Tendencat e pushimeve të verës 2013

18/05/2013 08:02 0 komente
Summer Holidays

Fushata zgjedhore po bën që turizmi të mbajë “frymën”. Agjencitë turistike në vend shprehen të shqetësuara për ndikimet që kjo periudhë do të ketë në këtë industri. Megjithatë, lëvizjet e pakta tregojnë se shqiptarët, edhe këtë vit, do të preferojnë Greqinë dhe Turqinë ndërsa për fundjavë, vendet fqinje. Të huajt në Shqipëri preferojnë destinacionet klasike, që janë pasuri botërore, por edhe ato malore

 

Nga Elona Bedalli

Sezoni turistik tashmë është hapur zyrtarisht në Shqipëri, por pushimet, deti, rëra duken si fjalë të “huaja” në këto ditë herë të nxehta e herë të freskëta maji. Fushata zgjedhore e ka “hutuar” disi këtë industri, e cila ka nisur ta ndiejë edhe më fort ndikimin. Drejtuesit e agjencive turistike thonë se asgjë e mirë nuk duket në horizont. Ata thonë se administrata, e cila përbën një pjesë të mirë të klientëve të tyre, do të qëndrojë e “izoluar” për ca kohë, ndaj dhe për turizëm mund të flitet më shumë gjatë fundjavës. Interesante, sipas tyre, paraqitet tendenca e kërkesave për prenotime për muajin e mjaltit nga çiftet e reja, por edhe nga ata familjarë që nxitojnë të bëjnë pushimet përpara sesa gara elektorale të arrijë kulmin e saj. Po cilat do të jenë destinacionet e shqiptarëve për këtë sezon. Tur-operatorët rrëfejnë se “hit parada” kryesohet nga Greqia, e ndjekur nga Turqia, por edhe Egjipti. Fqinjët me kosto më të ulët, Maqedonia e Mali i Zi, po preferohen më shumë për të kaluar fundjavën. Ndërsa të huajt në Shqipëri (edhe ata nën ndikimin e pasigurive që mund të lindin nga situata parazgjedhore) po preferojnë turet kulturore klasike, por edhe turizmin malor dhe të aventurës. Vende si Voskopoja, Dardha, Razma janë kthyer ndër destinacionet më të kërkuara nga të huajt.

 

Pak nga të gjitha

Afër dhe larg, mirë dhe lirë. Me pak fjalë kështu mund të përshkruhet tendenca e shqiptarëve për t’i kaluar pushimet jashtë vendit. Sezoni sapo ka filluar dhe agjencitë e udhëtimit e kanë të vështirë që të japin një panoramë të plotë dhe të saktë mbi atë se si pritet të jetë ky sezon, por një gjë është e sigurt, se shqiptarët mbeten besnik kundrejt destinacioneve. Në dallim nga sezoni i kaluar, në listë është futur sërish Egjipti, i cili për shkak të pasigurive politike ishte lënë disi mënjanë. Sa u përket çmimeve të paketave turistike ato nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të ndjeshëm, ndërsa qëndrimi 7-ditor tashmë është kthyer në modë.

Turqia renditet si vendi më i preferuar deri tani për të kaluar pushimet. Shqiptarët janë mësuar me këtë vend, oferta e të cilit iu përshtatet më së miri nevojave dhe dëshirave të tyre. Gjithçka në një vend dhe jo shumë shtrenjtë. Drejtuesit e agjencive turistike ndajnë të njëjtin mendim në lidhje me preferencën e shqiptarëve për Turqinë dhe shtojnë se ata e kanë të vështirë që të heqin dorë prej saj. Për drejtuesit e agjencisë “Union Travel”, Turqia është një destinacion me ofertë shumë të larmishme dhe ato fillojnë nga data 31 maj. Çmimet e paketave janë të ndryshme, duke filluar nga rreth 400 euro në rreth 950 euro për person për 7 net, në hotele me pesë yje.

Edhe drejtuesit e agjencisë “Sava Tours” e rendisin këtë destinacion si ndër më të kërkuarit deri tani. Tarifat nisin nga rreth 370 euro në 850 euro për person në hotele me pesë yje për rreth 7 net qëndrim. Të njëjtën tendencë konfirmojnë edhe drejtues të agjencive të tjera turistike.

Destinacioni i dytë në radhën e preferencave të shqiptarëve është Greqia. Duke qenë lehtësisht e arritshme edhe në mënyrë individuale kërkesa për të kaluar pushimet në ishujt e saj është rritur. Korfuzi dhe Kalkidhikia mbeten më të preferuarat. Kriza që vazhdon të mbajë të mbërthyer Greqinë është kthyer në një avantazh për ofrimin e paketave ekonomike për shqiptarët.

Paketat për në këtë vend nisin nga rreth 200 euro për person.

Pas një periudhe relativisht “qetësie”, edhe Sharm el Sheik është rikthyer në listën e preferencave të atyre shqiptarëve që duan t’i largohen për pak vendit të tyre. Paketat janë vërtet interesante dhe Egjipti është një destinacion që duhet të vizitohet tani që moti nuk është nxehur ende shumë. Për 7 net, mund të gjeni paketa që nisin duke filluar nga 700 euro për person.

Por, nëse nuk doni të shkoni kaq larg, atëherë mund t’i besoni fqinjëve. Sipas drejtuesve të agjencisë “Sava Tours”, Mali i Zi dhe Kroacia janë brigjet më të preferuara. Kanë ofertë të larmishme dhe cilësi shërbimi. Për ata që duan të pushojnë në këto vende, “Union Travel” ofron paketa me ture të këndshme kulturore disaditore, me çmime të arsyeshme që nisin nga 130 euro për person për 2-3 ditë qëndrimi.

Vendet e Europës gjithashtu kanë kërkesa edhe pse jo në nivelet e destinacioneve të mësipërme. Evente si finalja e Champions League tërheqin jo pak turistë dhe shqiptarët nuk bëjnë përjashtim në këto raste.

Një tjetër agjenci, “Vas Tour”, ofron si tendencë paketa në Palma de Mallorca, Paris (duke filluar nga 570 euro), por edhe Venecia ( 349 euro për person). Për disa destinacione, fluturimet do të nisin së shpejti, por gjithsesi ato tregojnë se oferta e agjencive është e pasur.

Edhe kroçerat kanë nisur të bëhen tendencë edhe pse, sipas drejtuesve të agjencive turistike, mungon kultura e rezervimet për këto lloj paketash, që janë interesante dhe ofrojnë një përvojë krejt tjetër.

 

Një model ndryshe

Efekti zgjedhje nuk po “penalizon” vetëm pushimet e shqiptarëve. Edhe të huajt po tregohen të rezervuar në mbërritjet e tyre në Shqipëri. Ndikimi nga situata politike është e fortë. Kliton Gërxhani, ekspert i turizmit, por edhe drejtues i agjencisë “Albania Holidays”, thotë se industria e turizmit pritet të vihet në një provë të fortë dhe është vështirë të thuhet se si do të kapërcehet ajo. Të huajt që mbërrijnë në Shqipëri preferojnë kryesisht destinacionet kulturore klasike me qëndrime 7-ditore, por nuk mungon edhe shpirti i aventurës. Destinacione të tilla si Voskopoja, Dardha apo edhe Razma renditen si ndër më të kërkuarat. Për ata që vijnë nga vende më të largëta, si Amerika e Azia, vendi ynë përfshihet në turet e përbashkëta ballkanike, ku vizitohen deri në 10 destinacione. Kjo krijon avantazhe.

Një tendencë përtej parashikimeve sipas tur-operatorëve shqiptarë ishte festa e Pashkës ortodokse, e cila rezultoi e mbarë për turizmin e fundjavës. Durrësi u kthye në një destinacion të populluar edhe nga shqiptarët e Kosovës. Frymëmarrje të vogla për këtë fillim sezoni, por që nuk kalojnë pa u vënë re nga operatorët turistikë.

E në fakt, sipas Kliton Gërxhanit, turizmi i fundjavës duhet të kthehet në një pikë të fortë, që më së shumti duhet ta shfrytëzojë Durrësi. Sipas tij, ka ardhur koha që të adoptohen modele të ngjashme që zbatohen edhe në vende të tjera, për destinacione të caktuara, që në kohë krize marrin më shumë kuptim dhe përkthehen në avantazhe.

“Duke qenë destinacioni më lehtë i arritshëm, 30 minuta larg nga aeroporti dhe duke pasur portin kryesor në vend, me plazhe ranore rreth 30 kilometra të Gjirit të Durrësit (dhe po kaq të Gjirit të Lalëzit) pra me një potencial shumë të madh zhvillimi turistik, Durrësi ka qenë për fat të mirë dhe të keq eksperimenti i parë i turizmit të plazhit në vend”, thotë z. Gërxhani.

Sipas tij, ka disa faktorë që ndikojnë në largimin e tregut turistik nga Durrësi (por jo vetëm) gjatë verës që janë: ndotja e madhe e ujërave të zeza, nga plehrat, ndërtimet e pambaruara, nga ndotja akustike dhe vizuale, trafiku i rënduar, mbipopullimi me njerëz, mungesa e shërbimeve profesionale, mungesa e alternativave të argëtimit përveç plazhit, ushqimit dhe fjetjes etj.

