Telekomi i Kosovës ka finalizuar me sukses projektin e lidhjes me kabllo optike të Kosovës me Shqipërinë, përgjatë rrugës së Kombit në vendkalimin kufitar, Vërmicë-Morinë. Kjo është dalja e dytë e bazuar në medium transmetues optik e Telekomit të Kosovës drejt Republikës së Shqipërisë, krahas asaj në vendkalimin kufitar Qafë Morinë (Gjakovë-Bajram Curr), e cila kishte përfunduar dy vite më parë. Realizimi i këtij projekti hap një urë të re komunikimi, digjitale, në mes të operatorëve telekomunikues andej dhe këndej kufirit, por edhe kompanive multi-mediale, në radhë të parë radio-televizioneve, transmeton telegrafi njoftimin.
Tashmë janë krijuar mundësitë që të ketë lidhje direkte të tipit Live-Studio (Studio e drejtpërdrejt), me kosto dhe kualitet të pakrahasueshëm në mes të studiove televizive, radio studiove, etj; shkëmbim të të dhënave, video incizimeve, incizimeve zanore, shkëmbimin e internetit, si dhe thirrje telefonike të kualitetit të lartë me kosto të favorshme për konsumatorët tanë në të dy anët e kufirit.
Kjo ndërlidhje do të mundësojë, përveç të tjerash, edhe shkëmbimin dhe ruajtjen e të dhënave në formën e Data Recovery Centers (qendra e ruajtjes dhe rikthimit të të dhënave) në të dyja vendet respektive, duke ngritur kështu standardin teknik në këtë fushë dhe gjithmonë në pajtim me kuadrin ligjor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.