të jenë një mënyrë e ligjshme dhe e sigurt për të kryer transaksionet.

Por, ndërkohë që teknologjia evoluon, çfarë po ndodh me degët e bankave? Që nga viti 2012, numri i degëve të bankave në 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian po bie. Më shumë se 31 mijë degë bankash janë mbyllur në të gjithë Europën, por ndryshimi ka qenë më i madh në vendet e Europës Qendrorë dhe Lindore. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, numri i degëve ra me 32%, dyfishi krahasuar me Europën. Numri i degëve të mbyllura në këtë rajon llogaritet rreth 15 mijë, por pjesa më e madhe tyre janë në Ukrainë, për shkak edhe të trazirave.

Ndërkohë që degët po tkurren dhe ky është një fenomen që po ndodh në mbarë globin, numri i ATM është stabël. Edhe pse bankat kanë më pak degë, ato ofrojnë më shumë pika aksesi për klientët e tyre.
Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë, numri i ATM-ve të bankave në vend ishte 776. Kanalet alternative (web, mobile), po zëvendësojnë kanalet tradicionale.

Në të gjithë Bashkimin Europian numërohen rreth 400 mijë ATM të instaluara apo rreth 800 njësi për 1 milion banorë. Numrin më të lartë të ATM-ve për 1 milion banorë në Europë e ka Spanja, me rreth 1075 ATM për 1 milion banorë, Mbretëria e Bashkuar me rreth 1068/milion banorë, Franca me 858 ATM/milion banorë dhe Gjermania me 707 ATM/milion banorë. Shqipëria ka numrin më të ulët të ATM-ve për 1 milion banorë, me rreth 277 ATM për 1 milion banorë, gati tre herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian.

 

 

Degët “janë ende në lojë”

Pavarësisht se degët po transformohen, ato janë ende lojë. 40% e institucioneve financiare kërkojnë të komunikojnë nëpërmjet degëve se ato janë kanale tradicionale, që krijojnë besim dhe siguri dhe vetëm 8% prej tyre kërkojnë që të komunikojnë nëpërmjet dizajnit të tyre, se janë miqësore ndaj të rinjve. 18% e tyre duan të shprehin se janë futuriste dhe të dixhitalizuara, sipas Efma/Synechron.

Bankat po krijojnë degë miqësore, me mjedise që tërheqin klientët, shumë ndryshe nga degët tradicionale.
Ka disa shembuj të degëve të tilla në Europë. HSBC çeli “Flagship Branch” në Mbretërinë e Bashkuar për t’ju shërbyer klientëve kryesorë të bankës. Mjediset janë të hapura dhe mikpritëse dhe në të njëjtën kohë, ofrojnë privatësinë e nevojshme.

Në degën e bankës Umpqua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë që merr shërbime bankare mund të pish kafe me miqtë. Interesant është fakti se atë mund ta përdorin jo vetëm klientët e bankës. Në Australi, dega e bankës NAB përfshin salla seminaresh, zona të përbashkëta pune dhe mjedise relaksimi. Dega ngjan si një dyqan i shitjes me pakicë dhe është e fokusuar te transaksionet online.

Një tjetër shembull i degëve të transformuara janë edhe e-degët e Pireus Group në Greqi. Në dy vitet e fundit, banka ka hapur 5 të tilla në Greqi dhe qëllimi ishte krijimi i një hapësire që kombinon teknologjinë me shërbimin e klientit. Çdo degë ka dy persona që asistojnë klientët me transaksionet e tyre kur është e nevojshme.

 

Normaliteti i ri

Sipas statistikave të 2017-s, nëpërmjet telefonit numërohen mesatarisht 20-30 veprime çdo muaj për shërbimet bankare për klientët në botë, me anë të kompjuterit kryhen mesatarisht 7-10 veprime çdo muaj, 5-10 nëpërmjet call-center të bankave, 2-5 herë nëpërmjet ATM-ve, ndërsa 1-2 herë nëpërmjet degëve. Sipas Matthias Salmon, përfaqësues i kompanisë NCR, që merret me prodhimin dhe programimin e ATM-ve, bankat duhet që të riorientojnë modelin e tyre të biznesit rreth klientit. Bankat duhet të japin shërbime më të specializuara për klientët e tyre.

Në mbarë botën, numri i abonimeve nëpërmjet telefonit për çdo 100 individë është 97. Pagesat në kohë reale dhe Bankingu i Hapur janë forcat që po ndryshojnë panoramën se si po bëhen pagesat në të gjithë botën dhe se si klientët ndërveprojnë me bankat e tyre. Nëse në të shkuarën, pyetja ishte se me çfarë banke ndërvepron, sot pyetja bëhet si ndërvepron ti me bankën.

 

Si do të ndryshojë e ardhmja e pagesave

E ardhmja e pagesave po shkon përtej një pagese të thjeshtë. Tashmë ka aplikacione të cilat janë në shërbim të tregtarëve që të shesin edhe më shumë, por ka edhe aplikacione për klientët që përmirësojnë përvojën e tyre në blerje. Në 2012, numri i pajisjeve POS në Shqipëri ishte 5307, ndërsa aktualisht është 8,157, me një rritje prej 53%. Megjithatë Shqipëria ka numrin më të ulët në rajon.