“Kjo ndodh kryesisht gjatë korrikut dhe gushtit. Jashtë kësaj periudhe vizitorët pothuajse zhduken fare dhe këtu fillon edhe shansi i këtij destinacioni nëse shihet nga një këndvështrim krejt tjetër, nga ai tradicional i plazhit. Mund të tingëllojë si paradoks, por besoj se Durrësi ka një potencial më të madh turistik jashtë sezonit sesa gjatë dy muajve të verës. Duke mos pasur njerëz, ndotjet pothuajse reduktohen në minimum; nuk ka pothuajse fare ndotje të ujërave të zeza, ka më pak plehra, nuk ka trafik dhe është një qetësi absolute ku për herë të parë mund të shijosh zhurmën e dallgëve të detit. Shumica e bizneseve ‘të rastësishme’ turistike mbyllen, dhe rrinë hapur vetëm bizneset që e kanë lidhur jetën me turizmin. Pra le të themi, për tregun e Tiranës, i cili punon 5-6 ditë të javës dhe është çdo fundjavë në dilemë se ku mund të çlodhet, larg zhurmës, trafikut, ndotjes së ajrit, mungesës së parqeve dhe gjelbërimit, Durrësi duhet të kthehet natyrshëm në alternativën e parë që të kënaqë këtë treg. Thelbi i këtij produkti duhet të jetë qetësia dhe çlodhja, pra pushime relaksi me familjen”, thotë eksperti i turizmit.

Po cilat janë pikat e forta apo avantazhet, sipas tij?

E para, hotelet që janë të hapura kanë krijuar një përvojë në menaxhim, ndryshe nuk do ta përballonin dot mbajtjen hapur të biznesit të tyre gjithë vitin, pra do të ishin sezonalë. Kjo jep garanci se shërbimi do të jetë më i miri që ajo zonë ofron sot për sot.

E dyta, shumica e këtyre hoteleve ose e kanë filluar biznesin e tyre si restorante ose kanë punësuar kuzhinier me shumë përvojë, pra edhe ushqimi është nga më të mirët dhe kjo ngelet një nga pikat më të forta të turizmit shqiptar.

E treta, shumë prej këtyre hoteleve kanë një hapësirë të pranueshme, gjelbërim dhe shpeshherë edhe pishina, për të krijuar një mjedis të qetë e të bukur në buzë të detit ku mund të shijosh një pije, ushqimin dhe ku mund të lexosh i qetë një libër.

E katërta, janë mbi 30 kilometra plazh që janë krejt bosh për të shëtitur i qetë me familjen, apo për të vrapuar.

E pesta, me gjithë kusuret e veta, gjeografikisht Durrësi ngelet po aty, 40 kilometra ose 30 minuta larg, distanca më e vogël e mundshme për të shkuar diku në fundjavë për tregun gati 1 milionësh të Tiranës, si dhe pika më e afërt e plazhit për tregun 2.5 milionësh të Kosovës që me rrugën e re, është 2-3 orë larg. Dhe e fundit, e gjithë kjo me kosto minimale.

Kliton Gërxhani rendit edhe pikat të cilat duhen ndryshuar apo përshtatur për të tërhequr këtë treg jashtë sezonit.

E para, bizneset duhet t’i përshtaten nga ana menaxheriale 100% një tregu të tillë, tregut të fundjavës, i cili ka shumë pak pika të përbashkëta me tregun e plazhit. Ky treg mund të jetë ditor dhe në këtë rast, ka nevojë të kalojë vetëm një drekë të këndshme, ose me një apo dy net fjetje, pra që vjen të premten dhe ikën të dielën (kjo e fundit duhet të jetë edhe synimi kryesor që duhet të arrijnë këto biznese).

E dyta, çmimet e fjetjes duhet të jenë sa më të ulëta, mundësisht nën kosto, që të mos jenë pengesë për këtë treg sidomos në prezantimin e parë të këtij produkti, dhe të ketë oferta të ndryshme për fëmijë. Fitimi në këtë rast duhet të llogaritet tek ushqimi dhe shërbimet e tjera. E treta, është e domosdoshme të investohet në shërbime shtesë relaksi dhe argëtimi, si pishina të mbyllura për të rritur dhe fëmijë, qendra SPA, sauna, banjo turke, jacuzzi etj. (ose turizmi i shëndetit dhe i mirëqenies), argëtime në salla të mbyllura si bowling, bilardo, pingpong, salla lojërash, etj., të cilat i mbajnë klientët të angazhuar në rastin e një kohe jo të mirë, por edhe fusha tenisi, minigolfi, kënde lojërash për fëmijë, biçikleta etj., për aktivitete në ambient të hapur në rast se koha është e mirë.

“Në kushtet e sotme, kur pallatet-hotele janë kurriz më kurriz, kjo duket pothuajse e pamundur, por jam i sigurt se nëse tregu vendas do t’i rikthehet Durrësit nga shtatori në qershor, pra për 10 muaj në vit, hotelet e suksesshme do të jenë të interesuara të blejnë objektet dhe hapësirat përreth për t’u zgjeruar dhe për të shtuar shërbimet e munguara. Pushteti lokal duhet të pastrojë çdo mbeturinë në atë zonë, si dhe plazhin, në mënyrë periodike, gjë të cilën e ka më të lehtë, sepse ngarkesa e ndotjes është e vogël. Një nga çelësat kryesorë të suksesit të kësaj “ringjallje” produkti është marketingu. Nevojitet një marketing i mirëmenduar me karakter sensibilizues, por edhe specifik për këtë produkt, në mediat lokale, por edhe ato kosovare, nga privatët por mbi të gjitha nga Bashkia, Prefektura dhe Ministria e Turizmit ose AKT. Nëse shqiptarët do të informohen për një fundjavë në Durrës me kushtet e mësipërme do paguajnë 1/3 e asaj që paguajnë në hotelet e Budvas, besoj se zgjedhja se ku mund të kalohet fundjava nuk do të jetë më e vështirë”, thotë ai. Sipas tij, ky vizion, nëse do realizohet në praktikë (me pak kosto financiare, por shumë vullnet nga të gjitha palët) do përbëjë kthesën pozitive të kësaj zone në këtë trajektore, pra “rigjallërimin” e shumëpritur nga të gjithë deri në një afat të dytë, kur të gjithë të jenë gati për një zgjidhje afatgjatë.

 

 

Të huajt në kërkim të gjurmëve të vjetra

Për turizmin shqiptar, mediat e huaja tregojnë një vëmendje të veçantë. Ato realizojnë një marketing që është për t’u pasur zili dhe që shkon në favor të mundësive të pakta që ka shteti shqiptar për të ekspozuar në tërësi ofertën. Gjatë kësaj periudhë, media të huaja i kanë kushtuar vëmendje turizmit shqiptar, kryesisht ato britanike. Dhe ja se çfarë shkruajnë disa.

Në artikullin e titulluar “Aty ku mund të shkoni për një banjo dielli që kushton lirë”, “Bild” i rendit plazhet e Sarandës me ujin e kristaltë dhe bregdetin, ku ndërthuret ai shkëmbor me atë ranor, krahas plazheve të tjera ballkanike, si ato të Ulqinit në Malin e Zi, ato të Kroacisë si dhe Bullgarisë. Tabloidi gjerman fton turistët e huaj që kanë planifikuar pushime në zonat turistike pranë Shqipërisë, si Korfuzi, të kalojnë disa orë në diell në plazhet e pashkelura të Sarandës dhe zonave përreth, që ende nuk janë prekur nga turizmi masiv. Shqipëria me bregdetin e Sarandës renditet e treta, në një listë ku bëjnë pjesë edhe destinacione tepër të famshme si ishujt grekë të Egjeut, plazhet spanjolle, italiane e ato turke.

Edhe prestigjiozja britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull të veçantë vendit tonë me titull “Cepi i fundit i Europës, plazhet dhe bukuritë në Shqipëri. Një rast i fshehur në Ballkan”. Revista përshkruan zhvillimin turistik të Shqipërisë e bukuritë e bregdetit shqiptar. Christopher Middleton, autori i artikullit, ka udhëtuar në Shqipëri dhe ndihet i impresionuar nga ndryshimet. Shqipëria, thuhet në shkrim, është pak si Spanja e 50 viteve më parë. Merrni pushime në bregdetin e Adriatikut dhe do të shijoni kilometra plazhesh ranore, me çmime të leverdishme. Shkrimi mbyllet me dy fjalë që autori britanik i ka mësuar mirë “Faleminderit” dhe “Mirupafshim”.

“Lonely Planet” e reklamon sërish Shqipërinë si një destinacion “must”. Riviera shqiptare këshillohet si një ndër destinacionet më të lira e më të bukura në Europë. Në artikullin e fundit të botuar për këtë sezon veror, së bashku me rivierën shqiptare, operatori këshillonte edhe ishujt grekë, Lisbonën, Islandën, Berlinin, Ishujt Faroe, Stambollin dhe Slloveninë.

