I frymëzuar nga shpirti luftarak i pjesëmarrësve në Lojërat Olimpike, të cilët kalojnë barrierat e skepticizmit, Samsung ka prezantuar Samsung Galaxy Note 7, në një event që u zhvillua njëkohësisht në Nju Jork, Londër dhe Rio De Janerio.
“Edhe ne u hasëm me dyshime, skepticizëm në punën tonë me Samsung Galaxy Note”, paralelizoi DJ Koh, President i Mobile Communications Business, Samsung Electronics. Por, ai shtoi se në Britaninë e Madhe, rritet me 50% kërkesa çdo vit nga ata që duan telefonë me ekran të madh. Teksa të gjithë pyesin se çfarë mund të bëhet më shumë, z. Koh është i bindur se ka gjithnjë e më shumë hapësira për risitë në telefonat inteligjentë.
“Galaxy Note7 kombinon produktivitetin, zbavitjen, me elementët e fortë të sigurisë, duke qenë një pajisje ideale për ata që duan të arrijnë më shumë në jetë,” tha z. Koh. Sipas tij, ky model i ri është një përshtatje me nevojat e njerëzve dhe sfidën me teknologjinë e re, duke ofruar një eksperiencë përtej kufijve dhe me një galaksi mundësish.
Prezantimi i Note 7, vjen një vit pasi Samsung hodhi në treg Note 5 (ndonëse është i gjashti në listë, ai u quajt Note 7, për t’u unifikuar me Samsung Galaxy S7, që u prezantua së fundmi).
“Ky model prezanton kthimin e Samsung Note në familjen e Samsung. Europianët kërkojnë më shumë kontroll, zbavitje dhe produktivitet nga një smartphone’, tha drejtori i Samsung Electronic Europe, YH Eom, duke shtuar se edhe shitjet e Galaxy S7, të prezantuar pak muaj më parë, po rriten atje ku të tjerët po gjejnë vështirësi.
“5 vjet më parë pamë në treg nevojën për një telefon inteligjent që bën më shumë. Kur prezantuam Galaxy Note për herë të parë kishte skeptikë, por ne i mposhtëm. Ekranet e mëdha zënë sot 18% të shitjeve. Sot e kemi ridizenjuar për një gjeneratë të re”, tha David Lowes, drejtori i marketingut për Europën.
Varianti 7 vjen i përmirësuar në të gjitha drejtimet. Për herë të parë në serinë e modeleve Note, pajisja është e lakuar, në të dy anët e ekranit ballor.
Ai është rezistent ndaj ujit (mund ta lësh gjithë ditën në ujë dhe nuk e gjen gjë) dhe pluhurave. Ndryshe nga S7, që është gjithashtu rezistent ndaj ujit dhe pluhuritt, përdoruesit mund të kontrollojnë Note 7 në kushte të lagështirës, duke përdorur stilolapsin S-Pen.
Stilolapsi S Pen është i përmirësuar, duke dhënë mundësinë për të krijuar dhe ndarë animacione GIF, ndërsa i është shtuar dhe funksioni i përkthimit. S Pen shkruan më lehtësisht dhe me më shumë saktësi.
Një element që vlerësohet është ai i sigurisë. Note 7 ka atë që kompania e quan funksioni Samsung Pass, që u mundëson përdoruesve të logohen lehtësisht dhe të identifikojnë vetveten duke përdorur njohjen e retinës, një element që është i dobishëm në pagesat përmes celularit.
Note 7 ka një procesor aplikacioni 64-bit octa-core. Kapaciteti mbajtës për Note 7 është i kufizuar në 64 GB, por ofron gjithashtu mundësinë e një kujtese të jashtme, që mban deri në 256 GB.
Galaxy Note7 është i pajisur me kamerën e përparuar, që u prezantua te Galaxy S7 dhe Galaxy S7 edge. Përmes pajisjes Gear VR, përdoruesit mund të përjetojnë eksperiencën virtuale pothuajse kudo.
Në Europë, Note 7 do të jetë në shitje nga 2 shtatori, ndërsa mund të para- porositet duke filluar nga 16 gushti.
Shqipëria dhe Kosova, me shitjet më të ulëta të smartphone për frymë
Drejtues të Samsung Electronics Adriatic (SEAD), me zyra qendrore në Serbi e Kroaci, dhe që mbulojnë gjithë rajonin, pohojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë shitjet më të ulëta për frymë të smartphone në rajon, si rrjedhojë edhe e tregut të lartë informal. Megjithatë, Milan Vujovic, drejtori i marketingut në Samsung Electronics Adriatic, Serbi, thotë se në përgjithësi i gjithë rajoni ka shitje të ulëta të smartphone për frymë në raport me Europën Perëndimore, për faktin e thjeshtë të të ardhurave të ulëta të këtyre vendeve. “Shefi më thotë shpesh që do doja të shikoja radhë të gjata dhe në vendet e rajonit, kur del një model i ri, por gjithnjë i kujtoj se sa ditë pune i duhen një punonjësi në rajon për të blerë një telefon të ri të mençur, në krahasim me një që punon në Zvicër, apo Gjermani”, thotë ai. Gjithsesi, shitjet këtë vit në rajon janë rritur, teksa ky vit përkon me periudhën kur njerëzit ndërrojnë telefonat, që përgjithësisht është një herë në dy vjer në vendet e zhvilluara dhe më e gjatë se dy vjet në ato me të ardhura më të ulëta.