 

Intervista

Automatizimi i bankave nuk përkthehet në tkurrje të shërbimeve

 

Flet Adrian Shehu, Drejtor i Përgjithshëm i Printec Albania

 

Në tregun bankar pritet që të hyjnë teknologji të reja, të cilat do të përmirësojnë dhe do të lehtësojnë shërbimin. Adrian Shehu, Drejtor i Përgjithshëm i Printec Albania, thotë se automatizimi i degëve të bankave ka ardhur si nevojë e reduktimit të shërbimeve me kosto të lartë dhe se shërbimi i dikurshëm u gjet i vjetruar.

Printec Group është lider në ofrimin e teknologjive në 17 vende në Europën Lindore dhe Qendrore. Cilat janë disa nga teknologjitë, risitë dhe zgjidhjet që ofron ky grup?

Printec është partner strategjik i NCR/ Verifone/Fico-Tonbeler/Namiral.
Printec, nëpërmjet partnerëve strategjikë, ka kontribuar në stadet e zhvillimit të inovacioneve në sektorin financiar në Shqipëri, duke iu përshtatur kërkesave të tregut për të vijuar në standardet e kërkuara. Dinamikat e kërkesave të tregut kanë mundësuar aplikimin e teknologjive bashkëkohore, duke e bërë tregun në Shqipëri të jetë në standardet që kërkohet.

Sistemi bankar ka qenë gjithnjë pararojë në zbatimin e teknologjive të reja. Çfarë produktesh të reja do të hyjnë në treg dhe si do t’i lehtësojnë shërbimet për klientin?

Duke konsideruar 2018 dhe vitet më pas, kemi prezantuar produkte të zhvillimeve të reja të teknologjisë, si dhe kemi bërë implementim pilot. Në vitin 2019, këto produkte si ATM NCR SS 80 Series, POS/EFT Verifone Engage, eSignature, Branch Transformation/ Anti money loundrin etj., do të implementohen në disa institucione financiare. Kjo do të shërbejë për një marrëdhënie ndryshe të bankës me klientët.
Ndërkohë jemi duke punuar për të prezantuar dhe për të implementuar koncepte të reja të banking-ut dhe të shitjeve me pakicë, që do të prezantohet në muajt në vijim.

Vendet e zhvilluara po eliminojnë përdorimin e parasë cash. Sa larg këtij realiteti janë vendet EQL dhe Shqipëria në veçanti?

Mijëvjeçari i ri ka sjellë risi e tendenca të reja. Aplikimi i teknologjive dhe programeve softuerë ka ndihmuar institucionet financiare të minimizojnë përdorimin e parasë cash në shumë territore. Qëllimi i reduktimit të cash-it është i lidhur me shumë elemente, të cilat paraqesin kosto të larta operacionale të administrimit. Ndërkohë, dinamika e kërkesave të tregut ka zhvilluar programe e teknologji, të cilat lehtësojnë administrimin dhe kryerjen e pagesave në kohë reale.

Në Shqipëri ka disa vite që ndihet reduktimi i parasë cash, por vijon të punohet nga të gjithë pjesëmarrësit në treg dhe ekonomi, duke investuar në teknologji, të cilat ndikojnë në reduktimin e parasë cash në qarkullim. Megjithatë çështja e parasë cash në qarkullim është edhe çështje psikologjike. Shtresa të ndryshme të shoqërisë sonë janë ende në konceptin e parasë cash. Në njëfarë mënyre, këtë e kanë edhe të imponuar. P.sh. tregu i shitjes me pakicë preferon pagesat cash se sa pagesa alternative. Prandaj duhet kuptuar se çdo hap i hedhur është pozitiv dhe premtues.

Shqipëria ka numrin më të ulët të pajisjeve POS në rajon. Cilët janë faktorët dhe çfarë do ta përmirësonte situatën?

Kjo është e vërtetë, pasi ritmet e rritjes janë shumë të vogla. Ndërkohë duhet shprehur se institucionet financiare kanë investuar shumë në këtë produkt. Mjafton të përmendim faktin se investimi në POS/EFT është bërë nga banka dhe jo tregtari. Pajisjet janë në pronësi të bankës dhe tregtari është thjesht përdorues i tyre. Në shumë raste, alternativa për pagesë nuk ofrohet nga tregtarët. Prandaj kërkohet që edhe tregtarët të ndryshojnë konceptin, pasi kjo alternativë ju shërben më mirë interesave të biznesit të tyre. Kur them këtë, kam parasysh shumë elemente që duhen trajtuar me transparencë e duhet punuar me tregtarët, që të jenë të mirinformuar për shërbimet dhe avantazhet.

Gjatë prezantimit u tha se numri i degëve në Europën Lindore dhe Qendrore ka rënë me 34% në vitet e fundit. Si ka ndikuar automatizimi i proceseve dhe teknologjia në reduktimin e degëve?

Automatizimi ka ulur numrin e degëve të bankës, por në aspektin e shërbimeve me kosto të lartë dhe se shërbimi i dikurshëm u gjet i vjetruar. Kjo nuk do të thotë tkurrje shërbimesh, përkundrazi teknologjitë kanë mundësuar shtrirjen e shërbimeve në shumë pika që konsiderohen si pika shitje. Kjo ndodhi e tkurrjes të kujton Alan Greenspan te libri “Koha e Turbullirave” me shprehjen “…shkatërrimi i krijimit”…

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of