 

 

Turizëm i “zgjuar” dhe eksperimentues

Në pritje të gjallërimit të ekonomisë, turistët janë duke adoptuar e “shpikur” mënyra origjinale dhe pak të kushtueshme për të kaluar pushimet e tyre, por pa hequr dorë nga shumë gjëra. Po cilat do të jenë tendencat më interesante të turizmit për këtë sezon?

Gjithnjë e më shumë do të kërkohen udhëtimet “gjeneraliste” dhe “eksperimentuese”, të motivuara nga interesa të veçanta. Temat kryesore do të jenë: natyra, kultura, shija dhe aventura.

 

Rreth botës “low cost”

Të gjithë ata që nuk duan të heqin dorë nga pushimet jashtë vendit, por nuk kanë në dispozicion buxhete të mëdha, mund të zbatojnë një strategji “ad hoc”. Pushime më të shpeshta, por të shkurtra në kohë. Destinacione të reja ose mënyra të reja për të rijetuar destinacionet klasike. Për shembull, një udhëtim i gjithi me kosto të ulët. Irlanda mund të jetë një prej tyre. Është ajo që tërheq me Dublinin e mrekullueshëm të James Joyce e Oscar Wilde, por edhe me rekordet e “Guinness” dhe me shtëpitë B&B.

 

Me “rreze të largët”

Protagoniste do të jenë edhe destinacionet e largëta dhe Kina është një prej tyre.

Ndër vendet më të bukura për t’u vizituar janë Muri i Madh, ushtria e Xi’an dhe Qyteti i Ndaluar në Pekin. Mund të përshkoni edhe rrugën e “Mëndafshit” siç e ka bërë edhe Marco Polo. Ndër destinacionet ekzotike përfshihet edhe Bangladeshi me vende të mrekullueshme, si Sundarban. Libia mund të jetë gjithashtu një vend ideal me 2.000 km vijë bregdetare.

Një tjetër ide mund të jetë Azerbajxhani me brigjet e Detit Kaspik.

Për të jetuar në një mënyrë krejtësisht të re, destinacioni i radhës mund të jetë Tajlanda, tërheq Phuket me Festivalin Vegjetarian. Resorte si “Phuket Fantasea” me parqe të frymëzuara nga tematika tradicionale është një përvojë e mrekullueshme.

Ose mund të shkoni në Barcelonë nëse dëshironi të vizitoni një vend tërësisht origjinal me pamje nga deti.

 

“Lonely Planet”, destinacionet më “cool” të 2013-s

Si zakonisht, “Lonely Planet” ka bërë renditjen e saj në lidhje me destinacionet që do të jenë më të kërkuara për vitin 2013. Le të njihemi me to.

 

Sri Lanka – Tërësisht befasuese, renditja e Sri Lankës në vend të parë nga “Lonely Planet”.

Arsyet kryesore janë bukuritë e pafundme të natyrës dhe fakti se pas shumë kohësh, ky ishull i mrekullueshëm ka gjetur paqen.

Mali i Zi – Edhe vendi i dytë është një befasi më vete. Është mirë për ne që e kemi afër dhe mund të kthehet në një destinacion ekonomik.

Koreja e Jugut – Një vend tepër tërheqës, i mbushur me mister dhe me pasuri industriale që ia vlen të njihen.

Ekuadori – Arsyeja se përse Ekuadori është në listën e destinacioneve që ia vlen të vizitohet ka të bëjë me rrjetin hekurudhor që ju lejon ta vizitoni vendin me lehtësi tepër të madhe.

Sllovakia – Është një vend që tërheq jo pak. Është brenda kufijve të Europës dhe ofron çmime të arsyeshme.

Ishujt Solomon – Një parajsë e paarritshme për shumë njerëz, një arkipelag me një bukuri të jashtëzakonshme.

Islanda – Një vend shumë tërheqës që ofron mundësi të pafundme për ata që pëlqejnë trekking dhe ecjen me biçikletë.

Turqia – Në vitet e fundit janë të shumtë ata që e kërkojnë, qofshin europianë apo nga Lindja e Mesme.

Republika Dominikane – Një tjetër parajsë për ata që duan natyrën, por veçanërisht detin, palmat, plazhet e gjata dhe diellin.

Madagaskari – Kush nuk do të donte të mbante në krah një lemur të vogël, por natyrisht kjo nuk mund të jetë arsyeja e vetme që të shtyn të vizitosh këtë ishull fantastik.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.