Pjesëmarrja e kompanive ndërkombëtare si Telekom Albania dhe ICTS si motivuesit e zhvillimit strategjik të Panairit të Punës.
Shqipëria është një ndër vendet me popullsinë më të re të Evropës. Studimet tregojnë se mosha mesatare në Shqipëri është 35.3 vjeç. I gjithë ky potencial njerëzor, i cili përkthehet në energji për shoqërinë, has një ndër problematikat më të mëdha të tregut jo vetëm shqiptar por dhe evropian, papunësinë.
Të gjitha projektet politike në vend e konsiderojnë punësimin si kryefjalë të strategjive të tyre. Fakt është se numri i vendeve të punës është i zhdrejtë në raport me numrin e punëkërkuesve dhe kjo e bën të vështirë gjetjen e pozicionit të dëshiruar. Arsyet janë nga më të ndryshmet, numri i vogël i sipërmarrjeve të huaja dhe vendase, mungesa e përvojës së punëkërkuesve, referencat e pakta, centralizimi i bizneseve në qytetet e mëdha apo edhe mungesa e infrastrukturës që mund të afrojë biznesin më tregun.
Në vitin 2013, “Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë” risolli në vëmendje nevojën e riformulimit të Panairit të Punësimit në një format krejtësisht të ndryshëm, që synonte krijimin e urave të komunikimit mes biznesit privat, insitucioneve shtetërore dhe punëkërkuesve. Frytet e këtyre ndryshimeve u ndjenë që në vitin 2013, ku numri i bizneseve pjesëmarrëse shkoi në 70 dhe numrin e vendeve të punës që ofroheshin në këtë panair u rrit ndjeshëm, duke prekur shifrën 5000.
Synimi kryesor i këtij panairi ishte dhe mbetet pika e kontaktit me emra të njohur si
Vodafone, Telekom Albania, Spiecapag, Raiffeisen Bank, Bankers Petroleum, Banka Kombëtare Tregëtare, Abi Bank dhe ICTS Albania.
Kjo e fundit një kompani që për tregun e gjerë mund të jetë e panjohur, por për sektorin e shërbimeve të sigurisë, është pa asnjë dyshim kompania më e rëndësishme jo vetëm në vend por në mbarë botën.
Që prej viti 2005 ky filial plotësisht në pronësi të grupit Francez multinacional ICTS Europe, pjesë e SOFINORD Group, operon edhe në Shqipëri me ekspertizën më të avancuar për zgjidhjen e sigurisë në sektorët detar, te aviacionit dhe te korporatave.
Interesimi i ICTS për ofrimin e këtij shërbimi vital për sigurinë e Aeroportit të vetëm Shqiptar, prodhoi 300 vende pune por, kërkesat gjithmonë e në rritje dhe zhvillimi i teknologjisë brenda sektorit bëjnë që kompania të jetë gjithmonë në kërkim të profesionistëve të rinj.
Ndaj pjesëmarrja në Panairin e Punësimit e prezantoi ICTS Albania jo vetëm si sponsor të sigurimit të vetë panairit, por edhe si një kompani që ofron profesionalizëm dhe stabilitet bazuar në standardet më të mira Evropiane. Përmes një modeli ekselent të burimeve njerëzore, i cili është në përputhje të plotë me kodin e punës, ICTS Albania konkuron tregun me paga që e kalojnë mesataren e sektorit, bonuse mujore e vjetore, paga të 13-ta, rritje në detyrë brenda kompanisë dhe trajnime të vazhdueshme për të gjithë stafin gjatë gjithë vitit.
ICTS Albania i ka shtrirë shërbimet e veta duke ofruar siguri në sektorë të ndryshëm për emrat më të mëdhenj të tregut si në turizëm, energjitikë, shërbimet industriale dhe Ambasada nga më të rëndësishmet në Shqipëri. ICTS Albania propozoi për tregun në këtë panair, 10-të vende vakante dhe 7 vende internship-i për të cilat interesimi ishte shumë i lartë. Plot 400 aplikime do të kalojnë përmes zyrës së burimeve njerëzore nën një vëzhgim të kujdesshëm dhe cilësor të mbështetur në një sistem vlerash me start-e të barabarta për të gjithë aplikantët.
Këto shifra dhe të dhëna vijnë si dëshmi se ky panair pune ka hedhur në treg një koncept strategjik të ri, për të afruar profesionistët me një realitet si ICTS. Duke i dhënë mundësi jo vetëm të rinjve të gjejnë një pozicion pune, por edhe punëdhënësve të njohin profesionistët e rinj të sektorëve përkatës, çka e bën “Panairin e Punës” një markë të garantuar suksesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.