Operatorët e mëdhenj të telefonisë celulare kanë hyrë në vitin e dytë me fitime të ulëta, teksa tregu i telekomunikacioneve është larg fitimeve të mëdha të disa viteve më parë, ku normat arrinin edhe mbi 50%. 2016-a ka qenë viti më i keq për Vodafone dhe Telecom Albania, për sa u përket fitimeve, që kur ata kanë filluar aktivitetin e tyre.
Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 17 miliardë lekësh (zgjerim 8.4% me bazë vjetore), ka deklaruar fitime para taksave prej 405 milionë lekësh, me një rënie prej 31% nga deklarimet në bilanc në 2015-n. Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes dhe shërbimeve, në raport me zgjerimin e të ardhurave. Norma e fitimit ishte vetëm 2.4%. Fitimi pas taksave ishte minimal prej 98 milionë lekësh, për shkak të shpenzimeve të larta të tatimfitimit (për shkak të mosnjohjes së shpenzimeve të zbritshme nga Tatimet).
Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura prej 10.4 miliardë lekësh, raportoi fitime minimale prej 155 milionë lekësh, me një tkurrje prej 80% në raport me 2015-n. Për herë të parë, Telecom Albania nuk është në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet kanë mbetur në vend. Ashtu si në rastin e Vodafone, Telecom Albania ka rezultuar me fitim minimal pas tatimit (22 milionë lekë), për shkak të mosnjohjes së shpenzimeve.
Albtelecom, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka vijuar sërish aktivitetin me humbje, që gjithsesi është përgjysmuar nga 2.2 miliardë lekë, në 1.1 miliardë lekë.
Plus Communication, operatori i katërt në treg, ka rezultuar për herë të parë me një fitim nga aktiviteti prej 134 milionë lekësh. Megjithatë, aktiviteti me humbje, që kur hyri në treg në 2009-n, bënë që aksionerët e kompanisë të marrin vendimin për të shitur frekuencat tek Vodafone dhe Telecom Albania në tremujorin e fundit të këtij viti, duke dalë kështu nga tregu i telefonisë së lëvizshme, që kthehet me tre operatorë aktivë pas 31 dhjetorit të këtij viti.
Abcom është një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet) ka deklaruar fitime prej 368 milionë lekësh, me normë kthimi prej 20%.
Info-Telecom, me aktivitet shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar e ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 269 milionë lekësh, me normë të ulët fitimi prej vetëm 2.1%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.