Tendencë / Biblioteka në hotele për të gjithë ata që duan leximin

12/07/2017 6:30 PM 0 komente
Library Hotel

“Gjithnjë e kam imagjinuar parajsën një lloj biblioteke”, thoshte Jorge Luis Borges.
Për gjithë ata që i duan librat, sot, vjen një dhuratë nga bota e hoteleve.
Janë gjithnjë e më shumë hotelet që krijojnë hapësira të veçanta për leximin.

 

Library Hotel në Nju Jork është një ndër më popullorët. Luksoz, modern, me 60 dhoma dhe 6 mijë libra të shpërndarë në sallat e tij të shumta, Library Hotel organizon mbrëmje leximi dhe takime me autorët e veprave. Çdo kat i kushtohet një gjinie të caktuar, dhomat janë arreduar me libra dhe vepra arti, të cilat u mundësojnë turistëve të heqin prizën dhe të zhyten në botën e tyre të dashur, nga shkencat sociale tek filozofia, nga arti tek feja.

Në katin e dytë, Reading Room është e hapur për miqtë 24 orë në ditë, organizon takime leximi edhe gjatë mbrëmjes, me pamje nga Madison Avenue dhe Library Way. Në katin e 14, në tarracën e hotelit, ndodhet Writer’s Den and Poetry Garden, hapësirë për leximin dhe socializimin njëkohësisht.

Viceroy 2

Në bregun tjetër, në Kaliforni, Viceroy i Santa Monica, Los Anxhelos, ka një librari të bukur me 2 mijë volume në dispozicion të miqve. Edhe këtu organizohen mbrëmje leximi me të ftuar nga bota e letërsisë dhe aktivitete ku prezantohen libra të ndryshëm. Salla e leximit spikat për arredimin e saj të vecantë.

book-and-bed-tokyo

Për t’u zhytur edhe më thellë në shpirtin e letërsisë, në qendër të Tokios, është hapur Bed & Book Hotel, hoteli i parë për turistë-të pasionuar librash. Në vend të një bari tipik (izakaya) në lagjen Ikebukuro, ku japonezët hanë dhe pinë pas pune, studio e arkitektëve Suppose Design Office nga Hiroshima, ka krijuar një ambient origjinal bed and breakfast, ku librat nuk janë thjesht pjesë e arredimit, por bëhen shok të udhëtimit. Kjo është një hapësirë rreth 150 metra katrorë, me 30 krevate – në këtë hotel të çuditshëm nuk ka dhoma, por një labirint me rafte me libra nga e gjithë bota. Librat në dispozicion në këtë hotel janë në dy gjuhë: japonisht dhe anglisht. Në këtë hotel (janë hapur hotele të ngjashëm në Kioto dhe Fukuoka) një natë kushton 45 euro (këtu përfshihen mëngjesi dhe leximi i pakufizuar i librave).

GladstonesLibrary Wells

Për të përjetuar një përvojë të ngjashme, nuk është e nevojshme të fluturosh gjer në Tokio apo në Nju Jork. Për fat të mirë, nisma të ngjashme janë hapur edhe në pak kilometra distancë. Në Uells, për shembull, një ndërtesë e mrekullueshme e epokës viktoriane si Gladstone’s Library, në fshatin Harawaden, ju lejon të qëndroni në dhomat e saj.
E themeluar në shekullin e 19-të nga kryeministri Willian Ewart Gladstone, kjo librari antike (më e rëndësishmja në të gjithë Uellsin) ju jep mundësinë të merrni me qira një nga 26 dhomat që ju rezervohen studiuesve dhe të flini në shoqërinë e librave (250 mijë libra, ndër to dhe kopje të rralla).

Rijksmuseum Research Library, Amsterdam

Mund të flini në një bibliotekë historike edhe në Amsterdam. Ndër muret e bibliotekës së vjetër të Jordaan, sot ka lindur hoteli luksoz Andaz Prinsengracht, pjesë e rrjetit Hyatt. Ndër morinë e volumeve të koleksionit të bibliotekës, shumë prej tyre kanë përfunduar në librarinë private të hotelit.

B2 Zyrih

E ngjashme është edhe B2 Boutique Hotel në Zyrih, një hotel me 4 yje me një bibliotekë për t’u pasur zili, ku miqtë mund të çlodhen gjithë natën duke shfletuar volume të shumta.

Tajlande 2

Më mirë vendet tropikale? Nëse shkoni në Tajlandë, në ishullin Koh Samui, është hapur The Library, një sallë e mrekullueshme leximi. Është ideale për të gjetur disa orë qetësi mes plazheve gjithë gjallëri të ishullit.

Casa Papolo

Meqë jemi në vendet tropikale, në liqenin Atillan, në Guatemala, Casa Palopo meriton një vlerësim të veçantë. Së pari për pamjen e saj të mrekullueshme: dhomat e bibliotekës ofrojnë një panoramë të vullkanit San Pedro. Në bibliotekë do të gjeni libra të shumtë për kulturën Maya, nga historia tek mitet, shkencën etj.

Rekjavik

Është e vetmuar dhe e qetë atmosfera në Bed and Book në Reikjavik. E thjeshtë dhe ekonomike, gjendet në një shtëpi të vjetër që daton në vitin 1930. Dhomat janë të pakta. Biblioteka drejtohet nga një familje vendase. Biblioteka, pavarësisht se është e mirëpajisur, nuk mund të konkurrojë me strukturat e tjera.

 

 

Burimi: Repubblica.it

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz